VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - A PO BËN AZERBAJXHANI LOJËN RUSE NË BALLKAN?Nga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Djelë, 12.08.2024, 01:29am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
A PO BËN AZERBAJXHANI LOJËN RUSE NË BALLKAN?
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 08.12.2013, 11:28am (GMT+1)


Njoftimi i agjencisë armene "Armenpress" në datën 8 gusht, se Azerbajxhani i ka bërë ofertë Rusisë që të marrë pjesë në projektin e gazsjellësit TransAdriatik, TAP, i cili do të transmetojë gazin azer për në Europë, duhet të ketë ngjallur disa kureshtje dhe reflektim, jo vetëm tek qarqet energjetike dhe shtetet që janë të lidhura me këtë projekt, por edhe më tej, tek shtetet jashtë projektit, si dhe tek qendrat europiane të planifikimit dhe të politikës energjetike. Pikëpyetjet lidhen me hapjen e një faqeje të re të panjohur të projektit, me rolin, interesat dhe me perspektivën më të komplikuar, që sjell një pjesëmarrje e Rusisë në gazsjellësin TAP. Në fakt, agjencia armene u referohet informacioneve të botuara në gazetën turke "Yeni Asya" të datës 7 gusht, sipas së cilës, "me qëllim që të ulë shqetësimet e Rusisë për realizimin e projekteve energjetike me vendet perëndimore, Bakuja i ka ofruar Rusisë pjesëmarrjen në gazsjellësin TransAdriatik. Ky qëndrim i Azerbajxhanit është produkt i konceptit që synon të qetësojë Rusinë".

Oferta azere, dhe një pjesëmarrje e mundshme e Rusisë në projektin e gazsjellësit TAP, shtron pikëpyetje të natyrës strategjike. Realizimi i kësaj pjesëmarrjeje do të vinte në dyshim karakterin dhe objektivin e tanishëm të TAP-it, i cili është reklamuar aq shumë, si një projekt që do të sjellë gazin jorus në Europë dhe në këtë mënyrë do të pakësojë varësinë energjetike të Europës nga gazi rus. Nëse Rusia bëhet pjesëmarrëse e projektit, është e qartë se ky profil kaq i reklamuar i "pakësimit të varësisë nga Rusia dhe i diversifikimit të burimeve energjetike", duket se sfumohet. E thënë në një mënyrë figurative, përfshirja e Rusisë në projektin TAP do t'i humbiste gazsjellësit në fjalë virgjërinë europiane.

E parë nga një pikëpamje e pastër teknike dhe teknokratike, nuk është se prodhohet ndonjë shqetësim i drejtpërdrejtë nga ndërhyrja dhe përvoja e madhe ruse. Madje këndvështrimet kozmopolite mund të ripërsërisin se gazi nuk ka ngjyrë, se ai vetëm ngroh, se nuk duhet parë karakteri nacional i tij, për shkak të përfitimeve të mëdha të ekonomisë dhe të kuzhinave, të hapjes së vendeve të punës etj., etj. Por e parë nga pikëpamja e zanafillës, e apologjisë dhe e strategjisë së diversifikimit të burimeve energjetike të BE-së dhe të vendeve të tjera europiane, një hartë e re e protagonistëve të gazsjellësit TAP ka ndërlikimet e veta.

Duhet theksuar se një pjesëmarrje e Rusisë në projektin e gazsjellësit TAP nuk shfaqet si zhvillim krejt i papritur për ata që i kanë ndjekur dinamikat e intrigave energjetike dhe të konkurrencës së gazsjellësve. Nuk duhet konsideruar e papritur, sepse Rusia dhe "Gazprom"-i, kompania gjigante ruse e gazit, nuk është se ndenjën neutralë dhe panë me mospërfillje një projekt gazsjellësi, që shpallej se do të ndërtohej për të pakësuar dominimin rus të Europës në planin energjetik. Projekti dhe realizimi i të quajturit "Korridor Energjetik i Jugut", që BE ka planifikuar për rrjetin e transmetimit të gazit jorus nëpër Europën Juglindore, nuk mund të shihej në Moskë me mospërfillje. "Kur konsorciumi Shah Deniz vendosi për TAP-in në vend të Nabucco-s, Rusia teknikisht fitoi betejën për Korridorin Energjetik të Jugut", shkruan Olgu Okumus në "Al Monitor Pulse" në 10 korrik.

