PRITSHMËRITË NGA VIZITA E PAPËS NË SHQIPËRI Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Vatikani - Shënjtërimi i Nënë Terezës - Emërimi i një kardinali shqiptar Nga FRANK SHKRELI
E Enjte, 07.31.2014, 04:06pm (GMT+1)
Në Tiranë u njoftua sot, të Ënjten axhenda e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, ku ndër aktivitete të tjera fillimisht do të takohet me udhëheqsit më të lartë politikë të vendit, me udhëheqsit e Kishës Katolike Shqiptare si dhe me krerët më të lartë të besimeve të të tjera të shqiptarëve. Kisha Katolike shqiptare njoftoi gjithashtu se Papa Françesku, në vizitën e tij Shqipërisë, do të shoqërohet nga mbi 70-gazetarë të huaj. Shënjtëria e Tij, Papa Françesku njoftoi në qershor se kishte zgjedhur Shqipërinë si vendin e parë europian për ta vizituar më 21 shtator, me qëllim për t'i dhënë kurajo e guxim e atij populli i cili vuan për një kohë të gjatë pasojat e ideologjive të kaluara, ka thënë Papa. Në njoftimin e tij, ai natyrisht iu referua vuajtjeve gjatë dekadave të regjimit diktatorial komunist që e kishte izoluar Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës. Vatikani ka thënë se Papa Françesku donte që vizita e tij e parë në Europë të bëhej në një vend me një histori persekutimesh, për të nderuar ata që kanë vuajtur nën regjimin komunist dhe në një vend i cili gjithnjë vuan nga varfëria. Kjo, sipas Vatikanit, është arsyeja se pse Papa vendosi të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Europë.
Siç dihet, ish-diktatori komunist Enver Hoxha kishte marrë vendimin absurd duke shpallur Shqipërinë si shtetin e parë ateist në botë në vitin 1967, dhe si rrjedhim mbylli ose shkatërroi xhamitë dhe kishat dhe persekutoi e vrau shumë klerikë të tri feve, por sidomos e kishte në shënjestër për zhdukje Kishën Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesit e saj. Fatbardhësisht, kjo çmenduri mori fund në fillim të 90-ave, gjë që më në fund bëri të mundur vizitën e parë të një pape në Shqipëri, Papës Gjon Palit II më 1993. Prandaj, për Papa Françeskun, Shqipëria është një destinacion aq i natyrshëm për "˜të sa është edhe i rëndësishëm në këtë periudhë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Papa Françesku nuk njihet si një Papë që i pëlqen të udhëtojë, pasi deri tani ka bërë vetëm dy vizita ndërkombëtare, një në Brazil dhe tjetrën në Lindjen e Mesme. Duke njoftuar vizitën e tij në Shqipëri, qershorin që kaloi, Papa Françesku u shpreh para mijëra pelegrinëve në Sheshin e Shën Pjetrit dhe para botës duke thënë se, "Me këtë vizitë të shkurtër dua të vërtetoj mbështetjen time për Kishën Shqiptare dhe njëkohsisht të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time për një vend i cili ka vuajtur aq shumë dhe aq gjatë nga pasojat e ideologjive të kaluara." Duke iu përgjigjur ftesës nga Kisha Katolike e Shqipërisë dhe nga udhëheqsit politikë të vendit, Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë me 21 shtator.
Shqipëria dhe shqiptarët kudo po presin këtë vizitë si ndër më të shënuarat që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri, përfshirë edhe vizitën e parardhësit të tij Papa Gjon Palit të II në vitin 1993. Para dy javësh isha për një vizitë të shkurtër në Shqipëri dhe në biseda me shumë vendas vihej re një pritje me padurim për vizitën e udhëheqsit të Kishës Katolike në tokën e Arbërit: për ta takuar e për tu përshëndetur, për të marrë bekimet e tij dhe për të dëgjuar fjalët dhe këshillat e tija baritore. Edhe qeveria shqiptare është venë në lëvizje për të bërë një pritje madhështore për Papa Françeskun në kryqytetin e shqiptarëve.
Pa asnjë dyshim, me 21 shtator, Papa do të pritet në Tiranë ashtu si e kanë më së miri traditë shqiptarët, ashtu pa dallim e së bashku si gjithmonë, si përfaqsues të tri besimeve, si vëllezër e motra të një gjaku, të një gjuhe e të një fisi. Ata së bashku me Papën do të falenderojnë Zotin se më në fund, kombi shqiptar gëzon lirinë dhe pavarësinë, në radhë dhe krah për krah me vendet e kontinentit europian, aty ku gjithmonë e kanë patur vendin shqiptarët.
