VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Në gjurmët e deklaratave të regjisorit të shquar Andrea Konçallovski'RUSIA ËSHTË NË PRAG TE KATASTROFËS'Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

                                                                                      

E Premte, 12.06.2024, 05:41pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
Në gjurmët e deklaratave të regjisorit të shquar Andrea Konçallovski
'RUSIA ËSHTË NË PRAG TE KATASTROFËS'
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Enjte, 02.05.2015, 07:36am (GMT+1)



    Kështu ka deklaruar kinoregjisori i shquar rus Andrea Konçallovski, në një artikull, të botuar në portalin "AdMe.ru" të datës 05 janar 2015.

    Veprimtarinë e tij në artin e kinematografisë, Konçallovski e ka ushtruar si regjisor sovjetik, rus dhe amerikan. Ai është autor i 34 skenarëve, regjisor i 27  filmave artistikë, i 18 spektakleve, përfshirë pesë opera, i disa shfaqjeve artistike për publikun e gjerë, autor i 6 librave dhe i më shumë se 100 artikujve publicistikë.

    Në vitin 1980 ka marrë titullin "Artist i Popullit" i Federatës Ruse. Po këtë vit ai shkoi në Hollivud, ku xhiroi disa filma artistikë, midis të cilëve përmendet filmi "Tango dhe Kesh", ku në rolet kryesore qenë ftuar Silvester Stalone (Sylvester Stallone - 1946) dhe Kurt Rasel (Kurt Vogel Russell - 1951).

    Konçallovski është nderuar me Çmimin "Shën Gjergji i Argjendtë" në Kinofestivalin Ndërkombëtar që u zhvillua në Moskë në vitin 1997, për kontributin që ka dhënë në kinematografinë botërore. Në vitin 2010 është nderuar me "Urdhrin e Legjionit të Nderit, kavalier i Francës". Në vitin 2014 është vlerësuar me medaljen "Luani i Argjendtë" në Kinofestivalin e Venecias për filmin "Netët e bardha të postierit Aleksej Trjapicin".

    Ky regjisor i shquar mban qëndrim kritik ndaj realitetit të sotëm, flet shpesh për mungesën faktike të demokracisë në Rusi. Këtu poshtë po ndalem në disa deklarata të tij mjaft domëthënëse, të nxjerra nga intervista e tij me titull:
 "Me shkop kokës. Andrea Konçallovski: Unë thjesht po them atë që mendoj" (Citohet sipas faqes së internetit "MIKRU". 14 korrik 2006).

    "Në Rusi nuk ekziston shoqëri civile, përderisa nuk ekziston opinion shoqëror, përderisa te shumica e qytetarëve nuk ekziston kurrfarë dëshire për të ndikuar disi mbi bëmat e pushtetit, pushteti bën çfarë t'i dojë qejfi, përfshirë këtu përdorimin e drejtësisë me proporcione të nevojshme në një drejtim të nevojshëm. Ne kemi kushtetutë, ligjet i kemi, gjykatat i kemi, por të gjitha këto duhen për të legjitimuar vendimet e pushtetit. Populli ka qenë pagan, po i tillë vazhdon të mbetet në shumë drejtime".

    "Në Rusi, tani për tani, vihet re një kulturë e përgjithshme shumë e ulët. Njeriu rus, me këtë kulturë, duke vënë një sasi të madhe parash, bëhet shkatërrues i vetvetes dhe i mjedisit".

    "Njeriu rus e ka humbur ndjenjën e individualitetit, domethënë është zhveshur nga ndjenja e përgjegjësisë. Dhe përderisa ai është i zhveshur nga ndjenja e përgjegjësisë, atëherë ai vetëm një llaf mund të marrë vesh: këputja me shkop kokës dhe ai është gati të të rri lepe-peqe".   

