E Martë, 04.23.2024, 03:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
NDËRGJEGJA DHE KURAJUA CIVILE
Nga RESHAT KRIPA

E Hënë, 09.15.2014, 08:40am (GMT+1)



    Gjatë jetës së tyre njerëzit kalojnë nëpërmjet një rruge të gjatë. Në këtë rrugë, nisur nga rrethanat që iu paraqiten,  ata shpesh herë ndërrojnë mendimet dhe bindjet e tyre. Kjo është një gjë normale. Nuk është e thënë që një individ të mbajë të njejtin mendim apo bindje për gjithë jetën e tij. Kushtet në të cilat jeton njeriu janë determinante në formimin e bindjeve. Por kushtet mund të ndryshojnë disa herë gjatë rrugës së jetës dhe, një gjë e tillë, nuk duhet të na çudisë për ndryshimin e mendimeve dhe bindjeve të njerëzve. Por ka një gjë që është konstante dhe që njerëzit duhet ta kenë parasysh. Kjo është ndërgjegja, është kurajua civile.

    Vendi ynë kaloi një periudhë mjaft të gjatë, gati një gjysmë shekulli, nën sundimin totalitar të sistemit socialist apo, më saktë, të sistemit komunist. Pranohet prej shumicës së popullsisë së vendit tonë se në atë sistem, individi nuk ishte gjë tjetër veçse një manekin që ishte i detyruar të vepronte sipas shkopit të dirigjentit. Në të kundërt e priste gjëma. I ndodhur në këto rrethana individi ishte i detyruar të vepronte jo siç i thoshte ndërgjegja e tij, por siç e urdhëronin. Këtë rrugë, për fat të keq, e ndoqi shumica e qytetarëve të këtij vendi.

 Në këtë shkrim nuk dua të flas për turmën e madhe të popullsisë së vendit, megjithse edhe asaj i zunë duart kallo nga duartrokitjet për diktatorin dhe pasuesit e tij. Në këtë shkrim dua të flas për inteligjencën shqiptare. Dua të flas për drejtuesit e Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe ata të dikastereve qëndrore, për drejtuesit e komiteteve ekzekutive apo kooperativave bujqësore,  për punonjësit e organeve të diktaturës, atyre të Sigurimit të Shtetit dhe të burgjeve e kampeve famëkeqe, për sekretarët e komiteteve të  partisë në rrethe apo institucione të ndryshme, për drejtuesit e Bashkimeve profesionale, organizatave të gruas, rinisë e të tjera. Por dua të flas edhe për shkrimtarët, për poetët, për kritikët letrarë, për dramaturgët, për skenaristët, për kineastët, për piktorët, për skulptorët, për aktorët, për regjizorët, për muzikantët, për këngëtarët e të tjerë të kësaj kategorie.  
 
 Por, edhe këta, ishin ndarë në tre kategori. Në kategorinë e parë përfshiheshin të gjithë ata që, nën ndikimin e indoktrinimit, besonin se ndodheshin në pozita normale dhe i shërbenin verbërisht me ndërgjegje sistemit. Ky shërbim karakterizohej nga cinizmi dhe imoralitetit. Për këta fanatikë nuk ekzistonin norma morale. Ishin të gatshëm që atë që deri më dje e kishin mik, ta shpallnin, papritur dhe pakujtuar, armik dhe kjo vazhdoi gjatë gjithë periudhës së sundimit totalitar. Janë të njohura eliminimet e grupeve të ndryshme të mbiquajtura "kundra pushtetit popullor" ku sharlatanët sulmonin miqtë e dikurshëm deri sa iu vinte rradha edhe atyre të sulmoheshin nga miq të tjerë. Këta ishin njerëz ndërgjegja e të cilëve kishte vdekur, ishin njerëz që u mungonte krejtësisht kurajua civile.

