VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - BRENGA E BALLKANIT DHE BALLKANASIT E BRENGOSUR...!Nga PËRPARIM KABO

                                                                                      

E Djelë, 12.08.2024, 10:59am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
BRENGA E BALLKANIT DHE BALLKANASIT E BRENGOSUR...!
Nga PËRPARIM KABO

E Premte, 11.14.2014, 08:22am (GMT+1)


E nderuar grua që e zbulove Ballkanin, malet e egra si një brengë. U mbushën 70 vite që ju nuk jetoni më. Mund të ndodhë që diku dhe nga disa të mbuloheni me heshtje, nisur nga amnezia pse jo edhe nga një ngasje e qëllimit. Ne shqiptarët ju kujtojmë. Ju rikthehemi atyre udhëtimeve që zbuluan historinë, tragjeditë, keqkuptimet dhe marrëzitë e maleve të egra, atyre racave dhe popujve që quhen ballkanasit. Ju kthehemi sot solemnisht kontributeve, vlerave identifikuese, tipareve specifike, pikave lidhëse, dhe urave të rrëzuara apo të mosndërtuara mes popujve të Ballkanit, atribute këto që ju i vizatuat me aq realizëm. Po si do të mund të çkodohet kjo brengë në ditët tona? Duke e quajtur atë e kaluara ballkanike? Ky do të ishte gabim i rëndë. Duke e konsideruar si realiteti i pandryshuar? Edhe një përcaktim i tillë do të keqkonsideronte zhvillimet e ndodhura për më shumë se një shekull në këtë hapësirë të kontinentit të vjetër. Vështrimi i brengës si një motiv nga ku duhet të nisemi për të parë në nënshtresat kulturore dhe antropopsikike duke kuptuar kështu jehonat historike? Udhë kjo për të mirëkuptuar vonesat, që aq sa të padukshme mund të mendohen, po aq prezente janë në mentalitetet ballkanike, e si të tilla edhe në ditët tona udhëzojnë dhe drejtojnë jo pak mendje në gadishullin tonë me emër malesh. Ndaj fisnikja Edith Durham, përmes faqeve të librit tuaj, ju kërkoj të bashkëbisedojmë për të vërtetat e pandryshuara në këto hapësira ku bujaria e shpirtit dhe shpirtcungimi historik, kanë udhëtuar më së shumti drejt të panjohurës befasuese, por edhe janë yshtur shpesh nga urrejtja, përjashtimi dhe mungesa e dashurisë reciproke. Ka nga ata që kanë menduar se Ballkani u trondit dhe u fut në përplasje e luftëra, atëherë kur veç besimit fetar të Krishterë u ndërfut dhe rekrutoi popullsi të gjëra edhe besimi Islam. Porse ju guxuat të arsyetonit në një këndvështrim ndryshe, kur shkruanit:

"Ndeshjet mes të krishterëve të ndershëm dhe tiranëve myslimanë të këqij nuk bëheshin në emër të religjionit, por etnike dhe mbi bazë race, por se prapa të cilave fshihej etja për zgjerim territoresh dhe e gjithë mjegulla kishte të bënte me përpunimin e opinionit në Londër se kush duhet të përkrahet... "Ju e vinit theksin se: Historia e Ballkanit, origjina e popujve, autoktonia apo ardhacakëria, ngatërrohen me apo qëllim me organizimet territoriale administrative gjatë perandorive të mëdha, shkëputen episode dhe ata bëhen vet ngjarja, ndërtohen dosje me lëtërshkrime dhe ai përdoret si dokumenti fatal, veçse në të gjitha rastet, qëllim është që të tregohet se: Unë jam popull më i vjetër se ty. Unë jam këtu para teje. Unë jam më i fortë se ty. Unë jam më i besuar se ty edhe nga Fuqitë e Mëdha. Unë jam më i pasur dhe më i virtytshëm se ty. Ka dy drejtëza të kithta që mbeten si atavizma të cilat mund të ç'kodohen, historia e Ballkanit është historia ime, dhe ti populli im je i rrezikuar po nuk u pajtove me këtë variant dogmatik të shtirur dhe servirur të historisë. Mungesa e sinergjisë në Ballkan është pasojë edhe e fakteve të dhimbshme se ndaj armiqve të përbashkët është parë më e udhës që të bashkëpunohet me invadorin duke i dhënë atij si plaçkë lufte fqinjin. Ballkani ka shumë intrigë në çështjet e pushtetit. Lavdia dhe rënia. Zenithi dhe helmi. Lavdia dhe poshtërimi, ndodhen në kufij ndarës tejet të thyeshëm. Sipas Edith Durhamit, vija "omblikale" e politikës ballkanike është ajo që pret Perëndimin me Lindjen, ndarja e Romës me Bizantin, që edhe sot paçka se nuk përdoren këta emra dhe perandoritë e dikurshme nuk jetojnë më, hijet imperiale janë prezente, pa përjashtuar dhe otomanizmin e ri me burime aziatike dhe me "kombinezon" diplomatik të tipit perëndimor, rishfaqur së fundi. E citoj Edith Durhamin: "Kundërshtimet e gjata dhe të hidhura doktrinale që më së fundi e ndanë Romën nga Bizanti, filluan që në kohë të hershme. Në vështrim të parë duket se kemi të bëjmë me çështje besimi dhe ceremoniali;por në themel fshihej e vërteta që "Lindja është Lindje" dhe "Perëndimi është Perëndim", dhe megjithëse goditja përfundimtare u dha në 1054, ato ishin praktikisht të ndara kur serbët e bullgarët u kthyen në të krishterë prej misionarëve të Selanikut. "(Brenga e Ballkanasve, botimi shqip, faqe 31; shtëpia botuese,"ARGETA-LMG").

