Duke lexuar një
kronikë nga promovimi i librit të Prof. Servet Pëllumbit, "Përmbysja e
komunizmit", më tërhoqi vëmendjen fjala e Henri Çilit ku ai hedh disa teza, pak konfuze, por mbi të gjitha
të pasakta, madje tepër të gabuara. Sikur nuk më besohej se si mund të dilnin
pohime të tillë nga goja apo dhe pena e tij, me që ka shkruar dhe parathënien e
librit. ( Me librin nuk po merrem se as nuk e kam lexuar dhe as nuk ishte ky
qëllimi i këtyre rreshtave). Aq përshtypje më bënë pohimet e tij, sa e lexova
disa herë kronikën e mësipërme dhe kur u binda se ç'kish dashur të thoshte,
vendosa të jap mendimin tim. Për të qënë sa më i saktë, po i riprodhoj më
poshtë pohimet e tij, sipas kronikës së botuar në disa gazeta:
"Përmbysja e komunizmit është një nga
momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë
europiane të Europës Lindore. Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është
një nga ngjarjet që na lidh me Europën. Pak a shumë, përmbysja e komunizmit në
Shqipëri ishte mbi të gjitha, dhe kjo është teza themelore e profesor Pëllumbit,
derivat i zhvillimeve në Europën Qendrore, Lindore dhe në ish- Bashkimin
Sovjetik. Në të vërtetë zhvillimet në Shqipëri janë një derivat i kulturës ndërkombëtare
dhe jo më kot kështu ka qenë shumë herë dhe vërtetohet dhe këtë radhë, se nuk
mund të ketë zhvillime shqiptare jashtë një konteksti të madh të zhvillimit të
perandorive apo gjeopolitikës së madhe. Nuk mund të kishte zhvillime të hapësirës
së trojeve shqiptare jashtë kontekstit të Perandorisë Otomane, nuk mund të
kishte të themi zhvillime të Shqipërisë apo versione të përmbysjes më para të
komunizmit sepse nuk mund të flitej për sukses të diversantëve apo të sabotimit
të komunizmit në Shqipëri jashtë Paktit të Jaltës, e kështu me radhë. Kjo i jep
fund një herë e mirë sindromit tonë për të qenë një "rast i veçantë" apo një "˜rast
sui-generis".
Siç shihet, në këto pak rreshta ai hedh
disa ide. Së pari, është e vërtetë se përmbysja e komunizmit apo më saktë,
dikaturës tek ne,(se ai nuk qe komunizëm, siç e pohon dhe profesori në librin e
vet), ishte "një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e
inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore.". Por më poshtë ai
bën një kapërcim pindarik që s'ka si të mos të të habisë: "Eshtë një nga
ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën.".
Të thuash se përmbysja e komunizmit na bën europianë më duket jo vetëm e
pasaktë, por tepër e gabuar. Ne gjeografikisht kemi qënë europianë, që në
zanafillën tonë, por sot ky status "europian" shihet pak më ndryshe, si antar i
BE-së etj. apo dhe më gjerë: që t'i përgjigjesh standarteve europiane në
ekonomi, infrastrukturë, institucione, politikë, kulturë, nivel jetese,
sjellje,etj.etj.. Siç dihet dhe pohoet nga të gjithë ne apo dhe nga të huajt që
na njohin, ne jemi aq larg këtyre standarteve europiane. Zhvillimet e këtyre 25
vjetëve të fundit kanë treguar bindshëm se do të na duhet dhe shumë kohë që të
europianizohemi, por kjo është një temë tjetër që del jashtë asaj që duam të
trajtojmë këtu.
Është po ashtu e vërtetë se zhvillimet
në Shqipëri janë derivat i zhvillimeve
ndërkombëtare, por kjo nuk e përjashton specifikën e zhvillimeve tek ne. Le ta
nisim me perandorinë otomane, që e përmend kalimthi edhe autori i parathënies.
Mos vallë rastësisht ne ishim të fundit që fituam pavarësinë e u shkëputëm nga
ajo perandori, ndonëse kishim ndihmuar Greqinë e ndonjë shtet tjetër për t'u
shkëputur prej saj? Mos vallë qe rastësi që shqiptarët kishin marrë gjithë ato
poste të larta në hierarkinë shtetërore të asaj perandorije apo që jeniçerët,
trupat më besnike të Sulltanit, në pjesën më të madhe, ishin shqiptarë?
