Londër, 9 mars - Aktorët e famshëm janë mësuar të trajtohen
si hyjni, por Juliet Stevenson ishte e papërgatitur për lajkat që i mori
në një lagje të varfër të Indisë.
Kur veshi kostumin për të
luajtur rolin e Nënës Terezë të Kalkutës, vendasit ranë në tokë dhe me
sa duket murgeshën katolike e shihnin si një shenjtore, e cila u
ringjall për t'u ndihmuar të varfërve.
"Po xhiroja në sarin e famshëm të bardhë dhe me vija të kaltra", ka
thënë Stevenson për "Observer". "Njerëzit afroheshin, përkuleshin dhe
preknin sarin...në Indi ajo ende nderohet. Ajo mori me mijëra njerëz nga
rruga dhe u kujdes për ta", ka shtuar ajo.
Stevenson është në krye të kastës së filmit të ardhshëm për Nënën
Terezë, që titullohet "The Letters". Fillimisht, ish-aktorja e "Royal
Shakespeare Company", e cila pati një performancë solo edhe në "Happy
Days" të Samuel Becket, ka pranuar një mori komentesh rreth pranimit të
këtij roli.
Nëna Terezë, e cila vdiq në vitin 1997, në moshën 87-vjeçare, është
bërë një prej figurave fetare më me ndikim të shekullit XX, megjithëse e
diskutueshme për disa. Nëna Terezë, me etni shqiptare, krijoi një rend
në lagjet e të varfërve të Kalkutës që u dedikohej të paaftëve dhe atyre
që janë duke vdekur "të gjithë ata që ndihen të padëshiruar, të
padashur, të lënë pas dore", kishte thënë ajo dikur. Papa Pali VI e
përshkroi atë si një "lajmëtare të patrembur të dashurisë së Krishtit"
dhe ajo u nderua me çmimin "Nobel" për Paqe.
"Kisha shumë dyshime, sepse unë nuk i përshtatem asaj. Unë jam 176
centimetra dhe goxha një fizik të fortë. Në asnjë mënyrë nuk jam
miniaturë e saj. Nuk i përkas ndonjë besimi fetar dhe ajo besonte
fuqishëm në Zot. Edhe mendimet për të drejtat e grave, kontrollin e
lindjes dhe aborti, na dallojnë...Por ishte një sfidë e mrekullueshme",
ka thënë Stevenson.
Ajo shikoi dhe dëgjoi pafund incizimet e Nënës Terezë, për të perfeksionuar theksin dhe sjelljet e saj.
"Ajo ishte e pastër, jetonte një jetë të dëlirë dhe hante shumë pak.
Nga kjo njeriu pret që ajo të mos jetë e fortë. Në fakt ishte e
kundërta. Kishte duar të mëdha dhe trup të imët dhe gjithmonë u
ndihmonte njerëzve", ka thënë Stevenson, e cila ka luajtur në filma të
cilët kanë marrë kritika të shumta, siç është "Truly, Madly, Deeply" të
Anthony Minghella dhe po ashtu edhe në dramën televizive "The Village"
të nominuar për "Bafta".
Hulumtimi është një prej zanateve të Stevenson. Për performancën e
saj në rolin e një aristokrate në "The Village", ajo lexoi gjatë tërë
kohës dhe dëgjoi incizime historike për figura klasike siç është
Virginia Woolf, me qëllim që të kuptojë se theksi i tyre ishte shumë
ekstrem për audiencën moderne.
"Nuk mund të jesh plotësisht historikisht i saktë nëse ajo që bën është shumë e çuditshme për audiencën", ka thënë Stevenson.
"Ndonjëherë frustrohem kur shoh aktorët të cilët nuk kanë bërë asnjë
përpjekje që të krijojnë një udhëtim imagjinar në atë periudhë dhe
flasin sikur sapo kanë dalë nga një klub i Londrës. Është bindëse kur
sheh një aktor i cili përdor imagjinatën, siç është Mark Rylance në
"ËœWolf Hall'", ka shtuar ajo.
Sipas regjisorit William Riead, ideja për të realizuar një film për
Nënën Terezë, u intensifikua që nga koha kur ajo u lumturua nga Papa
Gjon Pali II në vitin 2003, i cili po ashtu dha bekimin që të realizohet
ky film. Teksa kanë kaluar vite që kur ai e nisi këtë projekt, ai
planifikon që filmin ta lansojë brenda këtij viti dhe shpreson që kjo të
përkojë me shenjtërimin e saj.
Riead është inspiruar nga filmi fitues i çmimit "Oscar", "Gandhi" të
regjisorit Richard Attenborough, ku aktori Ben Kingsley solli në jetë
liderin indian. "Juliet ka sjellë në jetë Nënën Terezë. Prandaj njerëzit
e Indisë...silleshin me të në atë mënyrë".
Filmi pjesërisht flet për letrat sekrete të Nënës Terezë, të
publikuara në vitin 2007, ku shpalosen krizat e saj me besimin dhe me
ndjenjën se Krishti e ka braktisur. Larg nga dëmtimi i reputacionit të
saj, letrat janë "një argument për shenjtërimin e saj".
"Ajo ka bartur ndjenja personale. Ajo mbajti gjallë besimin e saj dhe vazhdoi punën në emër të Zotit", ka thënë Stevenson.kd