Deri tash, dy vjet e disa muaj pas zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit, Kosova është njohur nga 69 shtete, prej gjithësejt 192 sa janë anëtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pra 35,94 për qind e tyre.
Edhe kur të njëjtat shtete këndvështrohen nisur nga përkatësia e tyre në organizime të tjera ndërkombëtare si Këshilli i Sigurimit, Bashkimi Evropian, NATO, OSBE, Konferenca Islamike, Liga Arabe apo G7, interpretimet statistikore që bëjmë, flasin për një vetëkënaqësi, ndoshta edhe të tepëruar. Ky interpretim bazohet në klasifikime klasike mbi të cilat rëndom ndërtohen drejtoritë e organizmave shumëpalëshe pranë ministrive të Jashtme të vendeve të vogla.
Njohjet cilësore janë një garanci për të ardhmen e pakthyeshme të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, për integritetin tokësor të Kosovës, por veçanësitë nëpër të cilat ka kaluar dhe ka ardhur deri këtu Kosova bëjnë që, prapë se prapë, ky vend të mos funksionojë dot normalisht si shtet në terrenin e vet, si dhe të vazhdojë të ketë marrëdhënie të përçudshme me ndërkombëtarët e saj, deri diku edhe me vetë bashkësinë ndërkombëtare.
Mjafton t'ia hedhësh një sy hartës politike botërore për të bërë konstatimet reale të pamjaftueshmërisë së njohjes së deritashme të Kosovës. Përveç Evropës, Amerikës Veriore, deri diku Amerikës Qendrore, hartat e Afrikës, Amerikës Latine, Azisë dhe Oqeanisë janë pothuajse bosh.
Nga ana ime, prandaj, prirem nga një fushëpamje (optikë) tjetër: nga shkalla e ndikimit ose mosndikimit që kanë tek këto organizma, tek një numër vendesh anëtare të këtyre organizmave, Rusia dhe Serbia. Nëse njohja më e sukseshme e Kosovës vjen nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s, Spanja, Rumania, Greqia, Qiproja dhe Sllovakia janë pesë vende njëkohësisht anëtare të të dyja këtyre organizmave perëndimore që nuk e njohin Kosovën, madje disa prej këtyre e kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. I vetmi vend ku shpresohet se ndryshimi i regjimit do ta sillte ndryshimin, në çfarë mase ende nuk e dimë, të qëndrimit ndaj Kosovës është Spanja. Katër vendet e tjera janë tradicionalisht nën ndikimin e fortë të Rusisë dhe janë në një miqësi të ngushtë me Serbinë. Ndërsa Spanja e majtë është nën ndikimin e plotë të të dyjave dhe në miqësi të ngushtë me të dyja.
Një organizëm ndërkombëtar nga më jetëgjatët është ndërkohë Komonuelthi i Kombeve. I formuar nga rreth 50 vende të dalë, pas vitit 1947, nga perandoria britanike, është quajtur më herët Komonuelthi Britanik i Kombeve. Fjala Commonwealth, emri i këtij organizmi, do të thotë "e mira e përbashkët", pra është një bashkim i lirë i vendeve të pavarura, për të mirën e tyre të përbashkët. Hapësira e Komonuelthit të Kombeve shtrihet nga Amerika Veriore në Afrikë, Azi dhe Oqeani e tjerë. Nga kjo hapësirë Kosovën e kanë njohur vendet kryesore themeluese: Britania, Kanadaja, Irlanda (larguar më vonë) Australia, Zelanda e Re. Nga vendet e bashkuara më vonë, Kosovën e kanë njohur Sierra Leone, Malta, Malajzia, Mauriciusi, Nauru, Belize dhe Maldivet. Janë në procesin e njohjes Pakistani, Xhamajka, Bangladeshi dhe Tanzania. Mjerisht, nga këto vende, India dhe Indonezia, respektivisht vendi i dytë më i populluar në botë dhe vendi mysliman më i populluar në botë janë kundër pavarësisë së Kosovës. Në këtë qëndrim nuk mund të mos ketë ndikuar tradita e marrëdhënieve të tyre me Rusinë ose me të dyja. Ky organizëm mblidhet një herë në dy vjet nën kryesimin e Mbretëreshës Britanike, pra e ruan thelbësisht ndikimin britanik. Duke qenë një organizëm i konsoliduar dhe që funksionon në nivele të ndryshme e mbi baza interesash të forta, është e natyrshme që të ngulmohet zgjerimi i njohjes së Kosovës nga vende të tjera anëtare të saj.
