|
|
STRATEGJIA E INVESTIMEVE KINEZE NË EUROPË - MUNDËSI E ZHVILLIMIT TË TROJEVE SHQIPTARE Nga ARTUR VREKAJ
E Hënë, 02.23.2015, 04:03pm (GMT+1)
Rezerva monetare e Kinës është afër shifrës së katër Trilion dollarëve, një shifër e konsiderueshme kjo për të bërë realitet investime në vënde të Europës Lindore dhe Juglindore ku përfshihen edhe Trojet Shqiptare. Kina nuk ble më valutë të huaj. Ajo i ka hequr kufizimit e lëvizjes së parave të huaja brënda dhe jashtë. Kjo e ka bërë edhe më të suksesshme ekonominë Kineze duke qënë realisht një histori suksesi edhe në Mesdhe.
Projekti më i madh infrastrukturor Kinez është interkontinentali: Kina Perëndimore - Europa Perëndimore, një koridor tranzit internacional që ndryshe njihet si Rruga Moderne e Mëndafshit. Ky është një projekt ambicioz, sepse vetëm një përqind e mallrave vjen në Europë me rrugë tokësore përmes vëndeve Aziatike. Projekti i autostradës Kinë - Europë përmes Kazakistanit e Taxhikistanit ka disa vite që ka filluar në segmente me vlerë qindra milion dollarëshe duke punësuar dhjetëra mijëra punëtorë vëndas dhe Kinezë.
Tjetër projekt është investimi në pika strategjike portuale në Mesdhe, që ka filluar në Greqi më 2008 dhe Shqipëri (ndoshta edhe në Mal të Zi apo Kroaci) për të shkurtuar më shumë kohën e transportit të mallrave në Europë duke krijuar nevojën e ndërtimit të rrjetit të autostradave dhe hekurudhave në shërbim të rrjetit të transportit tregtar Kinë-Europë për të rritur volumin e transportit të mallrave dhe për rrjedhojë përfitimet financiare.
Takimet maratonë të të liderëve Kinezë me homologët e vëndeve të varfra të Europës Juglindore dhe Lindore kanë përcaktuar përparësitë e investimeve Kineze në disa fusha të infrastrukturës, bujqësisë, minierave, lëndëve të ndërtimit, energjisë, edukimit dhe turizmit nga Ballkani Perëndimor në Europën Qëndrore e deri lart në vëndet Balltike.
Mundësi brilante të këtij zgjerimi të sipërfaqes së investimeve drejt Europës Lindore janë edhe çmontimi i Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Kina punon me strategji afatgjatë pa harruar të vëzhgojë situatën politike të çdo vëndi të Europës dhe Azisë Qëndrore në veçanti.
Kina ka blerë nga Rusia dhe ish-vëndet rreth saj naftë, gaz natyror, flori dhe uranium, si dhe ka financuar projekte naftësjellësish e gazsjellësish në Kazakistan dhe Uzbekistan ku vëmëndja është më e madhe për naftë dhe gaz. Një linjë gazsjellëse përmes Turkmenistan, Uzbekistan dhe Kazakistan e financuar nga Kina u inaguarua në Dhjetor 2009 dhe do të shfrytëzohet nga Kinezët për 30 vjet duke i dhënë fund superioritetit Rus në Azinë Qëndrore.
Kinezët janë më të mirëseardhur në Europë, në veçanti në Europën Lindore, ish-komuniste sepse edhe vetë BE herë-herë paraqet një organizëm që i mungon një lidership i vendosur për të ecur ekonomikisht në bllok me të gjitha vëndet gjeografike Europiane. Ndoshta edhe ndikimi ushtarak dhe politik Rus është negativ, në mos varësia e Europës nga gazi Rus është ende më evidente.
Përveç kapitalit të shtetit Kinez edhe kapitali privat Kinez është i mirëseardhur në Europë duke u bërë kështu një fenomen i ri. Ndërkohë, sivjet 10 kompani Kineze me portofole disa ose disa dhjetëra bilion dollarë Amerikanë sipas Forbes do të bëhen kompani globale duke investuar në botë në disa fusha të telekomunikacionit dhe të industrisë. Ka filluar në Europën blerja e kompanive fitimprurëse, siç është ajo e prodhimit të paneleve diellorë me vlerë 2.2 bilion dollarë më 2011 në Norvegji, por edhe blerjet e pasurive të patundshme, si dhe bashkëpunimet me bankat Europiane.
