JO VETËM GJYQ PUBLIK GJYKATËSVE TË KORRUPTUAR Nga MENTOR KIKIA
E Hënë, 04.21.2014, 09:19am (GMT+1)
Beteja me dhe për drejtësinë tashmë ka filluar hapur. Pas vitesh, kur akuzat vinin vetëm në formën e sondazheve të organizatave që vlerësonin shkallën e korrupsionit të drejtësisë mbi bazën e perceptimit të publikut, tashmë pusetës i është hapur kapaku. Ministri i brendshëm, Sajmir Tahiri, për të mos e lënë denoncimin e tij për dhjetëra vendime gjyqësore në kuadër shkresash që mbetën sirtarëve me një përgjigje shabllon "ia kaluam KLD-së për kompetencë" - i ka ndarë me publikun letrat që i dërgon Presidentit të Republikës. Duke renditur çështje dhe emra konkretë gjyqtarësh, që sipas ministrisë, kanë çuar në lirimin e njerëzve të botës së krimit, Tahiri ka kërkuar marrjen e masave ndaj tyre. Pak ditë më parë një letër e kryetarit të Gjykatës së Apelit, adresuar KLD-së, ngrinte akuza të rënda ndaj një gjyqtari të njohur, Gjin Gjoni, për marrje ryshfetesh të mëdha. Gazetat kanë publikuar fotografi të këtij të fundit me butona floriri në këmishën e tij.
Konferenca e fundit gjyqësore u dominua nga akuzat për korrupsion, vendime të padrejta dhe "zvarritje torturuese", të bëra nga titullarët më të lartë të drejtësisë dhe gjyqësorit, si kreu i Gjykatës së Lartë apo ministri i Drejtësisë. Ndërkohë vetë komuniteti i gjyqtarëve, pas kësaj vale akuzash, si nga institucionet qeveritare ashtu edhe nga media e publiku, reagoi përmes një rezolute të konferencës së gjyqësorit, duke kërkuar që Ministria e Drejtësisë të mbyllë për publikun portalin e denoncimit të qytetarëve ndaj tyre, pasi kjo bën që denoncime edhe të paargumentuara prishin imazhin e sistemit në tërësi.
Proceduralisht jemi në kushtet e anashkalimit të institucioneve. Ministri i Brendshëm duhet t'i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe jo presidentit. Me të drejtë, gjyqtarët thonë se publikimi i çdo pretendimi të qytetarëve, me ose pa të drejtë, e cenon në tërësi imazhin e drejtësisë. Por, kjo betejë publike, edhe pse me doza politike brenda, duket të jetë e nevojshme për ta shpërthyer këtë gjëndër të madhe infeksioni që ka pushtuar palcën e shtetit tonë. Deri tani korrupsioni në drejtësi, veçanërisht në sistemin gjyqësor, ka qenë vetëm një "perceptim i publikut". Pa emra gjyqtarësh, pa emra çështjesh, pa emra dosjesh, kriminelësh e trafikantësh të liruar. Përballë këtyre konkluzioneve që prodhonin vetëm një lajm në media, gjyqtarët e korruptuar as që janë ndjerë të ngacmuar, të prekur e të fyer.
Tashmë duket se letrat po hapen, por deri tani jemi në kushtet e gjyqit publik ndaj gjyqtarëve të korruptuar. Lajmet që publikohen në media shumëfishohen në rrjetet sociale, ku qytetarët shfryjnë dufin e tyre përmes sharjeve. Por më shumë se kaq, shprehin dozën e madhe të pesimizmit për të ardhmen e vendit të tyre përmes shprehjes së famshme "se ky vend nuk do të bëhet kurrë". Ndërsa mazhoranca qeverisëse, në këtë situatë, përforcon qëndrimin politik mbi domosdoshmërinë e reformës në drejtësi.
Por këtu rikthehemi në një histori të vjetër dhe që përsëritet periodikisht në Shqipëri. Sa herë ndërrohen pushtet politike flitet për reformë. Reformë në çdo fushë dhe institucion dhe me reformë gjithmonë është pasur parasysh riformatimi i sistemit, për të garantuar kontrollin e tij nga partia në pushtet. Ne nuk e dimë ende se çfarë ka mazhoranca aktuale parasysh me reformë dhe çfarë sistemi do të implementojë. Por ajo që dimë dhe po shikojmë është se pusetës së ujërave të zeza të drejtësisë i është hapur kapaku dhe për herë të parë po pranohet publikisht dhe zyrtarisht përmasa reale e gangrenës së sistemit. Për herë të parë po flitet për emra konkretë gjyqtarësh dhe kriminelësh që kanë fituar lirinë nga vendimet e tyre.
Ajo që duhet bërë deri në "reformimin" e sistemit është që këta njerëz, të dyshuar tashmë, t'i nënshtrohen hetimit dhe përjashtimit nga sistemi. Ata janë zyrtarë apo nëpunës të shtetit pa imunitet dhe si të tillë duhet t'i binden drejtësisë për të cilën punojnë edhe vetë si çdo shtetas tjetër. Pasi ne jemi të bindur të gjithë se nuk është faji i sistemit që brenda tij ka njerëz të korruptuar. Faji është i ligjvënësve dhe qeverive, që për interesat e tyre politike dhe ekonomike, kanë lejuar ngritjen e sistemit të pandëshkueshmërisë dhe krijimit të "korporatës së të korruptuarve" dhe të ta paprekshmëve.
Publiku është deri në fyt me perceptimin e tij se drejtësia është e korruptuar dhe nuk ka më nevojë për sondazhe OJQ-sh. Populli ka mandatuar ndërkohë një mazhorancë me votat e mjaftueshme për të mos u qarravitur nesër se na penguan ta bëjmë reformë. Ministria e Drejtësisë nuk duhet të dalë më të na thotë se gjyqet zvarriten për vite me radhë apo se X gjykatës ka marrë vendime haptazi kundra ligjit, por t'i verifikojë dhe dorëzojë KLD-së listat dhe propozimet për të hedhur në rrugë ata gjyqtarë që kërkojnë para për të bërë detyrën e tyre. Ani, nëse KLD refuzon t'i ndëshkojë, do të jemi ne të gjithë që do të mbështesim edhe nxisim edhe shkarkimin e presidentit.
O sot o kurrë, vendi dhe shoqëria kanë nevojë për t'u vënë emra të korruptuarve dhe t'i shikojë ata jashtë sistemit të drejtësisë dhe në burg, nëse kështu thotë ligji. O sot, o kurrë ne duhet të shikojmë veprime konkrete për t'u kthyer besimin dhe shpresën njerëzve të thjeshtë dhe për të hequr nga repertori popullor shprehjen "ky vend s'ka për t'u bërë kurrë".
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kemi të gjithë të drejtën të dyshojmë se kjo fushatë është vetëm një përgatitje morale e shoqërisë për të ndryshuar timonierët dhe për të marrë kontrollin e të njëjtit sistem të korruptuar.
MENTOR KIKIA
|