    Andrea Konçallovski është vëllai i Nikita Mihallkovit, një regjisor i famshëm ky dhe mbështetës dhe puthador i fuqishëm i regjimit putinian. Për të përjetësuar pushtetin e vet, Putini i ka marrë masat me kohë për të përgatitur tellallët dhe puthadorët e vet, siç është ky regjisori Nikita  Mihallkov në lëmin e artit kinematografik, si edhe shërbëtori i bindur Dmitri Kiselov, një tjetër puthator i tij model ky në mjetet e informimit masiv.
Në emisionin përmbyllës të lajmeve të javës të kanalit televiziv "Rusia 1", të datës 16 mars 2014, Dmitri Kiselovi deklaroi:

"Federata Ruse, po të jetë nevoja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t'i kthejë në hi radioaktiv, duke përdorur armët bërthamore" (Citohet sipas: Rusia mund t'i kthejë në hi radioaktiv Shtetet e Bashkuara të Amerikës - drejtuesi i emisioneve televizive Kiselov". Marrë nga faqja e internetit "news.liga.net". 16 mars 2014).

Domosdo që prapa deklaratës së krekacorit servil Dmitri Kiselov, qëndron vetë agai i Kremlinit, i cili, me një kërcënim të tillë, me siguri që fsheh një frikë që e mundon përbrenda.

Po le t'u kthehemi përsëri pikëpamjeve të regjisorit Konçallovski. Sipas mendimit të tij, duke u mbështetur mbi një sërë faktorësh, mund të thuhet se Rusia gjendet jo në Evropë dhe madje as në Azi, por në Afrikë.

"Për nga niveli i korrupsionit, - thotë ai, -  për nga jetëgjatësia, për nga niveli i investimeve në shkencë, ne jemi në Afrikë".

Deklaratën e regjisorit Andrea Konçallovski, sipas të cilit "Rusia është në prag të katastrofës", e citon publicisti polak Piotr Antoni Doerre (1973), i cili, në portalin "Polonia Christiana" të datës 05 janar 2015, ka botuar artikullin e mëposhtëm që është marrë nga faqja e internetit "inosmi.ru". 12 janar 2015.  

Piotr Antoni Doerre

Në prag të apokalipsit


Të dhënat e ndryshme statistikore tregojnë se për nga ritmet e zvogëlimit të numrit të popullsisë, Rusia zë njërin nga vendet e para në botë. Sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vitin 2025, numri i popullsisë së Federatës Ruse do të bjerë nga 143 në 121 milionë banorë, çka është e barabartë me numrin e sotëm të popullsisë së Gjermanisë, të Polonisë dhe të vendeve të Balltikut, të marra së bashku. Për nga mesatarja e jetëgjatësisë, Rusia renditet diku te vendi i gjashtëdhjetë në botë (afërsisht në nivelin e Bangladeshit). Çdo vit, rreth 30 mijë rusë vdesin nga mbidoza e narkotikëve, pothuajse 70 mijë vdesin nga alkooli. Numri i vdekjeve, si rezultat i vetëvrasjeve, i vrasjeve dhe i aksidenteve mund të krahasohet me nivelin e vdekshmërisë së vendve të tilla, si Angola dhe Burundi.

Demoralizimi, korrupsioni, mosbesimi

    Rusia, në të njëjtën kohë, zë vendin e parë në botë për nga numri i fëmijëve të braktisur nga prindërit e tyre. Ay numërohen rreth 2 milionë fëmijë të braktisur dhe 370 mijë të strehuar në kopshtet e fëmijëve. 80% e prindërve të tyre janë gjallë. Për analogji, mund të thuhet se 8 nga 10% e pleqve azilantë i kanë njerëzit e farefisit dhe të afërmit që mund t'i mbanin dhe të përkujdeseshin për ta. Sipas të dhënave të organeve hetimore të Federatës Ruse, vetëm në vitin 2010, viktima të krimeve qenë rreth 100 mijë fëmijë, nga të cilët 1700 të përdhunuar dhe të vrarë. Të gjitha këto të dhëna dëshmojnë për gjendjen katastrofike të moralit, të lidhjeve familjare dhe të respektit ndaj jetës së njeriut. Këtyre u duhen shtuar edhe korrupsioni, mosbesimi i përgjithshëm i njerëzve ndaj njëri-tjetrit, mungesa e aktivitetit qytetar dhe e respektit ndaj pronës private.    
   
"Unë dua të krenohem me vendin tim, kurse mua më vjen turp për të!" - shkruan Konçallovski, duke shtuar se ata që po qeverisin Rusinë tani, me sa duket, nuk po e vënë re situatën katastrofike të shoqërisë ruse, duke e lajkatuar me fjalë të magjishme për madhështinë e saj. Në të njëjtën kohë, ata po vazhdojnë t'i reklamojnë botës modelin e një Rusie të pastër dhe të shëndetshme, e cila, demek, dashka të shërbejë si shpresa e fundit për Evropën e degraduar!
   