Edhe sot, ballkanasit të dehur nga e kaluara dhe të vagullt për hapësirat e së ardhmes janë herë të hapur në horizonte, dhe herë nën dekore mugëtirash pragluftrash verbale dhe shpagimesh dashakeqe. Një e tillë çështje është ajo e Epirit. Në Shqipëri ata që (vet)quhen Vorio-Epirotë dhe marrin dhe pensione, as që duan t'ia dinë për historinë dhe të vërtetat e saj, mjafton që qeseja e tyre të marrë ca euro më shumë. Por si ndodhi historikisht? Këtu na ndihmon zonja Durham. Tek ishte duke rënë një perandori, niste e hidhte shtatë një tjetër, e në ato kohëra të turbullta dhe të pasigurta, grabitja e territoreve dhe shpallja se kjo është e imja, kishte qenë mendja dhe shpata e çdo aventurieri. Ngatërresat që mbetën pas në histori, është përzierja e popullsive të etnive të ndryshme duke jetuar në të njëjtën hapësirë, sepse Perandoritë ishin multietnike, multifetare, multikulturore. Ky pazëll gjeoreligjioz, dhe gjeoetnik nuk vlen në kohët moderne, qëkurse u krijuan kombet dhe shtetet kombe. Por ja të lexojmë se ç'thoshte Edith Durhami për Epirin, jo thjesht si krahinë, por si administrim politik. "Sundimi më i gjatë dhe i përmendur është ai i Dhespotëve të Epirit. Kur Bizanti u nda prej latinëve, Mikel Ëngjëll Komneni.., në fillim të shekullit të trembëdhjetë u vendos në krye të popullit të Shqipërisë së Jugut, themeloi një shtet të madh që u quajt "Dhespotia e Epirit, e që më së fundi përmblidhte Epirin, Thesalinë, krahinën e Ohrit dhe një pjesë të Shqipërisë së Veriut ",(po aty faqe 36). Ja përse në ditët tona ballkanasit do duhet të dalin nga brenga e marrjes diçka nga tjetri, duke kënduar në korre mesjetare histori argumentesh që janë shfronësuar, sepse me ndryshimet historike të zhvilluara në epoka ato nuk kanë më fuqi bindëse, dhe më së shumti, sepse çdo popull ka rrugëtuar e mes privacionesh e arritjesh ka një histori të ndërtimit të shtetit kombëtar, përfshi territoret dhe strukturën etnokulturore. Ballkanas të brengës janë ende disa qarqe politike. Janë pasthirrmat e mëkuara nga mesjeta dhe ndjekësit e tyre të nacionalizmit bashkëkohor që ngacmojnë jo pa qëllim ndjeshmëritë e kujtimeve dhe aspiratave historike, të cilat në një formë apo në një tjetër tashmë janë realitete të tejkaluara. Historia e vjetër nuk vlen si argument për të ndërtuar gjeopolitikën e sotme, por shërben si argument për të kuptuar kontrastin me globalizimin e sotëm, si ndryshim mentaliteti dhe formë bashkëjetese në kushtet e lëvizjes së lirë. Të dhënat historike janë memorie dhe mësime për drejtpeshime dhe jo argumente si amanete për luftërat ende të pazhvilluara, por që u dashkërkan të bëhen. Venediku në atë kohë morri të gjithë ishujt dhe portet për të ndihmuar dhe kryqëzatat, porse influenca e djeshme veneciane është sot kulturë arkeologjike dhe jo argument për rivendikime territoriale. Ballkanasit do dalin nga brenga kur mbivendosjet kulturore dhe shtresëzimet e nënshtresëzimet, në toponime, antroponime dhe teonime, të kuptohen si mbetje historike, dhe jo si realitete nga del historia e sotme dhe sjellja në të. Ndryshe ai apo ata që sillen me këtë mentalitet dhe me këtë filozofi, janë ende në Mesjetë, meritojnë të futen në muzeume si shëmbëlltyra të vonuara të një kohe të kapërcyer. Si thoshte DURHAMI për popujt e Ballkanit: "Asnjë nga popujt e Ballkanit, nuk është aq i zi, sa i kanë paraqitur, megjithatë ata kanë cilësira të mira, të cilat presin vetëm rastin për t'u zhvilluar dhe fajet në më të shumtat e rasteve, vijnë nga papjekuria e madhe e tyre. Gjakderdhjet që secili prej tyre shkakton në çdo rast, janë pasoja me prejardhje të zakoneve mesjetare që dikur ishin të përgjithshme në të gjithë Europën",(po aty faqe 95).

