E Mërkurë, 12.06.2023, 07:27pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
RILINDJA - MATJA E RRITJES CILËSORE NË SHOQËRI...!
Nga PËRPARIM KABO

E Hënë, 05.05.2014, 10:33am (GMT+1)



Qershori 2014 është në prag. Një vit nga ardhja në pushtet dhe tetë vite kohë në opozitë për t'u përgatitur dhe hartuar strategji e programe janë të mjaftueshme. E majta në pushtet do duhej të kishte treguar se si do ta sigurojë ndryshimin e realitetit social-ekonomik në vendin tonë, që ishte mbërthyer në krizë dhe që gjendej në zgrip, ku mbi 1 milion njerëz paskëshin qenë të papunë. Përpos tri shtyllave bazike të programit socialdemokrat modern që edhe i kemi nënvizuar (V.o - shih tri shkrimet e mëparshme, P.K.), si: "Rritja Ekonomike", "Barazia Sociale" dhe "Qëndrueshmëria", është edhe një kriter tjetër. "Rritja cilësore në shoqëri" dhe si matet ajo.

Ekonomisti dhe globalisti i shquar Joseph Stiglitz, ka argumentuar përse nuk duhet të mos manipulohemi me propagandën e rritjes së GDP-së, aq më tepër në vendet e pazhvilluara, të cilat denden me kreditime dhe borxhe dhe në një moment nuk kanë mundësi t'i shlyejnë ndaj dhe rrëzohen. Ekonomia bllokohet. Kthimi i kredive shndërrohet në një makth. Ngërçi përfshin sektorin publik, shtetëror dhe privat. Bankat asfiksohen. Monedha kombëtare tronditet.

Shoqëria përballë këtyre sfidave ndalet. Stanjacioni i hap udhë rënies së rritjes ekonomike - recesionit, derisa bilancet kthehen në negative dhe kriza, ashtu si era, nuk të lajmëron që ka mbërritur. "Një vend në zhvillim, - shkruan Stglitz, - që pa pengesa hapet ndaj botës së jashtme, domosdoshmërisht vjel frytet e globalizmit. Madje edhe nëse GDP-ja e tij rritet, rritja mund të mos jetë e qëndrueshme apo e bazuar. Po edhe kur rritja është e bazuar, mundet të ndodhë që shumica e popullit të këtij vend të gjendet edhe më keq" (Joseph Stiglitz - "Making Globalization WORK", page 26).

Përvoja e hidhur e Argjentinës me FMN-në dhe kreditimet e pakontrolluara që krijuan iluzionin e rritjes së dukshme të GDP-së, treguan se kishte qenë gabim shumë i rëndë dhe me pasoja, politika ekonomike e tillë ku: Skema e kreditimit paguhet me shitjen e aseteve të ekonomisë kombëtare (V.o - le të mendojmë se sa gabim është punuar në vitet e fundit nga PD në shitjen e tyre gjoja në emër të hyrjes në ekonominë globale) dhe rritja ekonomike është e përkohshme.

Ajo bashkëshoqërohet me stanjacionin, e çfarë është më e keqja, me disproporcionin në pasurim, me dobësimin e ekonomisë kombëtare dhe dëmtimin e prodhimit vendas. I famshmi privatizim, që rezulton si shitje e pasurisë kombëtare tek të huaj ose kalimi e asaj që është publike me pak pará tek privatët pranë qeverisë (modeli i Rusisë), sjellin si rrjedhoja një ekonomi oligarkësh dhe demokraci jo për qytetarin, por për kapitalin e madh dhe e gjunjëzuar nga ana e tij. Krijohet Demokracia Autoritariste (Authoritarian Democraty). Kjo lloj politike ekonomike shpuri në humbjen e zgjedhjeve të fundit të 2013-ës nga Partia Demokratike. Porse ende kjo forcë politike nuk ndalet të bëjë këtë analizë reale e me përgjegjësi. Thirrjet për ngritjen e qytetarëve në protesta janë pa motiv dhe, duke qenë se nuk do të ndodhin, e shpërfaqin PD-në pa vizion. Me qetësi do duhet realizuar studimi i gabimeve ekonomike dhe të metave thelbësore. Revolucionarizimi nga lart është patetizëm politik me karburant aventurizmi.