Kthesa konservatore e Putinit, e përshkruar tashmë në faqet e portalit "Polonia Christiana", i cili paskej pasur për mision jo vetëm për t'i magjepsur të gjithë të djathtët perëndimorë, por, para së gjithash, për të krijuar një bazë ideologjike për politikën neoperandorake të Moskës, ka goditur në shenjë në një mënyrë të konsiderueshme. Epërsia e tij kryesore ishte thjeshtësia propagandistike. Nga njëra anë, ishte e mjaftueshme të zhvillonte në vijimësi një "realpolitikë", pra, të bënte një punë të mundimshme për ringritjen e një perandorie, të shkërmoqur nga katastrofa më e madhe gjeopolitke e shek. XX, me përkrahjen e qindra, në mos mijëra, agjentëve me ndikim dhe të spiunëve të zakonshëm në Perëndim, kurse, nga ana tjetër, ta vinte theksin te falsiteti i demokracive liberale perëndimore dhe i strukturave ndërkombëtare dhe, kohë pas kohe, t'i bënte bisht korrektësisë politike, duke luajtur, në këtë mënyrë, teatër me të djathtët evropianë dhe amerikanë. Për të ishte e mjaftueshme t'i drejtohej retorikës konservatore, si për konsum të brendshëm, ashtu edhe për konsum të jashtëm, në mënyrë që, në sfondin e elitave politike dhe burokratike të Perëndimit, të ushqyera deri në fyt me ideologji majtiste dhe të ngritura në luftë kundër mbeturinave të qytetërimit kristian, ta shiste veten si shpresa e fundit e krishterimit dhe si kështjella e lirisë së vërtetë!...

Nuk është aq e krishterë sa e reklamojnë


    Ndërkohë, megjithëse nuk mund të mohohen mijëra raste të kthimit të vërtetë të njerëzve në gjirin e fesë që janë vënë re në çerekshekullin e fundit në Rusi, për më tepër, nuk mund të mos pranohet që rilindja e kishës ortodokse, pas përpjekjeve dhjetravjeçare për shfarosjen e saj fizike dhe kthimi i saj në jetën shoqërore të krijojnë përshtypje të madhe, Rusia, megjithatë, nuk duket fare si një vend i krishterë. Në sfondin e një numri skajshmërisht të vogël njerëzish që praktikojnë fenë, deklaratat masive të njerëzve që i përkasin ortodoksisë, dëshmojnë, para së gjithash, se ata i përkasin bashkësisë së qytetëruar ruse. Por, njëkohësisht, gjithnjë e më shumë besimtarë të vërtetë përqafojnë fe jo të krishtera, me fenë islame në krye. Me këtë rast, rezulton se kisha ortodokse ruse nuk e ka atë autoritet, për të cilin mund të dëshmonte përkrahja e saj deklarative nga ana e autoriteteve dhe prania e përfaqësuesve të saj në të gjitha aktivitetet solemne shtetërore dhe vendore. Siç del nga një studim që ka bërë Fondi "Opinioni Shoqëror", patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Kirili, nuk ka kurrfarë peshe në shoqëri. Si autoritet kryesor moral atë e kanë pranuar 1% e të anketuarve. Vendin e parë në atë anketim e zinte (se s'mund të ndodhte ndryshe) Vladimir Putini, me 36%. Kreun e kishës ortodokse ruse e la pas, gjithashtu, ministri i punëve të jashtme Sergej Lavrov, ministri i mbrojtjes Sergej Shojgu, kreu i nacionalpopulistëve Vladimir Zhirinovski, kryeministri Dmitri Medvedjev, regjisori Nikita Mihallkov dhe madje kreu i komunistëve Genadi Zjuganov. Nga ana tjetër, mes atyre që morën 1% të votave, përveç Kirilit, ishin edhe tetë veta, midis të cilëve edhe besniku i Kremlinit, "sundimtari" i Çeçenisë Ramzan Kadirovi. Në këtë mes nuk ka asgjë për t'u habitur, përderisa patriarku gjithnjë e më shpesh përceptohet si vegël e bindur e direktivave që vijnë nga Kremlini. Sapo nisën konfliktet në Ukrainë, patriarku u përfshi në "procesin e rregullimit të situatës", duke përfaqësuar interesat e Federatës Ruse dhe duke i bërë thirrje opinionit botëror për të mos e quajtur Moskën agresore dhe për ta kuptuar atë, domethënë për ta njohur të drejtën e saj. Konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, ai, nga ana e vet, e përfytyronte si "punë debatesh dhe mosmarrëveshjesh në territorin historik të Rusisë".

