VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - IBRAHIM RUGOVA NJË EPOKË E PANDËRPRERËNga Skënder Buçpapaj

                                                                                      

E Djelë, 12.08.2024, 09:39am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

IBRAHIM RUGOVA NJË EPOKË E PANDËRPRERË

Nga Skënder Buçpapaj


E Mërkurë, 12.23.2009, 12:11pm (GMT+1)

  

  

 

Ne që shkruajmë e flasim në mënyrë vlerësuese për Ibrahim Rugovën, për fatin tonë të mirë, jemi të destinuar të mos biem pothuajse asnjëherë në përsëritje. Ata që shkruajnë e flasin në mënyrë mohuese për Ibrahim Rugovën, për fatin e tyre të mjerë, janë të detyruar të përsëritin vetveten në pafundësinë më dërmuese.

Ibrahim Rugova ka një vepër të bollshme dhe më cilësorën e llojit në letrat shqipe. Por ai është një krijues i ndërprerë. Sepse, kur u nda nga vepra letrare për t'i hyrë aktivisht politikës, ai ishte në kulmin e krijimtarisë së tij. Ibrahim Rugova ka një jetë të pasur me arritje në të gjitha fushat kryesore ku pati rolin e tij. Por ai është një jetë e ndërprerë. Sepse, kur u nda nga jeta, ai ishte më i pashtershëm se kurrë me parë. Ibrahim Rugova shënoi një epokë të tërë që mban emrin e tij, mban shpirtin e tij, vizionin e tij. Por, për një mori arsyesh, ai nuk është një epokë e ndërprerë.

 

Epoka që mban emrin e Ibrahim Rugovës është epoka e daljes së çështjes së Kosovës nga errësira totale në dritën e plotë, nga injorimi në qendër të vemendjes, nga lënia pas dore, te shtruarja e saj në të gjitha tavolinat qendrore të bashkësisë ndërkombëtare. Epoka e Ibrahim Rugovës është epoka e lëvizjes së organizuar kombëtare të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet. Epoka e Ibrahim Rugovës është epoka e ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe e orientimit të tij drejt integrimit në Bashkimin Evropian, në NATO, duke qenë në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Do të ishte epokë e ndërprerë, nëse proceset që ai i çoi përpara, deri në prag të njohjes zyrtare të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, do të pësonin aksident. Por Ibrahim Rugova, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, kur thoshte se treni i Kosovës tashmë ndodhet në shinat e veta, kishte parasysh se çdo marrëzi që do ta detyronte këtë tren të dilte nga shinat e veta, do të sillte tronditje fatale për ekuilibret e një zinxhiri të tërë zhvillimesh në rajon, kontinent e më gjerë.

 

Do të ishte epokë e ndërprerë, nëse epoka të cilën Ibrahim Rugova e la në rrugën e saj, të humbte emrin e Ibrahim Rugovës. Një përpjekje e tillë do të ishte bumerang për vetë ata që do të ndërmerrnin një aventurë të tillë. Kjo aventurë, dihet, nuk është diçka e re. Figura e Rugovës, vepra e tij jetësore, u realizuan pikërisht duke u përballur me aventurierë gjithfarësh, qoftë vetë armiqtë shekullorë të kombit shqiptar, qoftë të sëmurët prej dobësive të tyre të panumërta nga radhët e vetë shqiptarëve. Ibrahim Rugova nuk e pati me vete pothuaj asnjëherë makinerinë propagandistike. Mediat, duke qenë në duart e së majtës ekstreme, objektivisht kanë qenë e janë në garë të pandalur me makinerinë propandistike të armiqve shekullorë. Këtë tërbim kundër Ibrahim Rugovës, si atëherë kur ai ishte në jetë, si tash kur nuk është më në jetë, autorët e arsyetonin gjoja me luftën kundër kultit të Ibrahim Rugovës.

