GJUKANOVIÇI ËSHTË NDOTJA MË E MADHE EKO-POLITIKE E KRAHINËS ETNO-HISTORIKE TË PLAVË-GUCISË Esé nga RAMIZ LUSHAJ
E Enjte, 11.14.2013, 11:02am (GMT+1)
1. Vetëm 32 mijë shqiptarë kanë mbetë në Malin e Zi të sotëm. Në koft se e përllogaritim edhe diasporën arrihet në rreth 50 mijë shqiptarë. Në hapësirat etno-historike shqiptare përgjatë ultinës bregdetare e lartësive alpine, prej nga Tivari deri në Rrozhajë, sipas të dhanave zyrtare ma të fundme, numërohen 52 fshatra komunar me mbi 90 për qind të popullsi etnike shqiptare. Këto fshatra duken shumtë numerikisht, po në realitet kapin vetëm një të pestën e popullsisë shqiptare në këtë shtet të vogël ballkanik. Fshatrat e tjerë të trevave etnike shqiptare janë në proces kthyerje në fshatra multietnik. Po e lamë me zgatë me kaq tepri ky shkatërrim etnik shqiptar, do të vijnë tragjedia etnike shqiptare: viset tona etnike shqiptare do të mbeten pa shqiptarë etnik sikurse Kuçi, Andrejavica, Berana, etj.
Lideri historik i Malit të Zi, 51 vjeçari Milo Gjukanoviç, udhëheqësi ma jetëgjatë në Ballkan, diktatori i fundit euro-ballkanik, ka llurbue në shtetin e tij gati privat një demokraci laramane sa e kuqe, sa blu, sa e zezë. Me politikat e tij shtetërore shovene sllave ortodokse të (i/e)migrimit të detyruar, tjetërsimit etnik, tërhjekjes me punësime e banim në qytetet Podgoricë, Ulqin, Plavë, etj. po iu pakësohet popullsia këtyne fshatrave etnik shqiptar. Kjo vorbullnajë e spastrimit e tjetërsimit etnik, ky mort politik e etnik nuk ka të ndalun edhe për faktin tjetër që do të dënohet nga historia kombëtare shqiptare: Ende nuk ka zgjim e angazhim mbarëkombëtar në lartësinë e duhur as në dy kryeqendrat zyrtare shqiptare, në Tiranë e në Prishtinë, për me kanë dalzotas në mbrojtje të shqiptarëve të vet etnik në komunat përgjatë kufinit të padrejtë me Malin e Zi.
Prirja politike demografike malazeze prej kohësh synon që fshatrat etnik me mbi 90 për qind popullsi shqiptare trojenike të jenë sa ma të vegjël. Kësisoj shteti shoven malazez mundet t'i asimilojë shqiptarët ma butësisht, ma lehtë, ma shpejt. Diku pjesërisht, diku krejtësisht. Shifrat flasin vet: Mbi gjysma e këtyre fshatrave etnik shqiptar kanë ma pak se 100 banorë. Deri në 50 banorë janë19 fshatra: 14 komuna e Podgoricës, tre Ulqini, dy Tivari, ndërsa me 51-100 banorë rregjistrohen 9 fshatra: katër Podgorica, katër Ulqini e një Tivari. Me mbi 100 banorë renditen 11 fshatra: pesë Podgorica, pesë Ulqini e një Tivari. Nga 200 deri 400 banorë veç tetë fshatra: katër Ulqini, dy Podgorica, një Rrozhaja, një Tivari. Asnjë fshat shqiptar nuk ka mbi 400 banorë. Nga 500 deri në 700 banorë shenjohen vetëm pesë fshatra: dy në Plavë-Guci, dy në Ulqin dhe një në Podgoricë.
Monarkut të pashpallun Milo Gjukanoviç i interesojnë "oaze" të tilla demografike etnike shqiptare që të jenë ma së forti e ma së shumti si "modele" politike e demokratike në syvlerësim e letra të ndërkombëtarëve për integrimet euro-atlantike të Malit të Zi multietnik. Asnjë nacionalitet apo komunitet etno-kulturor nuk përban shumicë në këtë shtet të vjetër e të ri. Malazezët, aktualisht kapin 45 për qind të popullsisë, të cilët synojnë të bahen mbisundues në Mal të Zi dhe, sëbashku me serbët, që po arrijnë mbi 29 për qind, etj. luftojnë të bahen edhe shtet me shumicë ortodokse mbi 80 për qind.