Brenda brengës së ballkanasve, vizatimi i tipareve të shqiptarëve është ndërtuar me shumë kujdes, duke u arsyetuar mbi dy boshte: Rajoni dhe Perandoritë që shtriheshin mbi gadishull nga njëra anë, dhe rreziku i zhdukjes e vatra shqiptare në anën tjetër. Edith Durham është në një mëndje me shumicën e studiuesve serioz, se konvertimi në fenë islame është bërë jo për motive religjioze, por për përfitime në kushtet e krijuara, ku bëjnë pjesë; mbajtja e armës, karriera ushtarake politike, si dhe ruajtja e shtimi i pronës. Një sjellje utilitare e cila në krye të herës nuk mund të kuptohej pasi pesëqind vjet nën sundimin turk që pasuan, do ishin pothuaj 20 breza antropologjik dhe ndryshimi do të ishte i thellë. Ai do kapte religjionin, kulturën dhe civilizimin, duke krijuar një tip antropologjik me një bashkëjetesë kompromisi mes civilizimeve në themel të qenies së tij. Ose si edhe shprehet studiuesi tjetër britanik i kohëve moderne Julius Norwich, "një trup romak, një mendje greke, një shpirt oriental mistik".

Dy citime eksplicite të Edith Durhamit, për këtë çështje: " Ne shqiptarët", më tha një kajmekan shqiptar, tani vonë, kemi disa ide të posaçme. Ne duhet të kemi lirinë; ne jemi gati të rrokim çdo fe që mund të na shërbente mjaft që të na lejojë të mbajmë një pushkë. Vetëm për këtë ne jemi sot me shumicë myslimane". "Qëllimi i çdo kryetari ishte që të mbante pozitën dhe për të zgjeruar tokat e tij. Pak vetë në krahinat më të vjetra mbetën të krishterë, shumica rroku islamizmin dhe pas pak kohe të "pushtimit" turk, fuqia e shqiptarëve morri dhenë. Lufta ka qenë gjithnjë gëzimi i shqiptarit. Ata, tani luftonin për Turqinë sa herë që qenë thirrur, qenë paguar mirë për shërbimet e tyre të vlefshme dhe kishin të drejtë t'i rregullonin vetë punët e tyre të brendshme. Kryetarët e familjeve fisnike u bënë pashallarë ose bejlerë dhe u jepeshin detyra qeveritare në qytetet kryesore: Shkodra, Peja, Janina, Prizreni, qenë qeverisur nga pashallarë shqiptarë me të drejtë trashëgimie; dhe si aleatë të turqve mbajtën sundimin e tyre prapë në ato vende që u patën rrëmbyer sllavët dhe grekët" (po aty faqe 51).