Ajo që na intereson ne Shqiptarëve është bashkëpunimi i dyanshëm me Kinën si një mundësi për të gjithë Shqiptarët e rajonit. Shihet qartë që Kosova është jashtë planeve të investimeve Kineze.
Vëmëndja e Kinës është në Greqi edhe së fundi. Pas investimit 1.5 miliardë dollarësh në portin e Pierut me 11 krahë të reja shkarkimi Kina i ka sytë nga Adriatiku Perëndimor për investime edhe në një port tjetër. Sot porti i Pireut përpunon mbi 3.2 milionë ose mbi 8 herë më shumë kontanejnerë me mallra Kineze krahasuar me 2008. Ky port është në rangjet e porteve më të mëdha Europiane si Hamburg, Antverp dhe Roterdam. Në Pire mendohet të punësohen 125 mijë vetë kur të kenë mbaruar punimet edhe në pikën e tretë të shkarkimit që ka në proces ndërtimi kompania Kineze COSCO. Kapaciteti portual i Pireut që do të rritet deri 6 milionë kontejnerë më 2016 i ka vënë në mendime Kinezët të investojnë edhe në hekurudhat dhe autostradat e Ballkanit Perëndimor. Vendosja gjeografike e ka kthyer Pireun në portë Jugore të Europës si një sukses të linjës Kinë-Europë me det dhe tokë në bashkëpunim me vëndet ku kalon kjo linjë transporti. Në funksion të dërgimit të mallrave Kineze në destinacion do të bëhen investime në autostrada, hekurudha, fabrika cimentosh a çdo gjë që do të jetë më lirë të prodhohet në vënde e Europës Lindore për infrastrukturëne apo për tregun rajonal. Së fundi, nga takimet kokë më kokë të kryeministrit Kinez Li dhe homologëve Europianë është vendosur ndërtimi ose përshtatja e segmenteve të autostradës Pire-Shkup-Beograd, si dhe projekti për hekurudhën Beograd-Budapest që do të jetë edhe një arterie kryesore për transportin e mallrave Kineze si zgjatim i rrugës detare Kinë-Greqi.
Monopoli Kinez në Pire me kontratë shfrytëzimi për 30 vjet mund të shqetësojë BE-në, por duam s'duam Kina ka një natyrë paqeje në bërjen e biznesit. Ajo di ti mbrojë interesat e saj edhe jashtë vëndit. Është sjellja kapitaliste që e fuqizon më shumë Kinën.
Mungesa e hekurudhës Durrës-Prishtinë ka nxjerrë nga planet investuese Kosovën. Kjo paraqet edhe një rrezik për ti dhënë përparësi investimeve Kineze në portin e Shëngjinit dhe këto investime mund të bëhen për një port në Mal të Zi ose në Kroaci.
Pra, do të varet nga Kinezët përzgjedhja e një porti të dytë në Europën Juglindore, ku ne do të dëshironim përfundimisht investimet Kineze në portin e Shëngjinit për të finalizuar edhe përparësinë e Veriut të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu do të varet edhe se sa të interesuara janë shtetet Shqiptare për të lobuar pranë Kinezëve në të mirë të ardhmërisë së Trojeve Shqiptare.
Pozicioni gjeografik i Shëngjinit mund ti bëjë Kinezët të vendosin jo vetëm për arsyen e transportit të mallrave për në Europë, por edhe për të qënë sa më afër minierave të Veriut të Shqipërisë apo Kosovës.
Serbët dhe Grekët në rajon kanë disa vite që dialogojnë për të afruar investitorë Kinezë. Në Shqipëri dhe Kosovë klima politike dhe korrupsioni i lartë janë bërë rrezik investimesh të huaja në mos dhjetëra investitorë të huaj kanë ikur.
Serbisë i intereson dalja në Adriatik, një ëndërr shekullore kjo që nuk e arriti dot me luftë nëpërmjet Shqipërisë, përveçse nëpërmjet Malit të Zi me krijimin e Jugosllavisë. Prandaj edhe investimet Kineze me diktimin edhe të diplomacisë Serbo-Malazeze që do të bëhen për mirëmbajtjen e hekurudhës apo ndërtimin e autostradës do të fokusohen në drejtimin Podgoricë-Beograd, sepse u shërbejnë më shumë si Kinezëve edhe Sllavëve. Kështu, në këto kushte Kinezët mund të përzgjedhin një port në Mal të Zi.
