NEVOJA PËR TË RIPARË KONCESIONET E HECeve Nga MENTOR KIKIA
E Premte, 09.20.2013, 07:05am (GMT+1)
Lufta e ardhshme do të jetë luftë për ujin dhe jo për naftën. Kështu parashikojnë shumë profeci. Në fakt, të paktën në Shqipëri, më të shumtët ndër fqinj nëpër fshatra, vriten pikërisht për vijat dhe burimet e ujit. Studiuesit thonë se përpjekja për të siguruar ujë, në të ardhmen do të jetë një sfidë po kaq e fortë dhe agresive sa edhe ajo që po nxit, sot e gjysmë shekulli të shkuar, luftërat për të siguruar burime energjie, posaçërisht naftë. Me pak fjalë, njerëzimi po shkon drejt luftës për ujë. Por duke qenë se secili, në fund të fundit, shikon burimin e tij, neve na takon të pyesim se cila do të jetë e ardhmja jonë? Të dhënat tregojnë se shqiptarët janë ndër popujt më të privilegjuar në planet sa u takon burimeve ujore(rreth 13.500 metër kub për frymë në vit), por megjithëkëtë jemi ndër më të eturit, si pasojë e pamundësisë për ti shfrytëzuar, apo shpërdorimit të këtyre burimeve. Natyrisht që Shqipëria nuk është aspak imune ndaj ndryshimeve klimaterike që pritet të çojnë, diku drejt shterimit të burimeve ujore e diku drejt përmbytjeve, me pasoja njësoj shkatërruese. Gjithsesi, tani për tani, lajmi i mirë është se ne kemi ujë me bollëk. Por lajmi i keq është se ne po sillemi barbarisht me këto burime.
Uji është burimi i jetës dhe si i tillë ai ka diktuar historikisht ngulimet e njeriut. Qëkurse njeriu nisi të jetojë në vendbanime të qëndrueshme, i ndërtoi kasollet pranë lumenjve, liqeneve apo burimeve të tjera ujore. Por sjellja gati barbare e jona me natyrën, dhe ujin si resursin më të vyer të saj, janë duke e prishur këtë marrëdhënie historike të njeriut me natyrën.
Fotografia që po publikojmë është bërë në fshatin Papër të Elbasanit, rreth një vit më parë. Ky është një rezervuar i ndërtuar rreth 35 vjet më pare, për llogari të ish-Kombinatit Metalurgjik. Me kohë, ky rezervuar me sipërfaqe rreth 15 mijë metra katrore, u shndërrua në rezervë ujore dhe u bë burimi i jetës për faunën që u rigjallërua dhe, mbi të gjitha, për mbi 2 mijë banorë të zonës. Rezervat ujore të tij mbanin gjallë puset e ujit të pijshëm përgjatë një përroi ku rridhte uji, mbanin gjallë bagëtitë dhe shërbenin për vaditjen e tokave. Por një vit më parë, pa pyetur fare se për çfarë shërbente dhe sa njerëz mban gjallë kjo rezervë ujore, Ministria e Ekonomisë i plotësoi kërkesën një sipërmarrësi privat për të shfrytëzuar mbetjet minerale të depozituara në tabanin e këtij ujëmbledhësi, hedhur këtu e 30 vjet më parë. Brenda një jave, me ndihmën e eksplozivëve, ky ujëmbledhës u shkatërrua dhe një vit më pas tokat u thanë, ndërsa njerëzit dhe bagëtitë duhet të shtegtojnë për të gjetur ujë. Banorët u ankuan pranë mediave(pasi pushteti nuk kishte lidhje me interesat e tyre, por vetëm të sipërmarrësve), me shpresën se do ta shpëtonin ujin, por jo.
Disa javë më parë, në po të njëjtën mënyrë, disa qindra banorë të disa fshatrave në Librazhd kërkuan sërish ndihmën e mediave, për të shpëtuar edhe ata ujin e tyre. Ata protestuan para një kompanie koncesionare, kundër ndërtimit të një HEC-i të vogël, por që gjëmën ua bën të madhe. Një përrua që rrjedh nëpër fshatrat e komunës Polis kishte bërë që, ndër shekuj, njerëzit të ngulen e të ndërtojnë jetën përgjatë rrjedhës së tij. Aktualisht janë të paktën 4000 mijë njerëz, e po kaq ndoshta edhe bagëti, kafshë të egra, qindra hektarë tokë ... që mbahen gjallë nga ujërat e këtij përroi. Por qeveria, sërish pa pyetur fare se sa njerëz jetojnë me këtë rezervë ujore, i dha lejen koncesionare një biznesmeni që të ndërtojë aty një hidrocentral. Përroi do të bllokohet nga një digë dhe uji do të shkarkohet në një tjetër luginë përmes tubacioneve, duke ia ndryshuar rrjedhën dhe duke ua bërë jetën të pamundur 4000 njerëzve. Gjatë seancës parlamentare për programin e qeverisë, një deputet ngriti problemin e tharjes së luginës si pasojë e devijimit të rrjedhës së lumit Gjallicë në Kukës, duke lënë banorët në mëshirën e natyrës. Ndërsa tre HEC-e pritet të shkatërrojnë edhe luginën e famshme të Valbonës piktoreske. Po ashtu edhe luginën e kanionet e famshme të Osumit.....