Aktualisht tabloja është ndryshe. Drejtojnë të majtët, por dhe këta nuk po bëjnë studime reale për gjendjen e gjetur si model dhe të ravijëzojnë linjat e tyre të rimodulimit. Nga ato që shohim, dëgjojmë e lexojmë në faqet zyrtare online të ministrive dhe të kryes së tyre, vëmë re që punësimi i premtuar është zgjerimi i sektorit fason, shitja e lirë e krahut të punës që siguron një minimum jetik për punonjësit e këtij sektori. Ka madje mburrje se me këtë lloj punësimi do "bëhet nami", kur në fakt e gjitha kjo është mjerane dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me një zhvillim cilësor të shoqërisë dhe të jetës së njeriut. Pagat në këtë sektor janë të tilla. Vetëm gati 10-15% e punëtorëve, ata me kualifikimin më të lartë, mund të marrin një pagë mujore 32.000 lekë.

Pjesa tjetër në masë, si punëtorë me kualifikim të ulët, paguhen me 18.000 lekë në muaj. Fasonizmi i ekonomisë kombëtare mund të shërbejë shumë-shumë si alibi, por jo si zhvillim. Ky lloj punësimi nuk e ndryshon gjendjen ekonomike dhe nuk e zbut polarizimin e skajshëm. Të varfrit do të mbeten të varfër dhe të pasurit do të shtojnë pasurinë.

Në takimin e fundit të BERZH-it në Tiranë, dëgjuam parashtresën e kryeministrit zotit Edi Rama për një orientim të shëndoshë të zhvillimit ekonomik, dhe konkretisht: Zhvillimi i bujqësisë dhe i prodhimit vendas për tregun e brendshëm dhe eksportet. Rigjallërimi i industrisë minerale dhe asaj të hidrokarbureve, si dhe ndërtimi i një industrie turistike larg konceptimit të derisotëm, ku ai funksionon si një "pelegrinim vëllazëror" të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë në bregdetin shqiptar të Adriatikut dhe të Jonit.

Në gjykimin tim, kjo platformë është e drejtë dhe shpresëdhënëse. Mbetet të njihemi me artikulimin strukturor, detajet e vënies në jetë dhe kapilarizimin monetar investues. Po ndalem vetëm në një sektor, tek bujqësia. Sipas studimeve të Bankës Botërore, "bujqësia mbetet një prej sektorëve më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm në Shqipëri. Ajo është burim kryesor punësimi dhe të ardhurash - veçanërisht në zonat rurale të vendit - dhe përfaqëson rreth 20% të PBB-së, ndërkohë që përbën gjysmën e punësimit të përgjithshëm. Megjithatë, sektori i bujqësisë i Shqipërisë vijon të përballet me një sërë sfidash, duke përfshirë këtu përmasat e vogla të fermave dhe copëzimin e tokës, infrastrukturën e dobët, kufizimet e tregut, aksesin, i kufizuar tek kreditë dhe grantet, si edhe institucione të papërshtatshme rurale."

