VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - LERENI KOSOVËN SHËNDOSH, NËSE E DONI SHËNDOSH BALLKANIN, EVROPËN...Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Premte, 10.11.2024, 01:06am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

LERENI KOSOVËN SHËNDOSH, NËSE E DONI SHËNDOSH BALLKANIN, EVROPËN...

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


E Djelë, 08.29.2010, 05:31pm (GMT+1)

Grupi Ndërkombëtar i Krizave sapo ka lëshuar tri propozime për Kosovën: thellimin e Planit të Ahtisarit, autonominë e zgjeruar për veriun e Kosovës, shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Për më keq, GNK ka kërkuar që bisedimet për këto alternativa të fillojnë pa humbur kohë, meqë Kosova dhe Serbia së shpejti hyjnë në periudha zgjedhore, kur nuk do të kenë mundësi praktike të merren me bisedime.

Edhe për këtë arsyen e fundit, të freskët, edhe për disa arsye të tjera, secila kronike e më kronike se të tjerat, deri në një largësi shumëshekullore e deri në një hapësirë tejet-tejet më e shumëfishtë se Kosova e Serbia marrë së bashku, tri propozimet janë jashtëzakonisht të pakoha. Pavarësisht sa i ka pjekur GNK-ja këto tri propozime në Prishtinë, në kryeqytetet e tjera ballkanike apo gjetkë (tjetërkund). Pavarësisht se më kë i ka pjekur e si i ka pjekur GNK-ja këto tri propozime.

Unë nuk do të hyj në evoluimin (ecurinë) e mendimeve të këtij institucioni ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës prej kur kjo është bërë temë e mprehtë për zgjidhje, nuk do të hyj në inkosekuencat, në mungesën e kohezionit, në kundërthëniet që e kanë shoqëruar atë ndaj Kosovës, sepse kjo iu takon ta bëjnë institucioneve përkatëse studimore shqiptare të politikës dhe të diplomacisë. Iu takon ta bëjnë sa më thukët dhe sa më imët e sa më pa kompromis.

Tri propozimet vijnë në një kohë të pakohë, sepse tema urgjente sot është njohja e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Për asnjëfarë çmimi, asnjë vend sadopak i përgjegjshëm, asnjë klasë politike, asnjë përfaqësim shtetëror nuk mund të hynte në bisedime me dikë tjetër, sidomos nuk do të hynte në bisedime me ish pushtuesin dhe me kërcënuesin për pushtim pa e kristalizuar njohjen ndërkombëtare të shtetit të vet.

Kosova zyrtarisht nuk ndodhet në një periudhë armëpushimi me Serbinë. Vendet fqinje zyrtarisht nuk janë më palë ndërluftuese prej mesit të qershorit 1999. Prej atëherë Kosova është një vend i çliruar dhe prej 17 shkurtit 2008 është një vend me pavarësi të zyrtarizuar, me një njohje thelbësore të pavarësisë dhe sovranitetit të saj. Pra, Kosova është një vend fqinj i Serbisë. Nëse Serbia nuk ka ngutje për njohjen e Kosovës, atëherë Kosova nuk ka pse të ketë ngutje për ta blerë këtë njohje, nuk ka ngutje për ta përfituar me mjete komprometuese e të rrezikshme. Kosova do ta fitojë njohjen e saj ndërkombëtare patjetër. Do të jetë Serbia ajo që do të lodhet e para në garën kundër Kosovës.

GNK propozon thellimin e Planit të Ahtisarit. Dihet se Plani i Ahtisarit është kompromisi më ekstrem që ka Kosova ka bërë për ta pasur mirëkuptimin e mjaftueshëm ndërkombëtar për pavarësinë e saj. Çdo bisedim i ri i këtij plani do të çonte në braktisjen e tij. Kosova në këto dy vjet e sa të zyrtarizimit të pavarësisë ka punuar shumë për zbatimin e Planit të Ahtisarit. Një thellim i Planit të Ahtisarit do të çonte në ekstraterritorializim masiv të sipërfaqeve të brendshme të hapësirës së shtetit të Kosovës. Në rrafshin konkret praktik një veprimi të tillë nuk do t'i mbetej më asnjë erë diplomacie, vetëm do të kutërbonte duhmë mizorie.

