I kam ndjekur paprerë mediat e huaja nga e premtja e përditë për të parë mënyrën dhe masën e pasqyrimit të ngjarjes së asaj dite dhe të situatës së krijuar prej saj në Shqipëri.
Kush kishte projektuar që kjo ngjarje të kishte jehonë të madhe të menjëhershme mediatike, ka mbetur domosdo me shije të baltimtë në fyt. Të gjitha mediat e huaja janë shërbyer thjesht e vetëm me pamjet, filmimet, raportimet e korrespondentëve të disa agjencive ndërkombëtare të lajmeve të vendosura në Tiranë.
Një pasqyrim i tillë, pa dyshim, është në shpërpjesëtim të jashtëzakonshëm me investimin e bërë prej organizatorëve, në shpërpjesëtim të jashtëzakonshëm me përllogaritjet e organizatorëve.
Megjithëse mediat e huaja e kanë përqasuar menjëherë 21 janarin 2011 me 1997-ën, absolutisht atyre iu kanë munguar argumentet për të shikuar mundësinë e çfarëdo transplantimi të tij katërmbëdhjetë vjet më vonë në Shqipëri.
Radari i mediave të huaja pothuajse e ka shpërfillur 21 janarin si një hije të kufizuar dhe të lokalizuar. Ndonëse tejet i rëndë, tejet tronditës për mjedisin e Shqipërisë dhe për mjedisin shqiptar në tërësi, ky 21 janar ka mbetur pothuaj tërësisht në grazhdin e vogël të mediave të panumërta shqiptare dhe në mënynë aq të diskutueshme të anëtarëve të kombit tonë.
Këtë thuajse mungesë të vëmendjes së mediave të huaja disa mund ta lidhin me periudhën aktualisht të rëndë në mbarë botën për shkak të krizës ekonomike globale, për shkak të rendit të deritanishëm botëror në shthurje e sipër, për shkak të disa luftërave të mëdha e të vogla në vazhdim, për shkak të spektakolarizimit të madh të realitetit jashtëshqiptar në përgjithësi, por sidomos të atij të metropoleve të mëdha perëndimore e botërore, për shkak të arsyeve dhe shkaqeve të tjera të panumërta dhe të pafundme.
E vërteta është se radari i mediave të huaja, radari i opinionit të huaj jashtëmediatik tashmë nuk është i ndjeshëm ndaj realiteteve të sajuara. Ai, për të parë në historinë mijëravjeçare të shqiptarëve, ka prekur direkt në realitetin shqiptar, në mendësinë shqiptare, në konstitucionin shqiptar. Dhe në thelbin e tij realist, ky radar ka gjetur se bota shqiptare është ndër më aristokratiket e botës perëndimore. Prandaj ky radar është i ndjeshëm tashmë vetëm ndaj shpirtit të vërtetë shqiptar, dhe është indiferent e shmangës ndaj çdo shtirje dhe ndaj çdo sajese, ndaj çdo shpërfytyrimi e ndaj çdo përçudnimi.
As mediat e vendeve tradicionalisht dhe përherësisht armiqësore ndaj kombit tonë dhe gjithçkaje përkatëse nuk kanë reaguar kushedi. Opinionet mediatike dhe jashtëmediatike të atjeshme kanë mbetur jashtëzakonisht të zhgënjyera duke parë se imazhi shqiptar nuk është aq lehtë i lëndueshëm, nuk është aq lehtë vulnerabël përballë opinionit botëror.
Faleminderit Zotit, faleminderit Amerikës, faleminderit Presidentit Xhorxh W Bush, falë edhe rezultateve të Tiranës aktuale të këtyre viteve, Shqipëria është prej gati dy vjetësh anëtare e NATO-s. Loja, çfarëdo që të jetë ajo, kur është kundër një vendi cilitdo të NATO-s është lojë e rëndë, është lojë me çmim të rrast për këdo. Në dy vjet ky lajm, ky realitet ka qarkulluar në gjithë botën. Miliona perëndimorë e kanë vizituar Shqipërinë këto dy vite dhe kanë zbuluar mrekulli natyrore, kanë zbuluar bukuri të dorës së njeriut, kanë zbuluar mrekullinë e mrekullive, kombin shqiptar.
Shqiptarët iu rezultojnë të huajve kombi ndër më poliglotët e planetit, kombi me zgjuarsinë ndër më të rrallat e planetit, kombi me tolerancën ndër më të habitshmet e planetit, kombi me kulturën ndër më të lashtat dhe më burimoret e planetit, kombi me qytetimin ndër më perëndimorët e planetit.
Askush me mend në kokë në Evropë apo Perëndim, pjesë e politikës apo i jetës së përditshme, nuk do të donte të dëgjonte apo të shihte gjëma të tjera për kombin shqiptar. Askush nuk do të pajtohej me ata kushdoqofshin që do të sajonin 1997 të reja, askush nuk do t'ua falte më një 1997 tjetër atyre.
(Botuar në Bota Sot më 25 janar 2011)
NJË VERSION I NËNTËDHJETESHTATËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
BAJRAKU NË ÇARSHI OSE POLITIKA NË ANKAND
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