Pa rigjallërimin e bujqësisë dhe daljen e saj me prodhime në treg dhe në eksporte, është e vështirë që ekonomia jonë të takojë një zhvillim të gjithanshëm dhe cilësor. Vendimi i fundit për rikrijimin e Bankës Bujqësore është më se i drejtë. Në hyrje të viteve 1990, kur lulëzonte "shoqata e biznesmenëve demokratë" (një marrëzi në konceptim), ndodhi shkatërrimi i ish-Bankës Bujqësore të asaj kohe. Këta trima të partisë morën kredi dhe nuk i kthyen. Banka shkoi në falimentim dhe aq sa mbeti tek ajo i kaloi ish-Bankës së Kursimeve, e cila më vonë iu shit Raiffeisen Bank. Kohë e humbur, pasuri të vjedhura, ekonomi pa vizion, fshat i braktisur, bujqësi e pakonsideruar. Po përgjegjësia, ku mbeti? Kjo është historia e Shqipërisë. Është fati ynë. Është e drejta jonë si qytetarë. Situata ekonomike tash pas gati një viti të rotacionit politik, e ka të nevojshme të kuadratohet. Si është e projektuar ajo, sipas partive të qendrës së djathtë, që kanë si model të politikave ekonomike "posedimin e kompetencave në ekonomi"? Apo sipas modelit të së majtës, që në përgjithësi "siguron posedimin e kompetencave me qëllim politikat sociale?" Këto orientime bazike ekonomike realizohen kur shteti në themel është shtet social. Porse realitetet social-ekonomike, ato financiare dhe monetare nuk të lejojnë që në mënyrë didaktike të operosh me instrumentet dhe vetëm në trasenë e shkollës ekonomike që lidhet me orientimin ideologjik, shkencor dhe pragmatik të partisë konkrete, e majtë apo e djathtë qoftë ajo.

"Një model i politikave ekonomike, gjithsesi, nuk është i kufizuar tek politikat ekonomike drejtuese në një sens të ngushtë, por duhet gjithashtu të shqetësohet shumë më tepër, për integrimin e gjerë mes politikave sociale dhe hapësirave të tjera politike. Politika ekonomike është politikë sociale -një ekonomi funksionale është gjithnjë e ngulitur në një sistem shoqëror dhe kjo duhet të merret në konsideratë." (Economics and Social Democracy-Friedrich EBERT STIFTUNG, page 75).

Ballafaqimet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, do duhet të jenë të fokusuara dhe në lidhje me modelin në funksion të mos zhbërjes së arritjeve, gjetjen e modelit që siguron një ritëm më të lartë zhvillimi dhe që është më në funksion të interesave të qytetarit. Për fatin tonë jo të mirë, kemi përjetuar dhe po vijojmë të shohim shterpësi debatesh dhe akuza të ndërsjella, gati qesharake dhe larg motiveve të shëndetshme dhe gjithëpërfshirëse. Para pak vitesh, në një mbledhje qeverie ish-kryeministri, z.Sali Berisha shantazhonte ish-zv.ministrin e Financave, z.Florion Mima, që të rillogariste rritjen e GDP-së dhe ta shpinte në 10%. Aq sa e nxirrte INSTAT-i kukull i propagandës gënjeshtare. Zoti Mima i thoshte që, me shumë sforco mund të shkonte tek 6% në vit.

Koha tregoi se as kjo shifër nuk qe e mundur dhe Banka Botërore argumentoi se rënia në ritmin e rritjes ekonomike qe prezente. Aktualisht PD ankohet se PS do të mohojë arritjet e saja në 8 vjet. Ka krijuar një realitet inekzistent me mashtrim propagandistik elektoral dhe ka gënjyer qytetarët në mënyrë masive në zgjedhje, ndaj duhen protesta dhe të mendohet largimi qeverisë. Penduli mbeti peng në një "nyje gordiane", thellimi i borxhit i detyruar nga mospagesat e qeverisë demokratike ndaj kompanive private që ishin angazhuar në realizmin e investimeve publike, por që nuk morën detyrimet financiare që qeveria kishte ndaj tyre. GDP fiktive dhe borxhe, kjo është aritmetika në fund të historisë tetëvjeçare të qeverisjes së PD-së.

Mbështetje për kapitalin e madh e pakujdesi për pasuritë kombëtare, shitje e tyre si "mall belik" sipas parimit "Shqipëria një Euro", përfshirë këtu dhe tokën. Edhe pse vendi nuk kaloi në krizë, është e udhës të shpjegohet, përse edhe rritja e GDP-së nuk është e mjaftueshme, pasi edhe në këtë realitet në pamje entuziast, është me rëndësi parësore të vihen në pah se cilat janë pamjaftueshmëritë dhe mangësitë e asaj ekonomie që kapet vetëm pas treguesve të GDP-së.