Çfarë i solli pushtimi turk Shqipërisë? Ka edhe sot studiues brenda Shqipërisë dhe jashtë saj që reken dhe përqafojnë tezën se shqiptarët bashkëqeverisën me turqit osmanë. Numërohen prej tyre kaq e aq vezirë e kryevezirë, pashallarë dhe spahinj, diplomatë dhe jerarkë fetarë, etj. Lihet në një anë fakti se brenda kësaj perandorie ne ishim periferia e saj, e prapambetur dhe e varfër, pa investime dhe me një dallim nga zona e krahina të hapësirës perandorake, ku pati edhe ndryshime. Çfarë përfaqësonte Shqipëria në prag të pavarësisë? Një vend që kishte administratë, por që kishte dhe anarki, jo nga ajo klasikja bazuar në teza filozofike, por se e një lloji të veçantë, e tillë që për shkak të korrupsionit në administratën e të gjitha niveleve, përfshi edhe atë të drejtësisë së korruptuar. Ky realitet kishte sjellë si pasojë mungesën e zbatimit të ligjit dhe mosdashjen e rregullit. E citoj Durhamin: " Është një gjë e tmerrshme të jetosh në një vend, që është në anarki, sepse "anarki" do të thotë që i mbrapshti sundon; një vend ku zyrtarët i blejnë pozitat dhe bëjnë çfarë u do qejfi me to; vend ku rrogat e nëpunësve të vegjël ekzistojnë përgjithësisht në letër dhe që këta paguhen duke nxjerrë të holla në kurriz të atyre që janë më të ulët se ata vetë, një vend ku nuk ka ligj, nuk ka rregull dhe drejtësi. Zbatimi i ligjit varret nga ai që e ka thyer atë. Çdo njeri po të jetë i fortë, mund të bëhet polic i vetvetes"(po aty faqe 82). Sa brengë ka për ne shqiptarët e sotëm në këtë përcaktim? Sa kemi ndryshuar nga fillim shekulli XX, kur u shkruajt kjo frazë e cila qëndron në shpinën tonë si mentalitet, si shoqëri si institucionalizëm i munguar? Pak, shumë pak, madje në disa drejtime aspak. A blihen postet e larta tek ne dhe a bëhet se çfarë u do qejfi me to? Unë them po, ka raste që blihen. Herë me para, herë me konjuktura, me tarafllëqe, me klane, me kurthe dhe me pislliqe çfarëdo? Kjo sjellje quhet orientalizëm. Sa? Kush janë? Ku dhe si? Kjo nuk është në etikën time të tregoj, por se nuk është as në moralin tone komunitar të heshtim. Korrupsioni dhe ryshfeti kanë bërë "që i mbrapshti të sundojë" dhe jo rrallë në masë njerëzit të shprehin me dëshpërim se në këtë vend nuk ka ligj, nuk ka rregull, nuk ka drejtësi. Vetëm legalizimin e informalitetit të konsiderosh më këto dy dekada e gjysmë të tranzicionit dhe ndihesh i ngopur me shembuj. Të llogaritësh braktisjen e qytetarit të rregullt nga ligji dhe shteti, i cili paguan edhe për atë që nuk paguan detyrimin, nuk merr dot pronën e trashëguar, ndërkohë që ai që e ka rrëmbyer e legalizon dhe urbanizon. Njeriu korrekt pasi humbet betejën në mbrojtje të ligjit është i pafuqishëm edhe përpara vetes dhe përpara fëmijëve se çfarë edukate do duhet tu japë atyre; Atë të rregullit dhe të ligjit që është thelbi liberal-demokracisë, apo atë të antirregullit dhe antiligjit që ushqen anarkinë. "Në fillim rregulli pastaj liria" është teza e liberal-demokracisë. Liria jashtë rregullit e lexuam dhe kuptuam ne në këta vite të tranzicionit. "Sundimi i ligjit garanton liritë dhe të drejtat e njeriut" mëton demokracia funksionale. Edhe pa ligj ose me shtrembërim të ligjit, menduam dhe vepruam ne shqiptarët e ballkanasit në shumë drejtime dhe aspekte, duke humbur kohë, shanse energji, dhe duke u sjellë me historinë tonë herë si amatorë, e herë herë si dashakeq gati të pandreqshëm. Në përgjigje të atyre studiuesve që thonë se sundimi turk na ka sjellë të mira, pa hezitim do tu lexoja se ç'thotë Durhami, e citoj: "Unë kam bredhur gjatë në këto vende,...dhe skam mundur të shoh ose të dëgjoj për ndonjë të mirë që t'i ketë sjellë sundimi turk. Pretendimet e Turqisë për reforma nuk janë zbatuar....Ajo nuk është e aftë për t'i zbatuar ato, sepse nuk ka qenë kurrë një organizëm e gjallë përparimtare. Ajo qe një makinë e ndërtuar në kohët e errëta, tani është një punë e kalbur mesjetare, një muzeum monstër që nuk mund tu përshtatet nevojave të sotme. Po të lihet në vetvete, sipas radhës natyrore të ngjarjeve, do të bjerë e do të shkatërrohet"( po aty faqe 94). Koha provoi këtë anticipim, ajo perandori u rrëzua si një ngrehinë e kalbur. Në mijëvjeçarin e ri Ballkani dhe ballkanasit janë përballë një detyre që në pamje të parë duket e thjeshtë, të europianizohen, porse në përmbajtje është jo edhe kaq sa mund të mendohet. Ndoshta edhe për të realizuar këto objektiva si ballkanasit e brengës dhe Europa e interesuar për Ballkanin e brengosur, do duhet të rilexojnë Edith Durhamin. Kështu popujt e Ballkanit dhe ata që kanë marrë përsipër t'i drejtojnë, do duhet të kuptojnë atë që shkruan Edith Durhami si element të mendësisë dhe sjelljes së tyre, e citoj: " Të shkretët popujt e Ballkanit! Nuk është as raca e mirë as lufta e të fortit që del ngadhënjimtare. Por del ngadhënjimtare vetëm që ai financohet më shumë nga ndonjë Fuqi e Madhe e jashtme, ( po aty faqe 186).

