VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PUTINI DEL NË MBROJTJE TË PAKTIT MOLOTOV-RIBENTROPNga Prof. dr. ESHREF YMERI

                                                                                      

E Shtunë, 10.05.2024, 11:50pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
PUTINI DEL NË MBROJTJE TË PAKTIT MOLOTOV-RIBENTROP
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Hënë, 11.10.2014, 11:30am (GMT+1)



    Në faqen e internetit www.mk.ru.  në gjuhën ruse të datës 07 nëntor 2014, ishte botuar një informacion me titull:
    "Putini e trembi Perëndimin me deklaratat për Paktin Molotov-Ribentrop".

    Në një takim që ka pasur me disa shkencëtarë dhe pedagogë të rinj të historisë më 05 nëntor 2014, Putini paska deklaruar për domosdoshmërinë e studimit të plotë të periudhës para Luftës II Botërore.

    Diplomatë perëndimorë, që i pyeti gazeta Financial Times, i vlerësuan si shqetësuese fjalët e presidentit Putin për Paktin Molotov-Ribentrop që Gjermania pati nënshkruar me Bashkimin Sovjetik në gusht të vitit 1939.

    Në takimin e lartpërmendur, Putini deklaroi:

    "Bashkimi Sovjetik nënshkroi paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Njerëzit thonë: ah sa keq! Po ç'të keqe paska në këtë mes, përderisa Bashkimi Sovjetik nuk donte të luftonte? Ku qenka e keqja këtu? Kjo e para. E dyta: madje duke e ditur se lufta ishte e pashmangshme, duke hamendësuar se ajo mund të fillonte, Bashkimit Sovjetik i duhej kohë si vdekja për të modernizuar ushtrinë e vet".

    Deklarata e presidentit Putin se në paktin Molotov-Ribentrop nuk paska pasur asgjë të keqe, ngjalli shqetësim mes diplomatëve perëndimorë. Në atë deklaratë ata vërejnë një rrezik për sigurimin evropian, sidomos në sfondin e ngjarjeve të krizës ukrainase. Me këtë deklaratë, presidenti Putin ka si pikësynim të justifikojë, sipas atij pakti, copëtimin e Polonisë dhe krime të tjera të periudhës sovjetike dhe, rrjedhimisht, kërkon rishikimin e rendit botëror, - shkruan gazeta Financial Times.

    Një diplomat perëndimor, sipas komentit të gazetës Financial Times, deklaroi se Putini, me sa duket, paska dyshime për themelet e sigurimit evropian. "Me një protokoll sekret që i qe bashkëngjitur atij pakti, - tha ai, - qenë përcaktuar kufijtë e disa shteteve fqinje që ndodheshin në vijën e sferave të influencës së Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik. Putini, me sa duket, po thënka se në planin historik gjithçka paska qenë në rregull. Po atëherë ç'mund të thuhet në kontekstin e tanishëm?".

    Kurse një diplomat tjetër evropian theksoi:

    "Ne asnjëherë nuk i kemi diskutuar vetëm për vetëm me Rusinë ngjarjet kyç të historisë së dikurshme evropiane, përfshirë ndërhyrjen e Bashkimit Sovjetik në Priballtik. Por, në të njëjtën kohë, kjo e kaluar që është temë për historianët, krijon pengesa për përmirësimin e marrëdhënieve mes popujve. Tani kjo temë është bërë mëse aktuale".

    Edhe dy diplomatë të tjerë evropianë që punojnë në Moskë, i deklaruan gazetës Financial Times se deklarata e Putinit në mbrojtje të paktit Molotov-Ribentrop mund ta shtojë frikën për revizionimin e mundshëm të Rusisë dhe se kjo frikë shkaktoi krizën ukrainase.

    Gazeta e përditshme ruse "Vjedomosti" boton reagimet e shtypit të huaj ndaj deklaratës së presidentit rus. Në një artikull të gazetës "Daily Telegraf" thuhet se Putini ka deklaruar se në "paktin sovjeto-nazist s'paska pasur asgjë të keqe". Gazeta "The New York Times" shkruante se "Putini doli në mbrojtje të paktit sovjeto-nazist".

    Ã‹shtë e çuditshme: diplomatët e lartpërmendur evropianë ngrihen kundër deklaratës së Putinit, por asnjëri prej tyre nuk ka burrërinë të prezantohet para opinionit publik ndërkombëtar me emër dhe me mbiemër. Me sa duket, Putini i ka futur në thes mjeshtërisht, prandaj asnjëri prej tyre nuk kuturis ta deklarojë identitetin e vet.