Liria dhe lirshmëria

    Për lirinë, e cila, sipas deklaratave të Kremlinit, duhet të shtrihet në hapësirat që nga Smolensku e deri në Vladivostok, mund të dëshmojnë përmasat dhe përbërja sociale e emigracionit që po vjen e bëhet sa më aktiv në Rusi. Në vitin 2012 vendin e braktisën 123 mijë veta, kurse në vitin 2013 - 186 mijë. Vendin po e braktisin, para së gjithash, njerëz me mirëqenie të nivelit të lartë dhe të nivelit të mesëm, të cilët gjejnë në Perëndim jo aq mundësinë për të fituar më mirë, sesa sigurinë, përspektivat e zhvillimit dhe të lirisë. Në Rusi, sigurisht, ka sfera, në të cilat ka shumë më tepër lirshmëri sesa në Bashkimin Evropian që e ka mundur burokracia, por ama, për nga pikëpamja e një njeriu të zakonshëm, peshorja, prapëseprapë, anon nga Evropa. Me sferat e lira, politika në Perëndim nuk ka ndonjë lidhje të caktuar, as informacioni që reklamohet edhe më prerazi që ca kohë më parë. Duke siguruar mundësinë për të ndikuar mbi shumicën e mjeteve të informimit masiv, të shkruara dhe pamore, Kremlini hodhi hapa për kufizimin e lirisë në blogosferë, mediapushteti i fundit ky që nuk i qe nënshtruar kontrollit. M 1 gusht 2014, hyri në fuqi një ligj i ri që rregullon parimet e përhapjes së informacionit në internet, nëpër të cilin blogosfera, auditori i së cilës arrin në më shumë se tre mijë lexues në 24 orë, trajtohet dhe kontrollohet, ashtu si edhe mjetet e tjera të informimit masiv. Më herët autoritetet kanë pas përdorur të tjera forma presioni, me ndihmën e të cilave, disa portale me përhapje të gjerë informative (Lenta.ru, Gazeta.ru, Newsru.com), ato i detyronin të ndryshonin politikën informative dhe bënë që rrjeti social shumë i përhapur "Në Kontakt" (analogu rus i Facebook) të kalojë në dorën e pronarëve që i bëjnë fresk Kremlinit*.

    Mbyllja e shtigjeve të fundit në mediasferë ka për qëllim që ta shtojë ndikimin e propagandës shtetërore mbi shoqërinë, çka, nga ana e vet, duhet të ndihmojë për ta nxitur përkrahjen e fuqishme për Putinin dhe për njerëzit e tij, madje edhe në situatën e kthesave të pafavorshme ekonomike dhe të uljes së nivelit të jetesës. Madje këto pasoja duken të pashmangshme që asokohe kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat duket qartë që janë në përkrahje të udhëheqjes së re të Ukrainës, kanë aktivizuar politikën e frenimit të pretendimeve ekspansioniste të Putinit, duke shfrytëzuar për këtë qëllim jo vetëm sanksionet ekonomike, por edhe instrumentet e uljes së çmimeve në tregjet botërore të naftës dhe të mineraleve të tjera të dobishme, të cilat përbëjnë bazën ku mbështetet ekonomia ruse.

Disfata në Ukrainë

    Nuk ka kurrfarë dyshimesh se pikërisht veprimet në prapaskenë të amerikanëve, çuan në rrëzimin e pushtetit në Ukrainë, çka e bëri të pamundur lëvizjen e këtij vendi në drejtimin që dëshironte Kremlini - në Bashkimin Euroaziatik, i përbërë prej Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit.