Një vështrim analitik qartëson se këto "oaze shqiptare", për shumë arsyena, mbahen për kohor vetëm në Ultinën Bregdetare të Malit të Zi. Kështu, nga 52 fshatra me mbi 90 për qind të popullsisë etnike shqiptare 49 prej tyre janë në tri komunat: Podgoricë, Ulqin e Tivar. Në lartësitë alpine të "Bjeshkëve të Bekuara" ka vetëm tre fshatra të mëdhenj: Vuthajt në Plavë-Guci me 648 banorë nga të cilët 644 shqiptarë; Martinajt me 532 banorë nga të cilët 501 shqiptarë; Dakajt në komunën Rrozhajë me 364 banorë, nga të cilët 362 shqiptarë.
Edhe tek këto fshehtësi e veprime urithore shovene ndaj këtyre fshatrave me mbi 90 për qind popullsi etnike shqiptare e kanë burimin mosnjohja e komunës së pavarur të Tuzit, marrja e bregdetit të Ulqinit shqiptarëve të atyshëm ("Të Mirat Detare"),përpjekja për ndamjen e Plavë-Gucisë në dy komuna, ngjarjet e ashpra të dy viteve të fundit në Martinaj, etj Fshati Martinaj me 172 shtëpitë e 532 banorët e tij, sipas rregjistrimit zyrtar malazez të vitit 2011, renditet i pesti për nga popullsia etnike shqiptare në shtetin e Malit të Zi. Ky fshat me tokë, popullsi, kulturë e histori etnike shqiptare, që jetnon e piedestalon në anë të liqenit të Plavës, më përngjason në vizion gjeo-politik si një "sanduiç" politik-etnik përballë njejtësisë kundërshqiptare të strukturave të shumëfishta serbe, boshnjake e malazeze në dy qytetet e tij skajore: Plavë e Guci.
Mali i Zi, krejt pabesisht e flliqanisht, prej kohësh ka projektue me mafiozitet dhe punon me intensitet për kthimin e Martinajve në një fshat multietnik. Kjo dëshmohet edhe në përpjekjet trevjeçare për ngritjen e kishës ortodokse serbe në truallin e saj etnik historik, rrethimet e shpeshta policore të fshatit, arrestimet e shumta politike të banorëve të tij, ndotja vdektare e mjedisit të tij turistik, etj.
Deri në palcën time kombëtare shqiptare ndjej krenari edhimbje për këtë fshat historik shqiptar. Edhe mua më dhimbset ky fshat i rrallë për nga gjeofizika e tij pranë liqenit e malit, pranë lumit e rrafshinës luginore, njëherash vrritar e bjeshktar, trojenik e mërgimtar. Edhe mua edhe ky fshat i veçantë, bajrak e bashkësi lokale, më ban krenar, se ka prodhuar histori e nxjerrë figura historike kombëtare e lokale, se kurrë nuk e hoqi dorën nga Flamuri Kombëtar Shqiptar, se është një nga fshatrat e historisë e lavdisë së Plavë-Gucisë. Në këtë truall epik e lirik, me legjenda e realitete, edhe çikat kanë luftue për komb të vet, si Jerina 22 vjeçare, "shumë e bukur, e re, e gjatë, e guximshme" (Nju Jork Times, 21 maj 1911), çika e bajraktarit të Martinajt që i prini trimërisht bajrakut në luftëra kundër otomanëve e sllavëve derisa iu rritën vllaznit e vet, biles gazeta franceze "Le Petit Journal" e 28 majit 1911 e ka quajt "Zhan D'Arka shqiptare", e cila është luftëtare e shek. XV, herioina kombëtare e Francës, Shenjtore e Krishtërimit.
Kambanat po bien për ata që kanë veshë, zemër, shpirt kombëtar: Rradhën e kanë Martinajt...! Fjalëflas shqiptarisht për të gjithë ata që dijnë historikisht e realisht kush është shkjau i kapicës së zezë: besojeni këtë tragjedi që po trokon e troket në Martinaj, përndryshe do të ngjasë si tek ajo fabula që ujku po e hante gomarin nga prapa e ai thërriste tue kqyr përpara: "O Zot, baje andërr"(!)
2. Me thanë të drejtën kohëve të fundit në Martinaj kanë ndodh disa kryqëzata politike, etnike, fetare, etj. që i kanë prek dhimbshëm edhe varret, edhe djepet. Shteti malazez me kryeqendra nacionale në Çetinë e Podgoricë dhe kryeqendra të tij lokale në Plavë e Beranë e ka çvesh maskën shovene kundërshqiptare në Martinaj tue iu turr me urrejtje bio-politike, me skafandra e pranga politike e policore, me helmime ekologjike, fetare, politike. Zyrtarisht e publikisht, kjo tyrjeli e vorbulli ka pas nisje e bitisje qyshse më 12 maj 2011 kur popat e zi serbë me ushtarë malazezë erdhën për me i hap me "unë e përdhunë" themelet e kishës serbe ortodokse në këtë fshat etnik shqiptar.