Koha me fuqi të tilla ka perënduar në Europë. Ndërsa deliret imperiale, nëse mbeten ende në fuqi janë jashtë europiane. Ai vend ballkanik që ëndërrimet i shikon me Europën dhe paragjykimet i gatuan me të vetëquajtura Fuqi e Madhe e ditëve tona, është në qorrsokak. O drejt BE-s, ose në të kundërt të tij. Dy rrugë me kahje të ndryshme nuk mund të të shpien në të njëjtin stacion. Brukseli quhet Bruksel, ka rrugë për atje. Moska quhet Moskë dhe Stambolli quhet Stamboll, ka udhë edhe për atje. Vendet e popujt ballkanik shumë energji dhe kohë kanë shpenzuar për të zhbërë njëri-tjetrin. Mbase do duhej të kishin më shumë parasysh atë që Edith Durhami u kumtoi qysh në hyrje të shekullit XX, kur shkruante: "Hallet e Ballkanasve". Ata ishin më tepër të zënë me grindje kundër njëri-tjetrit, sesa me punën për arritjen e qëllimit të përbashkët." Por se edhe këshillimi që jepte ajo për Europën se si duhej të sillej dhe se si duhet të kuptonte atë realitet ballkanik nuk janë zhvleftësuar. " Medet, -shkruante ajo- për idetë e Perëndimit të cilat janë mbjellë jashtë kohe në tokën e Lindjes! Ndoshta armiqtë më të mëdhenj të popujve të Ballkanit janë ata mirëdashës që i nxisin të shpejtojnë". Si duhet lexuar sot ky tekst? Në hyrje të viteve 90-të shekullit të kaluar u mendua se falë veprimit të gjerë që u quajt "eksporti demokracisë" çka përmblidhte, ndarjen e pushteteve, kontrollin dhe balancat mes tyre, zgjedhjet e lira dhe të drejta, sistemin e drejtësisë së pavarur, pushtetin e katërt, atë të medias, lirinë dhe të drejtat e njeriut, ose shkurt Demokracinë përmes Ligjit, si edhe e formuloi Komisioni Venecias, gjendja do të ndryshonte në Lindjen Komuniste. Reformat do të zinin vend me njëherë dhe pa pengesa. Këta ndryshime strukturore janë kryer tashmë dhe përparimet janë të dukshme, por se pritshmëria kishte qenë më e lartë për vendet e Ballkanit. Shumë sisteme në proces nuk është se funksionojnë si duhet. Demokracia është ende fragile. Udha drejt BE-s ende jo e shkurtër. Mbase duhej mbajtur në vëmendje ajo që porosiste Durham, " mos i nxisni të shpejtojnë", që me fjalë të tjera do të formulohej. Ndryshimi duhet të jetë i thellë, gradual, i maturuar, dhe me breza antropologjik. Ose në mënyrë lakonike, si edhe themi në ditët tona, fillimisht europianizimi i këtyre vendeve dhe popujve, mandej integrimi në Bashkimin e Europian. "Konsideratat e Edith Durhamit për identitetin historik dhe për autoktoninë e popullit shqiptar nuk nisen nga besimi fetar, çka do ta pështjellonte çështjen, por nga gjuha amtare shqipe. "Shqipja shkruan Durhami- është një gjuhë Arjane dhe ka një dallim të dukshëm aq sa janë edhe njerëzit që e flasin. Fjalori i saj i përngjan greqishtes dhe latinishtes së vjetër, por fjalët duken shpesh se u shëmbëllejnë, por nuk kanë prejardhje prej këtyre gjuhëve. Ajo gjithashtu zotëron shumë kombinime të veçanta bashkëtingëlloresh të çuditshme në vetvete",(Po aty faqe 210).

