Në Korrik të vitit 2009, një grup pro-amerikan intelektualësh dhe ish-politikanësh nga disa vende të ish-bllokut sovjetik i patën dërguar administratës së Presidentit Obama një letër të hapur me të cilën i kërkonin administratës së re në atë kohë që të forconte, në mënyrë të dukshme lidhjet diplomatike dhe të sigurimit me atë rajon jetik për interesat amerikane. Në atë letër ata shfaqën gjithashtu shqetësimin e tyre kryesor se Evropa Lindore dhe Qendrore nuk ishte më një prioritet i diplomacisë dhe i politikës së jashtme amerikane. Nënshkruesit e letrës, ndër të cilët përfshiheshin ish-presidenti polak Lek Walesa dhe ish-presidenti çek Vaclav Havel, u shprehën si pro-amerikanë dhe i shkruanin se i kanë një borxh të madh Amerikës për ndihmën që ajo dha për rrëzimin e komunizmit anembanë Evropës Lindore e Qendrore. Në të njëjtën kohë, intelektualët dhe ish-politikanët më të dalluar të atij rajoni, u shprehën të shqetësuar për atë që në sytë e tyre mund të interpretohej si një çangazhim i Amerikës nga ky rajon dhe gjithashtu shprehën shqetësimin e tyre te thelle ndaj politikës së Rusisë, te cilen ata e cilesojne ne letren derguar Presidentit Obama, si nje "fuqi revizioniste që po ndjek një agjendë të shekullit të 19-të me taktika të shekullit të 21-të".
Të Shtunën që kaloi, Presidenti amerikan, Zoti Barak Obama i dha fund vizitës së tij në Evropë me një ndalesë në Varshavë të Polonisë, ku u takua me kryetarë shtetesh nga Evropa Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë edhe Presidentin e Shqipërisë, Zotin Bamir Topi dhe Presidenten e Kosovës, Zonjën Atifete Jahjaga. Në sytë e shumë analistëve, këjo vizitë dhe takimi në Varshavë i Zotit Obama me udhëheqësit e rajonit ishte një përpjekje për të bindur evropianët se angazhimi i tij, gjatë dy vjetëve të fundit në pjesë të tjera të botës, nuk u bë në kurriz të aleatëve të Amerikes në Evropën Lindore e Qendrore. Gjatë një konferencë shtypi në Varshavë, sikur të donte të siguronte polakët dhe të tjerët në Evropen Lindore, Presidenti Obama tha se "dua të siguroj çdonjërin në vendin tim, por edhe të gjithë anembanë botës se aleanca transatlantike (NATO) mbetet gur themeli i politikës amerikane të sigurisë."
Prandaj nuk është për t'u habitur nga deklarata e Kryeministrit polak Zotit Donald Tusk, i cili tha se çeshtja më me rëndësi e bisedimeve që ai pati me presidentin amerikan ishte sigurimi i Polonisë dhe shtoi se Presidenti Obama e siguroi ate se Polonia si një vend anëtar i NATO-s do të mbrohet nga NATO-ja.
Megjithëse gjatë kësaj vizite nuk u nënshkruan marrëveshje as nuk u bënë premtime politike ose ekonomike, vizita e Zotit Obama në Varshavë shërbeu më tepër për të treguar respektin dhe admirimin e tij për popullin polak dhe popujt e tjerë të atij rajoni me përfaqsuesit e të cilëve u takua aty per ato që ata kanë arritur gjatë 20 vjetëve të fundit. Duke iu drejtuar popullit polak në vecanti, por nepërmjet polakëve edhe popujve të atij rajoni në përgjithësi, Presidenti Obama tha se "një prej roleve të rëndësishme që mund të luaj Polonia, nuk është vetëm promovimi i ideve, por është që ajo të shërbejë gjithashtu si një shembull i gjallë për të tjerët, per tu treguar se c'mund të arrrihet kur shtetet marrin seriozisht berjen e reformave." Duke folur gjatë darkës së shtruar për presidentet e rajonit, Presidenti Obama tha se "jemi shumë të frymëzuar nga lulëzimi i demokracisë dhe i rritjes ekonomike në këte rajon dhe jam i bindur se këjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen..... Ne dëshirojmë të jemi pjesë e këtij procesi të forcimit të demokracisë dhe ekonomive tuaja, pasi mendojmë se nga këjo përfitojnë edhe Shtetet e Bashkuara", tha Presidenti Obama.