GNK propozon autonomi të zgjeruar të veriut të Kosovës. Autonomi e zgjeruar e veriut të Kosovës do të thotë aneksim i kësaj pjese të vendit nga Serbia. Kjo do të thoshte aneksim saktësisht i një të tretës së vendit nga Serbia. Kështu përgjegjësitë e Kosovës ndaj hapësire do të ishin të mëdha, sepse për çdo plesht që do ta pickonte cilindo në këtë pjesë të vendit, do të mblidhej Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Kështu kompetencat e Kosovës në veriun me autonomi të zgjeruar do të ishin zero. Pra, do të kishim të bënim me një aneksim të çoroditur, më të keq se çdo aneksim klasik.

GNK propozon shkëmbim territoresh. Të harrohet njëherë e përgjithmonë se mund të ketë shkëmbim territoresh pa shkëmbim popullsish. Kështu tregon historia e rajonit deri edhe në rastin më të vonë, atë të Bosnjës, i cili u bë me luftën aq famëkeqe të viteve 1990. Edhe nëse shkëmbimi i popullsie nuk do të bëhej në kuadrin e një marrëveshjeje të shkruar, kjo do t'i përkasë aneksit të pashkruar të marrëveshjes.

Shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte shkëmbim territoresh shqiptare. Kështu do të kishim një precedent i cili nuk ka ndodhur tjetërkund. Dhe do të ishte kështu një tjetër padrejtësi ekstreme ndaj trojeve shqiptare, e filluar me Kongresin e Berlinit të vitit 1878, kur çështja shqiptare ishte më e panjohur se kurrë dhe më pak e përfaqësuar se kurrë. Në një kohë kur iluminizmi kombëtar ende nuk ishte mëkëmbur.

Kjo do të hapte një lojë e cila do të vazhdonte edhe përtej shteteve ballkanike të cilat kanë gëlltitur hapësira shqiptare gjatë dy shekujve të kaluar. Do të përtëriheshin kundërthëniet që çuan në Luftërat Ballkanike, të cilat i nxiste më së shumti Rusia. Të cilave ua pa "hajrin" Evropa dhe Bota.

GNK thotë se këtë propozim e ka pjekur pasi e ka shoshitur edhe me eksponentë në Kosovë, të cilët nuk e kanë parë të pamundur shkëmbimin e territoreve si monedhë me të cilën Kosova do të merrte njohjen nga Serbia. Pranimi, qoftë edhe teorik, i shkëmbimit të territoreve, do të ishte më së paku një miopi nga më të pafalshmet për çdo eksponent shqiptar. Dy vende pa asnjë reciprocitet mes tyre nuk mund të lëvizin as një milimetër tokë as këndej, as andej. Vetëm pas një njohjeje reciproke, pas një inventari reciprok të cilin do ta hidhnin mbi tavolinë, mund të kishte bisedime midis dy vendeve fqinje për fatin e marrëdhënieve të tyre të mëtejshme.

Ata eksponentë në Prishtinë që ia kanë tumirur propozimin e tretë GNK-së kanë qenë patjetër tipa sherrbudallësh. Shkalla e ndërlikueshmërisë së tij do të kërkonte një kontekst kohor shumë e shumë më të gjerë se një kontekst parazgjedhor. Kjo praktikë dhe jo njohja zyrtare e pavarësisë së Kosovës do ta krijonte precedentin e vërtetë ndaj të gjitha vendeve me lëvizje të brendshme separatiste ngaqë nuk ua kanë kënaqur mjaftueshëm interesat popullsive të tyre të mëdha pakicë, në mes tyre edhe Spanja, Rumania, Sllovakia e tjerë. Nëse nuk do të lihej shëndosh Kosova, pra vetvetiu atypëratyshëm nuk do të lihej shëndosh as Ballkani, Evropa... Sepse, të ndryshohet harta e Kosovës, do të thotë që bashkësia ndërkombëtare të jetë gati ta ndryshojë më së paku fort ndjeshëm hartën e Ballkanit dhe të Evropës. Dhe nga kjo ribërje e hartave, shqiptarëve, objekt i padrejtësive më të mëdha në gadishull e kontinent, nuk do t'iu falej ta humbnin shansin historik për ndreqjen e padrejtësive dyshekullore.

