PËR KË DO TË VOTOJË POPULLI SHQIPTAR I KOSOVËS?! Nga Prof. dr. ESHREF YMERI
E Shtunë, 06.07.2014, 06:03am (GMT+1)
Nesër, më 08 qershor, populli shqiptar i Kosovës, do të paraqitet para kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kjo, si edhe në rastet e tjera të zgjedhjeve të tilla, është një ditë e shënuar në jetën e popullit shqiptar të Kosovës. Në fushatë u paraqitën me platformat e tyre 18 parti politike, 7 nisma qytetare, një kandidat i pavarur dhe 4 koalicione Ne, shqiptarët, çuditërisht, dallohemi për morinë e partive politike që janë të regjistruara nëpër gjykata. Vendin e parë e mban Shqipëri Londineze. Në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, u paraqitën për zhvillimin e fushatës plot 65 parti politike. Shqiptarët në Maqedoni kanë të regjistruara 10 parti politike. Po 10 parti politike kanë edhe shqiptarët në Mal të Zi.
Shqiptarët e Çamërisë kanë 2 ose 3 parti në Shqipërinë Londineze. Megjithëse shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi e kanë të pazgjidhur çështjen kombëtare, e cila duhej të përbënte të vetmin shqetësim kryesor të tyre, ata, fatkeqësisht, janë të përçarë në kaq shumë parti, në vend që të kishin një parti të vetme. Shqiptarët e Çamërisë që banojnë në Shqipërinë Londineze, normalisht, duhej të kishin si shqetësim të vetëm kombëtar rikthimin në trojet e veta stërgjyshore, por ata vazhdojnë të mbeten të përçarë dhe mund të dyshohet se do të ndjekin shembullin e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi, duke krijuar të tjera parti politike.
Gjithsesi, që të kthehemi në zgjedhjet e nesërme parlamentare në Kosovë, le të hamendësojmë se cilit subjekt politik do t'ia japë nesër votën shumica e votuesve. Gjatë këtyre viteve që kanë kaluar që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, populli shqiptar i Kosovës, besoj se duhet të jetë bindur përfundimisht se cili formacion politik ka dhënë më shumë kontribut për respektimin dhe ruajtjen e dinjitetit kombëtar të vendit. Besoj se votuesit kosovarë, gjatë këtyre gjashtë vjetëve që kanë kaluar, duhet të jenë bindur një herë e përgjithmonë nëse aleanca e deritanishme qeverisëse ka kontribuar për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës apo ka bërë lëshime të papranueshme në dëm të interesave të vendit.
Nëse kjo aleancë qeverisëse ka pranuar të zhvillojë bisedime me Serbinë, e cila nuk ka dalë me ndjesë publike për krimet e rënda që kreu kundër popullit shqiptar të Kosovës, apo aleanca në fjalë ka ngulur këmbë që Serbia, para së gjithash, të njohë pavarësinë e Kosovës, të dalë me ndjesë publike për barbaritë që kreu gjatë viteve të luftës dhe të kompensojë të gjitha dëmet kolosale që i shkaktoi ekonomisë së popullit shqiptar. Nëse aleanca qeverisëse duhej të pranonte të ulej në bisedime me Serbinë, presidenti dhe kryeministri i së cilës deklarojnë shkoqur fare se Kosovën e konsiderojnë si një vend thjesht me një "autonomi substanciale", apo aleanca në fjalë duhej të mbante qëndrim dinjitoz, duke mos pranuar të ulej në një tryezë me ta. Nëse aleanca qeverisëse duhej të merrte në dorë fatet e vendit, apo duhej ta linte administrimin e tij në mëshirën e UNMIK-ut dhe të EULEKS-it kaq gjatw, të cilët, tërë këto vite, kanë mbrojtur vetëm interesat e Serbisë dhe sidomos interesat e pakicës serbe në Kosovë, një pakicë kjo, e cila, gjatë viteve të luftës u bë mbështetëse e fuqishme e bandave të Arkanit, të Sheshelit dhe të Millosheviçit. Nëse aleanca qeverisëse ka punuar për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës, apo aleanca në fjalë, me servilizmin e saj proverbial para faktorit ndërkombëtar, ka kontribuar që Kosova të mbetet një vend me protektorat të përjetshëm. Nëse aleanca qeverisëse duhej të merrte në mbrojtje veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n në pranverën e vitit 1999, shkroi një faqe të ndritur në historinë e kombit shqiptar, duke e çliruar vendin nga sundimi kriminal mbinjëshekullor i shovinizmit serbomadh, apo aleanca në fjalë dhe parlamenti i Kosovës, me shumicë votash, duhej të pranonin krijimin dhe funksionimin e gjykatës speciale që ka për qëllim të zhvlerësojë veprën madhore të UÇK-së dhe të përbëjë një faqe turpi, një faqe poshtëruese në historinë e popullit shqiptar të Kosovës.