Konkretisht të shpjegohet: Si shpërndahet GDP-ja? A ka një shpërndarje të drejtë? A mos vallë një pakicë përfiton pjesën më të madhe të burimeve? Cilët janë kriteret e shpërndarjes së GDP-së? A shpërndahet ajo sipas nevojave të performancës apo në përputhje me klasat sociale? Zgjerimi i prodhimit, e ka ruajtur qëndrueshmërinë e ambientit? Burimet e investimit, e mbrojnë ambientin? Apo rritja ekonomike ka dëmtuar rëndë natyrën dhe ekosistemet? Si gjenerohet rritja ekonomike dhe si valëzon posedimi? A është kjo një rritje që mban nën kontroll borxhin publik? A është investim në infrastrukturë, shkollim dhe kërkim shkencor, teknologjik e teknik, duke bërë të mundur rritjen afatgjatë? Është rritur GDP-ja vetëm për shkak të punës së kryer? A mundet të themi se GDP-ja rritet, kur në fakt prodhohet e njëjta gjë dhe një masë e gjerë antropologjike mbetet e angazhuar në punë familjare?

Përpara se eksponentët kompetentë të fushës nga të dyja palët politike dhe kasnecët profanë të kacafyten për mrekullitë që paskan bërë në ekonomi, treg, financë dhe monetarizëm, apo në atë që pritet të bëhet tani që Rilindësit janë në qeverisje dhe e kanë në majë të gjuhës se "e keqja më e madhe ka ikur", ju lutemi, përgjigjjuni këtyre pyetjeve që, më shumë se të tilla janë çështje thelbësore për të kuptuar mekanizmin, funksionet dhe atë se çfarë pritet me rritjen e GDP-së. Në lidhje me rritjen ka dy qasje të ndryshme. Kuptimi tradicional e sheh atë si "Performanca e përgjithshme ekonomike". Ndërsa kuptimi modern flet për "Koncept të zgjeruar për rritjen".

Është provuar në realitete të larmishme se ka qasje të ndryshme me qëllimin që ato të jenë sa më gjithëpërfshirëse ndaj zhvillimit cilësor. Herman E. Daly është fitues i çmimit Nobel, ekonomist në Bankën Botërore, i cili ka një kontribut pjesor, por se mjaft të konsideruar në çështjen e ndjeshme të "zhvillimit të metodës së llogaritjes të progresit real". Formula e tij është GPI - the Genuine Progress Indicator (lexo; tregues të vërtetë progresi). Ekspertët e ekonomisë mendojnë se me këtë metodë GDP plotësohet nga faktorë që kanë për qëllim të përshkruajnë kostot reale dhe përfitimet në aktivitetin ekonomik. Faktorët që ravijëzojnë këta indikatorë përtej GDP-së përfshijnë: Shpërndarjen sociale të të ardhurave, punët vullnetare, sigurimin e rritjes në edukim, luftën kundër krimit, organizmin e kohës së lirë, konsumin e burimeve, dëmtimet ambientale dhe investime në infrastrukturën publike.

 Llogaritja e GPI-së dhe indikatorëve të ngjashëm, sigurisht që është shumë komplekse, pasi detajet precize të kompozimit e vlerësimit janë kundërthënëse. Gjithsesi, përtej kriticizmit të justifikuar, kalkulime të tilla përbëjnë një kontribut të rëndësishëm, në zbulimin e dobësive të metodave të zakonshme të llogaritjes, duke përfshirë dhe GDP-në. Është e qartë pra se, zhvillimi cilësor matet me GPI dhe jo nga GDP. Ky progres mund të jetë shumë më i vogël nga ai që mund të na bëjë të besojmë rritja që matet nga GDP. Mbi të gjitha, përfshirja si kriter për matjen e një zhvillimi cilësor edhe i "dëmtimit të ambientit" dhe "padrejtësisë sociale", kanë treguar se në shumë vende GPI-ja është jo në rritje, por madje në rënie.