Zezanat e Malit të Zi me kapica e veladona vargavijnë disa herë në fshatin Martinaj, ku figurojnë vetëm 10 banorë serbë për me e ngrit kishë ortodokse serbe. Sipas kësaj llogjike shëmtimë i bie që në komunën e Nikshiqit, vendlindjen e Milo Gjukanoviçit, në përpjestim me popullsinë ortodokse të atyshme, të ngrihen mbi 6 mijë kisha ortodokse serbe. Në rast se peshkopi ortodoks serb në Çetinë, Amfillohije Radoviq, do të ngrinte në Malin e Zi nga një kishë për çdo dhjetë ortodoksë atëherë do të kishim mbi 44 mijë kisha të tilla dhe "Giness" do të shpaloste faqet e tij për ta shenjue si rekord botëror. Gjithkush dvet: çka lyp një kishë ortodokse serbe në Martinaj ku mbi 98 për qind e banorëve janë të fesë muslimane: 501 shqiptarë, 13 muslimanë (etiketim sllav për uljen e etnisë shqiptare, etj.) dhe 7 boshnjakë. Askush nuk ka faj kur habitet se çka dreqin ban komuniteti boshnjak i besimit musliman, i pari për nga popullsia në Plavë-Guci, pjesa ma e madhe e tyre shqiptarë të asimiluar?! Mos kundërshtitë reale të boshnjakisë mshefin praktika të tyre të derivona ndaj shqiptarëve, pasi e mirëdijnë se shqiptarët muslimanë kurrnjiherë nuk duan me u kthye në serbë ortodoksë e tepër rrallë në malazezë ortodoksë po shpesh janë detyrue në të tilla raste me u ba me zori boshnjakë muslimanë.
Ç'janë këta pushtetarë e fetarë që shkelin ligjet e Kuranit e të Biblës, ligjet e shtetit të vet, ligjet ndërkombëtare?! Pa vullnet të lirë shqiptar duan me ngrit një kishë ortodokse serbe në pronën vetjake të vllaznisë Prelvukaj të Martinajve, kur vet Kushtetuta e Malit të Zi e sanksionon shenjtërinë e pronës private. Japonezët kur ecin parathonë: Tokë, më fal që të shkel me kambë! Platforma e praktikat e ngritjes së kësaj kishe në Martinaj shkelin edhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (Neni 1 e 9 ), ndërkohë që Mali i Zi është edhe nënshkruese e saj.
Çka duan serbët me terrorizue shqiptarët etnik të Martinajve për kishën ortodokse serbe, kur ky komunitet ardhacak është i treti për nga popullsia në Plavë-Guci, vjen pas boshnjakëve e shqiptarëve, del para malazezëve?! Politikani dhelpnak e idhnak Gjukanoviç dhe dy kishat ortodokse rivale serbe e malazeze (kjo e fundit e ringritun më 1993) duan ta kthejnë shtetin e Malit të Zi në "shtet ortodoks" në Ballkan. Dekterit sivjet, nga 21 komuna malazeze 18 prej tyre kanë mbi 50 për qind të popullsisë të besimit ortodoks.
Kjo kishë ortodokse serbe duan të ngrihet mbi themelet e lashta të kishës katolike mesjetare shqiptare të Trepçës (Martinaj), e cila ishte në mbrojtje të Papatit të Vatikanit, prandaj një nga diktaturat shqiptare ma të përgjakshme, dinastia mbretërore e perandorake e Nemanjiqëve nuk mujti ta ortodoksonte forcërisht sikurse atë të Deçanit. Atëherë çka lypin me kaq egërsi në Martinaj Nemanjqët e rinj: kryeministri Gjukanoviç e Metropoliti i Kishës Ortodokse Serbe për Malin e Zi e Bregdetin, Amfillohije? E para: malazezët ende e vazhdojnë luftën kundër fesë katolike në Mal të Zi, ku kanë mbetë vetëm 3.44 për qind banorë të fesë katolike, ndërsa në Plavë-Guci rreth 1 për qind. E dyta: me kishën në Martinaj duan me e godit traditën e forcën e katoliçizmit shqiptar në Malin e Zi. Ky shtet ka rreth 22 mijë katolikë, nga të cilët mbi 70 për qind e tyre janë shqiptarë etnik.
