E Mërkurë, 12.06.2023, 06:58pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
ROTACIONI NUK MJAFTON, AI VETËM JEP SHANSIN
Nga AFRIM KRASNIQI

E Premte, 08.16.2013, 07:58pm (GMT+1)


Një nga motivet thelbësore të ndëshkimit masiv qytetar për qeverinë në ikje ishte niveli i lartë i korrupsionit zyrtar, administrativ dhe politik. Sidomos në 2-3 vitet e fundit të qeverisjes, pothuajse pas çdo akti qeveritar fshihej një interes klientelist, biznes afër vendimmarrësit, detyrim elektoral apo privilegj familjar e shoqëror. Premtimi për qeverisje "me duar të pastra" mori fund me Gërdecin dhe arriti kulmin me ngjarjet e janarit 2011. Ata që erdhën në pushtet për të rrëzuar sistemin korruptiv të të majtës krijuar nga Nano, nuk bënë asgjë më shumë sesa e ruajtën sistemin, por zëvendësuan piramidën korruptive fillimisht me emra të rinj dhe më pas me të njëjtët emra, përfshirë edhe aleancën politike me Nanon. Ideja e moralitetit dhe politikës së pastër u mund me vetëdije nga ideja e re oligarkike, se sa më e pasur të bëhesh, sa më shumë pushtet e privilegje të marrësh, aq më shumë imponohesh në publik, media, zgjedhje. Pasojat dihen. Niveli i korrupsionit politik e shtetëror më 2011-2012 ra në nivelet e vitit 2001-2004, madje në disa zëra kryesorë politikë e tejkaloi atë duke e kthyer, siç Sekretaria Klinton paralajmëroi, në rrezikun kryesor të demokracisë në Shqipëri.

23 qershori u dha shansin qytetarëve ta ndëshkonin me votë masive këtë model gati kriminal dhe të krijonin shanse për ndryshimin e gjendjes. Oferta e palës tjetër ishte qeverisja me duar të pastra, transparenca dhe garancitë se kurrë më liritë dhe parimet kushtetuese nuk do të injoroheshin. Një ofertë e nevojshme, historike, sa edhe utopike. Vetë kryeministri në pritje i deklaroi BBC se fajtor është sistemi, dhe nëse nuk ndryshohet ai, asnjë individ nuk mund të jetë imun prej tij. Ai ka 60% të drejtë, por pjesa tjetër është po aq thelbësore: kush do ta ndryshojë sistemin? Ata 25 biznesmenë politikë që morën mandate për shkak të aftësive të tyre financuese në fushatë? Ata 10-15 deputetë që vazhdimisht në tranzicion kanë bërë headline negative për skandale korruptive, probleme me drejtësinë apo edhe më keq? Ata 10-12 deputetë që familjarisht janë ndarë në pozitë-opozitë, që deri dje ishin ministra të majtë apo të djathtë dhe në limitet e fundit kohore ndryshuan kah politik? Jo. Ata janë pjesë e sistemit, madje simbolikisht janë vetë sistemi, janë produkti dhe simboli i tij më i dukshëm. Ata nuk kanë interes të ndryshojnë sistemin, por ta përdorin atë për veten e tyre, siç u bë edhe në të kaluarën.

Brenda parlamentit të ri, në mazhorancë dhe opozitë ka një numër tjetër deputetësh vendimmarrës, të cilët edhe pse i mbijetuan sistemit duke bërë kompromise personale me të, nuk janë tërësisht pjesë e tij, duan ndryshim dhe janë të ndërgjegjshëm se pa një reformë të thellë ky vend dhe ky model qeverisës nuk ka të ardhme të sigurt. Sprova e tyre është e shumëfishtë: do të duhet të dëshmojnë vullnet e kurajë politike për mendimet dhe nismat. Do të duhet të përballen me pjesën tjetër brenda llojit, që synon të kundërtën e tyre. Do të duhet të përballet çdo ditë me militantët e mitingjeve, të cilët presin të shpërblehen për votat, pavarësisht kostos për shoqërinë. Do të duhet të tejkalojnë aleancat e detyrueshme për bashkëqeverisje ose aksion të përbashkët në opozitë. Së fundi, do të duhet të rrezikojnë me të ardhmen e tyre politike brenda partisë, - nëse nismat dhe mendimet e tyre nuk marrin mbështetje të fortë publike prej titullarëve vendimmarrës, shefave të partive. Rama është në politikë (me të drejtë ligjvënëse) prej 1990, Meta prej vitit 1992, Basha prej vitit 2005. Tek e majta ka figura me peshë si Ruci, Dokle, Majko, Angjeli, Cani, etj, që e kanë pasur këtë pushtet po ashtu prej 1990-1991. Tek e djathta po ashtu ka emra që vijojnë të jenë pareshtur në politikë e pushtet. Pra, në thelb, tek dy palët ka një grup politik vendimmarrës, i cili direkt ose indirekt ka qenë pjesë e sistemit prej 20 vitesh, protagonistë kryesorë të tij. A është e mundur që të njëjtit persona, pas mëse dy dekadash bashkëpërgjegjësi, të tejkalojnë vetveten dhe të ndryshojnë sistemin, produkt e drejtuesit e të cilit janë? A është e mundur që vota për rotacion të jetë e mjaftueshme për t'i dhënë fund gjithçkaje negative që kemi përjetuar gjatë këtyre viteve? A është e mundur që deputetë të emëruar ose zgjedhur në disa raste edhe përmes tregut të votës, të bëhen papritur zëdhënës së reformave të mëdha për shenjtërinë e votës dhe vlerave të demokracisë? Vetëm në filma dhe romane pritshmëri të tilla utopike merren të mirëqena.