Është për këto arsye që vijojnë përpjekjet për të gjetur dhe vlerësuar alternativat e GDP-së. Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy lançoi ngritjen e një komisioni me ekspertë të lartë për të zhvilluar treguesit që do duhet të llogariten dhe që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës, me progresin social dhe me treguesit ambientalë, me qëllim marrjen në konsideratë të përfundimeve, rezultate të cilat ndihmojnë për veprimet në të ardhmen.

Nëse e lëvizim fokusin drejt realitetit në vendin tonë, vëmë re se në këto vite të tranzicionit, jemi "duarlart" në sjelljen ndaj ambientit të shkatërruar po nga ne, si edhe janë: Dëmtimi i ujërave, sistemet e kanalizimeve dhe hidrovoreve, prerja e pyjeve barbarisht, shkatërrimi i lumenjve, ndotja e liqeneve dhe e deteve, betonizimi i vijës bregdetare, pakësimi i fondit të tokës dhe deri tek keqsjellja ndaj burimeve minerale dhe hidrokarbureve.

Ndërsa thellimi i diferencave pasurore dhe rritja e varfërisë në ekstreme skajshëm shpreh thellimin e padrejtësisë sociale. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, "niveli i varfërisë është rritur. Aktualisht në Shqipëri jetojnë në varfëri 60% e popullsisë, ndërsa në minimumin jetik janë rreth 15% e popullsisë. Shqipëria mban vendin e dytë në rajon pas Kosovës, për nivelin e varfërisë. Borxhi publik është më i larti në rajon. Në pesë muajt e parë të vitit 2012 borxhi kapërceu mbi 63% të GDP-së, duke sjellë një rrezik potencial për ekonominë.

Politika fiskale dhe ajo monetare janë konsumuar dhe ekonomia shqiptare ka nevojë për reformim strukturor". Ky është rekomandimi i Bankës Botërore për qeverinë shqiptare, pas analizës makroekonomike që i bëri ekonomisë. Ndërsa treguesit mikro, pasqyrojnë një ekonomi të sëmurë. (V.o - pasqyra ekonomike është bërë në raportin e Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Europën Juglindore para zgjedhjeve të 2013-ës). Me ardhjen e koalicionit të majtë në pushtet, detyrat dhe përgjegjësitë ishin shumë të mëdha, të rënda dhe delikate. Borxhi u rrit, sepse detyrimet e pashlyera ndaj biznesit e detyruan qeverinë që ta rriste duke u kredituar, dhe ekuilibrat janë aktualisht edhe më delikatë.

Opozita e sotme, nga njëra anë e përshëndeti huan e siguruar me ndërmjetësimin e FMN-së, nga ana tjetër thotë 'është rritur niveli i borxhit'. Nga njëra anë thotë që, 'nuk kemi krijuar borxhe kur qeverisëm ndaj biznesit', dhe nuk ndalet të thotë se 'marrja e kësaj kredie do të rrisë taksat'. Do ishte e ndershme që me ekspertizë të jepte argumente, përse me gjithë shifrat relevante të rritjes së GDP-së, 60% e popullsisë mbeti në varfëri gjatë kohës që ajo qeverisi?! Si është e mundur që edhe prodhimi i përgjithshëm bruto rritej dhe e ardhura për frymë binte? Si ka mundësi që modeli ekonomik 2005-2013 paska qenë shumë i suksesshëm, me% të lartë të rritjes së GDP-së dhe me zgjerim të investimeve të huaja falë barrës së ulët fiskale, dhe në të njëjtin realitet ekonomik, 15% e popullsisë të jetonte nën minimumin jetik?