Nesër do të shikojmë se për cilin subjekt politik do të votojë populli shqiptar i Kosovës. Për ato parti, udhëheqësit e të cilave, siç është bërë e njohur botërisht nëpër faqet e internetit, ose kanë bashkëpunuar ngushtë me përfaqësues të shërbimeve sekrete të huaja për interesat e Serbisë dhe kundër interesave kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, ose kanë deklaruar haptas nëpër faqet e ndonjë gazete serbe se "Sudbina regiona je u rukama Beograda: Kosovo ne može bez Srbije (Fati i rajonit është në duart e Beogradit: Kosova e ka të pamundur pa Serbinë)" (Citohet sipas gazetës "Nedeljni Telegraf". 04 janar 2006). Për ato parti që kanë krijuar oligarkët e vet në dëm të interesave ekonomike të popullit shqiptar të Kosovës, apo për ato parti që në programet e tyre kanë transparencën e krimeve të rënda që janë kryer deri tani dhe që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në varfërimin e pandërprerë të shumicës dërrmuese të popullit. Për ato parti që tërhiqen zvarrë para faktorit ndërkombëtar, para Serbisë dhe para pakicës shoviniste serbe, apo për ato parti që janë për ndëshkimin ligjor të krimit ekonomik, për ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve me Serbinë, para se ajo të njohë pavarësinë e Kosovës, dhe vazhdimin e tyre vetëm me pakicën serbe, të pranojë botërisht krimet e rënda që ka kryer kundër Kosovës dhe të kompensojë të gjitha shkatërrimet e pallogaritshme që i shkaktoi popullit shqiptar të Kosovës. Për ato parti që janë për mbajtjen e vendit nën një protektorat të përhershëm ndërkombëtar, si deri tani, sipas qejfit të Serbisë, të Rusisë dhe të Greqisë, apo për materializimin në praktikë të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës, si edhe për hedhjen poshtë të nenit famëkeq 1.3 të Kushtetutës, një nen poshtërues ky, karakteristik për një vend kolonial, sipas të cilit Kosovës iu ndaluaka bashkimi me një shtet tjetër, dhe përgatitjen e terrenit për ribashkimin e Kosovës me atdheun amë, Republikën e Shqipërisë.
Populli shqiptar i Kosovës le të vendosë vetë se për cilin subjekt politik do të votojë në shumicën e vet: për ruajtjen e nderit dhe të dinjitetit të vet kombëtar në marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar dhe sidomos në qëndrimin ndaj Serbisë, apo për ruajtjen e statukuosë së nëpërkëmbjes prej faktorit ndërkombëtar, prej Serbisë dhe prej pakicës serbe, duke i lejuar vetes që Kosova, faktikisht, të vazhdojë të mbetet protektorat ndërkombëtar, si deri tani.
Tiranë, 07 qershor 2014
Përktheu: Prof. Dr. ESHREF YMERI
|