Diplomacia energjetike e Rusisë, jo vetëm u aktivizua fuqishëm, por edhe mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në të gjitha prapaskenat, që u luajtën lidhur me vendimin që do të merrnin konsorciumi Shah Deniz 2 dhe Azerbajxhani, për të zgjedhur si rrugë furnizimi me gazin azer projektin TAP apo Nabucco. Shumica e ekspertëve energjetikë dhe strategjikë e pranojnë se në konsideratat e marra parasysh nga Azerbajxhani, përveç atyre tetë parimeve tekniko-financiare të shpallura publikisht, kishte edhe disa konsiderata të tjera prioritare, të cilat nuk u shpallën asnjëherë dhe mbetën prapa kuintave. Hija e marrëdhënieve me Rusinë dhe pesha politike e Rusisë në ish- republikën sovjetike është faktor, që Bakuja nuk mund ta anashkalonte. Për Azerbajxhanin, Rusia është më e rëndësishme se Bashkimi Europian në planin politik, strategjik dhe të sigurisë. Presidenti i Azerbajxhanit, duke zgjedhur TAP-in, arriti të ruante ekuilibrin politik me Rusinë dhe fitimin financiar e tregtar me Europën. Kjo llogari e anoi peshën e vendimit azer tek TAP dhe jo tek Nabucco, e cila, në aspektin strategjik dhe energjetik e pengonte më shumë Rusinë në ambicien e dominimit energjetik të Europës. Drejtori i Qendrës Ruse për Studime Politike "Veri-Jug", Aleksej Vllasov, i deklaroi gazetës "Vestnik Kavkaza" në 29 korrik, se "Moska natyrisht e ka marrë në konsideratë që, në fushën e gazit global, Bakuja luajti në anën e Rusisë, duke zgjedhur TAP-in në vend të Nabuccos".
"Gazprom"-i dhe Rusia kanë lozur një rol tepër aktiv për të ndikuar që zgjedhja të binte në projektin TAP. Së pari, sepse ky projekt me 10 miliardë metra kub të gazit vjetor, nuk e kërcënon dominimin rus në fushën e energjisë në Europë, dhe së dyti, gazsjellësi TAP ka në hartën e tij shtete, që nuk janë në sferën e influencës energjetike të Rusisë.

Një faktor i rëndësishëm ka qenë ndikimi i tërthortë i Rusisë, nëpërmjet kompanive europiane, të cilat kanë aksione dhe peshë të fuqishme në konsorciumin Shah Deniz 2 dhe në ndërtimin e projektit TAP. Britanikja "British Petroleum" dhe norvegjezja "Statoil", që janë aksionistë të rëndësishëm të konsorciumit Shah Deniz 2, kanë interesa të mëdha financiare dhe energjetike në Rusi, të cilat nuk do të donin t'i rrezikonin duke zemëruar Rusinë. Interesat e tyre në Rusi kanë pasur ndikimin e vet në shtyrjen e erës në favor të projektit TAP. Por Rusia me sa duket nuk është mjaftuar me kaq dhe duhet të ketë kërkuar siguri dhe një prani të drejtpërdrejtë në projektin TAP, me qëllim që të garantojë se interesat e saj energjetike në Europë nuk do të cenohen.

Në këtë kuadër duhet parë dalja tani në skenë e një oferte të Azerbajxhanit për pjesëmarrje direkte të Rusisë në gazsjellësin TAP. Kjo do të thotë që Rusia të ketë financimin, aksionet dhe ndikimin e saj, në tratativat që do të zhvillohen për furnizimet e gazit dhe për kushtet e marrëveshjeve me shtetet e ndryshme tranzituese apo konsumatore në Europë. Kjo do të thotë që Rusia të fitojë mundësinë, hapësirën, dhe të drejtën të përdorë gazsjellësin TAP edhe për të transmetuar gazin e saj në Korridorin Energjetik të Jugut, i parashikuar nga BE-ja për gazin jorus. Me një fjalë, Rusia hyn dhe fiton një zë dhe një vend edhe në gazsjellësin e vetëm të aprovuar deri tani dhe të piketuar për pakësimin e varësisë nga gazi rus. Farid Osmanov dhe Elmar Bagirov, të Akademisë Diplomatike te Azerbajxhanit, shkruajnë në 15 korrik se "Faktori politik pati një impakt në shtytjen finale për projektin TAP. Nga pikëpamja politike, faktori më i rëndësishëm për furnizuesin, konkretisht Azerbajxhanin, ishte të mënjanonte keqësimin e mundshëm të marrëdhënieve me Rusinë".

Po të mbajmë parasysh se Rusia po ndërton gazsjellësin e madh "South Stream", që kalon nëpër disa shtete të Ballkanit dhe do të ketë degëzime edhe në Bosnjë-Hercegovinë, edhe në Maqedoni, bëhet e qartë se Moska po lufton të jetë në gjendje të kontrollojë apo të jetë pjesëmarrëse, në një mënyrë apo tjetër, në të gjithë llojet e gazsjellësve që kalojnë nëpër Ballkan.

