KUR TAKOHEN PAPA DHE PRESIDENTI Nga FRANK SHKRELI
E Djelë, 03.30.2014, 03:51pm (GMT+1)
Javën që kaloi, si pjesë e turneut të tij në disa vende të Europës, Presidenti i Amerikës Barak Obama bëri edhe një vizitë në Vatikan ku u takua me udhëheqsin e Kishës Katolike, Papa Françeskun. Takimet midis presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe papëve të Romës kanë një traditë të gjatë, një histori prej pothuaj një shekulli. Takimi i parë shënohet të jetë bërë midis Presidentit amerikan Woodrow Wilson dhe Papa Benediktit të XV në Vatikan, me në Janar, të vitit 1919, menjëherë pas mbarimit të Luftës së parë Botërore. Monsinjor Robert Wisner, një profesor i historisë kishtare pranë universitetit Seton Hall, në shtetin amerikan Nju Xhersi tha për Agjencinë Katolike amerikane të lajmeve se ai takim, pothuaj 100-vjetë më parë, duhet të ketë qenë shumë interesant, për faktin sepse si Presidenti Wilson, ashtu edhe Papa Benedikti i XV, kishin pikpamje të njëjta dhe dëshirë të përbashkët për t'i dhënë fund luftës dhe për të promovuar paqën në Europë dhe anë e mbanë botës. Monsinjor Wisner tha se plani i famshëm i Presidentit Wilson për paqë prej 14-pikash, të cilin ai ja paraqiti Kongresit në Janar të vitit 1918, pasqyronte shumë prej ideve të njoftuara një vit më parë, nga Papa Benedikti i XV në propozimin e tij për paqë, në gusht të vitit 1917. Wilsoni dhe Papa Benedikti i XV kishin shkëmbyer korrspondencë në lidhje me negocitatat për t'i dhënë fund Luftës së parë Botërore. Në një prej korrespondencave dërguar Presidentit Wilson, Papa Benedikti i XV i shkruan Wilsonit se, "Njerëzimi i ka përqendruar shpresat dhe sytë tek Presidenti i madh, i demokracisë më të madhe në botë", për t'i dhënë fund luftës.
Është vështirë të dihet se për çfarë u bisedua në hollësi midis Presidentit Obama dhe Papa Françeskut në takimin e parë midis tyre, javën e kaluar, takim ky që zgjati pothuaj një orë, siç komentoi një gazetë "Vetëm Zoti dhe ata të dy e dinë". Por, pas takimit, të dy palët kanë bërë prononcime zyrtare mbi disa prej çështjeve që u biseduan nga Presidenti amerikan dhe Papa. Presidenti Obama u shpreh se në takimin me Papën u bisedua mbi një numër çështjesh, por ata u përqëndruan, sipas tij, mbi dy çështje kryesore: Njëra, tha presidenti Obama, ishte "gjëndja e të varfërve, e atyre të lënë pas dore dhe për të cilët nuk kujdeset askush, për situatën e atyre për të cilët nuk kanë kurrfarë perspektive në jetë, si dhe mbi mosbarazinë që eksziton dhe që është në rritje e sipër në botë." Zoti Obama shtoi se, "Ne i kushtuam shumë kohë edhe sfidave që paraqesin konfliktet për njerëzimin, dhe biseduam gjithashtu edhe për mungesën e paqës në botë." Besoj, tha Presidenti Obama, se mund të thuhet që tema kryesore e bisedimeve me Papën ishte, "rëndësia që duhet t'i kushtohet identifikimit me qëndrimet dhe pikpamjet e ndryshme midis njëri tjetrit dhe nevojës për tu kujdesur për të afërmit -- për të tjerët -- madje edhe nëqoftse ata duken dhe flasin ndryshe, madje edhe nëqoftse ata mendojnë ndryshe dhe nuk ndajnë të njëjtën fillozofi me ju". Kjo është kritike, tha Z. Obama, pasi mungesa e identifikimit dhe mos pranimi i atyre që nuk mendojnë dhe nuk veprojnë si ne, e bën më të lehtë mundësinë që të zhytemi në luftë ose në konflitke me njëri tjetrin. Është mungesa e këtij identifikimi dhe e pranimit të njëri tjetrit, pa marrë parasyshë ndryshimet midis nesh, që na shtynë të injorojmë dhe të anashkalojmë të tjerët, përfshirë edhe të pastrefët në rrugë. Dhe natyrisht që "Baza e besimit tim të krishtërë", tha Presidenti Obama, i cili është protestan, "është që t'i trajtojë të tjerët ashtu si unë do të dëshiroja që ata të më trajtojnë mua. Unë mendoj se kjo është arsyeja që Shënjtëria e Tij ka nxitur dhe tërheq kaq dashuri dhe ndjenja pozitive për veten, sepse duket se ai beson dhe jeton në bazë të kësaj fillozofie, dmth., se i afërmi duhet të trajtohet ashtu siç dëshirojmë që edhe të tjerët të na trajtojnë ne". Ky ishte vlerësimi i Presidentit Obama, për Papa Françeskun, ndërsa komentoi mbi takimin që zhvilloi me të javën e kaluar, në Vatikan.