Titua e shkëputi Kosovën Lindore jo pa qëllim nga trungu i Kosovës pas luftës së Dytë Botërore. Ajo është një nyje strategjike ushtarake dhe ekonomike jo vetëm për Serbinë dhe Rusinë. Ja konkretisht, Kosova Lindore bëhet rrugëkalim i domosdoshëm për kontejnerët Kinezë që shkarkohen në Pire.
Ne Shqiptarët e Ballkanit ecim shumë ngadalë kur bie fjala për të vënë të parën ekonominë kombëtare në planet tona politike. Ne u ndodhëm të pazhvilluar e të palidhur mirë me infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore me Trojet Shqiptare edhe në fillimet e shekullit të ri. Megjithë që Kosova ka 7 vjet që është e pavarur projektet ndërtuese Shqiptare kanë ritme të ulëta ose mungojnë fare. Edhe projektet e Rrugës së Kombit apo të infrastrukturës në Shqipëri kanë lënë shije abuzimi në tenderim dhe ndërtim pa një vlerë finale, por vetëm shpenzo pa kriter, vidh sa të mundesh.
Kinezët drejtojnë shtet superfuqie. Ata punojnë dhe ndërtojnë kudo ku ka interes financiar për të mbajtur kështu nën kontroll tregun botëror me mall Kinez. A nuk është kjo një krenari kombëtare Kineze që e flaku idelogjinë komuniste Ruse dhe pa anën e zhvillimit ekonomik ? Kina sot po pushton Europën me mallin e saj të lirë prej krahut të lirë të punës. Po ajo ka një strategji funksionale për Europën Lindore në hapjen me të me rrugë tokësore dhe detare. 64 autostrada e lidhin Kinën Perëndimore me Azinë Qëndrore në funksion të transportit të mallrave edhe drejt Europës, si edhe me rrugën hekurudhore.
Ky zgjerim i sipërfaqes së investimeve Kineze ka disa dekada që është menduar, sidomos pas rënies së Murit të Berlinit e ndryshimit të hartës politike të Europës. Por ne Shqiptarët kemi shpenzuar e shpenzojmë edhe sot energji për luftë të panevojshme politike midis shtetkapurve që mendojnë për frone dhe që e kanë përçarë popullin Shqiptar ose i kanë vënë shtetet Shqiptare edhe në shërbim të Sllavo-Grekëve në disa raste.
Këto shkurtpamësi që favorizojnë një sistem korruptiv ndikuan drejtëprëdrejtë në emigrimin e afër dy milion Shqiptarëve në dy dekadat e fundit nga Trojet Shqiptare në Europë, Amerikë dhe Australi.
Parë në pikëpamjen e zhvillimit afatgjatë me drejtim kombëtar të ekonomisë Shqiptare në Ballkan ne Shqiptarët dalim të zbuluar shtetërisht, sepse të paktën këto 25 vjet paskomunizëm nuk kemi punuar me strategji kombëtare, në mos tenderimi a dhënia me koncension të huajve e pasurisë kombëtare është parë si mundësi të majmë klasën politike Shqiptare në kurriz të varfërimit e futjes në borxh të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit.
Gjithashtu, shërbimi ynë diplomatik me profil nepotik ka qënë në kufijtë e inegzistencës dhe veprimit për të sjellë në Shqipëri mesazhe pozitive të një ndryshimi rajonal në Europën Lindore si rezultat i fuqisë Kineze, për ta bërë Shqipërinë më të përshtatshme për investitorët Kinezë, jo siç është vepruar deri tani për të vrapuar e bashkëpunuar me të huaj në favor të klaneve politike mafioze Shqiptare. Lidhjet tona me Kinën janë gjashtëdekadshe dhe Shqiptarët e Ballkanit mund të kishin përfituar më shumë nëse nuk do ta kishim bërë Shqipërinë peng të mafies me pushtet dhe oligarkëve financiarë Sllavo-Grekë në Ballkan.
Ardhja me plan afatgjatë e Kinës në Europën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor është e mirëpritur edhe në Trojet Shqiptare. Ne do të na interesonin projekte të minierave apo atyre energjitike ku Kinezët janë të mirënjohur me tokën Shqiptare, por edhe më së shumti me projekte në fushën e bujqësisë dhe të turizmit me qëllim punësimin dhe prezantimin e produkteve Shqiptare në tregun Europian në favor të mirëqënies së popullit unik të Shqiptarëve të Ballkanit.
