Ballkani Perëndimor, i rrethuar me vendet e Bashkimit Evropian dhe me ato të NATO-s, që janë në rritje, paraqet një vrimë të madhe shqetësuese në mes të Evropës. Tash kemi një mundësi për ta plotësuar atë.
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, javën e kaluar, erdhi si një shok. Pothuajse çdokush, përfshirë edhe serbët, që kishin kërkuar mendimin e Gjykatës, vlerësuan se ai do të ishte dykuptimësh. Por, vendimi nuk ishte i këtillë.
Deklarata e Pavarësisë ishte legjitime, tha Gjykata, e cila nuk është marrë me çështjen më të gjerë lidhur me të drejtën e Kosovës për ndarje, pasi nuk ishte pyetur për këtë çështje.
Në vigjilje të vendimit të Gjykatës, plani i Serbisë ka qenë që të kërkojë bisedime të reja për statusin e Kosovës. Kjo do t'i kundërshtonte 22 shtete të Bashkimit Evropian, që e kanë njohur Kosovën.
Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, kishte bërë thirrje për Serbinë dhe për liderët shqiptarë të Kosovës, duke u thënë se BE-ja ishte "gati për lehtësimin e procesit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit".
Zonja Eshton është potencialisht e penguar për shkak se pesë vende të BE-së refuzojnë ta njohin Kosovën. Por, kjo nuk e parandalon atë nga shtypja e pullës, tash për veten e saj dhe për Evropën.
Krahasuar me zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme dhe në Afganistan, Ballkani Perëndimor është i lehtë. Secili vend në rajon e ka qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe të gjithë e kuptojnë se duhet bërë edhe më tepër për realizimin e një synimi të tillë.
Me përjashtim të Kroacisë, që mund të pranohet në BE deri në vitin 2012, vendet e tjera të Ballkanit: Serbia, Maqedonia, Kosova, Bosnja, Mali i Zi dhe Shqipëria, me gjasë nuk do të jenë të përgatitura para vitit 2020.
Pra, ato vende që tash e kundërshtojnë zgjerimin, e para së gjithash Gjermania, duhet të binden përsëri. Zgjerimi nuk është për nesër, por mbajtja e shteteve ballkanike për të lëvizur përpara është jetike.
Kjo është me rëndësi, pasi BE-ja është premtuese e stabilitetit dhe e sundimit të ligjit për rajonin, të cilit i duhen që të dyjat dhe pa të cilat do të rrezatohet jostabiliteti dhe krimi i organizuar.
Pra, shtrohet pyetja çka të bëhet tash? Zonja Eshton duhet t'i japë energji procesit, që ka stagnuar në muajt e fundit.
Kur është fjala për Kosovën, Evropa mund t'i lëvizë gjërat përpara, veçanërisht në partneritet me Shtetet e Bashkuara. Neve nuk na duhet tash zgjidhja finale, por na duhen kompromise dhe konstruktivitet dykuptimësh nga të dyja palët.
Evropa ka qenë dhe do të jetë plot me mospajtime në kuptimin e territoreve dhe sovranitetit. Por, kur ekziston vullneti, gjendet mënyra.
Në këtë aspekt, Serbia duhet të lëvizë përpara në statusin e kandidatit, sa më parë që të jetë e mundur, ashtu sikur edhe Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja. Maqedonia duhet ta marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. (http://www.evropaelire.org)