KROACI, GARA PRESIDENCIALE - JOSIPOVIQ DHE GRABAR-KITAROVIQ NË RRETHIN E DYTË
E Hënë, 12.29.2014, 10:08am (GMT+1)
Ivo Josipoviq dhe Kolinda Grabar-Kitaroviq
Presidenti aktual i Kroacisë, Ivo Josipoviq, dhe rivalja e tij, Kolinda Grabar-Kitaroviq, do të garojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 11 janar, në periudhën kur Kroacia po ballafaqohet me krizë të thellë ekonomike.
Pasi afro 95% të vendvotimeve i kanë raportuar rezultatet, Komisioni zgjedhor i Kroacisë tha se Josipoviq ka fituar 38.56%, ndërsa Grabar-Kitaroviq i mori 37.08% të votave në zgjedhjet e djeshme presidenciale.
Megjithë motin e keq dhe me borë, që ka mbretëruar në pjesën më të madhe të Kroacisë, dalja në votime ishte 47.11%.
Zoti Josipoviq, 57 vjeçar, ish-profesor i drejtësisë, është presidenti i tretë i Kroacisë, prej se ajo u bë e pavarur në vitin 1991. Ai është anëtar i Partisë Social Demokrate, që është partneri kryesor në koalicionin qeverisës.
Ai mbrëmë vonë në Zagreb u tha mbështetësve se "ne e fituam rundin e parë dhe do ta fitojmë edhe të dytin".
Kolinda Grabar-Kitaroviq, 46 vjeçare, që është përfaqësuese e pjesës së moderuar të partisë HDZ në opozitë, tha se votuesit kanë treguar se dëshriojnë "ndryshim". Ajo ishte ministre e jashtme dhe për çështjet evropiane.