Në tre vitet e fundit kush i çoi disa herë popat e zi dhe policët e stacionit policor të Plavës e ata të Beranës në fshatin Martinaj ?! Ata janë dy kryesorët: kryeministri Gjukanoviç e peshkopi Amfillohije, dora e vetme në intrigat e tratativat për ngritjen e kishës ortodokse serbe; në arrestimin e 23 banorëve protestues më 25 maj 2013, ku në mes tyre, njësoj si në luftërat civile në Libi apo Siri kishte edhe të moshuar 80 vjeçar, edhe fëmijë 16 vjeçar.
Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe për Malin e Zi e Bregdetin, peshkopi i Çetinës, Amfilohije, është ultranacionalist sllav, kundërshqiptar i madh, misionar fetar dhe tepër politik. Ai e ka mbështet Millosheviçin edhe në luftën e Kosovës. Njihet si ndër organizatorët e protestave të opozitës malazeze kundër pavarësisë së Kosovës. Mikpritës i shpeshtë në manastirin e tij në Çetinë i Zeljko Arnatoviç-Arkani, udhëheqesi paraushtarak serb, i akuzuar nga Gjykata e Hages për krime kundër njerëzimit e genocid edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës. I ka mbështetë disa figura politike ekstremiste sllave dhe luftëtarët serbë në Kosovë, Kroaci, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Serbi. Ky metropolit serb vitin e kaluar në Shkodër, tek varrezat e serbëve në Bardhaj, që u vranë në luftën e parë ballkanike, iu bani thirrje shqiptarëve"të mos i shohin serbët si pushtues, por si çlirimtarë"(!) I ka cilësuar ndërkombëtarët çlirimtar e ndërtimtar në Kosovë ma të këqinj se Hitleri. U ngrit në maj 2013 edhe kunder Marrëveshjes Thaçi-Daçiç në Bruksel, etj.
Gjukanoviçi ka nyjelidhje të përbashkta në platformë e në qeverisjen e tij me peshkopin serb, Amfilohije, sepse kryepolitikani malazez ishte mik bashkëluftëtar i Millosheviçit, ishte luftëtar politiko-ushtarak kundër pavarësisë së Kroacisë fqinjë, ishte përkrahës i serbëve në luftën tragjike në Bosnje-Hercegovinë fqinjë, ishte njeriu i kondrabandës së cigareve e naftës me fqinjët, Italinë e Shqipërinë, është kundërshqiptar i flaktë. Gjukanoviçi nuk ia harron kurrë mbështetjen e madhe që i dha Metropoliti Amfilohije kur kishte divergjenca nacionale e politike me Millosheviçin, kur me thirrjet e tij në foltore e nëntokësore ia rriti mbështesit serb nga rradhët e besimtarëve të tij, kur në disa raste i lëshoi lutjet e tij për ta ndihmuar Malin e Zi në lidhjet me Europën, etj.
Kryeministri malazez e metropoliti Amfilohije ia kanë kthye shpesh nderat njani-tjetrit, po ortakëria e tyre politiko-fetare-policore, etj. në Martinaj është një obligim i përbashkët kundërshqiptar.
Kisha Ortodokse Serbe e peshkopit Amfilohije, në kohën kur Gjukanoviçi ishte kryeministër i Malit të Zi, me sipërmarrje të ushtrisë serbo-malazeze, vendosën në mënyrë provokative e të dhunshme më 18 qershor 2005 Kishën e metaltë në majën Rumia në Krajën etnike shqiptare. Kjo mbeti si një vatër tensioni etnik, politik, fetar, etj. I njëjti skenar edhe në Martinaj të Plavë-Gucisë?!
3. Martinajt kësaj here, këtë vit, me të ashtuquajturen "Deponia" e përplasën e përflakën disi një problematikë të (vet)kultivuar dhe të rebeluar, u ndodhën në një farë rrgallisje ekologjike, sociale, qytetare, me disa ngjyresa politike të thukta e të thikta, me disa bjerrje e rrjedhje në labirinthe disi të padëshiruara e të pamerituara.
Para së gjithash, duhet ditur se Mali i Zi i Gjukanoviçit kundërshqiptar, edhe për ekologjinë është një shtet demagog, dizinformues, problematik. Në vitin 1991 e nënshkroi Deklaratën për shpalljen "shtet ekologjik". E cilësoi triumf të vetin asokohe dhe tashti po e mbart si ndotje të saj në fillimet e këtij shekulli të ri. Edhe Kushtetuta e Çetinës e 19 tetorit 2007 në kryenenin e saj e ka sanksionuar Malin e Zi si një "shtet ekologjik", si rrallë ndonjë shtet tjetër në epokën e sotme. Mirëpo, Cerrnagorja, pavarësisht disa përpjekjeve të tre viteve të fundit, këtë status ekologjik ma së shumti e ka në letër se sa të kryer me vepra. Përndryshe: ky status kushtetues e ndërkombëtar tashma është një dokument i vdekur.