    Njëri prej tyre deklaroi se Evropa deri tani nuk i paska "diskutuar vetëm për vetëm me Rusinë ngjarjet kyç të historisë së dikurshme evropiane, përfshirë ndërhyrjen e Bashkimit Sovjetik në Priballtik"!!! Po pse të nxitonte Evropa t'i diskutonte ato ngjarje? Që asokohe kanë kaluar 75 vjet. Pret puna për t'i diskutuar!  Shekulli ende s'ka mbaruar! Medet! Nga ato është Evropa që të diskutojë dhe të zgjidhë probleme!

    Në këtë mes të habit fakti që ca diplomatë të Evropës Perëndimore na qenkan trembur nga deklarata e Putinit dhe thënkan se presidenti rus me atë deklaratë po rrezikuaka sigurimin evropian!!! Po sigurimi evropian ka si mburojë të fuqishme Aleancën e Atlantikut të Veriut, apo jo? Atëherë si shpjegohet kjo frikë e këtyre diplomatëve evropianë? Mos vallë ata paskan dyshime në aftësitë mbrojtëse të NATO-s? Kjo frikë e këtyre diplomatëve evropianë zbulon frikën e shteteve evropiane, shtetas të të cilëve ata janë? Po këto shtete a ia kanë shprehur Vashingtonit frikën që ndiekan nga deklaratat shoviniste të presidentit Putin?

Deklarata e Putinit në takimin me shkencëtarët dhe me pedagogët e rinj në mbështetje të paktit Molotov-Ribentrop, vërteton se ai e paska ndërruar pllakën.

    Në vitin 2009, në një artikull që ka botuar në organin polak "Gazeta Wyborcza", Putini e pati dënuar paktin Molotov-Ribentrop. Asokohe ai paska shkruar:
    "Sot ne e kuptojmë se çdo formë marrëveshjeje e fshehtë me regjimin nazist ka qenë e papranueshme nga pikëpamja morale dhe nuk ka pasur kurrfarë perspektive".

    Putini domosdo që pesë vjet më parë do ta dënonte paktin Molotov-Ribentrop. Sepse këtu e pesë vjet të shkuara Rusisë i interesonte ta bënte edhe më shumë për vete Evropën që të shtohej eksporti i gazit rus drejt kontinentit rrudhaq. Pasi kaluan pesë vjet, Rusia u majm mirë me paratë evropiane dhe tani e ka ngritur bishtin përpjetë. Me gazin që shkonte drejt Evropës nëpërmjet territorit ukrainas, Kremlini e kishte ulur në bark Kievin dhe klasën e tij politike e kishte hedhur në xhep me kohë e me vakt. Prandaj edhe rusët e Krimesë dhe të rajoneve lindore dhe juglindore të Ukrainës, e kalonin jetën në paqe dhe në mirëkuptim të plotë me ukrainasit, pa pasur kurrfarë mosmarrëveshjesh me ta. Por sapo sheshi Majdan në Kiev e flaku nga pushteti kukullën e Moskës me emrin Janukoviç, Kremlini e hoqi maskën jo vetëm në qëndrimin ndaj popullit ukrainas, por edhe ndaj perëndimit evropian, duke organizuar ngjarjet tragjike në Ukrainë që, me sa duket, po shkojnë drejt palestinizimit të situatës. Skenari i Putinit ka pas qenë përgatitur me kohë: po të binte nga pushteti kukulla e tij në Kiev, të ngriheshin menjëherë në këmbë Krimeja dhe rajonet lindore dhe  juglindore të Ukrainës për t'u shkëputur prej saj. Me këtë rast, Putini, i sigurt tashmë në epërsinë e tij ndaj Evropës që ende vazhdon të mbetet e mbërthyer në darën e krizës ekonomike, doli me letra të hapura në qëndrimin ndaj paktit Molotov-Ribentrop.

    Por Evropa është e pamoralshme dhe pa dinjitet diplomatik para Rusisë. Se po të ishte e moralshme dhe dinjitoze, ajo, që pas vdekjes së Pjetrit të Parë në vitin 1725, duhej t'i kishte kërkuar me kohë Rusisë ta denonconte Testamentin e Pjetrit të Parë, në të cilin thuhet:

"Rusia duhet të merret vesh për pjesëtimin e botës me Francën dhe me Austrinë. Nëse këto të fundit refuzojnë, duhet t'i përplasim njërën me tjetrën, pastaj t'i shkatërrojmë. Të gjitha këto janë të mundshme. Evropa duhet shkatërruar". (Teksti i plotë i Testamentit të Pjetrit të Parë është botuar në gazetën "Bashkimi", 8 prill 1994).

Në respekt të Testamentit të Pjetrit të Parë, Stalini, në vitin 1918, ka deklaruar:
"...Perëndimi, me kanibalët e vet imperialistë, është shndërruar në një vatër errësire dhe skllavërie. Ne kemi për detyrë që ta shkatërrojmë këtë vatër, për të gëzuar dhe ngushëlluar punonjësit e të gjitha vendeve".

