Titulli i këtij shkrimi është huazuar nga reklama e kthyer me kokë poshtë e aktorit të njohur amerikan George Clooney: "No Martini, no Party" - "S'ka Martini, s'ka Festë", ndryshe nga sa them unë se kur "S'ka opozitë, qeveria ka festë."
PD e Kosovës e kryesuar nga Hashim Thaçi duket se ishte mikluar nga fati. Edhe ngaqë është qeveria e parë e Kosovës me pavarësi të zyrtarizuar.
Fati i ka paraprirë që në zgjedhjet e 2007 kur do të hynte në garë për pushtet, PDK-së do t'i duhej të ndeshej me mullinjtë e erës, ose me kundërshtarë imagjinarë, pasi kundërshtarët e vërtetë syresh nuk i kishte. Rugova kishte vdekur dy vjet më parë, Haradinaj ndodhej ende në Hagë, LDK-ja postRugova, më 2007 ishte ndarë e përçarë duke vuajtur krizën më të thellë të identitetit, e gatëshme për të bërë harakiri gjysmën e elektoratit për interesat e një grushti njerëzish, ndërsa Behxhet Pacolli me pragmatizmin e tij apo Nexhat Daci egocentrist nuk përbënin problem për askënd.
Sot më 2010, skema e 2007 ka ndryshuar pak apo aspak. Haradinaj ka dalë i pafajshëm nga Haga, ka fituar legjitimitetin si lider, por nuk është as deputet i Parlamentit të Kosovës; Pacolli për t'iu larguar lemontisë të Parlamentit, i është përkushtuar me të drejtë diplomacisë individuale për njohje të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Daci i ka pozitat shumë më të dobëta se në vitin 2007. Opozita aktualisht është pa lider dhe në krizë të përfaqësimit.
Teoricienë në partitë e opozitës, që kanë nostalgji për kohën kur ishin editorialistë, japin leksione në letër se si duhet të funksionojë demokracia e shtetit të ri të Kosovës, kur së pari duhet t'i japin leksione vetes, për të mësuar se si funksionon opozita në një demokraci.
Dhe kur s'ka opozitë, qeveria e Hashim Thaçit do të vazhdojë të bëjë festë, e mikluar me hosanatë e rrethit të vet vicioz, të cilat e mbrojnë qeverinë me dalldisje, fanatizëm dhe kërcëllima nga çdo pickim mize.
Ndërkohë, aleatët jetikë të Kosovës e të kombit shqiptar kanë vënë alarmin, duke bërë thirrje se është koha që të luftohet korrupsioni, i cili po e ha Kosovën. Kështu u shpreh më së fundmi Ambasadori Amerikan në Kosovë Christopher Dell. Hosanistët e qeverisë me këtë rast nuk mund të thonë se Z.Dell apo qeveria Amerikane e ka gabim, pasi në këtë rast janë hosanistët ata që gabojnë.
Opozita ndërkohë i përdor deklarimet e ndërkombëtarëve për qëllime politike, por jo se e ka seriozisht për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni luftohet konkretisht, jo duke fërkuar barkun kur ndonjë zyrtar i qeverisë është nën hetim nga EULEX-i, por duke e monitoruar qeverisjen.
Le të kujtojmë me këtë rast kohën kur Thaçi ishte në opozitë, dhe PD kishte ngritur një qeveri hije, e cila nuk linte rast pa akuzuar qeverisjen e asaj kohe, duke përgatitur dosje e më the të thashë, ndryshe nga çfarë bën opozita sot, e cila dhjamet në rahatinë e të mos bërit opozitë. Dhe me këtë rast do ta përdorja edhe një herë atë sentencën me kokë të përmbysur të George Clooney-it: "S'ka Martini, s'ka Festë", me kur "S'ka opozitë, qeveria ka festë".
Dhe miklimi i qeverisë Thaçi nga fati vazhdon, problemi është se si qeveria Thaçi deri në zgjedhjet e ardhme ta kthejë këtë fat edhe në fatmirësi për Kosovën.