Politika tërësore e Malit të Zi për ekologjinë është ma së forti politike. Një politikë preferenciale, përjashtuese, denigruese, agresive, rebeluese. Kjo politikë ekoogjike po përqëndrohet kryesisht në bregdetin e mesëm të Adriatikut, prej nga gjiri i Kotorrit deri në brigje të Ulqinit, në hapësira të liqenit të Shkodrës sidomos pas përmbytjeve të viteve të fundit, etj. Në Podgoricë dhe diku në mes Tivarit e Uqinit gjenden dy vende (landfille) për mbledhjen e përpunimin e mbeturinave të tilla. Kjo përkujdesje ndodh për faktin se Mali i Zi e ka ekologjinë një nga kërkesat e pranimit në BE dhe ndotja e detit Adriatik (edhe Pellgu i Mesdheut) nuk tolerohet aspak nga shtetet bregdetare euro-atlantike. Kroacia e ka thirrë edhe ambasadorin e Shqipërisë në Zagreb dhe i ka ba protestë ndaj Shqipërisë, kojshi i Malit të Zi, për dyshime të ndotjes së bregdetit Adriatik gjatë përmbytjeve të Shkodrës.
Ndërkohë, Mali i Zi të gjitha komunat alpine e malore, kryesisht ato në kufi me Shqipërinë e me Kosovën, pjesërisht ato në kufi me Serbinë e Bosnje-Hercegovinën i ka lanë pasdore, në rend të dytë apo të tretë. Kjo shkujdesje ndodh edhe për faktin se përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe liderë të shteteve ballkanike e europiane vijnë rrallë e për mall në këto zona me male të larta e lugina të thella, etj. Çdo deponi në këto treva komunare larg Podgoricës e Çetinës është larg vëzhgimit shtetëror kompleks. Kjo rrezikon hedhjen pa kontroll në Deponinë e Martinajve edhe të mbeturinave mjekësore, shtazore, elektrike; shpërndarjen nga toka e ajri të mikrobeve edhe vdekjeprurëse në hapësira të Plavë-Gucisë, etj. Në maj 2013 jam ngjit vet i tretë përpjetzes në kodër Jerina, tek Deponia e Martinajt. Asokohe sapo ishin ndez protestat. Atje pashë se dy-tre kamionët e parë të shtetit, të ardhun disi edhe "ilegalisht", kishin keqhedhë me berllokët edhe mbeturina mjekësore, etj. Pyetja mbetet e hapur, tejet shqetësuese: Pa nis Deponia shqiptarët e atyshëm rrezikojnë jetën, ndërsa me funksionimin e saj do të presin edhe vdekjen.
Mali i Zi është një vend i vogël që po prodhon mbeturina të mëdha, mbi aftësitë e tij përballuese për ta ruajt mjedisin e vet. Kështuqë përllogariten mbi 200 mijë tonë mbeturina në vit, nga të cilat i mbledh e i deponon mbi gjysmën e tyre. Atëherë, ky Mali i Zi, gjysmak në obligimet e tij të detyrueshme nacionale e ndërkombëtare për mjedisn, çka pati që u ngjit kaq lart deri në Martinaj, në majemalin e Jerinës, për me e hap një"Deponi" deri në funksionalitet, për me i hedh aty mbeturinat e komunës së Plavë-Gucisë, ndoshta edhe të rrethinave të saj?!
Çështja shtrohet mjaft problematike: A do të jenë Martinajt e komunës së Plavë-Gucisë një rast i ngjashëm me Vasove Vode në komunën fqinjë të Beranës?!
Rreziku ka ardhë mbi kulmin e kullave. Shpejt ka me hy i paftuar nga oxhaku e ka me u ulë keqas kambëkryq në odat martinase. E pashë këtë rrezik tek legjendat. Shteti malazez përcjell legjenda sulmuese sikur do të ketë në Beranë fabrikë përpunimi të mbeturinave, sikur deponia e Martinajve do të jetë e përkohshme, etj. Në Martinaj del në përballje legjenda mbrojtëse: deponia është ngrit në vendin e mbretëreshës ilire Jerina, etj.