 Në kategorinë e dytë hynin ata që, megjithse ndërgjegja u thoshte se rruga nëpër të cilën po ecnin nuk ishte e drejtë, vazhdonin në po atë rrugë. Kishte politikanë që i brente ndërgjegja për veprimet e kryera por, megjithatë, vazhdonin përsëri pasi nuk kishte kthim prapa. Një kthim i mundshëm prapa do të thoshte shkatërrim moral dhe fizik për të dhe trashëgimtarët e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për punonjësit e artit, kulturës dhe letërsisë. Muzikantët ishin të detyruar të kompozonin pjesë me një përmbajtje thellësisht totalitare dhe këngëtarët ishin të detyruar t'i ekzekutonin këto pjesë. Dramaturgët dhe skenaristët ishin të detyruar të shkruanin drama dhe skenare ku ngrihesh në qiell "njeriu i ri socialist" dhe aktorët e kineastët ishin të detyruar t'i interpretonin apo t'i regjistronin në shirita kinematografik. Shkrimtarët dhe poetët ishin të detyruar të shkruanin për armikun e klasës dhe ta paraqisnin atë në mënyrën më diskredituese, ndërsa kritikët letrarë ishin të detyruar t'i ngrinin sa më lart këto vepra dhe kur shihnin se te ndonjëri diçka nuk shkonte ta groposnin. Për të njëjtat arsye edhe piktorët dhe skulptorët  krijonin vepra ku dilte në pah forca e madhe e klasës punëtore. Të gjithë vepronin sipas skemave të të ashtuquajturit "realizëm socialist". Në mes të kësaj kategorie kishte njerëz që ndërgjegja e tyre nuk i linte të qetë. Kurajua civile e tyre i shtynte për të gjetur rrugë që, në një mënyrë apo tjetër, nëpërmjet alegorisë apo formave të ndryshme,  të tregonin se ka edhe rrugë të tjera nëpër të cilat duhet të ecë njeriu. Këta individë në më të shumtën e rasteve, përfundonin në humnerë.

 Ndërsa në kategorinë e tretë përfshiheshin të gjithë ata që patën kurajon t'i kundërviheshin  sistemit dhe që e paguan shumë shtrenjtë kundërshtimin e tyre. Në këtë kategori bënin pjesë të gjithë ata që nëpërmjet grupimeve të ndryshme antikomuniste, apo formave të tjera të protestës, të ngriheshin kundër totalitarizmit. Ata më stoikët e paguan kundërshtimin e tyre me humbjen e jetës. Të tjerë e paguan me prangat e rënda në duar. Shumica tjetër me heshtjen, me mbylljen në vetveten e tyre. Ndërmjet tyre pati edhe disa që shkruanin. Ata shkruanin për lirinë, për mendimin e lirë, për demokracinë. Por veprat e tyre nuk i lexonte askush. Ato mbetën të panjohura për lexuesin shqiptar. Me ato kënaqej vetëm autori i tyre, i cili priste ditën kur do t'i shpallte pa patur frikë. Këta i përkisnin asaj shtrese që e kishin ndërgjegjen të qetë dhe që nuk iu mungonte kurajua civile.

 Më së fundi, pas gati një gjysmë shekulli, në saj të rezistencës së gjatë ndër vite dhe revoltës së fundit popullore, sistemi totalitar u përmbys dhe filloi ndërtimi i shtetit të ri demokratik. Së bashku me konturet e këtij shteti, në vend filluan të shfaqen edhe fenomene të ndryshme që vinin si rezultat i mentalitetit të krijuar gjatë viteve të obskurantizmit komunist dhe që ishte ngulitur në ndërgjegjen e këtij kombi. Më të pastër në këtë drejtim, dolën përfaqësuesit e kategorisë së tretë, të përshkruar më lart, pasi ata kishin vite që e kishin braktisur atë sistem dhe atë mentalitet, ndaj u rreshtuan në të djathtën shqiptare.

 Përfaqësuesit e kategorisë së parë u rreshtuan përkrah forcave më të errëta të vendit duke ëndërruar për një rikthim të sistemit të rrëzuar. Ata u rreshtuan me të majtën ekstreme. Ndërsa përfaqësuesit e kategorisë së dytë u ndanë në dy krahët e politikës shqiptare. Ata më konservatorët u rreshtuan majtas, ndërsa më liberalët djathtas.

 Natyrisht nuk mund të pretendosh që të gjitha segmentët e popullsisë të rreshtohen në të njëjtin krah. Ky është regulli numër një i demokracisë. Secili ka të drejtë të rreshtohet në krahun që e ndien më afër vetes. Sikundër e kam theksuar edhe në fillim të këtij shkrimi, secili ka të drejtë  t'i ndërrojë bindjet e tij kur bindet se ato të mëparshmet nuk ishin të drejta. Por kryesorja është se ai duhet të reflektojë për kët.ë ndryshim. Këtu del në pah ndërgjegja e individit, del kurajua civile e tij. A e lejon ndërgjegja dhe a e ka kurajon civile ta hedhë plotësisht dhe zyrtarisht të kaluarën e tij? A ka fuqi ta deklarojë hapur një gjë të tillë?