    Ecuria e ngjarjeve të mëvonshme, si shkëputja e Krimesë nga Ukraina dhe shpërthimi i luftës në rajonet lindore të saj, vërtetoi se këto ishin thjesht reagim i Moskës ndaj faktit që elementi kyç i sistemit që ajo e kishte menduar për shumë vite me radhë, i shpëtoi nga dora. Sepse qoftë në planin gjeopolitik, ashtu edhe në kuptimin shpirtëror, krijimi i një perandorie ortodokse euroaziatike multikulturore pa Ukrainën, bashkë me Kievin, është i pamundur. Ndërkohë, lufta e çuditshme që po vazhdon për muaj me radhë rreth Donjeckut dhe Luganskut, ka bërë që Rusia të lajë duart nga Kievi, së paku, për disa dhjetëvjeçarë me radhë.

    Në mendjen e ukrainasve dhe të rusëve, kjo luftë ka shartuar ndërsjelltazi një armiqësi të thellë që po ushqehet me seanca urrejtjeje që kanë shpërthyer në mjetet e informimit masiv të të dyja vendeve. Formulimet e papërshtatshme të Putinit që ka folur për popullin e bashkuar "rus" që përfshin brenda vetes rusët, bjellorusët dhe ukrainasit, i kanë tërbuar edhe më shumë këta të fundit. Ky konglomerat i rastësishëm kombëtar, të cilin e pati krijuar Bashkimi Sovjetik dhe që nuk ka një gjuhë të përbashkët, një ushtri të fuqishme neutrale, që jeton në njërin nga shtetet e qeverisura më keq, si rezultat i kësaj lufte, e ndjeu veten si një popull i bashkuar. Përveç kësaj, lufta e shndërroi në gërmadha një territor, i cili dikur ka pas qenë baza e ndikimit të Rusisë në Ukrainë dhe nxiti një largim masiv të popullsisë rusishtfolëse drejt territorit të Federatës Ruse. Kështu që Moskës, së cilës konflikti në Donbas i kushton shumë shtrenjtë, i mbetet të kënaqet me Krimenë dhe të ngrejë në qiell "rëndësinë qytetëruese, shenjtërore dhe strategjike" të kthimit të saj në gjirin amtar.

    Rusia, të cilën, në arenën botërore, gjithnjë e më qartë po e karakterizojnë si një vend agresiv që synon të zgjerojë kufijtë, që po ndërmerr hapa kërcënues ndaj Moldavisë dhe vendeve të Balltikut, që në një mënyrë provokuese po dërgon avionët e vet në hapësirat territoriale të vendeve të NATO-s, ndërkohë, ka kaluar në një mbrojtje të thellë. Për këtë dëshmon qoftë edhe një mesazh i paradokohshëm i Putinit, në të cilin ai, duke e paraqitur popullin rus si një popull të fuqishëm dhe të palëkundur para kërcënimeve që vijnë nga jashtë, iu referua përvojës së Luftës Patriotike kundër Gjermanisë hitleriane dhe bëri aluzion të hapur se për të gjitha vështirësitë që po kalojnë vendi dhe banorët e tij, fajin e kanë armiqtë që kërkojnë të prekin tërësinë e tij territoriale! Si zor që garancitë e përsëritura shpesh herë për forcë, t'i perceptosh ndryshe, përveçse si shenjë dobësie. Paçka se nuk duhet harruar që Putini ka në duart e veta letrën më të fortë, prapa së cilës fshihen armët bërthamore që regjimit të tij i sigurojnë garancinë e paprekshmërisë.

    Sipas mendimit të shumë publicistëve, përfshirë edhe rusë, Putini, duke kuturisur të kalojë në një konfrontim të hapur me Perëndimin, e kapërceu cakun, "vijën e hollë në ngjyrë të kuqe", përtej së cilës vjen vetëm përshkallëzimi i konfliktit drejt tatëpjetës. Ia vlen të përmenden disa skenarë të zhvillimit të ngjarjeve që hasen më shpesh në variante të ndryshme.

Tre skenarë: liberalizimi, dezintegrimi
 dhe... lufta bërthamore


    Kriza ekonomike që po thellohet çdo ditë e më shumë dhe që lidhet me rënien e çmimit të naftës, me sanksionet dhe me shpenzimet e buxhetit për qëllime politike, përfshirë këtu edhe propagandën e zellshme për integrimin e Krimesë, do ta bëjë të vetën që në muajt e parë të vitit 2015. Ca nga ca, do të fillojnë të zbresin në nivelin zero afshet euforike që u ndezën me "kthimin e Krimesë" dhe me krenarinë që ndezi kjo, sepse "mbarë bota na e ka frikën përsëri". Njëkohësisht, do të fillojë të rritet pakënaqësia e grupeve të ndryshme të popullsisë, të cilët, më në fund, do të fillojnë të dalin në rrugë.