Durhami me shumë kujdes ndalet tek lakimi i emrave dhe te rakordimi i mbiemrit me emrin në gjini, numër dhe rasë, analizon zgjedhimin e foljeve të cilën e konsideron shumë të pasur, kur shkruan: "Foljet kanë mundësi të shprehin format shumë të holla kuptimore dhe sipas gramatikës së fundit, kanë jo më pak se njëmbëdhjetë mënyra dhe pesëdhjetë e pesë raste." Ky përfundim, në kushtet ku në një masë shumë të madhe njerëzit nuk dinin të shkruanin dhe lexonin gjuhën amtare, dhe trashëgimia kalonte në mënyrë orale dhe përcillej në udhë memoriale; shërben si argument se ata që e flisnin atë gjuhë ishin një popull me veçori dhe tipare unikale. Shqiptarët nuk ishin turqizuar si edhe pretendohej nga shumë të tjerë në Ballkan, por edhe jashtë tij. Është e një rëndësie në albanologji dhe në historinë e vendit tonë për identifikimin europian të popullit shqiptar, ajo që Durhami thotë në lidhje me gërmat latine për shkrimin e shqipes, ende pa u mbledhur Kongresi Manastirit në 1908, i cili definitivisht zgjodhi gërmat latine për të shkruajtur shqipen, e ku një rol të veçantë luajti At Gjergj Fishta si kryetari i Komisionit Shkencor në këtë tubim, kaq me vlera për kombin tonë. Ja si shprehet Edith Durhami:
"Ekziston një traditë e një alfabeti të lashtë shqiptar në Elbasan dhe në Shkodër, por nuk është bërë ndonjë përpjekje e rëndësishme me të cilën gjuha të vihej në shtyp deri në 1879. Në këtë kohë u ndërtua arbitrarisht nja alfabet bastard i përbërë me shkronja greke, latine dhe cirilike....Janë bërë shumë përpjekje për të përdorur gërma latine sidomos alfabeti shumë praktik i përgatitur me shumë kujdes nga Hirësia e tij Preng Doçi, Abati i Mirditës i cili ka zgjidhur shumicën e vështirësive dhe që po përhapet me shpejtësi....Gjuha është një pjesë e çështjes kombëtare",- e mbyll përsiatjen e saj Zonja Durham.(po aty faqe 210,211,212).

Nga pena e ngjyer në fakte dhe realitete të përjetuara prej Edith Durhamit, kanë dal vlerësime të ndjera për shqiptarët. Është rasti ti kujtojmë me veneracion ato çka ajo shkruante: "...Të gjithë shoqëruesit e mi kanë qenë shqiptarë. Për durimin, urtësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre nuk kam fjalë më të lartë lavdërimi për ta. Ata nuk janë shtazë ashtu siç i kanë përshkruar disa... " Të them të drejtën ata janë shumë të mençur, megjithëse janë të egër. Por që janë të egër, kanë qenë të detyruar sepse kështu e kanë ruajtur lirinë. Kur ata të mos jenë më të detyruar që të mbeten të shkëputur nga bota, atëherë ata do të zgjohen dhe do të shihet fuqia e tyre....Siguroj ata janë Bismarkë, Bismarkë të vërtetë. Dikur ata do të kërkojnë dhe Europa do të jetë e detyruar t'ua japë atë që do të kërkojnë!"(po aty faqe 218).