Ekonomia dhe situatat social-ekonomike janë të vetmet realitete që nuk mund të mbulohen me propagandë. Mbas gishtit i fshehur mund të mos dukesh - sipas mendjes tënde të ngushtë - ti që fshihesh, por se nuk është ashtu. Gjithçka vjen e qartë në dritë të diellit. Në kushtet e ekonomisë globale dhe theksimit të tiparit financiar dhe monetar të kapitalizmit si shprehje e aberacionit të tij, hesapet e "princave provincialë" të pashëruar ende nga patologjia e sistemit të djeshëm, ku lëshoheshin tullumbace me arritje e suksese sepse besonin se ne jemi vend i mbyllur dhe nuk na i dinë të palarat; janë atavizma të një tranzicioni që më shumë peshon nga e shkuara sesa vjen si i orientuar nga e ardhmja.

Përzënia e FMN-së nga Partia Demokratike ishte shprehje e mbylljes pas frëngjisë dhe daljes jashtë saj me parulla gënjeshtare për gjoja mrekullinë shqiptare. Duket nga shifrat se është punuar në shërbim të një pakice që u pasurua edhe më gjatë kësaj periudhe, duke thelluar diferencimin ekonomik në vend. Një zhbalancim i tillë e vuri në përballje me vështirësi dhe dilema vetë demokracinë si sistem. Një përqindje kaq e lartë e popullsisë si njerëz në nevojë, tregon se si janë sjellë ata me sovranitet e deleguara (vota e votimi dhe kontrolli mbi demokracinë përfaqësuese, kolektive nga niveli komunar deri në atë parlamentar), si dhe çfarë qëndrimi mbajnë ata ndaj ligjit dhe respektimit të tij. Si njerëz në nevojë (necessitas non habem legem - nevojës nuk i duhet ligji), ata nuk janë në gjendje të respektojnë kërkesat ligjore me të gjitha detyrimet që lidhen me to, e për pasojë, ajo që quhet "demokracia përmes ligjit" nuk ka funksionuar në masën 60%. Kështu është prishur dhe barazia e qytetarëve para ligjit, nuk ka mundur të funksionojë shteti ligjor (rule of law) dhe shteti i së drejtës (human rights law). "Mrekullia shqiptare" ra si kështjellë rëre me fillimin e krizës financiare dhe monetare në vitin 2008. Sipas Bankës Botërore, "para krizës financiare globale Shqipëria ishte një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Europë, duke gëzuar norma reale rritjeje vjetore prej 6%, shoqëruar nga reduktimi i shpejtë i varfërisë. Por, pas vitit 2008 rritja mesatare u përgjysmua dhe në sektorët publikë dhe të jashtëm lindën disbalanca makroekonomike.


Ritmi i rritjes u pasqyrua edhe tek varfëria dhe papunësia. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2008, varfëria në vend u përgjysmua (në rreth 12.4%) por në vitin 2012 u rrit sërish deri në 14.3%. Papunësia u rrit, nga 12.5% në vitin 2008, në 16.9% në vitin 2013, ku papunësia e të rinjve arriti 26.9%. Ritmet e rritjes mbi 3% gjatë vitit 2011 u moderuan në vitet 2012 dhe 2013, duke reflektuar në këtë mënyrë situatën e përkeqësuar në Eurozonë dhe situatën e vështirë të sektorit energjetik. Rritja reale e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) ra në pikën e ulët -2.3% në tre-mujorin e tretë të vitit 2013. Pritet një rikuperim në vitin 2014, por rritja pritet të mbetet nën potencialin e vendit në planin afatmesëm."

