MEDEMEKËT Në vend të Letterman apo Leno, uriahipi Fevziu Nga ARTUR ÇANI
E Enjte, 08.07.2014, 08:29am (GMT+1)
Në televizionet tona gjeneraliste, mbasi u trodh informacioni, synohet të degradohen edhe interpretimi, edhe opinioni. Dy janë drejtimet kryesore të këtij shkatërrimi. Së pari: Talk show po shkon përditë e më tepër drejt një reality show, domethënë drejt zënkave, incidenteve, të papriturave, ndërhyrjeve në jetën private, me të vetmin synim për të rritur shikueshmërinë. Në qindra seri të të pafundmit OPINION të Blendi Fevziut, ajo që mbahet mend më shumë është fjala PUSHOOOOO, kur iu hakërrye Lames me shkop. Apo në studion e FAKT të Pekës, kur Çupi e Zaloshnja u shanë siç i themi shqip "me nënë e me motër".
Së dyti: Talk reality show-t tanë, në vend të divave krijues si David Lettermann apo Jay Leno, drejtohen nga uriahipi Fevziu, kapadaiu Balla, e vetëndjera Xhunga, pozantja Tare, i paragjykuari Peka apo nga i përgjumuri Zaloshnja. (Të mos u mbetet hatri atyre që nuk i kam përmendur.) Të gjithë këta të bindur se e vetmja mënyrë për të interpretuar informacionin dhe aktualitetin është mbledhja në studio e dy ose tre politikanëve të majtë, të alternuar me po kaq politikanë të djathtë, shto këtu edhe ca "opinionistë asnjanës", një sfond duartrokitësit me pagesë, e ndonjë të ftuar "sexy" për të kënaqur shijet e publikut, kryesisht mashkullor, dhe për të evituar që të na zërë gjumi a që të mos e lënë të ndërrojë kanal.
Regjimi i ri që është instaluar ka hapësirat e tij në sallonet televizione, ku përplasja topitet e informacioni eliminohet. Në këto televizione që janë bërë thjesht shërbëtorë të regjimit, transmetimi direkt nuk është më mundësi komunikimi me jashtë, por është thjesht dhe vetëm një kamera e drejtuar në një qark të mbyllur brenda studios. Përdorimi i studios, nga politik kthehet në privat. Nga një dritare për t'u lidhur, interpretuar e analizuar botën e jashtme, është kthyer në një vrimë çelësi për të përgjuar të përditshmen. "Big Brother" është shembulli më i mirë për këtë shkëputje nga realiteti, me dialogë e diskutime të pafundmë rreth asgjësë.
"Ekspertët" e fushës na flasin e duan të na bindin se kemi të bëjmë me "infoentertainment". Fjalë e madhe kjo! (Që në shqip do të thotë: info informacion dhe entertainment argëtim) Dakord, mund t'i quajmë edhe kështu, por duke pranuar se në to, "info" po vritet dhe "entertanment" është bërë zonja e shtëpisë. Në këtë kuadër, gazetari drejtues në studio është kthyer në një kronometrist të kohës së përdorimit të mikrofonave dhe asistent regjisor për t'i treguar regjisë kë do fiksojnë e sa kohë duhet ta lërë në ekran, por kjo ka sjellë humbjen e funksionit të tij gazetaresk si zotërues i fakteve dhe fuqiploti roje në funksion të informimit të opinionit publik.
Pyetjet tashmë janë bajate e rutinë; zakonisht ato bëhen duke rënë që më parë dakord me të ftuarin. Të tilla janë edhe kur neve na duken provokuese. Asnjë politikan, i një farë rëndësie, nuk pranon të ulet në poltronat e salloneve televizive pa lexuar më parë pyetjet që do t'i drejtohen, duke hequr ato që i duken të papërshtatshme. Por historia nuk mbaron këtu; të ftuarit VIP në sallonet e Tv-ve duan të dinë edhe me kë do ta ndajnë këtë sallon, madje duke arritur deri atje sa të përzgjedhin edhe të ftuarit e tjerë të sallonit.