 

Kulti i Ibrahim Rugovës nuk është një kult i sajuar. Ai është një kult në të cilin Ibrahim Rugova nuk ka asnjë autorësi të drejtpërdrejtë. Ibrahim Rugova krijoi veprën e tij dhe vepra e tij krijoi kultin e Ibrahim Rugovës. Të gjithë jemi dëshmitarë sesi, në mes të furisë së sharjeve, kur nuk kishe ku të vije as majën e lapsit në eter që të mos ishte plot me sharje kundër tij, populli i Kosovës votonte i tëri për Ibrahim Rugovën. Kur autor i një kulti, në mënyrë të pandërmjetëshme është populli, atëherë ai kult, është absolutisht i pacënueshëm dhe i pavdekshëm.

 

Përpjekjet për çmitizimin e Ibrahim Rugovës nuk kanë asgjë të re

 

Ibrahim Rugova u bë mit i çështjes së Kosovës qysh në fillimet e hyrjes së tij aktive në politikë. Në këtë drejtim ndikuan disa faktorë. Ndikoi guximi i tij, të cilin të tjerët atëherë nuk e patën. Mençuria e tij të cilin të tjerët atëherë nuk e patën. Trimëria jashtë luftës dhe urtia jashtë kuvendit nuk vlejnë. Ibrahim Rugova tregoi trimëri në çastet më të nxehta të përballjes me armiqtë, tregoi urti në çastet më vendimtare për çështjen e Kosovës. Ai guxim dhe ajo mençuri atëherë shumëkujt i dukeshin ekstravagante. Ashtu siç iu dukej ekstravagante veshja e Ibrahim Rugovës me shall të zi në sfond të fanellës së kuqe dhe të kostumit të zi, një shkrirje e simbolikës kombëtare me formimin perëndimor të tij në shkollën e famshme të Roland Bartit.  Ashtu siç dukej ekstravagante dalja e tij para gazetarëve, duke u gjetur gjithmonë plot me argumente, plot me citime nga filozofë, politikanë, mendimtarë, shtetarë të të gjitha kohërave.

 

Përpjekjet për çmitizimin e Ibrahim Rugovës nuk kanë asgjë të re. Ato filluan qysh me lindjen e mitit të tij. Nisur nga përkatësia e tij intelektuale, nga butësia simpatike e tij dhe ironia çarmatosëse, gazetat perëndimore, në fillim të viteve 1990 e quanin Vaclav Haveli i Kosovës. Më vonë, kur kasaphanat që i kanoseshin Kosovës ndërruan rrugë drejt veriut,  e quajtën Gandi i Ballkanit. Meqë Gandi i Indisë ishte një klerik, pati spekullantë të shumtë që u përpoqën ta ngarkojnë Ibrahim Rugovën me akuzën se po krijonte një hibrid fesh, në mënyrë që ta bënte politikën e tij të pranueshme nga Perëndimi. Ibrahim Rugova, duke e hedhur spirancën në Vatikan, konfirmonte përfundimisht se Kosova është Evropë, çështja e Kosovës është çështje evropiane dhe identiteti shqiptar është identitet evropian. Ibrahim Rugova, duke e hedhur spirancën në Uashington, konfirmonte se shpëtimi Kosovës mund t'i vijë vetëm nga kampionia e demokracisë botërore, drejtësisë botërore, të vetmi vend që mbron të drejtat e kombeve të pambrojtur, ku renditej deri atëherë Kosova, ishte Amerika. Duke e thelluar kontrastin me armikun e tij në Beograd, Millosheviçin, Ibrahim Rugova madhështohej si njeri i paqes, njeri i urtësisë, njeri i vizioneve integruese perëndimore, Kosovën e madhështonte si kultivuese të ardhmërisë të cilën gjithmonë e kishte merituar dhe padrejtësisht ia kishin mohuar, shqiptarët i madhështonte si perëndimorë të cilëve nuk iu kishin munguar kurrë cilësitë më të mira të kombeve të mëdhenj perëndimorë, por kishin qenë të detyruar gjithmonë të përballen me zgripin e mbijetesës kombëtare.

