VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - E ARDHMJA E EUROPËS - BALLKANI NË FOKUSNga FRANK SHKRELI

                                                                                      

E Shtunë, 10.05.2024, 10:41pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
E ARDHMJA E EUROPËS - BALLKANI NË FOKUS
Nga FRANK SHKRELI

E Enjte, 05.01.2014, 07:56am (GMT+1)


 
Më 29 dhe më 30 Prill në Washington u mbajt konferenca dy ditore e organizuar nga Këshillit i Atlantikut për të përkujtuar disa përvjetorë me rëndësi jetike për komunitetin trans-atlantik, përfshirë 25-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, 15-vjetorin e zgjerimit të parë të antarësimit në NATO pas mbarimit të luftës së ftohët, dhe 10-vjetorin e zgjërimit të madh të antarësimit të vendeve ish-komuniste në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës.  E drejtuar nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, demokrate, dhe nga ish-këshilltari i Presidentit George Bush, për çështje të Sigurimit Kombëtar, Stephen Hadley, republikan -- në konferencë morën pjesë, ndër të tjerë, edhe Zëvendës Presidenti i Amerikës, Joe Biden dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, si dhe senatorë amerikanë dhe udhëheqës europianë.  Qëllimi i konferencës, sipas Këshillit të Atlantikut, ishte për të venë në dukje transformimin e Europës deri tani, si dhe rëndësinë e këtyre përvjetorëve.  Konferenca mundësoi gjithashtu zhvillimin e bisedimeve për të ardhmen e NATO-s dhe të Bashkimit Europian, dhe ishte një rast i mirë për të shkëmbyer  mendimet dhe pikëpamjet e të ftuarve për përballjen e sfidave, drejtë   një Europe të tërë dhe të lirë.

Njëri prej folësve kryesorë të konferencës ishte Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH), John Kerry, i cili iu bashkua një numëri ministrash të jashtëm nga Europa, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për të celebruar, sipas DASH, "Këto arritje historike, si dhe vlerat e përbashkëta të cilat kanë forcuar dhe kalitur një komunitet trans-atlantik të fortë, demokratik dhe të begatë.  Sekretari Amerikan i Shtetit ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë.  Zoti Kerry nënvijoi mbështetjen e administratës së Presidentit Obama ndaj aleatëve të NATOs  duke  u thënë ministrave dhe diplomatëve europianë, se "Ne jemi gati të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar NATO-n që të mbrojë territorin e anëtarve të saj kundër ndonjë konflikti që mund të përhapet si përfundim i grabitjes së Krimesë nga Rusia, si dhe nga sulmet ruse në Ukrainën lindore."  Kryediplomati amerikan ritheksoi mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës dhe kritikoi Rusinë se nuk ka marrë asnjë hap për të zbatuar marrveshjen e arritur këtë muaj në Gjenevë midis tij dhe ministrit të jashtëm rus, Lavrov, marrveshje që kishte për qëllim të ulte tensionin e krizës.  Ai u tha zyrtarëve, ekspertëve politikë dhe gazetarve të pranishëm në conference, se "ky konflikt është një alarm për ne dhe për aleancën e NATO-s".  Zoti Kerry tha se, "Ne gjëndemi para një momenti përcaktues historik për komunitetin trans-atlantik", dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të angazhohen seriozisht, që gjatë pesë viteve të ardhëshëm, të cakëtojnë të pakën dy për qind të buxhetit të tyre të përgjithëshëm për nevojat e mbrojtjes. Zoti Kerry u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të NATO-s "që menjëherë të marrin masa urgjente për të siguruar që vendet europiane të mos jenë të varura nga Rusia për pjesën më të madhe të nevojave të tyre për energji", dhe të përfundojnë bisedimet për një bashkpunim më të thellë ekonomik të komunitetit trans-atlantik.  Ai shtoi se NATO duhet tani të përqëndrohet më shumë në mbrojtjen europiane, pas disa vitesh që aleanca ishte e angazhuar në misione në Irak dhe në Afganistan, duke thënë se tani, "kriza në Ukrainë na thërret që t'i këthehemi rolit për të cilin ishte krijuar NATO, e që është mbrojtja e territorit të aleancës dhe të avancimit të sigurinë trans-atlantike."  Xhon Kerry përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, "Ne duhet t'ia bëjmë absolutisht të qartë Kremlinit se territori i NATO-s është i padhunueshëm. Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të tij..."