    Edhe 21 vjet më vonë, përsëri Stalini, në mbledhjen e Byrosë Politike të PKP(b), të mbajtur më 19 gusht 1939, pati deklaruar shkoqur:
"Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le t'i hanë kokat njëri-tjetrit dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të shtrihet para këmbëve të tij".

Paktin Molotov-Ribentrop, Stalini e nënshkroi për të ndarë Poloninë me Hitlerin, me qëllim që Bashkimi Sovjetik të bëhej shtet kufitar me Gjermaninë. Me këtë pakt, Stalini i jepte të kuptonte Hitlerit se krahët nga Lindja i kishte "të sigurt" dhe me Evropën Perëndimore mund të bënte ç'të donte. Dhe Hitleri e hëngri karremin e Stalinit: trupat e veta i hallakati që nga gadishulli skandinav e deri në Afrikën e Veriut. Atëherë Stalini u bind se kishte ardhur çasti i përshtatshëm që të sulmonte Gjermaninë, për të arritur deri në Gjibraltar dhe për të vënë në jetë Testamentin e Pjetrit të Parë.

Për këtë qëllim, Stalini urdhëroi hedhjen në erë të brezit mbrojtës, që shtrihej përgjatë kufijve perëndimorë të Bashkimit Sovjetik, brez ky që fillonte nga brigjet e Detit Balltik dhe përfundonte në brigjet e Detit të Zi. Thellësia e atij brezi mbrojtës arrinte deri në 120 km dhe ishte ndërtuar gjatë një periudhe 5-vjeçare. Kishte filluar në vitin 1933 dhe kishte përfunduar në vitin 1938. Hedhja në erë e atij brezi mbrojtës u përligj me arsyetimin se Bashkimi Sovjetik bën luftë jo mbrojtëse (difensive), por sulmuese (ofensive). Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Sovjetike kishte filluar zhvendosjen e korparmatave prej Lindjes dhe thellësisë së territorit sovjetik, drejt kufijve perëndimorë të Bashkimit Sovjetik.

Hitleri, që në dhjetor të vitit 1940, kishte filluar ta kuptonte hilenë e Stalinit që fshihej prapa paktit Molotov-Ribentrop, por u bind përfundimisht kur u njoh me fjalimin sekret të Stalinit të 05 majit 1941, në takimin me të diplomuarit e akademive ushtarake. Sipas shënimeve që ka mbajtur në atë takim shkrimtari Vsjevollod Vishnjevski (1900-1951), thelbi i fjalimit të Stalinit përmblidhej në pak fjalë:

"Përpara na pret marshimi drejt Perëndimit. Përpara janë mundësitë tona, për të cilat kemi ëndërruar prej kohësh".

Se cilat ishin ato mundësi, për këdo është e qartë: ishte fjala për të realizuar në praktikë Testamentin e Pjetrit të Parë.

Dhe Hitleri vendosi që pabesisë t'i përgjigjej me pabesi. Por hesapet e Hitlerit ishin sa të gabuara, aq edhe katastrofike. Hitleri, në të vërtetë, luftën e kishte humbur që më 03 shtator 1939, kur atij i shpallën luftë Franca dhe Britania e Madhe, prapa së cilës qëndronin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me vendimin e kuturisur që mori për të sulmuar Bashkimin Sovjetik, duke ia rrëmbyer Stalinit iniciativën nga dora, Hitleri po shkonte me vetëdije drejt vdekjes së sigurt. Se është e pamundur që ai të mos e kishte parasysh përvojën e vajtueshme të Napoleonit me sulmin që ndërmori kundër Rusisë. Po ashtu, është e vështirë ta besosh që ai nuk e ka pasur parasysh një porosi shumë domethënëse të Bismarkut, sipas të cilit Gjermania asnjëherë nuk duhet të plekset në luftë me Rusinë.

    Për vërtetësinë e faktit që Bashkimi Sovjetik do ta sulmonte Gjermaninë, që pastaj të pushtonte krejt Evropën Perëndimore, dëshmohet në burimin e poshtëcituar:
    "Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik "Shtrëngata" qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941...Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t'i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes.  06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: "...trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara" (Viktor Suvorov. "Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore". Shtëpia Botuese "Novoje vremja". Moskë 1993, f. 333).

    Pra, mendjet e mykura të diplomacisë evropiane nuk duan ta kuptojnë se me deklaratën e vet në mbrojtje të paktit Molotov-Ribentrop, Putini nuk bën gjë tjetër, veçse ecën në piketat që pati vendosur Pjetri i parë dhe Stalini për pushtimin e Evropës.