Shtetet tranzituese të gazsjellësit TAP, ku futet edhe Shqipëria, akoma pa u shuar euforia e festimeve të miratimit të projektit nga Bakuja, po ndodhen para disa të papriturave. Në datën 30 korrik, shtetet tranzituese mësuan se aksionerët e ndërtimit të gazsjellësit ndryshuan në mënyrë rrënjësore. Nëse deri tani konsorciumi "TransAdriatik AG" i ndërtimit të gazsjellësit kishte në përbërje kompaninë norvegjeze "Statoil" me 42,5 për qind të aksioneve, kompaninë zvicerane "AKSPO" me 42,5 për qind të aksioneve dhe kompaninë gjermane "E.ON" me 15 për qind, tani aksionerët janë BP me 20 për qind, azerja "SOCCAR" me 20 për qind, francezja "Total" me 10 për qind, belgia "Fluxy" me 16 për qind, "E.ON" me 9 për qind dhe "AKSPO" me 5 për qind. Kjo do të thotë që konsorciumi "TransAdriatik AG" ka ndryshuar raportet e aksionerëve dhe të vendimmarrësve. Këtu natyrshëm lind pyetja se: Si do të veprohet dhe çfarë efekti kanë e do të kenë marrëveshjet dhe memorandumet e nënshkruara nga TAP me shtetet tranzituese, përfshirë edhe Shqipërinë? Duhet parë nëse do të kenë këto marrëveshje me partnerët e rij të TAP-it të njëjtin efekt dhe fuqi, nëse do të jenë të njëjtat kushte, apo do të ketë kushte të reja, lidhur me tranzitimin dhe pjesëmarrjen e shteteve tranzituese. Ndryshimi i dytë më i panjohur vjen nga perspektiva e një përfshirjeje të Rusisë në projektin TAP. Duhet parë nëse do të nënshkruhen tani marrëveshje të veçanta edhe me Rusinë, apo nëse Rusia do të imponojë kushte të tjera kontraktuale me shtetet tranzituese.

Dhe në fund, nuk mund të mos lindë pyetja nëse Azerbajxhani po merr pjesë në një lojë energjetike dhe strategjike të Rusisë në Ballkan. Sepse nuk mund të mos bëjë përshtypje një dashuri e beftë e Azerbajxhanit për Greqinë, për Shqipërinë dhe për Serbinë, me të cilën, në shkurt të këtij viti nënshkroi dhe një marrëveshje të partneritetit strategjik. Ose ethja gjeneroze azere për të blerë kompani të falimentuara energjetike në Ballkan, sidomos në shtetet ku do kalojë TAP-i.

Janë çështje, të cilat kërkojnë një përgjigje dhe apdetim situate nga shtetet tranzituese, siç është Shqipëria. Studiuesi italian i Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare, Nikolo Sartori, në një studim të tijin për energjinë, citon një përfaqësues të TAP-it, që ka thënë se: "Gazsjellësit janë 90 për qind politikë dhe 10 për qind çelik". Gjithë këto ndryshime, lëvizje dhe përmbysje që po ndodhin në hartat energjetike, nuk janë thjesht manovrime energjetike. Ato kanë efektet e veta strategjike e kombëtare dhe nuk mund të neglizhohen. Euforitë elektorale apo propagandistike nuk mund të përdoren si opium për të vënë në gjumë vigjilencën kombëtare dhe interesat kombëtare. Nëse nuk e pati këtë në nivelin e duhur qeveria që humbi zgjedhjet, është e domosdoshme ta ketë në konsideratë qeveria që fitoi zgjedhjet.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KËLMENDI, NDERI I KOMBITNga FRANK SHKRELI (08.11.2013)
ÇFARË DO ME THËNË MOSPËRFILLJA E OBAMËS PËR MARRËDHËNIET SHBA-RUSI?Nga IAN BREMMER, New York Times (08.11.2013)
25 VJET NGA VRASJA E POETIT HAVZI NELA DHE PAFUQIA PËR T'U NDARË NGA E KALUARANga AFRIM KRASNIQI (08.10.2013)
KUKËSI, QYTETI JASHTË ORBITËS SË KUFIJVE TANË!Nga AHMET SHQARRI (08.10.2013)
A DUHET TË KETË MORAL NË POLITIKËN E JASHTMENga FRANK SHKRELI (08.10.2013)
STRUGA IME E BUKUR...Nga LEBIT MURTISHI (08.08.2013)
PA NDËRTIMIN E RRUGËS DEÇAN-PLAVË-SHKODËR NUK MUND TË FLASIM PËR NJË INTEGRIM TË SHQIPTARËVE NË BALLKAN (08.08.2013)
LUFTË E RE E FTOHTË NË MARRËDHËNIET MIDIS UASHINGTONIT DHE MOSKËSNga FRANK SHKRELI (08.08.2013)
KONTRAST - POLITIKANËT, PUSHIME FAMILJARE ME TAKSAT TONANga AFRIM KRASNIQI (08.07.2013)
Nisur nga skandalet më të fundit në diplomaciKUTËRBON NEPOTIZËM DIPLOMACIA E KOSOVËSNga ELIDA BUÇPAPAJ (08.06.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]