Më bukur s'ka si thuhet se cilët jemi ne shqiptarët. Pse jemi të tillë, çfarë duam dhe pse jemi një pjesë cruciale, e vjetër, e bazike e Europës e cila do të na njihte, dëgjonte dhe konsideronte. Të falemi nderit Edith Durham! Mirënjohje për fisnikërinë tënde sublime. Ishte viti 1905 kur i shkruajtët këto fjalë. Si edhe ndodh me rrugët e gjëra, kur ato ndërtohen duken si të panevojshme të parakohshme. Por se kur koha ikën, atëherë brezat e rinj thonë, me këtë udhë shihej larg, gjykohej thellë, ndihmohej të afrohej e ardhmja! Mendja juaj ndihmoi Europën e djeshme dhe të sotme ta kuptonte dhe mirëkuptonte Ballkanin dhe ballkanasit. Shpirti yt bujar dhe fjala e ngrohtë, iu bëri shqiptarëve të kuptonin se kishin të ardhme dhe se nuk duhej ta humbnin besimin e nuk duhej të ndaleshin në rrugëtimin e tyre historik. Duket sikur nga eteri pas 70 vitesh që ikët nga kjo botë thoni: Unë kisha besuar tek shqiptarët, ata e meritonin fatin europian që po ndërtojnë me kaq vrull sot. Ju që më dhatë bukë dhe shtroje, konak dhe besë nuk më zhgënjyet. Zotat e kishin bekuar atë truall ku konservimi i ca vlerave humane është sekreti. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. Ekzotizmi i tyre gati, gati natyror, tejkalon herë herë modernitetin sipërfaqësor. Atje ajri maleve e deteve është tjetër ajër. Gjuha shqipe ka një muzikë ndryshe. Fjala mirë se erdhe del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Europa pa Shqipërinë dhe shqiptarët do të ishte e paplotësuar në identitetin e saj të historisë së lashtë dhe asaj moderne. Ballkani pa konsideruar e mirëkuptuar shqiptarët është pa identitet dhe pa të ardhme! Edhe në universin e frymës ndjehem e respektuar nga shqiptarët e tokës dhe të qiellit, jam mes tyre si ata, shqiptare që vijon të eci atyre hapësirave epike dhe humane pa u lodhur, jam në besë të tyre.

PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
UDHËHEQËSI I RI I SENATIT AMERIKAN DHE SHQIPTARËTNga FRANK SHKRELI (11.13.2014)
METAFORA E LIRISË OSE DIALOG I PËRFYTYRUAR ME VETENEsé nga REXHEP SHAHU (11.13.2014)
MEDITIM NË KAMPIN E SHFAROSJES TË TEPELENËSNga RESHAT KRIPA (11.13.2014)
'HEROIZMI' I RAMËS SI PJESË E NEVOJËS PËR RILINDJE KOMBËTARENga MENTOR KIKIA (11.13.2014)
RAMA T'I LUTEJ VUÇIÇIT QË TA ZHBLLOKOJË KRIZËN NË KOSOVËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.12.2014)
RRETH VIZITËS SË KRYEMINSTRIT RAMA NË BEOGRAD DHE BLLOKADËS SË BERAT BUZHALËS NË FACEBOOKNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.11.2014)
DR ELEZ BIBERAJ - SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NË UDHËN E RIMËKËMBJESNga FRANK SHKRELI (11.10.2014)
PUTINI DEL NË MBROJTJE TË PAKTIT MOLOTOV-RIBENTROPNga Prof. dr. ESHREF YMERI (11.10.2014)
TEATRI KOMBËTAR, CENSURA E DJESHME ZYRTARE ËSHTË ZËVENDËSUAR SOT ME NJË CENSURË TË FSHEHTËNga RESHAT KRIPA (11.10.2014)
AI VEND KU NUK LEJOHEN KUNDËRKANDIDATURAT, ËSHTË DIKTATURËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.09.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]