Sfidat kyçe për përparimin e Shqipërisë, sipas Bankës Botërore, përfshijnë: "Rifillimin sa më parë të konsolidimit fiskal dhe përmirësimin e menaxhimit të shpenzimeve publike, reformën rregullatore dhe institucionale, zvogëlimin e mangësive infrastrukturore dhe përmirësimin e efikasitetit të sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve kyçe shëndetësore. Banka Botërore sugjeron se "për të garantuar një model të suksesshëm ekonomik duhet kryer kalimi kah modelit të rritjes së orientuar drejt eksporteve, përmirësimi i zbatueshmërisë së kontratave; licencave të ndërtimit; nxitja e sipërmarrjes, zgjidhja e hendekut të aftësive, heqja e pengesave dhe barrierave të punës, konsolidimi fiskal dhe eficienca e shpenzimeve publike, reduktimi i deficiteve, borxhit dhe pagesave të prapambetura dhe forcimi i eficiencës së menaxhimit të financave publike dhe i investimeve publike. Këto janë detyrat që duhet të përmbushë në planin ekonomik, qeveria e re që erdhi pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

Për Bankën Botërore, efekti i zgjedhjeve në ekonomi nuk mund të matet në këtë moment dhe se rezultatet e raportit të saj janë për një periudhë afatgjatë dhe të pandikuara nga zhvillimi i zgjedhjeve në vend. Problemet në kontekstin rajonal, treguan se ekonomia shqiptare kishte borxhin publik më lartë dhe është vendi me më shumë probleme në sferën biznes-tatime. Fushat më problematike të mjedisit të biznesit janë marrja e lejeve të ndërtimit, regjistrimi i pronave, zbatimi i kontratave dhe pagesat e taksave. Përveç zbatimit të kontratave, treguesit e tjerë Shqipëria i ka pasur më të përkeqësuar se të gjitha vendet e rajonit. Kështu, për të paguar taksat për raportet mes biznesit dhe administratës tatimore, Shqipëria ishte vendi më problematik në rajon. Një tjetër çështje që rendit Shqipërinë në vendin e parë është çështja e pazgjidhur e pronave, që është edhe faktori kryesor që frenon investimet", e mbyllte listën e rekomandimeve për Shqipërinë Banka Botërore.

Po analizojmë njërën prej tyre, "pa zgjidhjen e çështjes së pronës nuk ka zhvillim." Kohët e fundit, në një intervistë televizive, z.Sali Berisha pranoi se "unë gabova me ligjin 7501" në lidhje me tokën, porse këtë ide e huazova nga ish-presidenti amerikan Xheferson, sipas parullës, se "toka i takon atij që e punon". Nuk është kështu, zoti Berisha! Ky është gabimi më i rëndë që keni bërë. Toka, ose blihet, ose trashëgohet, ose dhurohet, por nuk u merret pronarëve të ligjshëm nga shteti dhe u jepet atyre që nuk u takon. Këtë parullë e ka pasur Lenini dhe jo Xhefersoni. Në SHBA, prona është e shenjtë edhe si pronë mbi tokën, sepse që nga Dhiata e Vjetër dihet se "prona 9/10 është ligjë dhe 1/10 është asset." Po citoj një tjetër amerikan të shquar, z.Berisha, që besoj se edhe mund ta keni takuar, zotin Alan Greenspan, ai që punoi në thesarin amerikan me tre presidentë të ndryshëm: "Mbrojtja e pamohueshme e të drejtave të pronës në SHBA që prej shumë kohësh, ka tërhequr investimet e huaja drejt brigjeve tona." (Alan Greespan, "Le temp des turbulences" page 594).

Z.Berisha, si ka mundësi që nuk e kuptonit në vite se dhe kushtet që vuri ai ligj, si banimi në fshat dhe gjendja civile në fshat, nuk u zbatuan? Ata që morën tokën me (ligjin) 7501-ishin e famshëm, erdhën në qytete. Kushti tjetër, që ata të merreshin me bujqësi, nuk u zbatua. Në shumë zona, si p.sh. ato bregdetare, njerëzit ndryshuan vijën e verdhë me kokë të tyre dhe ndërtuan godina për turizëm, ndaj që në këtë moment Ligji 7501 nuk funksiononte. Përballë këtij realiteti, ju të gjithë në parlament mbyllët sytë dhe hytë në tunelin e "politikës së faktit të kryer", të informalitetit dhe dorëzimit të shtetit përballë tij. Kurse qytetari i ndershëm dhe pronari i ligjshëm mbeti në mes të rrugës, dy herë i zhgënjyer. Një herë se nuk po merrte pronat dhe të dytën, se shteti demokratik u soll si shtet totalitar kur ia morri tokat dhe ia dha tjetrit, dhe si shtet antiligjor, kur puthej me informalitetin duke braktisur formalin dhe ligjorin.