    Në këtë situatë, zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 mund të shndërrohen në një katalizator të kthesës së përgjakshme. Si rezultat i një përkeqësimi të pandalshëm të situatës, Kremlinit do t'i duhet që, në njëfarë shkalle, t'i lirojë vidat e brendshme, kurse Putini do të detyrohet të largohet nga skena për arsye shëndetësore. Se, në fund të fundit, akush nuk është i përjetshëm. Presidenti i ri rus, qoftë edhe sikur ai të zgjidhet nga radhët e elitës pasçekiste që po qeveris vendin tani, do të mundohet që, duke sakrifikuar lirinë e vet të veprimeve brenda vendit, t'i normalizojë marrëdhëniet me Perëndimin, duke u përfshirë në luftë kundër terrorizmit islamik, i cili ka për ta kërcënuar vetë Rusinë çdo vit e më shumë.

    Rezultat i këtij skenari optimist, nga pikëpamja e "perëndimoristëve" rusë, do të jetë forcimi i lidhjeve të Aleancës Euroaziatike me Bashkimin Evropian dhe progresi i integrimit në hapësirat perëndimore të paqes dhe të mirëqenies.

    Por, për fat të keq, situata në Bashkimin Evropian, pas disa vjetësh, mund të rezultojë e ftohtë për t'u integruar në të, kurse klika moskovite me Putinin ose pa Putinin, mund të zgjedhë rrugën që të çon drejt një despotizmi edhe më të ashpër dhe drejt izolimit. Atëherë tensioni i brendshëm, në kombinim me krizën demografikoekonomike dhe presionin nga jashtë, mund të çojnë drejt shpërthimit dhe shpërbërjes së shtetit. Që tani Siberinë po e popullojnë kinezët, kurse për popujt që jetojnë në të, të cilët, për shekuj me radhë, janë shikuar nga lart poshtë prej kolonizatorëve të lumit Vollga dhe Oka, rusët "lëkurëbardhë" janë shndërruar në një barrë të rëndë. Shpërbërja e Rusisë nuk do të kufizohet detyrimisht me faktin që Moska do të humbasë kontrollin mbi tokat që shtrihen përtej Uralit. Me të mund t'i shkëputë lidhjet edhe jugu mysliman, i cili që tani ndryshon së tepërmi nga tokat tradicionalisht ruse.

    Publicisti liberal rus Aleksandër Shmelev, para do kohësh është shprehur në faqen e vet të internetit:
    "A do të mbijetojnë rusët si një popull përgjithësisht i bashkuar, apo mos vallë neve na pret fati i romakëve? Se çdo sukses i Ukrainës që tani do të perceptohet si një sinjal për "siberianët", për "kazakët" ose  për banorët që popullojnë brigjet e Detit të Bardhë, të cilët do të shtrojnë pyetjen: mos ne qenkemi më të këqinj?".
   
Në blogosferë ka rusë që parashikojnë se mund të ndodhë edhe ajo, çka i druhet më shumë opinioni shoqëror në Perëndim:
    Konflikti në Donbas do të shpërthejë përsëri, çka mund të çojë në përshkallëzimin e provokacioneve të ndërsjella të Rusisë dhe NATO-s dhe, rrjedhimisht, në një luftë konvencionale. Rusia, ndoshta, do të dalë e humbur nga një luftë e tillë, por atëherë, populli, i konsoliduar para një rreziku të tillë, do të bindet plotësisht se "është më mirë të vdesësh më këmbë, sesa të rrosh i gjunjëzuar".