Për të mos u zgjatur, vijmë në shekullin
e njëzetë, zhvillimet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku ndalet dhe zoti
Çili. Përsëri ne kemi qënë të veçantë. Për
fatin tragjik tonin, në krye të PK Shqiptare e më pas dhe të Frontit Nacional Çlirimtar,
doli Enver Hoxha që kishte si qëllim parësor marrjen e pushetit dhe jo çlirimin
e vendit e më pas vendosjen e një shteti demokratik, në shërbim të popullit. Ai
u tregua krejt ndryshe nga udhëheqësiit e tjerë. Mjafton të lexoni "Diktatorët
e Ballkanit", të B.Fisherit. Si i zbatonte direktivat e Internacionales "Enveri
ynë" dhe Titoja? Ky i fundit shihte thjesht interesat e popujve të Jugosllavisë
dhe nuk e çante shumë kokën për direktivat që i vinin nga lart. Këtë pozicion
ai e ndoqi edhe pas Luftës, deri sa u shkëput e iu kundërvu Kominternit e
Stalinit. Po "Enveri ynë"? Ai u tregua më Stalin se vetë Stalini në vendosjen e
diktaturës, një nga më të egrat e kampit socialist apo dhe më gjerë. Mjafton të
kujtoni kolektivizmin që e bëri me ritme aq të shpejta e me dhunë, sa që e
kritikoi edhe vetë Stalini në bisedat që pati me të. (Lexoni librin "Me
Stalinin").
Sa për çështjen e diversantëve, që z. Çili
e lëshon si pa të keq, problemi nuk është aq i thjeshtë. Nuk është vendi këtu
ta shtjellojmë hollësisht këtë temë, por fakt ishte se SHBA dhe Perëndimi
kishin vendosur që të eksperimentonin përmbysjen me dhunë të sistemeve
komuniste dhe ia filluan me Shqipërinë. Këtu hyn sabotimi që i bëri kësaj
ndërhyrjeje i shumëpërfoluri Kim Filbi, por dhe kjo është një histori më vete. Ne e kishim fjalën se dhe në këtë
fakt ne patëm një zhvillim të veçantë, paçka se pa sukses, gjë që iu kushtoi
jetën tërë atyre djemve të rinj, nga të dy palët, që me apo pa vetëdije, e
dhanë jetën duke menduar se po luftonin për të mirën e atdheut e të popullit.
Shkojmë më tej. Gjithë zhvillimet tek
ne gjatë Diktaturës, kanë vulën e tyre të veçantë, krejt ndryshe nga të tjerët.
Mjafton të përmendim vetëm një fakt, ndalimin e Fesë? Ose, cili shtet tjetër ka
kaluar nga pro-jugosllav në pro-sovjetik e më pas pro-kinez, përveçse ne?! Po
varfëria jonë biblike, me kë mund të krahasohet? A mund të përfytyrohet një
vend tjetër me dyqanet krejtësisht bosh, si tek ne? Për të mos u zgjatur , po tregoj vetëm një
detal të përjetuar nga unë personalisht.
Sapo m'u dha mundësia, pas '90-ës, bëra
një vizitë tek një miku im në Çekosllovaki, me që s'kisha dalë asnjëherë e të "mos
vdisja pa parë qoftë edhe një herë botën me sy". Po ç'të them për atë vizitë?
Tregjet çeke qenë plot. Po ku kishte pika krahasimi me varfërinë tonë?
Së fundi, edhe me zhvillimet
post-diktatoriale, ne jemi shumë larg të tjerëve, në çdo aspekt. Kjo falë klasës
tonë politike që nuk ndryshoi shumë nga ajo e mëparshmja, duke iu përshatur
kushteve të reja të pluralizmit.(jo demokracisë, se jemi akoma tepër larg
asaj).
Përfundimisht, ne as kemi qënë dhe as jemi si gjithë të tjerët, por "sui
generis", dhe as që e vlen të zgjatemi më tej. Kjo nuk është një sindromë e
tejkaluar, siç thotë z. Çili, por një realitet.
Gjithë sa më sipër, nuk është thjesht një kënaqje
kurioziteti, por një çështje shumë e rëndësishme: pa diagnoza të sakta, nuk
shërohet i sëmuri. Dhe ne, po nuk u vetëdijësuam se ku jemi e qysh jemi, as që
kemi për të bitisur gjë, ashtu si edhe deri tani.