 

Miti i Ibrahim Rugovës nuk ka për të qenë kurrë më në rrezik se atëherë kur ndodhte Dejtoni dhe Kosova nuk ishte pjesëtare e tij. Ky kontekst që solli objektivisht daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, u përdor në mënyrën më të pabesë nga e majta e Kosovës dhe nga Tirana kuislinge si mënyrë për ta varrosur Ibrahim Rugovën politikisht, por ata ashtu e çuan deri në gjysëm të varrit Kosovën dhe çështjen e saj. Kjo iu dha argumente krerëve perëndimorë për t'ia vënë gishtin kokës se duke mos e dëgjuar Ibrahim Rugovën, ata kishin rrezikuar në mënyrë fatale daljen dore të rajonit të Evropës Juglindore dhe prishjen e drejtpeshimit të vetë Evropës. Miti i Ibrahim Rugovës preku perigjeun e tij, të cilin nuk do ta shikojë më as për së largu, në kulmin e fushatës së bombardimeve ajrore 78 ditore të NATO-s, atëherë kur Tirana zyrtare dhe Beogradi i Millosheviçit, menduan ta fundosin përfundimisht Ibrahim Rugovën.

 

Çmitizuesit e Ibrahim Rugovës, si ata në radhët e shqiptarëve, si ata përtej Kosovës, apo të tjerë që kanë lidhje me ta andej këndej nëpër botë, nuk ia kanë falur Ibrahim Rugovës atë që e kanë quajtur cinizëm, sidomos faktin që këtë cinizëm, deri në gjoja bizantinizëm ai e ka përdorur pikërisht kundër të tjerëve, disa duke pasur parasysh Beogradin, disa duke pasur parasysh kundërshtarët politikë të Ibrahim Rugovës në Prishtinë. Njëherë një njohës perëndimor i Evropës Juglindore pati thënë se askush në botë nuk i njeh më mirë shqiptarët se i njohin serbët, askush në botë nuk i njeh më mirë serbët se shqiptarët. Ibrahim Rugovës, pra, ia merrnin për të keq pse ai e luftonte Beogradin nëpërmjet njohjes që ai kishte trashëguar dhe kishte fituar arrinte të dilte gjithmonë në pozitat e fitimtarit. Cinizëm deri në bizantinizëm ia konsideruan çmitizuesit Ibrahim Rugovës edhe faktin se të gjitha sharjet, fyerjet, mallkimet, përdhosjet që ia bënin kundërshtarët politikë Ibrahim Rugova i shpërblente me buzëqeshjen e tij karakteristike, e cila shënonte tejskajin e indiferencës së tij. Faktin që Ibrahim Rugova nuk pranonte të hynte asnjëherë në lojërat që ia sajonin, kundërshtarët politikë përpiqeshin t'ia cilësonin deri si tirani të pashpirt.

 

Edhe kollosët më stoikë, nuk iu shpëtojnë dhimbjeve të plagëve

 

Ibrahim Rugova, në krye të lëvizjes kombëtare të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet, në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në krye të shtetit të Kosovës, mori plagë të panumërta. Asnjëherë ai nuk deshi t'i ekspozonte plagët që merrte. Ndërmjet betejave, si luani, ai mbyllej në vetvete dhe i merrte me të mirë, i vetëshëronte plagët e tij, të cilave papushim iu shtoheshin plagë të reja, pa lejuar njëra-tjetrën të vëjë kore. Shtresimi i tyre i panumërt çoi deri në sëmundjen e pashërueshme, të vetmen plagë të cilën ai e mbajti deri në fund të jetëstë shpaluar përballë bashkëqytetarëve të tij dhe përballë bashkëkombësve. Pra, edhe kollosët më stoikë, nuk iu shpëtojnë dhimbjeve të plagëve. Duke u marrë me një kollos të tillë si Çarl De Golin biografët theksojnë se gjeneralin e plagoste më së shumti shpirtligësia e mediave kundër tij, e plagoste fakti që e akuzonin për krenarinë e tij të tepëruar. "Nuk e kishte të vetën këtë krenari, thonë ata. E kishte ngaqë ishte i bindur se e mishëronte Francën. Kur ai thoshte "Ne Çarl De Goli", kjo ndodhte, sepse ishte shndërruar në simbol të atyre që luftonin dhe përpiqeshin për Francën." Të mos harrojmë se Çarl De Goli kishte edhe një thënie tjetër krejt të veçantë: "Kur dua ta di se çfarë mendon Franca, pyes veten time." Dhe Çarl De Goli është një ndër ata kollosë epoka e të cilëve është shtrirë përtej dhjetëra viteve në vendin e tij gjatë dhe pas jetës.