Ndërtimi i Rrugës së Abrit nga Kinezët do të lehtësojë udhëtimin e mallrave, por edhe do të sjellë më shpejt në brigjet e Adriatikut dhe Jonit Shqiptarët e Iliridës duke i dhënë kështu më shumë frymë hapërimit kombëtar. Ajo që Tirana duhet të sjellë në vëmëndjen e Kinezëve është favorizimi i projektit hekurudhor Shëngjin - Prishtinë - Nish që të shihet si një mundësi transporti efikase nga Kinezët për planet e tyre, por do ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës duke patur parasysh edhe ardhmërinë ekonomike të përbashkët.
Shqiptarët e Ballkanit më shumë kanë menduar si të fuqizojnë mafien politike në pushtet se sa ti japin perspektive kombëtare zhvillimit të Trojeve Shqiptare e për rrjedhojë një përbashkimi më të shpejtë të Shqipërisë dhe Kosovës që do të vijë vetvetiu edhe nga nevoja e përparësisë së një ekonomie kombëtare. Më shumë ka ndikuar Strategjia e NATO-s për të mbajtur Mesdheun larg Rusisë dhe Strategjia Kineze për Zgjerim në Europë edhe përmes Ballkanit, se sa vetëzhvillimi i Shqiptarëve me strategji për të hapëruar kombëtarisht tokat ku banojnë Shqiptarët. Ne kemi çdo gjë që Shqiptarët e Ballkanit të jetojnë në harmoni e lumturi. Kemi potenciale burimore lëndësh të para dhe breza intelektualësh të edukuar në Perëndim. Ne mundemi po të mendojmë kombëtarisht. Në Diasporë ka me dhjetëra specialistë bankarë, të industrisë e të mirëadministrimit të mjeteve monetare pranë agjencive private apo shtetërore Europiane apo Amerikane që mund të ndihmojnë me energjitë dhe potencialin e tyre në zhvillimin kombëtar të Trojeve Shqiptare. Ata nuk duhen mënjanuar si deri më tani.
Në fakt ne Shqiptarët e Ballkanit kemi ndaluar ose penguar vetveten me dekada. Të tilla klasa politike votojmë, klasa që shohin shtimin e llogarive të tyre bankare. Nëse do të sundojë vërtetë ligji Shqiptar shumë deputetë, ministra, ish-guvernatorë bankash apo edhe ish-kryeministra përfundojnë në burg për vjedhje të hapur të pasurisë kombëtare direkt me tenderim në dobi të mafies politike apo edhe të keqpërdorimit të thesarit të shtetit për instalimin e pushtetit të segmenteve të mafies politike si në legjislativ, egzekutiv apo edhe institucionet që janë automatikisht të varura ose blihen a u përshtaten emërimet e tyre në shërbim të ekzekutivit. Kjo ka qënë sheshit deri tani në Shqipëri dhe Kosovë. Pra, shtetkapja nuk i lë këta shtetarë të shohin një popull të lumtur, të punësuar, të pasuruar. Jo. Vetëm këta duhet të pasurohen dhe disa reparte militantësh që ju duhen për kohë fushate.
Shtetarët Shqiptarë duhet të tregohen të kujdesshëm me Kinën, sepse nuk janë në tavolinë me liderët mafiozë të Malit të Zi, Maqedonisë apo oligarkët Serbo-Grekë. Është koha të mendojmë Shqiptarisht ti japim fund një varfërie dhe një korrupsioni kancer të jetës së popullit tonë. Le të nxjerrim mësime nga zgjerimi Kinez në Europë në favor të zhvillimit me plan të ekonomisë kombëtare. Kjo analizë duhet bërë bashkarisht me të gjithë faktorët Shqiptarë shtetbërës të Ballkanit dhe Mërgatën. Nëse duam Shqipëri të rilindur për të gjithë Shqiptarët e Ballkanit.
ARTUR VREKAJ
|
|
|
|
::| Lajme të fundit |
|
|
|
|
|
|
|
|
D |
H |
M |
M |
E |
P |
S |
|
|
1 |
2 |
3 |
4 |
5 |
6 |
7 |
8 |
9 |
10 |
11 |
12 |
13 |
14 |
15 |
16 |
17 |
18 |
19 |
20 |
21 |
22 |
23 |
24 |
25 |
26 |
27 |
28 |
29 |
30 |
31 |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
::| Hot News |
|
|
|
|
|
|
|