Ndërsa në një deklaratë të Vatikanit thuhet për bisedimet dy palëshe, se në lidhje me çështjet ndërkombëtare, Papa Françesku dhe presidenti Obama, "patën një shkëmbim mendimesh mbi disa tema aktuale ndërkombëtare, ku u theksua shpresa se në zonat e konfliktit do të ketë respekt për ligjet humanitare dhe ndërkombëtare, dhe një zgjidhje të problemeve me anë bisedimesh midis palëve në konflikt." Në deklaratë thuhet gjithashtu se "të dy palët u angazhuan për të luftuar trafikimin e qenjeve njerëzore në botë." Pas takimit me Papën, Presidenti Obama dhe këshilltarët e tij të politikës së jashtme, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry dhe Këshilltarja për Sigurimin Kombëtar, Susan Rice u takuan edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, për të vazhduar bisedimet mbi gjëndjen ndërkombëtare në botë.
Gjatë një konference me shtypin në Romë, Presidenti Obama vuri në dukje se megjithë ndryshimet në pikëpamje mbi disa çështje midis tij dhe Papës, udhëheqsi amerikan tha se është detyra e ne politikanëve që të përpilojmë politika për zgjidhjen e këtyre çështjeve aktuale, por Shënjtëria e tij, shtoi ai, ka kapacitetin që tu hapë sytë njerëzve që të shohin seriozitetin dhe të vlerësojnë rëndësinë e këtyre qëllimeve. Një prej këtyre çështjeve mbi të cilën ai bisedoi me Papën, tha Z. Obama, ishte çështja e reformës së ligjeve mbi imigracionin në Shtetet e Bashkuara. Ai shtoi se Papa dhe Vatikani, "kanë qenë transparent mbi qendrimet e tyre mbi një numër çështjesh të ndryshme, me disa prej të cilave unë nuk jam dakort", theksoi Z. Obama, "por me shumicën e të cilave jam dakort" me qëndrimet e Papës. Por megjithëse ka marrëveshje mbi një numër çeshtjesh, Zoti Obama u tha gazetarve se ai nuk pret që Papa Françesku të hyjë në ndonjë partneritet ose koalicion as me të as me ndonjë udhëheqës tjetër politik, dhe as nuk ka në mend të promovojë ndonjë çështje ose qëndrim politik, ose të ndonjë natyre tjetër. Por, ai shtoi se beson se ekziston mundësia e një përafrimi të atyre qëndrimeve dhe programeve politike, për të cilat politikanët duhet të mendojnë dhe të punojnë dhe të çështjeve me rëndësi për të cilat flet Papa, nga pikpamja e një udhëheqsi fetar, i cili tha Presidenti Obama, ''na kujton se cilat janë përgjegjësitë tona morale dhe etike'', si politikanë dhe si udhëheqës. "Duke marrë parasyshë autoritetin e tij të lartë moral", tha Presidenti Obama në një intervistë me gazetën italiane Corriere della Sera, "kur flet Papa, fjala e tij ka peshë shumë të madhe. Me autoritetin e tij, ai mund të bindë njerzit që të ri-shqyrtojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e vjetëra jo tolerante, të ngulitura në mendjen e tyre dhe të fillojnë të trajtojnë njëri tjetrin me më shumë respekt, dinjitet dhe mëshirë", tha presidenti Obama.
Takimi i Presidentit Obama në Vatikan ishte pjesë e një udhëtimi prej gjashtë ditësh që ai bëri në Holandë dhe në Belgjikë dhe më në fund, në Arabinë Saudite. Para se të shkonte në Vatikan, Presidenti Obama u takua me udhëheqës të lartë të Bashkimit Europian dhe të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, për të biseduar me aleatët, marrjen e masave konkrete ekonomike dhe strategjike ndaj Rusisë, si ndëshkim për invadimin rus të Krimesë.
Marrëdhënjet midis Vatikanit dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë shpesh indifirente dhe jo gjithmonë miqësore. Kjo ka ndodhur për arsye historike sepse Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe kryesisht ende janë një vend me shumicë protestane, dhe shpesh në të kaluarën kanë shpërthyer ndjenja anti-katolike, ndërkohë që Vatikani, nga ana e tij, shpesh ka kritikuar politikën e jashtme amerikane si dhe politikat e mbrendshme të SHBA-ës, si abortin dhe çështje tjera, por gjithmonë në një nivel respekti midis dy palëve. Megjithkëtë, presidentët amerikanë të 100- vieteve të kaluara, ashtu siç bëri edhe presidenti aktual, Z. Obama me rastin e vizitës së tij të fundit në Vatikan, vazhdimisht kanë shprehur admirimin e tyre për Selinë e Shënjtë, për udhëheqsit e Kishës Katolike dhe për rolin e tyre në botë. Por ishte Presidenti Ronald Reagan, ai i cili i ngriti këto marrëdhënje në një nivel të panjohur më parë. Gjatë mandatit të tij të pare, Presdienti Reagan zbuloi në Papa Gjon Palin e dytë -- Papën me origjinë polake --një aleat të ngushtë të Luftës së Ftoftë, një Papë ky i cili nuk hesitoi të sfidonte Moskën dhe komunizmin ndërkombëtar dhe të predikonte në favor të lirisë fetare dhe të drejtave të tjera bazë të njeriut, anë e mbanë botës komuniste.
Në lidhje me marrëdhënjet aktuale midis Washingtonit dhe Vatikanit, Departmenti Amerikan i Shtetit thotë në portalin e tij se Shtetet e Bashkuara dhe Vatikani konsultohen dhe bashkpunojnë mbi çështje të interesit të përbashkët, përfshirë të drejtat e njeriut, mirëkuptimin ndër-fetar, paqën, parandalimin e konflikteve, zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Shtetet e Bashkuara kanë njohur zyrtarisht Vatikanin më 10 Janar, 1984, kur Presidenti Ronald Reagan dhe Papa Gjon Pali II ranë dakort për vendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis Washingtonit dhe Vatikanit.
FRANK SHKRELI
|