Përtej legjendave, me sy kah realiteti i ditës, parashohim se deponia e Martinajve ka me përfundue keq e ma keq. Kjo edhe për fajin e martinasve që nuk e ndalën ma herët deponinë pa iu ardhë në krye të fshatit. Që nuk e ndalën atëherë kur ishte projekt qeveritar në Podgoricë. Që nuk e ndalën atëherë kur vendi i deponisë miratohej formalisht në këshillin komunal të Plavë-Gucisë, ku shqiptarët e shumë partive përfaqësohen vetëm me tre këshilltarë shqiptarë(!) Që nuk e ndalën atëherë kur rruga ngjitej mbi shtëpiat e Martinajve për me dal në Kodër Jerina. Tashti u hap deponia. Shteti malazez e ka dhe e përdor si"gozhdën e Nastradinit"! Në dijeninë time më duket se vetëm kur erdhën kamionët e bërllokut u ngritën protesta ndërgjegjësore shpirtërore e rebeluese nga martinasit, nga të rinj, pleq e fëmijë të këtij fshati historik shqiptar. Tashti po i dalin përballë këtij rreziku ekologjik vdektar me fajin e vet mbi shpinë(!) E kjo është njësoj si tek ajo historia që përmbyllet me dialogun filozofik: O kush ta bani moreee? O vetja moreee, o vetja!"
Po vetmendoj se mund të ketë vetëm një rrugëdalje tepër të vonuar: Rruga është detyrim shtetëror e komunar, pavarësisht nëse është nacionale apo lokale, nëse trupon nëpër fshat apo ngjitet në male. Deponia, nëse është kaq e detyrueshme, le t'i paguhet kosto e saj shtetit malazez nga vet banorët e përjetshëm, të përhershëm e të përkohshëm të fshatit etnik shqiptar të Martinajt. Besoj, nuk kushton shumë si objekt, pasi kosto ma e madhe e saj do të jetë ajo ekologjike, shëndetësore, politike, etj. Sidoqoftë, në këto kushte e rrethana të pafavorshme nuk mund të bahet bllokim trupor për deponinë e Martinajt. Nuk është nevoja të hyjmë në rolin e heroit dhe as të mbetemi martirë të deponisë. As të luftojmë dhe as të na trajtojnë si "deponista"(!). Kemi vetëm një rrugë në dy shina: politike e ligjore duke e ngritë problemin tej e mbi Martinajt, si një çështje ekologjike për krejt Plavë-Gucinë e tri shtetet tokë e kufi i tyre: Mali i Zi, Shqipëria e Kosova; si një luftë e hapur sllave kundër identitetit etnik shqiptar, kundër identitetit pronësor, kundër identitetit fetar, etj.; si ngritje problematikash në bllok: ngritja e kishës ortodokse serbe, rrethimet e arrestimet politiko-policore, përpjekjet sllave për tjetërsim etnik, fetar, historik e kulturor të shqiptarëve të Martinajve e të Plavë-Gucisë, çvendosja e deponisë nga qëndrat komunare turistike të Plavës e të Gucisë drejt qëndres komunare të Murinit apo në komunën përreth.
Pikërisht në Beranën fqinjë deponia Vasove Vode ka shtatë vjet e hapur në të cilën janë hedh (ç)rregullsisht mbi një milionë tonë mbeturina, të cilat po e rrezikojnë ekosistemin e kësaj krahine. Edhe atje ka protesta. Edhe atje ka denime me gjoba të protestuesve. Me sa di, ma e fundmja protestë e tyre ishte në shtatorin e sivjetëm. Askush nuk po ua ndie kërkesat e deritanishme në shtetin e Malit të Zi, veçse Limi që derdhet në Detin e Zi. Shteti malazez ka kohë që premton për central për prodhim energjie nga këto mbeturina Vasove Vode në Beranë. Thuhet se janë planifikue mbi 30 milionë euro për ndërtim. Mirëpo shtetarët e pushtetarët e zvarritin prej kohësh me pretendimet: "projekti pothuajse ka përfunduar", "po kërkohet një investitor i mirë", etj.
Pra, edhe në Plavë-Guci, kjo "Vasove Vode" e Martinajt s'ka me luajt vendit n'msa kodra e Jerinës, po ka me u lyp tevona edhe ndertimi i centraleve për energji nga mbeturinat e saj. A thue Plavë-Gucia prodhon aq shumë mbeturina të tilla sa me e mbajt në punë përditësore këtë central?! Sigurisht, që jo. Kjo krahinë nuk ka shumë popullsi, turizëm, ndertimtari e fabrika, shkolla e hotele, etj. sa të prodhojnë kaq shumë mbeturina. Ç'ka ka me ndodh? Ndoshta, me ia plotësue kapacitetet centralit, kanë me ardhë mbeturina jo vetëm nga Berana e Andrijavica, që i kanë deponitë e veta, po edhe ma larg. Ndoshta edhe projekti i Beranës me çekun mbi 30 milionë euro vijnë në Plavë-Guci(!) Nuk është hera e parë që Mali i Zi bën përpjekje për ngritje minicentrali, pasi në vitin 2010 një firmë autriake u orvat ta ndërtonte tek Gërla, me Burimet e Vuthajve, përndryshe: Krojet e Ali Pashë Gucisë, po asokohe kjo nismë u spraps qyshse në nisje, nga interesimi institucional i Fondacionit Plavë-Guci në Nju Jork e i të tjerëve.