Në rang vendi janë të rreth 480 HEC-e që do të ndërtohen nëpër lumenj e përrenj. "Një shifër e frikshme", thotë studiuesi i mjedisit Zamir Dedeji, cili është duke studiuar pikërisht impaktin e hecomanisë në mjedis e për pasojë ne jetën e banorëve lokalë. Sipas tij, afro gjysma e këtyre HEC-ve, shkatërrojnë mjedisin si pasojë e devijimit të rrjedhave të lumenjve(përrenjve) ku do të ndërtohen. Ata do të sjellin një dëm të pallogaritshëm tek banorët lokalë që kanë lidhur jetën e tyre me këto burime ujore. Do të thajnë tokat, burimet e ujit të pijshëm e do të detyrojnë të migrojnë njerëz e kafshë, në kërkim të kushteve të reja të jetesës. Specialistët thonë se mbi 60% e këtyre HEC-ve nuk e justifikojnë dëmin që shkaktojnë me energjinë që do të prodhojnë, por plotësojnë vetëm një "kusht". Prodhojnë para për një njeri, sipërmarrësin, duke i vënë shkelmin jetës së mijëra e mijëra të tjerëve. Një përrua që rrjedh diku në një fshat, ndër male, për një sipërmarrës që jeton në Tiranë është vetëm një përrua. Por, për mjedisin dhe njerëzit që jetojnë atje, ai është vetë jeta.
Nën regjimin komunist u ndërtuan qindra rezervuarë dhe ujëmbledhës, të cilët rritën ndjeshëm sasinë e rezervës ujore. Ato bënë të kultivueshme shumë toka dhe përmirësuan jetesën e banorëve lokalë. Nga viti 1990 asnjë rezervuar i ri nuk është ndërtuar, përkundrazi është shkatërruar pjesa më e madhe e atyre që ishin ndërtuar. Ishte koha e lëvizjes kaotike të popullsisë dhe as shteti e as komunitetet lokale nuk e kishin mendjen tek rezervuarët. Vetëm tani ata po ndjejnë mungesën e tyre, kur vendosën ti rikthehen kultivimit të tokës. Por rindërtimi i tyre ka tjetër kosto tashmë.
Por çfarë do të ndodhë tani, kur edhe rrjeti i dendur lumor që vazhdoi ta mbante gjallë popullsinë lokale po pëson dëme të pallogaritshme si pasojë e manisë së HEC-ve? Berisha, nën sloganin "Shqipëria - superfuqi energjetike" filloi të qerasë me licenca hidrocentralesh të gjithë ushtrinë e sipërmarrësve që bënin pjesë në eskortën e tij, pa pyetur se çfarë kostoje prodhojnë këto sipërmarrje. Lufta që qeveria u shpalli burimeve ujore në emër të energjisë, mund të sjellë një lëvizje tjetër masive demografike, pas asaj që sollën vitet '90, lëvizje që do të jetë e detyruar për shkak të kërkimit të burimeve ujore, duke prodhuar probleme të mëdha sociale e demografike.
Ekspertët e mjedisit kanë kërkuar me urgjencë një rishikim të gjithë koncesioneve për të vënë në kandar leverdinë e tyre ekonomike dhe koston që prodhojnë. Nëse edhe qeveria e re do të vazhdojë të neglizhojë interesat e njerëzve që banojnë në këto zona, nuk do të jetë e largët koha kur të përballet me probleme të mëdha sociale dhe demografike. Shqipëria ka vërtet nevojë për burime energjetike, por është e nevojshme që të zhvillohen studime për të parë se çfarë impakti ka ndërtimi i një HEC-i, i cili mund të prodhojë energji sa për të furnizuar një fshat, por shkatërron jetën në dhjetë fshatra të tjerë, duke shkretuar mjedisin.
Në fund të fundit, në këtë tokë kanë të drejtë të jetojnë të gjithë. Pasuria e natyrës u përket të gjithëve dhe jo vetëm atyre që zotërojnë pushtetin e parasë e me të cilën blejnë politikën.
MENTOR KIKIA
|