Por, ajo që ka rëndësi mbi të gjitha, nuk është pyetja e parë. Atë dinë ta bëjnë të gjithë. E rëndësishme është pyetja e dytë, ajo që vjen mbas të parës e që shërben për ta nxehur të intervistuarin, për ta gozhduar me fakte, që ta shtrëngosh që të mos e rrumbullakosë përgjigjen, për të demaskuar evazivitetin e pyetjes së parë, për të treguar se gjërat janë ndryshe. Rëndom ndodh që, mbas pyetjes së parë, i ftuari përgjigjet ose bën sikur përgjigjet. Pastaj kalohet në një argument tjetër, dhe teleshikuesit, që pret kundërshtitë e gazetarit, i krijohet përshtypja se i intervistuari shteroi të vërtetën, duke besuar se gjërat janë siç i tha i intervistuari. Por kjo fatkeqësisht është zhdukur nga ekranet tona.
Në skemat e debateve që na kanë mësuar të shohim, pyetjet shërbejnë vetëm për t'u kaluar fjalën të pranishmëve, dhe me gazetarin drejtues që ka përfunduar në një drejtues të trafikut të diskutimeve të të tjerëve duke e kaluar thjesht fjalën nga njëri i ftuar tek tjetri. Ndodh rëndom që, kur diskutohet p.sh. për ekonominë, një politikan i së majtës, nga pozitat e atij që është në pushtet, jep shifra që bëjnë që publiku të jetë optimist, ndërsa politikani i së djathtës në opozitë paraqet një situatë e shifra të tjera që të çojnë në pesimizëm të thellë. Afro një vit më parë ishte e kundërta. Por, ndërkohë që secili jep numrat sipas qejfit të tij, teleshikuesi pret me padurim që dikush ta informojë për faktet reale, t'i thotë si është vërtet situata; ai pret që eventualisht të ndërhyjë gazetari e të thotë shifrat e sakta në lidhje me atë që po debatohet, për papunësinë, për borxhin e jashtëm apo të brendshëm, mbasi është e pamundur që të kemi dy numra të ndryshëm të papunësisë, dy borxhe të jashtme apo të brendshme të ndryshme: një të majtë e një të djathtë. Aritmetika nuk është një opinion. Por kjo që teleshikuesi pret nuk vjen kurrë, e mbas disa orësh me shifra e kundërshifra, fillojnë të rrjedhin në fund të ekran titrat e përfundimit të emisionit. "Nga regjia na njoftojnë që kemi kaluar çdo limit kohe, do të shihemi të... e ardhshme në të njëjtën orë. Mos mungoni." Në përfundim, teleshikuesi që po ndiqte nga shtëpia di ekzaktësisht sa dinte edhe përpara fillimit të emisionit: asgjë! I mbërthyer në morsetën e shifrave të "para nga e majta" e të "para nga e djathta", do të zgjedhë atë që i përshtatet orientimit të tij politik. Ose, në rastin kur e zbulon lojën, mbyll televizionin duke mallkuar gazetarët e salloneve. Në rastin më të mirë do të shkojë të kërkojë e përpiqet të gjejë ndonjë të dhënë të vërtetë në ndonjë mënyrë tjetër. Në rastin më të keq do të mendojë se e vetmja mënyrë për të marrë informacion është ajo që pa në opinion.
Shpesh pyesim e na pyesin: Kush është sekreti për të qenë një gazetar i mirë? Pavarësia? Saktësia? Vërtetësia? Sintonia me lexuesit? Shpejtësia? Unë mendoj se nuk duhet të shqetësohemi për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Sekreti i gazetarit të mirë qëndron tek ajo që kemi në kokë, sekreti është dhe e dëgjojnë ata që kanë vesh për të dëgjuar zërat sapo lindin, ata që kanë sy për të gjuajtur; sigurisht, ata që dinë të gjuajnë dinë edhe të presin.
ARTUR ÇANI
|