AMBASADORI ARVIZU KA SHUMË TË DREJTË Nga Prof. dr. ESHREF YMERI
E Shtunë, 11.22.2014, 08:27am (GMT+1)
Pas manifestimit që u zhvillua në Tiranë pranë monumentit të ushtarit partizan me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Kryeqytetit, në mjetet e informimit masiv u dha njoftimi i mëposhtëm:
"Pak orë pasi e quajti fotografinë e Enver Hoxhës si fyerje për shqiptarët në festimet e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës, ambasadori i SHBA në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar në emisionin "Tonight Ilva Tare", se Enver Hoxha ka qenë një monstër që ka sjellë vetëm vuajtje për popullin shqiptar dhe është për të ardhur keq që shikon të rinj me grushtin lart apo me foto të Enver Hoxhës në festimet për 70-vjetorin e çlirimit" (Citohet sipas: "Arvizu: Enver Hoxha monstër, SHBA ka qëndrim të qartë për këtë çështje". Marrë nga faqja e internetit e gazetës "Tema". 19 nëntor 2014). Në faqen e internetit të gazetës "Tema" të datës 21 nëntor 2014, lexova shkrimin me titull "Liliana Hoxha: Pozicioni i Arvizusë për Enver Hoxhën krejtësisht personal. Ai fyeu ata që sot s'kanë as të hanë".
Me siguri që zonjës Liljana Hoxha i ka mbetur qejfi që ambasadori Arvizu e quajti Enver Hoxhën monstër. Unë nuk po merrem me ata që sot s'kanë të hanë, meqenëse atyre po ua qan hallin zonja Liliana, e cila dje, në kohën e Enverit, kur shkonte e vinte nga puna me veturë, nuk e dinte që njerëzit "kishin boll të hanin", saqë në orën 12-00 të natës, kur ajo flinte për shtatë palë qejfe, qindra mijë kryefamiljarë apo kryefamiljare, në mbarë qytetet tona, zinin radhë për një shishe qumësht, për një çikë djathë, për një pako gjalpë njëqindgramëshe dhe për ndonjë kilogram mish për fëmijët e tyre që po i kërcënonte degradimi gjenetik për mungesë kalorish. Por unë dua t'i kujtoj zonjës Liliana diçka tjetër: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t'ia harrojnë lehtë Enver Hoxhës faktin që ai, gjatë gjithë kohës së sundimit të tij gati gjysmëshekullor, i sulmonte egërsisht, duke i etiketuar si armiq të popullit shqiptar, paçka se në kohën e luftës i pati vlerësuar si aleatë. Kjo ishte një shpifje e neveritshme e Enver Hoxhës. Mjafton t'i kujtoj zonjës Liliana një deklaratë të përbindshme të Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një letër që i drejtonte Stalinit në vitin 1949, ai i shkruante për Kosovën:
"Shqiptarët e Kosovës duhet ta mësojnë mirë se armiku i tyre i pamëshirshëm, si edhe i mbarë kampit socialist, është imperializmi amerikan..." (Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse. Tiranë 2006, f. 257).
Se sa "armik i pamëshirshëm" ka qenë "imperializmi" amerikan jo vetëm për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe për mbarë kombin shqiptar, jeta e vërtetoi më së miri, që nga qëndrimi i presidentit Uillson ndaj copëtimit përfundimtar të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, qëndrimi i diplomacisë amerikane ndaj pretendimeve të shovinizmit grekomadh për aneksimin e Shqipërisë së Jugut pas Luftës së Dytë Botërore, qëndrimi i presidentit Klinton ndaj Greqisë, e cila në vitin 1997, duke përdorur si vjegë mbrojtjen e minoritetit grek, kërkonte të fuste trupat ushtarake në Shqipërinë e Jugut, për ta bërë fakt të kryer pushtimin e saj, si edhe qëndrimi i tij ndaj Kosovës në vitin 1999. Mosmirënjohjen Enver Hoxha e ka pasur tipar kryesor në formimin e tij si njeri, prandaj ai e manifestonte atë aq hapur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është edhe një arsye më tepër që ambasadori Arvizu, me shumë të drejtë, Enver Hoxhën e quajti monstër.
Santa Barbara, Kaliforni 22 nëntor 2014
Prof. Dr. ESHREF YMERI
|