Menjëherë pas fjalimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, konferenca e organizuar nga Këshilli i Atlantikut e titulluar, "Drejtë një Europe të tërë dhe të lirë", zhvilloi edhe një sesion kushtuar Europës Jugore, me pjesmarrjen e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrave të jashtëm të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Bullgarisë. Sipas Këshillit të Atlantikut, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë vuri në dukje se Ballkani përballet gjithnjë me sfida të mëdha, duke theksuar ndër të tjera, çështjet kufitare, problemet e njohjeve dhe konflitet etnike. Ministri Bushati u citua të ketë thënë se, "Humbasin gjithnjë kohë se kush do ulet në tryezë, në vend që të përpiqemi të zgjidhim problemet për të ardhmen."  Në lidhje me antarësimin eventual të vendeve të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Europian (BE), përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, Ministri shqiptar i punëve të jashtëme, ndonëse pranoi se është shënuar përparim i madh drejtë BE-së, ai vërejti se reagimi i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Përendimor ka qenë kryesisht tepër i ngadalshëm për procesin e integrimit të këtyre vendeve dhe se ekziston nevoja për marrjen e masave më të shpejta nga ana e BE-së.  Ai shprehu mendimin e tij se, "Konsolidimi i vendeve të Europës Jugore është  një proces sfidues dhe si i tillë nevojitë një angazhim më të madh nga ana e Bashkimit Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara."  Kryediplomati shqiptar shprehu shqetsimin e tij se në mungesë të një interesimi më të madh mbi të ardhmen e Ballkanit nga BE-ja, procesi i përparimit në rajon mund të zgjasë indefinitivisht dhe mund të përfundojë në një fragmentim më të thellë të rajonit, me pasoja që askush nuk do t'i dëshironte.  

Ndërsa në lidhje me zgjërimin e antarësimit në NATO, përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën, vende këto që aspirojnë antarësimin në aleancën perëndimore, Zëvëndës-kryeministri dhe ministëri i jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksiq shprehu shqetësimet e tija të thella me procesin e deritanishëm të  antarësimit në NATO dhe shtoi se duhet të ketë një angazhim të qartë për antarësimin e vendeve të rajonit, si një kusht paraprak për një Europë stabile. Ministri malazez i tha konferencës se, Europa nuk mund të jetë e tërë, e lirë dhe në paqë, nëqoftse vendeve të Ballkanit perëndimor që dëshirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, nuk u jepet mundësia të bëhen pjesë e aleancës perëndimore."   Edhe Ministri i jashtëm maqedonas, Nikola Poposki foli për ndihmën që vendi i tij u ka dhënë operacioneve të NATO-s megjithëse nuk është anëtare e aleancës dhe shtoi se NATO është forca kryesore shtytëse në procesin e reformave në Maqedoni.  Ministrat e jashtëm të Ballkanit, sipas Këshillit të Atlantikut, theksuan gjithashtu natyrën ndërlidhëse të politikave rajonale, duke thënë se ngjarjet që mund të ndodhin në njërin prej vendeve të rajonit, mund të kenë efekte të drejta për drejta mbi stabilitetin rajonal në përgjithësi, dhe duke pasur parasyshë mjedisin politik në atë rajon, është e nevojshëme ruajtja e komunikimeve dhe përqëndrimi i përbashkët mbi zhvillimin e strategjive për sigurimin dhe stabilitetin e rajonit. Ndërsa Ministri i jashtëm bullgar, Kristian Vigenin tha, gjatë sesionit kushtuar Europës Jugore, se ashtu si Ukraina, edhe Ballkani gjëndet para një momenti historik vendimtar për të ardhmen e vet dhe si pasojë, është me rëndësi, shtoi ai, që vendimet të cilat do të merren në lidhje me këto vende, të jenë masa për të cilat ka nevojë stabiliteti dhe paqa në rajon.
 
