Dy
Shqipëri të ndara dhe që s'komunikojnë midis tyre. Shqipëria e kastave
dhe e klaneve dhe ajo e shqiptarëve që e sigurojnë jetën ndershmërisht.
Vite dritë larg njëra-tjetrës, në mënyrën e të jetuarit, të menduarit,
në modelet morale dhe estetike. Vetvetiu të lind pyetja: si është e
mundur që të jetojnë gjithë këto vite bashkë pa dhënë asnjë llogari?
Përgjigja mbetet mister. Ndoshta është mentaliteti, ndoshta është
instikti i mbijetesës, i të qënurit, në fund të fundit, në të njëjtën
barkë, në të njëjtin det pabesish, poshtërsish e intrigash.
Çdo
ditë, televizionet, gazetat e radiot informojnë shqiptarët e ndershëm,
ata që respektojnë ligjin, të moralshmit, ata që nuk akuzojnë kot të
tjerët, se në Shqipërinë tjetër disa dhjetëra, qindra bashkatdhetarë e
tyre e kanë sfiduar burgun, pandershmërinë, prokurorinë e policinë për
t'u pasuruar nëpërmjet posteve dhe politikës në dëm të shtetit dhe e
bëjnë këtë me paturpësi pa keqardhjen më të vogël, madje me përgëzimet e
atyre që tashmë janë pjesë e klasës së hajdutëve e që shtiren si pjesë e
klasës drejtuese.
Shqipëria është shteti e shqiptarët janë populli
që po jeton në një fazë skizofrenie, edhe pse rrjetet sociale dhe disa
nga mjetet e informimit i mbysin me informacione të ndershmit që disa
bashkatdhetarë të tyre, sapo t'u krijohet mundësia përvetësojnë, vjedhin
ose keqpërdorojnë pronën e pjesës tjetër të shqiptarëve, përsëri asgjë
nuk tronditet, asgjë nuk lëviz vendit, asnjë gjemb nuk i hyn në këmbë
askujt.
Bashkëjetesa e dy Shqipërive mundësohet nga besimi natyral i
të ndershmëve, nga pafajësia e tyre për të ndjekur hajdutët, një
zgjedhje që shpesh është instiktive, me nuhatje e nisur nga origjina,
nga njëra anë dhe mosbesimi e më shumë akoma bezdisja që kanë hajdutët
nga të ndershmit nga ana tjetër. Fakt është se siç ndodh rëndom,
njerëzit e ndershëm, përballë lajmit për hajdutët e radhës që mbetën në
rrjetën e antikorrupsionit pyesin: a mund të jetë e vërtetë kjo që
thuhet, a është e mundur që unë të mos njoh asnjë prej tyre, si edhe ky
që unë e kam komshi, si është e mundur që nuk e dija, që nuk e kam
kuptuar që nënpunësit publikë, drejtorët, biznesmenët, politikanët, të
kenë vjedhur kaq shumë e unë kurrë të mos e kem kuptuar që më parë që
ata qenkan hajdutë? Apo ndoshta ndodh pikërisht e kundërta, që me
nuhatje, nga instikti i njohjes e njeh menjëherë hajdutin, por mjaftohen
duke i qëndruar larg, mjaftohen me një "ç'më duhet mua".
Për të
rinjtë, që janë në shkolla, si dhe për prindërit e tyre, prezenca e
klasës hajdute është lehtësisht e dukshme. Fëmijët në shkollë kanë shokë
e miq të shumtë e të qëllon të shkosh në festa private, ku nuk është e
vështirë të shohësh e dallosh lehtësisht, hajdutët dhe lakejtë e tyre. I
dallojnë këto fëmijët te moshatarët, madje edhe te prindërit e tyre.
(Nuk mendoj se ka gjest më ofenduese se sa ai i Guvernatorit të Bankës
së Shqipërisë, teksa lante të birin adoleshent me shampanjë. Çfarë ka
menduar një student i shkollës së Magjistraturës kur ka parë se
drejtoresha e shkollës së tij, gjyqtare e Gjykatës së Lartë, i bën për
dhuratë, djalit të saj njëzetvjeçar, një tortë me simbolet e bixhozit
mbi të?) Por me kalimin e viteve rreziku për t'i takuar këta zvogëlohet
ose zhduket, rrethi i miqve ngushtohet në pak të besuar, prandaj ndodh
që çdo mëngjes kur informohesh, i habitur pyet: a është kjo shoqëria në
të cilën unë jetoj, ku unë rris fëmijët e mi? Si është e mundur që kjo
paska humbur jo vetëm respektin më elementar për opinionin publik, por
edhe çdo lloj ndjeshmërie e keqardhje për ata që janë në nevoje, që janë
më të varfër, për ata që vuajnë më shumë se ne?