Cili është rendi civil që ndërtohet në kësi rrethanash? Cili është raporti mes qytetarit dhe kushtetutshmërisë, mes pronës dhe ligjit, mes interesit dhe individit?! Kjo është Shqipëria që kishim ëndërruar ne në krye të herës kur u shemb komunizmi? Me pronën private që grabitet se ta dhuron shteti demokratik ligjërimin e saj, megjithëse nuk e ka të tijën? Abrogimi rast pas rasti i këtij ligji do të zgjidhë çështjen e pronës. Ndryshe nuk ka as qetësi e as paqe sociale. Nuk ka investime, nuk ka as zhvillim, e për më tepër të tillë cilësor.

Këto janë problematikat tona dhe jo broçkullat që dëgjojmë e shohim çdo ditë në parlament, në mediat audiovizive të shitura dhe të blera, si dhe në disa gazeta, që nuk emetojnë kurrfarë interesi publik dhe as ndihmojnë në zhvillimin e vendit. Faqet e tyre janë të mbushura me shkrime militantësh, me pallavra të individëve jokompetentë. Sheh në shtypin e përditshëm të botohen përralla me rreshta boje të përgatitura nga injorantë shembullorë, që ende kanë mbetur në llogoret e partisë apo të tregut që manipulon, dhe as që ia kanë "haberin" se si zhvillohet ekonomia dhe si takohet prosperiteti. 100-vitëshi i dytë i pavarësisë duhet të ketë këtë nord orientimi. Shqiptarët, kombi më i zhvilluar ekonomikisht, financiarisht dhe monetarisht në rajon. Kjo është Rilindje! Ky do të ishte zhvillimi cilësor për qytetarin dhe shoqërinë! Historia vazhdon...!
PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LDK-ja E ISA MUSTAFËS FITON ME DONIKA GËRVALLËNNga ELIDA BUÇPAPAJ (05.05.2014)
ISAIH BERLIN DHE ANA AHMATOVA - NJË HISTORI DASHURIENga DAVID BROOKS, New York Times (05.04.2014)
KUR DO TË BËHET SHQIPËRIA?Nga RESHAT KRIPA (05.03.2014)
7501 ËSHTË PADREJTËSI, PADREJTËSIA ËSHTË INFORMALITET, INFORMALITETI ËSHTË MAFIENga SKËNDER BUÇPAPAJ (05.03.2014)
SI DO TA ARRIJMË UNIFIKIMIN MË TË PLOTË TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËSNga ARTUR VREKAJ (05.03.2014)
MADE IN SWITZERLAND –MË 18 MAJ ZVICRA NË REFERENDUM – EDHE PËR TAVANIN MINIMAL TË RROGAVE DERI NË 4000 FRANGA –Nga ELIDA BUÇPAPAJ (05.02.2014)
A MUND TË GJEJË ENERGJI PERËNDIMI PËR TA NDALË RUSINË?Nga ANNE APPLEBAUM, Washington Post (05.02.2014)
KUR KORRUPSIONI SHNDËRROHET NË SËMUNDJE GJENETIKENga MENTOR KIKIA (05.01.2014)
E ARDHMJA E EUROPËS - BALLKANI NË FOKUSNga FRANK SHKRELI (05.01.2014)
MBYLLJA E KONSULLATËS NË NEW YORK - MOSVLERËSIM I SHQIPTARËVE TË AMERIKËSNga ARTUR VREKAJ (04.29.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2023  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]