    Vladimir Putinit i vijnë çdo ditë kërkesa "që të mos druhet dhe të shkelë butonin e kuq", - lëshon frenat e fantazisë Shmelevi. Anketimet e  Qendrës Mbarëruse të Studimit të Opinionit Shoqëror dhe të "Qendrës Levada", dëshmojnë se një vendim i tillë do të ketë përkrahjen e 84% të popullsisë, kurse "kapitulluesit" dhe "nacionaltradhtarët" do të rezultojnë në një pakicë të parapërcaktuar. Në përfundim, në një moment të caktuar, të gjitha kanalet televizive, do të transmetojnë thirrjen e presidentit Putin: e, që e patëm fjalën, sigurisht që askush nuk ka qejf të vdesë, por ne nuk mund të lejojmë triumfin e armiqve tanë, se ne asnjëherë nuk i kemi kursyer viktimat për fitore, kështu që dhe tani nuk do t'i kursejmë. Pas kësaj, Putini, i shoqëruar me duartrokitje të stuhishme, shkel butonin, zbret në bunker... Dhe mbyllet hesapi. Dhe s'ka më gjë tjetër.

    Sigurisht që kjo është një mënyrë letrareske e të përsiaturit të një intelektuali, i cili ëndërron për një Rusi të pasur dhe demokratike që u ngjan vendeve të Perëndimit. Por njerëz të tillë, siç mundohen të na mbushin mendjen ithtarët e Putinit, nuk e kuptojnë shpirtin e popullit rus, i cili është i gatshëm ta përballojë mbijetesën në kushte më të rënda, vetëm e vetëm që ta ndiejë "madhështinë e Rusisë" që qeveriset nga një lider i fortë. Ata nuk e kuptojnë që para rrezikut për ekzistencë, populli, gjithashtu, mund t'u drejtohet vlerave shpirtërore, qoftë edhe sikur tani fetaria e tij tradicionale dhe epërsia morale mbi popujt perëndimorë, të jenë thjesht dëshira të mira idealistësh dhe produkt i propagandës shtetërore.

    Megjithatë, ne mund të jemi të sigurt për dy gjëra:
    Së pari, Rusia, siç ka thënë Shën Maria në mesazhin e vet drejtuar Jezu Krishtit, herët ose vonë do t'i kthejë sytë nga Zoti.
    Së dyti, siç na thonë treguesit demografikë, ekonomikë dhe sociologjikë, kjo tashmë do të jetë një tjetër Rusi.

-------------------------
    *Me përpjekjet e veta për t'u mbyllur gojën kundërshtarëve të tij politikë, Putini u është kthyer metodave represive të kohëve të sundimit carist. Prandaj, me urdhrat që ka lëshuar për mbylljen e shtigjeve antiputiniane në blogosferë, ai të sjell në kujtesë ca vargje fshikulluese të komedisë së Aleksandër Gribojedovit, me titull "Mjer ai që di" apo "Mjerë kush ka mend", të shkruar në vitet 1822-1824 dhe të botuar në vitin 1825:
"Ku janë, na i tregoni t'atdheut baballarë, / që neve për model na duhet për t'i marrë? / Mos vallë qenkan këta që me vjedhje janë pasuruar? / që mbrojtjen nga ligji mes miqsh, farefisi dhe paudhësish kanë siguruar?/ Pallate madhështore ndërtuan me nxitim, / ku shkrihen mes gostirash deri në shfrenim . / Kujt në Moskë të flasë nuk ia kanë ndaluar?" (E.Y.).


Prof. Dr. ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
THEMELET E BE-së PO THËRMOHENNga CHRISTOPH HASSELBACH, Deutsche Welle (02.03.2015)
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI (02.03.2015)
SHUHET NJË FIGURË E RESPEKTUAR E GJERMANISËNga FRANK SHKRELI (02.02.2015)
FISHTËN BOTOJENI - MOS E PËRDHOSNINga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.02.2015)
KA SHUMË TË DREJTË ZONJA ELIDA BUÇPAPAJNga Prof. Dr. ESHREF YMERI (01.31.2015)
LËVIZJA E ARDHSHME E CAR PUTINITNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (01.30.2015)
KOSOVA NJË GETO NË ZEMËR TË EUROPËSNga ELIDA BUÇPAPAJ (01.29.2015)
EUROPA E TËRË, E LIRË DHE NË PAQË, BIE OSE NGRIHET ME UKRAINËNNga FRANK SHKRELI (01.28.2015)
MËSIME TË GABUARA NGA PARISINga MICHAEL MÃœNZ, Deutsche Welle (01.27.2015)
ME SHKAS NGA POEZIA E FARUK TASHOLLIT – PSEUDORUGOVISTËVE - KËTYRE KAMALEONËVE INJORANTË E KOKËBOSHNga ELIDA BUÇPAPAJ (01.26.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]