Mund të bëhen përpjekje, mund të ketë zëra dhe individë që bëjnë ndryshim nga turma politike, mund të ketë njerëz me vizion e ndjenjë përgjegjësie, mund të ketë bindje personale, por në një mjedis politik vendimet me rëndësi janë produkt të mjedisit, kompromiseve, rrethanave dhe specifikave. Me këtë paradoks jemi ndeshur më 1992, 1997, 2005 dhe po ndeshemi edhe tani. Në rastin konkret, kabineti i ri i majtë (formalisht të rinj nga PS, pjesëtarë të sistemit të vjetër nga LSI) ka premtuar dhe është i detyruar të bëjë hapa konkretë kundër korrupsionit, pro shtetit ligjor dhe standardeve të integrimit. Tek e djathta parlamentare asgjë nuk lëviz, aktorët e vjetër komandojnë, me po atë stil, fjalor e mentalitet të vjetër. Ndaj rotacioni politik ishte pozitiv, por mbetet i pamjaftueshëm për të ofruar pritshmëritë publike për demokraci funksionale, reforma dhe qeverisje të pastër. Si për ta vërtetuar këtë tezë, mjafton t'iu sjellim ndërmend se sektorë nën kritika të forta si shëndetësia, privatizimet, minierat, ekonomia, diplomacia, etj, gjatë viteve të fundit janë qeverisur nga një e katërta e qeverisë së re. Edhe bashkia kryesore, Tiranë, në dy vite pati nënkryetar të "djathtë" deputetë apo ministra të kabinetit të ri të" majtë". Gërdeci, 21 janari, koncesionet, skandalet e barnave, emërimet nepotike në diplomaci, sistemi klientelist në qeverinë qendrore e vendore, etj, kanë po ashtu pjesë të bashkëpronësisë dhe përgjegjësisë aktorë që janë sot pjesë e pritshme e ndryshimit. Rastet janë të shumta.