Ardhjet e policëve edhe nga Berana në rrethimet e arrestimet e martinasve protestues nuk janë krejt rastësore. Plavë-Gucia ka stacionin e vet policor dhe efektiv plotor policor. Kjo nuk është dhe aq çështje strukture e policisë së Plavës me të Beranës. I gjithë qëllimi i sotëm dhe i nesërm i pushtetit lokal të Beranës, dhe jo vetëm i tyre, është kthimi i fshatit etnik shqiptar të Martinajve në një depo mbeturinash të komunave përgjatë brigjeve të lumenjve Limi e Tara, kthimi në një qendër rajonale të përpunimit të tyre të krahinës etno-historike shqiptare të Plavë-Gucisë.
4. Malit të Zi nuk ia ka qejfi me iu lanë komunave kompetenca lokale për vendimmarrjeje të mëdha as për mjedisin, pasi ky shtet po ndjek një plan strategjik të tij me afat deri në vitin 2020 për menaxhimin e mbeturinave, i cili parashikon ngritjen e tetë deponive. Një prej tyre po ngrihet edhe në Martinaj si hakmarrje bio-politike ndaj shqiptarëve të saj etnik, që të vijnë një ditë jo e largët e ta braktisin tokën e tyre etnike, historike, kulturore e turistike, nga pamundësia e jetesës prej deponisë në kodër Jerina.
Gjukanoviçi kundërshqiptar kishte mjaf vatra problematike ekologjike për me i zgjidh në shtetin e tij para ardhjes në Plavë-Guci, e cila është ekologjike natyrore prej tokës së vet me burime ujore rrjedhëse tipike norvegjeze, me male të reja alpine, me parqe pyjore, me dimna me borë të madhe, me reshje shiu të shpeshta, etj. Pikësëparit, kryeministri malazez e ka qytetin e tij të lindjes, Nikshiqin, një nga qytetet me ajrin ma të ndotur në Europë, sepse fabrikës së përpunimit e prodhimit të hekurit e çelikut i mungojnë oxhakët me filtra ekologjikë, etj. Kjo histori fatkeqe ka vite që vazhdon pa përmirësime ekologjike. Prej kohësh Gjukanoviçi e ka në zyrën e tij një peticion për mbylljen e kësaj fabrike. Askush nuk merr përgjigje! Nëse në Nikshiq të shkurtohet jeta në Plavë-Guci të zgjatet jeta. Nëse në Nikshiq të merret fryma nga ajri i ndotur, në Plavë-Guci nuk ngopesh me ajrin e pastër të kësaj treve alpine nga ma të bukurat në botë.
Gjukanoviçi kundërshqiptar le të hapin hartën eko-politike të Malit të Zi. Aty do të shohin se Podgorica, ku ndodhet selia e tij qeveritare, pavarësisht se ka një vend groposje sanitare, quhet nga shtypi i huaj "komuna e bërllokut", pasi fabrika e aluminit përhap ndotje ekologjike me pellgje balte të kuqe dhe me mbeturina industriale, lumi Moraça dhe liqeni i Hotit janë të ndotura, lumi i vogël Marëza, që i jep ujë kryeqytetit është i papastër, etj. Kryeministri të shohin në hartë edhe Pljevljen,komunë ndarëse e kufinit të tri shteteve: Mali i Zi-Serbi-Bosnje-Hercegovinë, pasi aty ka dy vatra të ndotjes së madhe ekologjike: miniera e qymyrgurit, e cila prodhon mjegull industriale dhe ndotje lumore; termocentrali që lëshon hi helmues e mbeturina industriale.