 

Ibrahim Rugova ishte kampion i shqiptarizmit, prandaj asnjëri nga ne bashkëkohësit e tij nuk kishte çfarë mësimesh të shqiptarizmit t'i jepte Ibrahim Rugovës. Me këtë shpjegohen shumë nga moskuptimet që ndodhën gjatë periudhës së jetës aktive politike të Ibrahim Rugovës. Ai i kishte marrë mësimet e shqiptarizmit bashkë me qumështin e nënës dhe kurrë nuk i kishte munguar shkollës së shqiptarizmit.

 

Ibrahim Rugova ishte kampioni i shqiptarit perëndimor, prandaj asnjëri nga ne bashkëkohësit e tij nuk kishte çfarë mësimesh të Perëndimit t'ia jepte Ibrahim Rugovës. Ai solli në mendimin kritik letrar dhe shoqërore frymën më moderne perëndimore. Plot shqiptarë kanë kaluar nëpër shkollat e sotme të mendimit perëndimor, por askush nuk e ka cënuar dot rekordin e Ibrahim Rugovës. Ai solli në mendimin politik dhe në mendimin kombëtar në përgjithësi frymën më moderne perëndimore. Dhe askush nga ne bashkëkohësit e tij nuk matet dot me këtë cilësi të Ibrahim Rugovës.

 

Për inat të Ibrahim Rugovës, kampionë të dikurshëm të shkollave lindore, duan të riaktualizohen duke iu kundërvënë në mënyrat më të vrazhda orientimit të natyrshëm të kombit shqiptar në rrjedhat e veta të cilave nuk iu ka munguar as në periudhat më të errëta të historisë së qytetërimit evropian dhe të qytetërimit të njerëzimit në përgjithësi. Edhe kjo përpjekje mbetet një orvatje tjetër e ndërkryer për ta kthyer mbrapsht në rrugën e saj Kosovën, tash kur ajo po prek pragun e realizimit të pavarësisë dhe sovranitetit me njohje zyrtare ndërkombëtare. Sirena të tilla të ndryshkura, të cilat disa në Shqipëri i dëgjuan më 1997 dhe e çuan vendin e kombin në zgripin më fatal, duke e trimëruar bishën barbare të ndermerrte 1998-ën dhe 1999-ën kundër Kosovës, nuk do t'i dëgjojë kurrë populli i Kosovës.

 

Këtë vendosmëri populli i Kosovës e manifestoi në mënyrën më të pashembullt në mesin e atij janari aq të acartë, kur e përcillte për në banesën e fundit Presidentin Ibrahim Rugova, Qytetarin e Parë të shtetit të Kosovës, kreun e sofrës së familjes. Kur trashëgues i një epoke, trashëgues i emrit të asaj epoke, bëhet, në mënyrë të pandërmjetëshme, në mënyrë të paimponueshme, vetë populli, atëherë një epokë e tillë nuk mund të ndërpritet kurrë. Ajo do të shkojë aq larg sa shkonte vizioni i Presidentit Ibrahim Rugova për Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane, me njohje zyrtare ndërkombëtare, të integruar në Evropën e saj dhe në Perëndimin e saj.

10 qershor 2006

Skënder Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj (12.22.2009)
Ben Bernanki, arkitekti i parandalimit të një Depresioni të Madh tjetër (12.18.2009)
Rrugëdalja nga ekstremizmiNga Angelo Panebianco (12.17.2009)
Zonja Klinton duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e krizës në ShqipëriNga Elida Buçpapaj (12.15.2009)
SILVIO BERLUSKONI: DASHURIA FITON GJITHMONË MBI URREJTJEN (12.15.2009)
SIKUR TË JENË TË ORKESTRUAR NGA ANTIMIQTËNga Elida Buçpapaj (12.12.2009)
NJË E VËRTETË E ARRITSHMENga PAUL KRUGMAN, New York Times (12.07.2009)
Triptik shqiptar malli dhe meditimesh në LozanëNga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj (11.27.2009)
Financial Times: OBAMA NË KOPENHAGË ME QËLLIM TË QARTË (11.26.2009)
PRIORITETET E BARONESHËS ASHTONNga QUENTIN PEEL, Financial Times (11.25.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]