Për më tepër, edhe këto ditë në pritje të jetësimit të rotacionit, dalin në pah koncepte që ushqejnë sistemin e vjetër. P.sh, këto ditë një ish ministër i "djathtë" tashmë pjesë e ekipit të ri qeverisës garantoi se kriter për mbajtjen në punë apo punësimin në administratë do jetë aftësia e tyre për t'iu përgjigjur kërkesave të koalicionit (!), se kriter për rishikimin e vendimeve të fundit të qeverisë në ikje do të jetë gjykimi rast pas rasti i aleancës së re (!), se lejimi i importimit të plehrave është vendim delikat pasi është miratuar kur ata vetë ishin në qeveri (!) etj, etj, ndërkohë që dikush, i cili ka vullnet real për ndryshimin e sistemit korruptim do të duhej të shprehej: ligji, ligji, ligji dhe vetëm ligji. Ai nuk përmendi fjalën "ligj" dhe nuk është i vetmi, përkundrazi, është një prej shumë atyre që këto ditë verore shfaqen me patetizëm si shpëtimtarë, edhe pse vetë, shumë prej tyre njihen publikisht për modele klienteliste dhe korruptive gjatë kohës kur punuan si të majtë ose të djathtë.
Në këto rrethana mesazhi është i qartë: rotacioni nuk mjafton, ai ofron një mundësi. Aktet kundër korrupsionit meritojnë vlerësim dhe trajtim serioz, të shpejtë, strukturor, dhe me mbështetje të gjerë politike. P.sh, duke publikuar që tani pasurinë reale të çdo deputeti dhe ministri të ri; duke bërë publike brenda muajit shtator të gjitha pasuritë publike e shtetërore që u janë dhënë në përdorim bizneseve private afër politikës, medieve dhe kanaleve të tjera ushqyese të makinës propagandistike të sistemit të vjetër; duke kaluar për hetim në prokurori çdo dosje të dyshuar korruptive të 8 viteve të fundit; duke kanalizuar përpara drejtësisë çdo akuzë penale; duke krijuar sistem transparent meritokracie në vend të ofertës së parcelizimit që vijon të sillet si re mbi selinë e PS, duke bërë publike çdo qindarkë të shpenzuar në fushatë, çdo burim financiar, çdo dhuratë, çdo mbështetës donator dhe çdo lidhje të tyre me proceset e administrimit të parasë dhe pronës publike gjatë qeverisjes; duke ndarë qartë mandatin politik nga aktiviteti tregtar privat; duke liberalizuar me ligj tregjet dhe shërbimet monopol; duke vendosur standardin që çdo zyrtar i akuzuar për një akt korruptiv të detyrohet të dorëzojë imunitetin politik; duke ndaluar edhe de facto çdo punonjës me status civil të merret me politikë dhe parti për sa kohë paguhet me taksat qytetare; duke dëgjuar me qetësi çdo kritikë dhe duke iu përgjigjur pa sulme e denigrime çdo pretendimi për gabime në qeverisje; duke kaluar në referendum popullor apo lokal çdo çështje madhore në interes qytetar; duke dialoguar e respektuar çdo grup interesi edhe kur ndan mendime të ndryshme; duke bërë publik e transparent çdo akt administrativ e zyrtar; duke respektuar integritetin e institucioneve kushtetuese; etj, etj.

Janë shumë? Jo, janë kërkesa minimale për një fillim të ri. Rotacioni u heq pushtetarëve mandatin politik, por ai nuk vendos drejtësi dhe as nuk jep garanci ndryshimi. Ndaj pala fituese nuk duhet të mjaftojë me rotacionin dhe as me mandatin politik: sistemi ndryshohet me akte konkrete ligjore e kushtetuese, me mentalitet e sjellje të reja; anti-korrupsioni kërkon akte konkrete dhe pa vonesë. Shqipëria nuk ka vuajtur për deputetë e ministra, kryetarë partish apo propagandistë partiakë: ajo ka vuajtur dhe vuan nga defekte apo mungesa në kulturën e shtetit, e ligjit, e demokracisë funksionale, dialogut, e transparencës, e mirëqeverisjes, e drejtësisë, e përgjegjësisë: - kolona kryesore mbi të cilat ngrihet dhe qëndron çdo sistem demokratik.

AFRIM KRASNIQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
"LE TË USHTOJË KAMBANA E LIRISË" - 50 VJET NGA FJALIMI HISTORIK I MARTIN L. KING-UTNga FRANK SHKRELI (08.16.2013)
STRUGËS I MUNGON LASGUSHI...Nga LEBIT MURTISHI (08.15.2013)
'MATRIARKATI' ÇALAMAN I JOZEFINËSNga AZGAN HAKLAJ (08.14.2013)
PAPA FRANÇESKU DHE BOTA MYSLIMANENga FRANK SHKRELI (08.14.2013)
'MAQEDONIA' NUK PUNON PËR EVROPËN, KOHA NUK PUNON PËR 'MAQEDONINË'Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (08.13.2013)
DREJTËSI PËR DREJTËSINËNë vend të një refleksioni për drejtësinë e munguarNga NAMIK SLEMANI (08.13.2013)
SHTETI E HARROI 25 VJETORIN E VRASJES TË HAVZI NELËS NGA DIKTATURANga ELIDA BUÇPAPAJ (08.12.2013)
A PO BËN AZERBAJXHANI LOJËN RUSE NË BALLKAN?Nga SHABAN MURATI (08.12.2013)
KËLMENDI, NDERI I KOMBITNga FRANK SHKRELI (08.11.2013)
ÇFARË DO ME THËNË MOSPËRFILLJA E OBAMËS PËR MARRËDHËNIET SHBA-RUSI?Nga IAN BREMMER, New York Times (08.11.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2023  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]