Shpreh keqardhjen time për të gjithë ata kolegë deputetë dhe pasues të tyre që vuajnë grevën e urisë, por në këtë shkrim dua t'iu them se strategjia e një force politike të caktuar materializohet tek përpunimi, organizimi dhe publikimi i të gjitha ideve politike, ekonomike, të mbrojtjes, etj., që kanë si qëllim zhvillimin dhe integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike.
Në Republikat Parlamentare si vendi ynë, kjo përpjekje, në radhë të parë, bëhet në Parlament, supremacia e të cilit është e pranuar nga të gjitha forcat politike dhe grupet shoqërore në Shqipëri.
Sot, opozita jonë po e bën këtë punë në rrugë, duke përdorur metoda dhe mjete ekstreme. Nuk mendoj se kjo është mënyra e përshtatshme që duhet të përdorë një opozitë për të rritur mbështetjen e vet si brenda dhe jashtë vendit. Nuk mendoj se kjo është mënyra që një opozitë zgjedh për të arritur dhe për të realizuar objektivat e veta. Mendoj se bashkëpunimi është më i mirë se konfrontimi. Por, Partia Socialite në vend të bashkëpunimit ka zgjedhur konfrontimin, të cilin kërkon ta shtrijë në të gjithë territorin e vendit.
Kolegë socialistë, interesat kombëtare janë gjithmonë më të larta se interesat partiake dhe për realizimin e tyre të gjitha partitë bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe marrin përgjegjësitë e mëdha që u dikton koha, e cila ecën shumë shpejt, përndryshe historia do t'i harojë.
Konfrontimet e reja në Shqipëri janë një ngërç që kërkon të pengojë në disa plane: Së pari, në liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët;Së dyti, në kandidaturën për në BE, që Shqipëria ka paraqitur dhe pret përgjigje pozitive; Së treti, në kalimin pa ndikime në ekonomi të krizës së rëndë ekonomike evropiane dhe më gjerë, e cila bën thirrje për maturi dhe përpjekje të gjithanshme; Së katërti, në ndihmën që japim për të lehtësuar situatën politike dhe të sigurisë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Më 28 qershor 2009, rreth 40 përqind e zgjedhësve shqiptarë votuan të përfaqësohen në Parlament nga deputetë socialistë dhe ne presim kolegët tanë të vijnë të japin alternativat e tyre, veçanërisht në këto momente të rëndësishme, që po kalon vendi ynë.
Kuvendi, si institucioni kryesor, jo vetëm që ka autoritetin ligjor të pakufizuar për të bërë e miratuar ligje, për të amenduar ligje që janë miratuar më parë, por Kuvendi, gjithashtu, zotëron një supremaci politike të dallueshme në dy drejtime themelore:
Së pari, Kuvendi mund të ndikojë procesin e marrjes së vendimit dhe kjo e bën atë pushtet suprem në çdo drejtim. Së dyti, Kuvendi është garant i shtetit ligjor. Ky term nënkupton përcjelljen e koncepteve si "ligjshmëria" dhe "qeverisje me anë të ligjeve".
Dëshiroj të sjell në vëmendje të lidershipit opozitar se proceset politike në Shqipëri duhet të orkestrohen sipas një vizioni strategjik dhe rajonal për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Ato kërkojnë një qëndrim dinamik dhe pragmatik të bazuar gjithmonë e më pak në ideologji dhe në zgjidhje nëpërmjet detyrimit apo konfrontimit.
Radikalizimi dhe konfrontimi janë kundërproduktivë, prandaj bashkëpunimi nëpërmjet institucioneve dhe ligjeve të vendit është rruga drejt zgjidhjes për të gjitha problemet që kanë forcat e ndryshme politike në vend.
Dje, në zonën time elektorale, në qytetin e Sarandës drejtuesit opozitarë lokalë dhe deputetë të opozitës u përpoqën të nxjerrin njerëzit në rrugë për të protestuar. Kësisoj, në Urën e Gajdarit u mbledhën rreth 51 vetë. Kjo ishte përgjigjja që i dha elektorati jo vetëm drejtuesve lokalë, por Partisë Socialiste dhe z. Rama se procesi zgjedhor në Sarandë gjatë gjithë fushatës, ditën e zgjedhjeve, si dhe procesi i numërimit u zhvillua sipas standardeve dhe thellësisht transparentë.
Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, ditën e votimit ishin në të gjitha qendrat e numërimit dhe kanë vënë re përgjegjshmërinë e madhe dhe transparencën, që ka shoqëruar procesin e numërimit. Këtë gjë që e kanë dëshmuar dhe vëzhguesit e huaj të pranishëm në të tri qendrat e numërimit të votave. Më lejoni të paraqes një rast: në qendrën e numërimit në Ksamil komisioneri socialit, Maksim Çano, firmosi të gjitha formularët pa asnjë vërejtje dhe në mënyrë demonstrative. Sot ai është i detyruar nga drejtuesit opozitarë të dalë në rrugë dhe të protestojë, por Maksi haron një gjë, se kush e beson?
Tubimi i djeshëm tha se qeveria katër vitet e kaluara dhe sot po punon që Saranda dhe Delvina të ketë një infrastrukturë dhe turizëm modern, bujqësi intensive, zhvillim ekonomik, jetë më të mirë dhe qytetarëve t'u kthejë dinjitetin dhe personalitetin në raport me fqinjët.