PLATFORMA E PARË SERIOZE SHTETËRORE PËR KOSOVËN Nga SHABAN MURATI
E Hënë, 09.16.2013, 08:57am (GMT+1)
Fjala që Kryeministri i ri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti në Kuvendin e Kosovës në datën 13 shtator, mund të konsiderohet platforma e pare konceptuale serioze shtetërore e një qeverie shqiptare për Kosovën. Nuk gjen gjatë 21 vjetëve të qeverive të periudhës postkomuniste, jo më një fjalim të një kryetari të qeverisë, por as edhe një program të gjithë qeverive të kësaj periudhe, që të përmbajë koncepte, ide, plane, projekte dhe vizion kaq të qartë lidhur me marrëdhëniet e sotme dhe të ardhme mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Është hera e parë që në qëndrimin shtetëror për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës mënjanohet folklorizmi dhe sillet një program me ide novatore, të cilat hapin një perspektivë reale në kombinimin e rrethanave realiste të marrëdhënieve rajonale dhe ndërkombëtare me largpamësinë e aspiratave të kombit shqiptar. Platforma ka pikënisjen e drejtë konceptuale se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete dhe nga kjo premisë e realitetit të pranuar duhet kërkuar çelësi realist i parashtrimit të çdo perspektive. Janë dy shtete, siç ishin Gjermania Perëndimore dhe Gjermania Lindore. Vizioni historik, europian dhe qytetar gjerman, duket të jetë një frymëzim shtetëror edhe për vizionin e kryeministrit të ri për Kosovën.
Platforma e re konceptuale shtetërore për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës ka largpamësinë menexheriale, duke synuar t'i vendosë marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare në rrugën e institucionalizimit, si rruga më e sigurt e kohezionit të hapësirës mbarëshqiptare. Nuk arritën qeveritë e mëparshme të Shqipërisë, dhe sidomos qeveria që sundonte në Tiranë pas pavarësisë së Kosovës, të kuptonin rëndësinë e motorit të institucionalizimit në dinamizmin, në fuqizimin dhe në partikolaritetin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse udhëheqësit e mëparshëm të Shqipërisë nuk kanë ditur apo nuk kanë dashur t'i vendosin raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës në rrugën e mbarësisë kombëtare, kjo është çështje për historinë. Por ne mund të sjellim si shembull ilustrimi se presidenti i parë i periudhës demokratike humbëtohej në devizën e krijimit të "hapësirave demokratike" për Kosovën, në kohën që populli i Kosovës kishte votuar me referendum për pavarësinë, kurse kryeministri i parë socialist, që e pasoi në pushtet, guxonte t'i tregonte Kosovës se kryeqyteti i saj është Beogradi.
Platforma e re përmban konceptin e ri bazal të një aleance strategjike themelore e kryesore mes të barabartësh të Shqipërisë me Kosovën. Është një konceptim i drejtë dhe i rëndësishëm, që imponon kanalizimin e energjive të dashurisë dhe të patriotizmit në bankëprovën konkrete të hapave institucionale. Dy shtetet shqiptare në Ballkan nuk mund të kenë asnjë pikënisje dhe asnjë pikëmbërritje të diplomacisë dhe të politikës së tyre të jashtme pa farkëtimin e kësaj aleance strategjike prioritare me njëri-tjetrin, në funksion të së cilës zhvillohen dhe përthyhen të gjitha llojet e marrëveshjeve dhe të bashkëpunimit. Edhe më profanët në diplomaci e kanë të qartë se aleanca strategjike themelore dhe kryesore mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk zëvendëson dhe as minimizon aleancat strategjike kryesore të shqiptarëve me SHBA dhe BE. Përkundrazi, përbën një fuqizim të aleancave strategjike me Perëndimin.
Platforma ka një frymë qytetare dhe vendos konceptin e ri të barazisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Me të drejtë konsiderohet i mbyllur raporti i vjetër "shtet amë" dhe "shtet bijë", i cili është keqpërdorur kaq shumë nga udhëheqësit e deritanishëm të Tiranës në funksion të qëllimeve të tyre politike dhe elektorale në Shqipëri dhe të mercenarizimit të pushtetit të tyre. Kjo shënon një ndarje përfundimtare nga fryma primitive, rurale dhe folklorike, e marrëdhënieve të deritanishme mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sepse këto marrëdhënie janë parë dhe ndërtuar nga drejtuesit e deritanishëm të qeverive të Tiranës me konceptin e paternalizmit dhe nuk është synuar që Kosova të institucionalizohet si entitet kombëtar i barabartë me Shqipërinë. Kosova është parë si domen i bajrakut ose i mustaqeve politike të prijësit, madje si ekskluzivitet i prijësit, kur ai ishte nga e njëjta malësi. Një mentalitet rural, i cili pengoi gjatë pesë viteve pas pavarësisë së Kosovës që marrëdhëniet dypalëshe të kishin nivel më të lartë se me shtetet e tjera. Folklorizmin e udhëheqësve të deritanishëm të Tiranës për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën e ka sponsorizuar Serbia.
Platforma formulon hapat dhe piketat konkrete të proçesit të institucionalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës si detyra prioritare qeveritare. E formuluar si faza e re e bashkëpunimit strategjik në shumë plane, parashtrohen projekte konkrete, që nga sistemi i përbashkët arsimor, strategjia mbarëkombëtare për bujqësinë, politikat kulturore binjake e deri tek e deri tek projekti shumë i rëndësishëm i bashkimit doganor.