Në antitezë me Komonuelthin e Kombeve dhe në përforcim të tezës sime është Komonuelthi i Shteteve të Pavarura, i përbërë nga Rusia dhe 11 ish republika sovjetike. Qendra e administratës është në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë. Funksioni i këtij komonuelthi është bashkërendimi i politikës ekonomike, politikës së jashtme, politikës së mbrojtjes, politikës së emigracionit, mbrojtjes së mjedisit dhe zbatimit të ligjit. Nga këto republika vetëm Taxhikistani është në procesin e njohjes së Kosovës. Përveç Rusisë, si kundërshtarët më të rreptë të pavarësisë së Kosovës përmenden Gjeorgjia dhe Moldavia.
Duhet ta pranojmë faktin se suksesi i njohjes së Kosovës nga vendet e Konferencës Islamike ka qenë i kufizuar, çka ka treguar edhe se ndikimi i këtij organizmi tek anëtarët e vet është gjithashtu i kufizuar. E tillë është gjendja e njohjes edhe nga vendet e Ligës Arabe. Njohjet kanë ardhur vetëm nga krahu i lindor i saj. Asnjë nga vendet arabe të Afrikës Veriore nuk e ka njohur Kosovën dhe nuk ka treguar dëshirë për ta njohur. Fakti që Egjipti e kryeson me forcë këtë linjë, tregon sa ndikim ka tradita e naserizmit, pra e lidhjeve të fuqishme me Moskën dhe Beogradin, në këtë hapësirë. Nuk mund të shpresohet të arrihet ndonjë rezultat nëpërmjet Organizatës së Unitetit Afrikan, ku kanë ndikimin më të madh Libia dhe Afrika e Jugut, edhe ngaqë kjo ka ndikim të dobët brenda radhëve të saj.
Kosovën e kanë njohur tri vendet perëndimore anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit: Amerika, Britania dhe Franca. Është e domosdoshme që linja e njohjeve të thellohet me vendet që kanë lidhje të ngushta tradicionale dhe janë nën ndikimin e këtyre tri vendeve. Pra, edhe diplomacia jonë të përqëndrohet edhe më tej fuqimisht në këtë drejtim.
Një qëndrim më pozitiv i Kinës, mundësisht realizimi i një njohjeje të Kosovës nga ana e saj, do të kishte rëndësi të madhe, jo vetëm pse është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, por edhe ngaqë ndikimi i saj është shumë në rritje, sidomos në zonën e botës ku pothuajse nuk ka njohje të Kosovës. I vetmi vend me ndikim botëror, nga i cili nuk pritet as në të ardhmen ndryshimi thelbësor i qëndrimit, është Rusia. Përkundër dëshirave të mira të shprehura shpesh nga politika dhe diplomacia jonë në Tiranë dhe në Prishtinë, Rusia, edhe pasi të ketë ndërruar mendje Serbia, do të vazhdojë, për kushedi sa kohë, në të sajën.
Rëndësi jetike për Kosovën ka konsolidimi rajonal. Në këtë kontekst ka rëndësi të madhe njohja nga fqinjët e drejtpërdrejtë. Këtu duhet dalluar njohja nga Maqedonia, përcaktimi i kufijve tokësorë dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, si një nga sukseset më të mëdha të konsolidimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Plotësimi i këtij procesi dhe me Malin e Zi, i cili e ka njohur Kosovën, do të ishte një sukses vendimtar në këtë drejtim. Kjo do t'i lehtësonte edhe marrëdhëniet e Kosovës dhe të shqiptarëve me Serbinë dhe serbët. Nga ana tjetër, integrimet e Kosovës me Shqipërinë, hapësirat shqiptare dhe me fqinjësinë konstruktive të Kosovës e të shqiptarëve do të merrte rëndësi jo vetëm për konsolidimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës por për të gjitha proceset integruese rajonale, perëndimore dhe globale.
Pa asnjë dyshim, gjithçka që shkon brenda ose jashtë linjës së njohjes së Kosovës, që është në favor apo kundër saj, vetëm sa e përforcon rregullin se vërtet koha punon për Kosovën dhe shqiptarët, Shekulli XXI është i Kosovës dhe i shqiptarëve në përgjithësi. Kjo na i jep ne të gjitha arsyet që të punojmë për kohën, pra për vetveten. Duke zotuar guxim dhe vizion brenda dhe jashtë skemave.