Shqipëria e
hajdutëve nuk është vetëm e paturpshme, por edhe fodulle, edhe e
mbrojtur. Çollaku, drejtori bankier, i afërti, i përzgjedhuri e i
besuari i Guvernatorit, edhe kur i vunë prangat, me kapadaillëk deklaron
se nuk ka asgjë për të deklaruar, duke iu referuar të drejtës për të
mos u përgjigjur, kur në drejtorinë ku ai ishte drejtor u vodhën
miliarda. Ngjarjet e fundit në Bankën e Shqipërisë dhe deklaratat e
nxituara e kontradiktore të ditëve në vijim, na treguan më së miri se
nuk ka më punëdhënës shtetërore që të vlerësojnë punën apo talentin e të
punësuarve prej tyre, tashme punëdhënësit shtetërorë janë kthyer në
"bamirës" që "bamirësojnë" vetëm brenda klasës së tyre, brenda tarafeve
të tyre, brenda klasës të hajdutëve. Aty ku gjithçka është me lidhje e
ndërlidhje, aty ku njëra dorë lan tjetrën e të dyja bashkë mund të lajnë
edhe vjedhjen, korrupsionin e paaftësinë. Shpesh shqiptarët e
Shqipërisë së ndershme jetojnë në vendin e tyre si në një vend të huaj,
duke kërkuar që të mos bien në sy, për të mos qenë preh e inateve dhe
hakmarrjeve të të fortëve, që me kundërshtimin më të vogël i akuzojnë që
janë armiqësor, që janë bërë pjesë e anëtarë të partisë së urrejtjes.
Por
këtë herë diçka konkrete dhe e pariparueshme po ndodh. Korrupsioni
dominues që po merr dhenë, po sjell efekte sociale shkatërruese. Këto
efekte shihen edhe në mënyrën se si shihet e vlerësohet korrupsioni.
Ndryshime me të tillë intensitet e kompaktësi po na bëjnë të ndihemi si
alienë. Gjithmonë ka pasur një vlerësim shoqëror për hajdutërinë e
korrupsionin, gjithmonë ai është vlerësuar si një rrugë e shkurtër për
të fituar pasuri e pushtet. Por, ndërsa para disa vitesh jo të largëta
nga sot ishte "faqezi" ai që mashtronte apo vidhte, e po qe se ky
"faqezi" ishte punonjës shteti, dënimi ishte edhe më i rëndë e i
pashmangshëm. Madje kishte njerëz që vetëvriteshin ngaqë nuk e
përballonin dot turpin. Kështu ka ndodhur pak më parë kur Adrian
Fullani, aktualisht, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ishte punonjës i
Bankës Italo-shqiptare, drejtori i tij italian vrau veten, mbasi për të
turpi, për atë që kishte ndodhur në bankën që ai drejtonte, ishte i
papërballueshëm.
Nuk është më kështu, në skandalin e vjedhjes së
thesarit në Bankën e Shqipërisë, në të cilin kanë gisht punonjës e
drejtues të rangjeve të larta të Bankës, nuk kemi dëgjuar as edhe një
fjalë penduese, nuk kemi parë që t'u vijë turp e të turpërohen, por
thjesht janë mjaftuar të na thonë ata vetë, apo nëpërmjet padronëve apo
lakejve të tyre se ajo që ndodhi është zbuluar nga vetë Banka e
Shqipërisë. Në shoqërinë e sotme shqiptare të kastave e klaneve, të
klasës së hajdutëve që shtiren si pjesë e klasës drejtuese, fjalëve të
tilla si: ndershmëri, moral, turp u ka humbur kuptimi.
Shqipëria
është e mbushur me skandale që lidhen me korrupsion e vjedhje, në
shumicën e rasteve bëjnë përjashtim rastet e "pabuksave", që dënohen sa
për të na hedhur hi syve. Fajtorët e vërtetë ose falen menjëherë, ose
harrohen, ose justifikohen. Vjedhja për shkak të detyrës nuk është më as
krim e as turp, është një çështje pune që cilësohet normale, si të
gjitha të tjerat nëse shkon mirë, e nëse dështon harrohet. Ajo që deri
dje ishte skandaloze e turpshme, e pandershme, sot është kthyer në
normalitet. Ata, shqiptarët që e sigurojnë jetën ndershmërisht e që kanë
ide e vlerësime të tjera për moralin, skandalin, e dënimin e shohin
veten si jashtëtokësorë, si të huaj që nuk u mundësohet jetesa në
Shqipërinë e hajdutëve.
Ndoshta pa e kuptuar kemi ndryshuar, jemi
përshtatur. Jetojmë tashmë në një shoqëri të bazuar mbi njohjet e
tarafet, ku privilegjohen shqiptarët e kastave e klaneve dhe shqiptarët
që e sigurojnë jetën ndershmërisht, ku të parët ndjehen të autorizuar të
vjedhin si të duan shtetin, ta përdorin atë për t'u pasuruar e për të
bërë favore e karrierë "pa u iu dridhur qerpiku", duke ia lënë frikën e
policisë e gjykatave të tjerëve që para e poste nuk kanë. Sa do të
vazhdojmë të durojmë gjithçka na bëjnë, deri kur do të shikojmë me sytë e
të tjerëve ato që ata duan që ne të shohim? Deri kur do të vazhdojmë të
dëgjojmë vetëm ato që ata duan që ne të dëgjojmë? Deri kurë do të rrimë
të pagojë e të lëmë vetëm të tjerët të flasin për llogari tonë ato që
ata duan të thonë? Deri kur do të vazhdojmë të mos jemi popull në
kuptimin e vërtetë që ka kjo fjalë? Apo do të vazhdojmë të rimë të tillë
deri sa "të na akuzojë majmuni, ... o bij si nuk u bëtë ende njerëz", siç
thotë i madhi Dritëro. |