Kryeministri i Shqipërisë paraqiti konceptin e ri dhe të rëndësishëm të bashkëqeverisjes strategjike, që i jep një drejtim dhe fuqi të re procesit të kohezionit institucional dhe kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës. Është një ide novatore, e cila krijon një gravitacion të ri funksionimi të hapësirës shqiptare të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në këtë vizion strategjik të bashkëqeverisjes ofrohen dy etapa të rëndësishme. E para, janë mbledhjet e përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, me një frekuencë dy apo më shumë herë në vit, ku ministrat do të japin llogari të përbashkët për realizimin dhe dinamizmin e marrëdhënieve dypalëshe në fushat respektive që mbulojnë. Kjo është një praktikë e njohur tashmë në Ballkan, por që për dy shtetet shqiptare ka një specifikë dhe rëndësi krejt tjetër. Mbetet një enigmë historike dhe një mëkat diplomatik i qeverisë që humbi zgjedhjet, se përse nuk organizoi kurrë një mbledhje të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Etapa e dytë e vizionit strategjik është nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo duhet parë jo vetëm si formalizim i nivelit më të lartë juridik të marrëdhënieve mes dy shteteve, dhe jo vetëm si plotësim i një boshllëku dhe vazhdim i një praktike ndërkombëtare, ku Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie edhe me shtete të tjera, madje edhe me ato, që nuk janë miqësore ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Në radhë të parë, specifika dhe rëndësia e një Traktati mes Shqipërisë dhe Kosovës qëndron në specifikën e marrëdhënieve dhe doktrinave strategjike të sigurisë së të dy shteteve shqiptare. Shqipëria, si shtet anëtar i NATO-s, i ofron shtetit të dytë shqiptar preventivimin e kërcënimeve dhe të burimeve të rrezikut, që mund t'i vijnë Kosovës nga forca dhe shtete, të cilat duan t'ia minojnë pavarësinë dhe ekzistencën e shtetit të pavarur. Me Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit, Shqipëria si anëtare e NATO-s, i ofron Kosovës proteksionin, të cilin nuk mund t'ia ofrojë ndonjë shtet tjetër, dhe detyrimin për mbrojtjen e Kosovës e merr përsipër si një obligim madhor, shtetëror e kombëtar. Ky obligim, në cilësinë e shtetit anëtar të NATO-s, i jep Kosovës dhe perspektivës së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës një siguri të re. Është e kuptueshme se i vetmi shtet që shqetësohet nga një Traktat mes Shqipërisë dhe Kosovës është Serbia, e cila ka interesin strategjik madhor të një Shqipërie të dobët dhe të një Kosove të dobët e të pambrojtur, dhe të dy shteteve shqiptare sa më larg nga njëri-tjetri. Këtë shqetësim të Serbisë reflekton lobi serb në Tiranë, lob i cili është pasuruar nga biznesi serb dhe nga shërbimet sekrete serbe, dhe që kakaris kundërshtimin ndaj një akti kaq të domosdoshëm dhe sublim për sigurinë e kombit shqiptar, siç është Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy shteteve.
Platforma e re e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës sjell një kontribut të ri të kuptimit të çështjes kombëtare me parashtrimin e një ndërvarjeje të çështjes çame me interesin mbarëkombëtar. Është hera e parë në historinë politike shqiptare që një kryeministër shqiptar flet në parlamentin e Kosovës dhe në Kosovë për çështjen çame. Edhe në vizitën e tij në Prishtinë në fillim të vitit, kryeministri Edi Rama parashtroi një vizion të ri diplomatik për trajtimin e çështjes çame si një çështje e dosjes së marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke, gjë që nuk e ka bërë asnjë udhëheqës i Shqipërisë përpara tij. Lartësinë e këtij hapi të kryeministrit të ri shqiptar e kupton edhe më mirë, po të kihet parasysh se nuk ka ndodhur kurrë që një kryeministër shqiptar të guxojë të flasë për çështje çame as në parlamentin e Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë parashtroi idenë e rikonceptimit të rolit të Shqipërisë dhe të Kosovës në rajon, duke u bërë kështu i pari kryeministër, i cili e kupton dhe planifikon rolin e ri dhe forcën e faktorit diplomatik shqiptar në rajon pas pavarësisë së Kosovës dhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Qeveria e mëparshme, as nuk e kuptoi dhe as nuk deshi ta kuptojë këtë rol të ri rajonal të faktorit shqiptar, si një zhvillim kualitativ ky, që i jep Shqipërisë e Kosovës dhe bashkëveprimit të tyre një peshë dhe një ndikim të ri në Ballkan. Noviteti i mendimit diplomatik të kësaj platforme dëshmohet nga ideja tjetër e vendosjes së Kosovës bashkë me Shqipërinë në qendrën e trekëndëshit strategjik rajonal me Italinë, Turqinë dhe Greqinë.
Platforma e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, që kryeministri Edi Rama paraqiti në Kuvendin e Kosovës, është një platformë serioze shtetërore, diplomatike dhe kombëtare, plotësisht e realizueshme, e përputhshme me prirjet e zhvillimit ndërkombëtar, dhe e cila ka kapur momentin historik më të drejtë për t'u jetësuar. Ajo shpreh një vizion largpamës, sa shqiptar aq dhe europian, sa bashkëkohor aq dhe strategjik, për të sotmen dhe të ardhmen e dy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar.
SHABAN MURATI
|