Konferenca përfundoi punimet me një fjalim nga Zëvendës-Presidenti amerikan Joe Biden, i cili njoftoi se në Qershor, Presidenti Obama do të vizitojë Poloninë me rastin e 25-vjetorit të zgjedhjeve të lira atje, zgjedhje të cilat shënuan shkëputjen e atij vendi nga qeverisja komuniste e dominuar nga Bashkimi Sovjetik.  Kjo vizitë po bëhet siç në duket, në përpjekje për të treguar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për aleatët e tyre në Europën Qendore dhe Lindore, përballë ballafaqimit të komunitetit trans-atlantik me Rusinë, në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës.  Kritikët e administratës së Presidentit Obama kanë komentuar në të kaluarën se ajo nuk ka provuar mbështetjen e nevojshme për aleatët amerikanë në Europën Qëndrore dhe Lindore.

Këshilli i Atlantikut tha se kriza në Ukrainë përbën një rrezik serioz, ndaj përparimit të bërë deri tani drejtë një "Europe të tërë dhe të lirë", ç'prej mbarimit të luftës së ftohtë, prandaj  edhe vendosi të organizonte këtë konferencë ku morën pjesë udhëheqës  dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë, për të biseduar mbi  gjetjen e mënyrave më të mira për ruajtjen dhe avancimin e përparimit të bërë deri më tani drejtë paqës dhe sigurisë në Europë, megjithë sfidën më serioze ndaj vizionit për një Europe të bashkuar dhe në paqë, ç'prej mbarimit të luftës së ftohtë, pothuaj një çerek shekulli më parë.  Këshilli i Atlantikut tha se e organizoi këtë konferencë të udhëheqsve trans-atlantikë, ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin po hedhë poshtë këtë vizion dhe ndërsa ai po u bën presion dhe ndërmerr sulme ushtarake kundër vendeve fqinje të Rusisë, në përpjekje për të mos i lejuar ato që të vendosin vet nëse duan të bëhen pjesë e vizionit për një Europe të tërë dhe të lirë. Kjo konferencë, theksoi Këshilli i Atlantikut, është pjesë e një fushate që   ka ndërmarrë për  nxitjen e marrjes së masave për të siguruar se Ukraina mbijeton si shtet, dhe njëkohësisht për forcuar identitetin dhe rolin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe njëherazi edhe për të fuqizuar aleancën e NATO-s.



FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MBYLLJA E KONSULLATËS NË NEW YORK - MOSVLERËSIM I SHQIPTARËVE TË AMERIKËSNga ARTUR VREKAJ (04.29.2014)
TË MOS I MBYLLET FRYMA SHTYPITNga FRANK SHKRELI (04.28.2014)
MBYLLJA E KONSULLATËS SË PËRGJITHËSHME TË RSH NË NEW YORK IU BIE NDESH IDEALEVE KOMBËTARE TË RILINDJES – KRYEMINISTRI RAMA TA SHFUQIZOJË MENJËHERË VENDIMIN Nga ELIDA BUÇPAPAJ (04.26.2014)
MALI I ZI, INTEGRIMET EUROPIANE DHE PROTESTAT E SHQIPTARËV​ENga XHELADIN ZENELI (04.24.2014)
FORCAT AMERIKANE ZBRESIN NË POLONINga FRANK SHKRELI (04.24.2014)
REKUJEM PËR SKËNDER SKËNDERIN, XHAXHAIN TIM TË MIRË â€“ MALLKUAR QOFTË POLITIKANga ELIDA BUÇPAPAJ (04.23.2014)
TV KLAN E PASURON EDHE MË TEJ TRADITËN ANTINACIONALISTE TË KLASËS POLITIKE SHQIPTARENga Prof. Dr. ESHREF YMERI (04.22.2014)
NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKANTHEMELIMI I "KOMITETIT SHQIPËRIA E LIRË''Nga FRANK SHKRELI (04.22.2014)
JO VETËM GJYQ PUBLIK GJYKATËSVE TË KORRUPTUARNga MENTOR KIKIA (04.21.2014)
MENDIME PËR TEATRIN KOMBËTAR SHQIPTARNga RESHAT KRIPA (04.21.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]