    Ekziston një dashuri e vjetër e Evropës për Rusinë. Dhe kumbareshat e kësaj dashurie janë Gjermania dhe Franca. Dihet se disa perandorë të Rusisë e kanë pasur prejardhjen nga familje të dëgjuara gjermane dhe  domosdo që Gjermania nuk mund të mos kishte ndikimin e vet në Rusi.

    Pas vdekjes së Pjetrit të Parë, gjuhën ruse e përzunë nga mjediset e aristokracisë ruse dhe filloi epoka e frëngjishtomanisë. Pushkini, në romanin "Evgjeni Onjegin", thotë se heroina kryesore, Tatjana, gjuhën ruse e fliste me vështirësi. Madje dekabristët gjuhën ruse e studionin si gjuhë të huaj. Leon Tolstoi, në romanin "Lufta dhe Paqja", shkruante se aristokratët rusë e flisnin rusishten sikur të ishin të huaj që sapo kishin ardhur në Rusi.

    Frëngjishtomaninë e aristokracisë ruse, Franca e shpërbleu me dashuri për Rusinë.
Me sa duket, urrejtja napoleoniane dhe hitleriane kundër Rusisë, me kalimin e kohës, erdhi e u transformua në dashuri edhe më të përmallshme për të, çka dëshmohet me vaktësinë e theksuar të qëndrimit të Gjermanisë dhe të Francës ndaj krizës ukrainase, të nxitur nga Kremlini. Kjo dashuri, përveçse e nxehur mirë nga gazi rus gjatë viteve të këtij fillimshekulli, filloi ta merrte ngrohtësinë që në Kongresin e Vjenës që u mblodh në shtator të vitit 1814 dhe vazhdoi deri në qershor të vitit 1815. Në atë Kongres, me nismën e perandorit rus Aleksandri I, u krijua Lidhja e Shenjtë dhe Evropa i  besoi Rusisë rolin e xhandarit të kontinentit, për të shtypur me zjarr dhe me hekur çdo lëvizje që mund të shpërthente kundër monarkive evropiane.

    Po të mos kishte qenë ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftën II Botërore, Evropa me siguri që do të kishte përfunduar nën çizmen ruse, si prapavijë komuniste e perandorisë sovjetike. Por situata mund të qe zhvilluar edhe ndryshe: sikur Stalini ta kishte sulmuar i pari Gjermaninë, mund të hamendësohet që Hitleri të shndërrohej edhe në aleat të angloamerikanëve dhe ngjarjet mund të kishin marrë një tjetër rrjedhë.

    Breznitë që do të vinë do të shikojnë dhe do të binden  konkretisht se cili do të jetë drejtimi që do të marrë Evropa: do ta vazhdojë, si deri tani, orientimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo do t'i kthejë antenat nga Rusia. Domosdo që vendimtare do të jenë interesat ekonomike. Putini, me sa duket, me nuhatjen e një çekisti të regjur, e ka kuptuar që forcat gravitacionale evropianoperëndimore sikur kanë kah prorus, prandaj edhe del haptas në mbështetje të paktit Molotov-Ribentrop.

10 nëntor 2014

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TEATRI KOMBËTAR, CENSURA E DJESHME ZYRTARE ËSHTË ZËVENDËSUAR SOT ME NJË CENSURË TË FSHEHTËNga RESHAT KRIPA (11.10.2014)
AI VEND KU NUK LEJOHEN KUNDËRKANDIDATURAT, ËSHTË DIKTATURËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.09.2014)
NJË KOP PËR BASHËN APO PËR PD-në E RE?Nga MENTOR KIKIA (11.09.2014)
NGA NJËRA ANË VLAN &PDK – NGA ANA TJETËR AMERIKA & AMBASADA E SHBA NË KOSOVË– Zonja Clinton nuk do ta kishte toleruar këtë situatë 5 muajNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.08.2014)
Barometri diplomatikVIZITË E RE BEOGRADIT, DIPLOMACI E VJETËR-ANTIBASHKIMNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (11.08.2014)
REPUBLIKANËT TRIUMFOJNË ANEMBANË SHTETEVE TË BASHKUARANga FRANK SHKRELI (11.07.2014)
DEKLARATA E AMBASADORES JACOBSON DHE STATUSI I MOHUAR I DORUNTINA E.MALOKUTNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.06.2014)
JERMI TOTALITAR I PDK - OSE NËNSHTRIM, OSE ZGJEDHJE TË JASHTËZAKONSHMENga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.06.2014)
10 REZULTATE KËRKIMORE MBI LUFTËN NACIONALÇLIRIMTARE DHE LUFTËN CIVILE NË SHQIPËRI, 1943-1945Nga ROMEO GURAKUQI (11.06.2014)
NJË MALËSORE QË NDERON KOMBIN SHQIPTAR Tringë Smajlja në pullën postare të KosovësNga FRANK SHKRELI (11.05.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]