Është kjo një vizitë e një Pape në një vend, si asnjë tjetër në Europë. Jam i bindur se Papa Françesku është i vetdijshëm se më 21 shtator, ai viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit Skënderbe, i cilësuar nga parardhësit e tij si, "Atlet i Perëndisë'', "Kalorës i Pathyeshëm", dhe një "Burrë me një madhëri të pabesueshme shpirti", dhe si "I gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të besës, të nderit e të burrërisë". Ati i Shënjtë, në vizitën e tij të parë në kontinentin Europian, me të drejtë ka zgjedhur të ndalojë në tokën e "Mbrojtësit të Europës", si dhe në Memëdheun e bijës së kombit shqiptar dhe të Nënës së botës, bamirëses me famë botërore dhe murgeshës shqiptare, Nënë Terezës. Edhe shqiptarët, nga ana e tyre, besoj se janë të vetdijshëm për ndjenjat e veçanta të Vatikanit të ruajtura ndër shekuj ndaj kombit shqiptar. Siç ka thënë edhe një para-ardhës i Papa Françeskut, Papa Pali i VI, me rastin e festimeve të 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe më 1968 në Romë, "Selia Apostolike gëzohet se bën pjesë me miqët e vjetër të Atdheut tuaj, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë nuk i dolën fjale."
Vizita e Papa Françeskut në Tiranë është pra një vazhdim i kësaj miqësie midis papëve të Romës dhe kombit shqiptar që ka ekzistuar ç'prej kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbe. Andaj kombi shqiptar pret që kjo vizitë jo vetëm të avancojë këto lidhje, por t'i çimentojë ndër shekuj. Urat e bashkpunimit midis shqiptarëve dhe Selisë Shënjte megjithëse të forta, do të përforcoheshin edhe më shumë, sikur vizita e Papa Françeskut në Tiranë të rezultonte në disa njoftime konkrete, sidomos mbi tri çeshtje me rëndësi të cilat janë në mendjen dhe në zemrën e shumë shqiptarëve, ndërkohë që po afrohet ardhja e Papa Françeskut në Tiranë. Ato janë të karakterit fetar dhe kombëtar për shqiptarët. Ai kombëtar, ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, vendim i cili pritej të merrej duke pasur parasyshë ndërhyrjen kritike të Papa Gjon Palit të II me udhëheqsit perëndimorë, përfshirë edhe Presidentin amerikan Bill Clinton, në mbështetje të shqiptarëve gjatë luftës kundër ushtrisë dhe policisë terroriste të Serbisë. Ndërsa nga pikëpamja fetare, shqiptarët katolikë dhe të tjerë, presin ndonjë njoftim për përshpejtimin e shënjtërimit të Nënë Terezës si dhe emërimin e një kardinali shqiptar, për njërën prej kishave më të vjetëra, në mos më e vjetëra, në kontinetin europian, e cila tani për tani nuk ka një udhëheqës kishtar në atë nivel.
Duke njoftuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Vatikani gjatë qëndrimit të tij në kryqytetin shqiptar dhe duke mbështetur përshpejtimin e procesit të shënjtërimit të Nënë Terezës, si dhe duke deklaruar gatishmërinë e Selisë Apostolike për të emëruar një kardinal shqiptar, Ati i Shënjtë do të realizonte objektivin që ai vet ka përcaktuar për vizitën e tij në Tiranë, siç ka thënë, për të "vërtetuar mbështetjen për Kishën Shqiptare dhe njëkohësisht të dëshmojë inkurajimin dhe dashurinë për një vend i cili ka vuajtur aq shumë dhe gjatë nga pasojat e ideologjive të kaluara."
Kombi shqiptar ka nevojë për lutjet dhe ndihmën e Papa Françeskut në këtë moment të historisë së tij. Ndihmë më të madhe nuk besoj se mund të jepte. Mbështetja e këtyre tre propozimeve gjatë qendrimit të tij në Tiranë do të kulminonte në suksesin e vizitës dhe në realizimin e plotë të objektivave të përcaktuara nga vet Vatikani për vizitën e Atit të Shënjtë në trojet e shqiptarëve.
Për më tepër, një gjë e tillë do të njihte konkretisht meritat e shqiptarëve për rolin ndërtues dhe paqësor që shqiptarët kanë luajtur dhe luajnë në Ballkan si dhe për faktorin e tolerancës fetare dhe shoqërore midis tyre, duke i inkuruajur shqiptarët, të cilët Papa Pali VI i kishte cilësuar si, "para-ardhësit e ekumenizmit modern", ashtuqë pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbe në këtë rrugë të vazhdojnë të jenë shembull për të gjithë ashtuqë kombi shqiptar të shënojë -- jo përçarje e mos pajtim -- por triumfe të reja dhe një shpërthim fuqishë ringjallëse duke i dhënë vetes dhe botës një dëshmi të pashoqtë dinjiteti politik, shoqëror dhe kombëtar.
Kjo ishte një pullë poste e lëshuar nga Vatikani, Kosova 1999, e cila paraqet refugjatët shqiptarë të Kosovës gjatë luftës me fjalët e Papa Gjon Palit II: "Papa është përkrah njerëzve të vuajtur dhe u bën thirrje të gjithëve: Gjithmonë është koha për paqë!"
FRANK SHKRELI
|