Pa dyshim, tri propozimet ia hapin oreksin Serbisë atëherë kur është më e dëmshme se kurrë. Në Kombet e Bashkuara Serbia ka dërguar një rezolutë kundër verdiktit historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë absolute të pavarësisë së Kosovës. GNK-ja, medet për të, i bie ndesh katërcipërisht, me dy sytë në ballë, GJND-së.

Presidenti i Serbisë ka ofruar tash ekstraterritorializimin e objekteve fetare ortodokse të Kosovës dhe autonominë e serbëve të Kosovës e tjerë, si monedhë për njohjen e Kosovës nga Serbia. Pra, Serbia nuk do të kënaqej me asnjërin prej tri propozimeve të GNK-së. Dhe rezultati i bisedimeve midis dy vendeve fqinjeve, i synuar nga Beogradi, do të ishte një ndërthurje e tri propozimeve, absolutisht në favor të Serbisë. Bisedimeve të tilla nuk do t'iu mjaftonte një kontekst kohor parazgjedhor për t'u mbajtur. Madje as për t'u filluar.

Ajo shumicë politike shqiptare e cila do të pranonte të ulej në tryezë me Serbinë mbi bazën e propozimeve si ato të GNK-së, sado të kamufluara të ishin ato, nën çfarëdo cipe, membrane, amballazhi, do të përfundonte me përafërsisht zero elektorat.

Propozimi i vetëm i sotëm ndaj Kosovës është të tregojë kujdes gjatë zbatimit të Planit të Ahtisarit. Kur hapej për herë të parë tema e decentralizimit të Kosovës - këtë e bënte Këshilli i Evropës, një organizëm dihet me çfarë sjelljeje ndaj Kosovës - jam shprehur se kjo përbën një temë delikate për Kosovën. Çdo decentralizim shoqërohet me fuqizim të pushtetit qendror. Një Kosovë e decentralizuar alla Ahtisari do të duhej patjetër të ishte një Kosovë republikë presidenciale. As vende të fuqishme nuk i qasen dot një decentralizimi të tillë pa e ndërthurur atë me presidencializëm të pastër.

Kjo do të ishte porosia e ditës, ndonëse me jehonë afatgjatë, për Kosovën. Duke pasur një njohje thelbësore ndërkombëtare, Kosova e ka të domosodshme ta forcojë këtë aspekt dhe paralel ta shtojë gradualisht e me durim e pa ndonjë ngutje të madhe numrin e njohjeve. Kosova, qenia shqiptare në përgjithësi, nuk ka pse të pranojë tkurrje, rrudhje të mëtejshme. Vitaliteti ynë pajtohet vetëm me bymime dhe rritje. Ligjet natyrore, thënë kështu më së thjeshti, janë ato që bëjnë llogarinë vendimtare.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TE JESH DISHEPULL I NËNË TEREZËS, DO TË THOTË TË JESH DISHEPULL I DASHURISËNga ELIDA BUÇPAPAJ (08.27.2010)
IKONA KATOLIKE E BAMIRËSISË NËNË TEREZA DHE POLARIZIMI MBI VEPRËN E SAJIntervistë me Dr. GËZIM ALPION autor i librit "Mother Teresa - Saint or Celebrity" (08.26.2010)
E PËRSE KAQ VONË ?Nga ELIDA BUÇPAPAJ (08.25.2010)
PA ZBARDHJEN E HISTORISË DISIDENCA SHQIPTARE NUK DO TA FITOJË QYTETARINËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (08.24.2010)
GRATË MARRIN NË DORË FUQINË BËRTHAMORENga MARY BETH SHERIDAN, Washington Post (08.23.2010)
SURPRIZË, SURPRIZË, SURPRIZËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (08.22.2010)
E PARA VJEN KOSOVANga ELIDA BUÇPAPAJ (08.22.2010)
KOSOVA NË MESIN E KOMBEVE TË LIRANga HASHIM THAÇI, shkrim autorial i Kryeministrit të Republikës së Kosovës botuar në "EUObserver" (08.19.2010)
EDHE DIELLI NA BEFASONNga LAWRENCE E. JOSEPH, New York Times (08.19.2010)
ISLAMI NË DY AMERIKATNga ROSS DOUTHAT, New York Times (08.16.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]