Në takimin e Varshavës ishin të ftuar edhe Presidenti i Shqipërisë, Zoti Bamir Topi, dhe për herë të parë në takime të tilla të këtij niveli, Zonja Atifete Jahjaga përfaqësoi Kosovën , si presidente e saj. Kjo mbledhje kishte rëndësinë e vet simbolike, sidomos për perfaqesinë zyrtare të Kosoves, falë këmbënguljes parimore të Polonisë që Kosova të përhaqësohej, megjithëse Varshava e dinte se, si rrjedhim, Serbia dhe Rumania nuk do të merrnin pjesë, pasi kundershtojne me kembengulje pavaresine e Kosoves.
Duke u bazuar në deklaratat e bëra nga dy përfaqsuesit e shteteve shqiptare në kete takim të nivelit të lartë, Presidentja Atifete Jahjaga dhe Presidenti Bamir Topi, Shqipëria dhe Kosova, ne kete takim, e ndienë veten si të ishin midis miqësh, të cilët mbështetën dhe inkurajuan integrimin e plotë të vendeve të tyre në proceset euro-atlantike. Presidenti i Shqipërisë, Zoti Topi tha se integrimi i vendit të tij në Bashkimin Evropian konceptohet dhe pranohet nga shteti dhe shoqëria si alternativë prioritare në këte drejtim. Ndërsa Presidentja Jahjaga u shpreh se nga takimi i Varshavës, ajo mori mesazhin se dera është e hapur, për të gjitha vendet, duke përfshirë edhe Kosovën, për integrimin evropian si dhe për antarësimin e tyre në NATO dhe në Kombet e Bashkuara.
Nuk kam parë ndonjë koment nga nënshkruesit e letrës së lartë përmendur drejtuar Presidentit Obama pothuaj dy vjetë më parë nga inteleketualë dhe ish-politikanë evropianolindorë që të më lehtësojë vlerësimin nëse ata ishin të kënaqur ose jo me vizitën e Zotit Obama në Varshavë dhe me deklaratat e tij në lidhje me marrëdhënjet midis Uashingtonit dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, për të cilat ata kishin shprehur shqetsimin e tyre dy vjetë më parë. Por është e qartë nga letra e tyre se pa marrë parasyshë angazhimet amerikane anë e mbanë botës, ata dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara, jo vetëm që duhet të vazhdojnë të mbeten të pranishme në Evropë, por për më tepër ato duhet që të forcojnë rolin e tyre si një "fuqi evropiane", për të kundërshtuar ato që ata i konsiderojnë si politika "revizioniste" të Moskës në Evropen Qendrore e Lindore. Angazhimi i Shteteve të Bashkuara në këtë pjesë të botës ishte kritik 20 vjetë më parë në rrëximin e komunizmit dhe në vendosjen e paqës dhe stabilitetit nga Baltiku deri në Adriatik. Jam dakort me nënshkruesit e letrës së hapur drejtuar Presidentit Obama dy vjet me pare se ky angazhim i Uashingtonit është i nevojshëm edhe sot, ane e mbane Evropes, e sidomos për interesat shqiptare në Ballkan, me qëllim që më në fund Evropa të jetë e bashkuar, e lirë dhe në paqë për të gjithë. Ruajtja e paqës dhe stabilitetit në Evropë, është në interes të Uashingtonit dhe te evropianeve, dhe gjithmonë kërkon ri-angazhim të përbashkët nga të dy anët e Atlantikut dhe nevojitë investime të reja të vullnetit të mirë.
Siç duket Kryeministri i Polonisë, Zoti Donald Tusk, nga takimet me Presidentin Obama fundjavën e kaluar, mbeti i bindur për angazhimin amerikan ndaj vendit të tij dhe pjesës tjetër të Evropës, kur jo vetëm në emër të popullit polak, por edhe në emër të gjithë evropianolindorëve ai iu drejtua Presidentit amerikan, duke i thënë se "Ne këtu në Poloni besojmë se Ju jeni njëri prej nesh", duke zhdukur në këte mënyrë çdo dyshim nga mendja e shumë vetave ane e mbane Evropes mbi angazhimin e vazhdueshëm amerikan ndaj sigurimit dhe paqës në Evropën Qendrore dhe Lindore.