Nga koha kur Mali i Zi e shpalli Pavarësinë e tij (2006) dhe deri sivjet kur po e ndjen varësinë edhe nga ndotja ekologjike (2013) janë mbledhë mbi 200 milionë euro fonde nga burime të ndryshme për projekte e veprimtari ekologjike për mjedisin. Pjesën ma të madhe të fondeve e "han" Ultina Bregdetare e Malit të Zi, janë përdorë për pastrimin e liqenit të Shkodrës, etj. Ç'ka me dvet sa fonde merr në një vit komuna e Plavë-Gucisë për mjedisin e saj natyror? Ato janë tepër pak. Diçka ma shumë se sa kushton ndërtimi i një vile të bukur disakatëshe, që e ngren ndonjë mërgimtar në trojet e të parëve të vet. Po sa jep vet komuna e Plavë-Gucisë për projekte e veprimtari ekologjike në një vit? Shumë ma pak nga ç'është rroga e kryekomunarit në një vit kalendarik! Del edhe kjo pyetja tjetër: Ku janë disa shoqata ekologjike në Mal të Zi, në Shqipëri e në Kosovë, pasi këta të gjelbrit e shoqërisë civile marrin fonde nga BE, etj., e përmendin si emër Plavë-Gucinë në fjalashkronjat e tyne, po nuk kanë asnjë gjurmë pune në këtë trevë shqiptare të lashtë e të re.
Në janar të vitit 2004 Mali i Zi në bashkëpunim me Bosnje-Hercegovinën fqinjë e banë publik projektin e ndërtimit të një centrali të energjisë hidroelektrike në grykën e lumit Tara, që burimon në lartësinë 1.850 m lartësi mbidetare të malit të Komovit. Emri i lumit Tara (Au-tara-iatët) dëshmon albanologu i njohur Karl Patsch, profesor në Universitetin e Vjenës, tek vepra "Ilirët" (viti 1923),tregon se vendi përgjatë tij banohej nga fisi ilir i fuqishëm i Autariatëve, paraardhësit e fisit të Hotit të Vendit, etj. Lumi Tara është nga lumenjtë ma të pastër në Europë, si Valbona e vendlindjes time. Gjithashtu ka kanionin e dytë në botë, pas atij të Kolorados në SHBA, i cili është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe pjesë e Parkut Kombëtar Durmitor. Ç'ka ndodhi: banorë të trevave përrreth, OJQ të Gjelbra (mjedisore), personalitete politike, kulturore, etj., të gjithë sëbashku u banë barrikadë që të mos ngriheshin diga në lumin Tara, të mos fillonte puna për hidrocentralin, të mos prekej bukuria e madhështia e këtij lumi të rrallë. U hartue një Peticion. Brenda një dite, më 8 shtator 2004, u hodhën 15. 000 nënshkrime në të gjithë Malin e Zi. U krijua një opozitë publike e fuqishme. Qeveria e Malit të Zi u tërhoq nga projekti i hidrocentralit në Grykën e Tarës. Flasim hapur e ballas: në Martinaj ka tre vjet që duan të ngrejnë forcërisht e padrejtësisht kishën ortodokse serbe, që në maj e nëntor 2013 kryejnë dy herë arrestime të shqiptarëve të atyshëm për protestën për kishën e për deponinë, që kanë një vit kërkesa e protesta për të çvendos deponënë në Kodër Jerina në një vend tjetër, etj. Ma gjanësisht: kërkohet ndarja e Plavë-gucisë në dy komuna më vete; ka vite që premtohet e vonohet Rruga Deçan-Plavë-Podgoricë; ligjërohet e veprohet me Projektin NP "Prokletije", përndryshe: Parku Nacional, që përfshin e dëmton interesat jetike të shqiptarëve, pronat e tyre në vendbanimet e veta si në Vuthaj, Kukaj, Hakaj, Hot i Vendit, Martinaj, etj.; ka vite që punohet e nuk funksionon pika kufitare në Qafë Vranicë; etj.,etj.
A munden shqiptarët e Plavë-Gucisë në trojet e veta, në shtetet fqinjë dhe në diasporat shqiptare në botë që të veprojnë swbashku si malazezët për rastin e hidrocentralit në lumin Tara, që të bahen një opozitë unike, e fortë, reale, për çështjet e veta problematike përballë presidencës e parlamentit malazez në Çetinë, përballë qeverisë malazeze në Podgoricë, përballë Kishës Ortodokse Serbe në Çetinë, etj. Kjo do t'ia ndalte planet e errta biopolitike e turravrapin politik e policor kryeliderit malazez, Milo Gjukanoviç, i cili instrumentalizon gjithçka në (prapa)skenë kundër krahinës komunare të Plavë-Gucisë, i cili me platforma e praktikat shovene sllave, antiligjore, kundërshqiptare, është sotpërsot ndotja ma e madhe eko-politike në krahinën etno-historike të Plavë-Gucisë.
RAMIZ LUSHAJ
|