 Sot, me përjashtim të një pakice fare të vogël, nuk gjen asnjë individ që zyrtarisht të mbrojë sistemin e përmbysur. Gati të gjithë thërrasin "Poshtë komunizmi"! Por a e luftojnë me të vërtetë atë? Për fat të keq kjo nuk vihet re. Gati për ditë lexojmë në faqet e shtypit të shkruar apo ekranet e medias elektronike intervista të personaliteteve të larta të së kaluarës së errët, apo fjalime dhe kujtime të shkaktarëve të asaj tragjedie. Një gjë e tillë bie ne sy kryesisht në të majtën shqiptare. Ajo është deklaruar haptazi se është në mbrojtje të mentalitetit të atij sistemi. Them të mentalitetit se, pasi po të mendosh se  po  t'i  pyesësh  dhe do të të përgjigjen sinqerisht, nëse dëshërojnë të rikthehet përsëri ai sistem, përgjigja do të ishte negative dhe kjo për arsyen e thjeshtë se niveli i jetesës së tyre sot është qindra herë më i lartë se atëherë kur ishin në pushtet. E vetmja gjë që u mungon është pushteti absolut që kishin atëherë dhe nostalgjinë ata e kanë pikërisht për këtë pushtet.

 Po te e djathta si qëndron çështja? Zyrtarisht ajo e ka kurajon të dënojë të kaluarën. Ajo e ka, gjithashtu, inisiativën për të përmbysur çdo gjë të errët të asaj të kaluare. Por, të djathtës shqiptare i mungon kurajua civile individuale për të demaskuar të kaluarën e tyre personale. Deri sot nuk kemi dëgjuar asnjë politikan, drejtues institucioni, artist apo  shkrimtar të hedhë poshtë atë pjesë të aktivitetit apo veprave të tij të kryera si pasojë e shtypjes së ushtruar nga regjimi. Nuk do të ishte turp apo fyerje e personalitetit të tyre hedhja poshtë e së keqes që secili ka patur mbi veten e tij, përkundrazi, do të kishte qenë një xhest human dhe lehtësues për ndërgjegjen e atij që kryen një veprim të tillë.

 Megjithëse e kam shkruar edhe herë të tjera por ia vlen ta përsëris edhe një herë me këtë rast. Kam para sysh një shprehje që princi Hamlet ia drejton s'ëmës, mbretëreshës Gertrudë, në tragjedinë me të njejtin tirull të Uilliam Shekspirit,  ku ai i thotë:

 "O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës tënde dhe rro me gjysmën tjetër më të mirë!"

 Nuk e di nëse këtyre qytetarëve u ka mbetur një gjysmë zemre më e mirë, përndryshe do të ishte një fatkeqësi për këtë komb.

RESHAT KRIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KOALICIONI NDËRKOMBËTAR KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISILNga FRANK SHKRELI (09.14.2014)
GJYKATA KUSHTETUESE NUK KA PSE TË HEDHË POSHTË APO TË VONOJË VERDIKTIN E 8 QERSHORITNga AGRON ALIBALI (09.13.2014)
STRATEGJIA E PRESIDENTIT OBAMA KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISILNga FRANK SHKRELI (09.11.2014)
AMERIKËN NUK DO TA MBANTE TOKA PO TË MOS PËRGJIGJEJ DENJËSISHT KUR U SULMUEN QIEJT E SAJNga RAMIZ LUSHAJ (09.11.2014)
RUSIA DHE BALLKANI - ÇËSHTJE E PËRHERSHME SHQETËSIMINga FRANK SHKRELI (09.10.2014)
IN MEMORIAM MIKUT TIM, ABDURRAHMAN KRESHPANga RESHAT KRIPA (09.09.2014)
'NE DHE JU' - ATDHEU DHE DIASPORANga UK LUSHI (09.08.2014)
GUVERNATORIN NUK E SHKARKOJE DOT, ZOTI KRYEMINISTËR, POR ERION VELIAJN, SIGURISHT! (09.07.2014)
DHJETË KËSHILLAT E PAPËS PËR TË QENË I LUMTURNga FRANK SHKRELI (09.06.2014)
Ne 65 vjetorin e ndarjes nga jetaMIT'HAT FRASHËRI, MEDET, S'KE NJË SHTATORE!Nga RESHAT KRIPA (09.05.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]