Me fjalën Diaspora në zanafillë kuptoheshin të gjitha popullsitë hebreje jashtë Izraelit. Historikisht si dukuri botërore Diaspora shënohet me emigrimin e hebrejve në Babiloni në vitin 586 para Krishtit. Diaspora më e madhe hebreje në botë do të ishte ajo që u ngulit në Aleksandri të Egjiptit në shekullin e parë pas Krishtit, ku përbënte 40 për qind të krejt popullsisë.
Diaspora, fjalë greke që do të thotë shpërndarje, përhapje, gjatë kohërave mori kuptimin e gjerë të shpërndarjes së një populli që largohet nga vendi i të parëve dhe emigron nëpër botë, në adresa të ndryshme. Në shqipe kjo dukuri është shënuar me togfjalëshin arbëresh "gjaku i shprishur". Arbëreshët, shqiptarët e ngulur në Itali pas pushtimit otoman të Shqipërisë, janë Diaspora më e famshme shqiptare.
Diaspora jonë përbëhet nga shqiptarët e shpërndarë dhe të ngulitur nëpër botë, jashtë hapësirës sonë kombëtare, e cila, siç e dinë të gjithë, shtrihet përveç Shqipërisë, Kosovës dhe Kosovës Lindore edhe në një pjesë të madhe të Maqedonisë, si dhe në Mal të Zi e Greqi, në vijimësi të drejtpërdrejtë, të pandërprerë gjeografikisht dhe historikisht.
Termi Diasporë, për të shënuar këtë dukuri tonën të përmasave tejet të konsiderueshme, është pritur me ngurim. Disa kanë parë te fjala përkatëse diçka jo ndjellamirë, duke pasur parasysh se është bashkëshënuese e fatit aq të veçantë të hebrejve. Disa të tjerë nuk e kanë pranuar si dukuri, ngaqë zhvendosjen e shqiptarëve në botë e kanë parë thjesht e ngusht vetëm si një largim të përkohshëm nga vendi i tyre. Këta kanë pëlqyer më tepër fjalën Mërgatë, në fakt një fjalë me kuptim përkeqësues për vetëdijën shqiptare, ngaqë kjo përdorej në periudhën moniste, kur emigrantët nga hapësira jonë kombëtare, kryesisht politikë, ishin objekt i agjenturave të Shqipërisë, Jugosllavisë dhe agjenturave të tjera antishqiptare. Sot termi Diasporë ka marrë qytetarinë përfundimisht me krjimin e Ministrisë së Diasporës në Kosovë apo më herët me krijimin e Institutit të Diasporës në Shqipëri.
Këtu në Zvicër ne kemi një Diasporë Shqiptare ndër më të mëdhatë në numër, më të dendurën, krahasuar me ato në vendet e tjera, si dhe më vitalen. Kuptimplotë është fakti se nga kjo Diasporë ka dalë pothuaj i gjithë kreu i sotëm i majtë politik i Kosovës dhe një pjesë e madhe e kreut shqiptar të politikën në Maqedoni e tjerë. Edhe nga pikëpamja kohore kjo është një Dasporë e konsoliduar, duke pasë zënë fill me punëtorët e përkohshëm të ardhur nga vitet Gjashtëdhjetë, pastaj me emigracionin politik të viteve Tetëdhjetë e Nëntëdhjetë.
Problemi i organizimit të kësaj Diaspore, prandaj, është relativisht i hershëm. Edhe përpjekjet për ta realizuar këtë organizim nuk janë të reja. Por ato i kanë ndërprerë zhvillimet në hapësirën tonë kombëtare, para së gjithash në Kosovë, të cilave me të drejtë iu është dhënë një përparësi e përqëndruar, nga çdo pikëpamje. Pas largimit të pushtuesit nga Kosova, shpalljes zyrtare të pavarësisë dhe fillimit të procesit të konsolidimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, tashmë është plotësisht në rendin e ditës problemi i organizimit të Diasporës Shqiptare në Zvicër. Duke qenë një Diasporë Shqiptare tejet e rëndësishme dhe tejet me peshë në zhvillimet tona kombëtare dhe në integrimet tona perëndimore, mënyra e këtij organizimi dhe mbarëvajtje e tij do të ishte model për Diasporën Shqiptare kudo në Perëndim.
Me këtë synim u ndërmuar në Bernë para disa javësh krijimi i Kuvendit Shqiptar. Kuvendi Shqiptar mëton t'i përfaqësojë dhe t'i mbrojë interesat e të gjithë shqiptarëve të Zvicrës, pra interesat e tyre integruese në vendin mikpritës, po ashtu interesat e tyre kombëtare, pra të mbarëvajtjes në atdheun e përbashkët, në gjithë hapësirën tonë kombëtare në Evropën Juglindore.
Vështirë se mund të ketë kohë më optimale se kjo e tashmja, kur në Bernë ne kemi tre ambasadorë shqiptarë. Ata mund të ndihmojnë në aspektin teknik, në aspektin e vizionit, në aspektin e interesimit të drejtpërdrejtë të qeverive që përfaqësojnë. Është e natyrshme edhe që ata të kenë shifra e të dhëna të sakta zyrtare nga burimet zvicerane për praninë shqiptare në këtë vend, si në rrafshin e prejardhjes, si në rrafshet e tjera. Pra ata do të mundësonin që Kuvendi Shqiptar të ketë numrin e saktë dhe adresat e sakta të çdo shqiptari banues të përkohshëm a të përhershëm në Zvicër. Nisur nga këto të dhëna do të ndërtonte punën e tij edhe Kuvendi, në mënyrë që të jetë përfaqësues i shqiptarëve të të gjitha prejardhjeve (Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal i Zi, Shqipëri e tjerë) si dhe i të gjitha gjendjeve shoqërore (punëtorëve, intelektualëve, biznesmenëve, ekspertëve, të punësuarve, të të papunëve, të varfërve, të pasurve, të rinjve, fëmijëve, pensionistëve e tjerë, e tjerë).
Organizimin e Diasporës shqiptare në Zvicër e bën tejet urgjent edhe fakti se kjo Diasporë sot është më e çorganizuar dhe më e përçarë se kurrë, sepse përçarjeve tradicionale iu është shtuar edhe hyrja e kufijve të shumtë shtetërorë mes tyre, ku, sipas shtetësisë, shqiptarët përcaktohen edhe nga pikëpamja e kombësisë: si shqiptarë, kosovarë, maqedonë, preshevarë e tjerë, çka do të jetë një dukuri tejet çoroditëse dhe përçdunuese nëse e lejojmë të përshkallëzohet.
Fare e kuptueshme është që organizimi i shqiptarëve në Dasporë të ketë si model organizimet më jetëgjata dhe më të suksesshme të Diasporave të tjera, në këtë rast edhe të asaj hebreje. Nga ky kënd, kurrsesi nuk mjafton përkthimi i tyre, imitimi i tyre i cekët, marrja e kalkeve të terminologjive të tyre dhe transplantimi i tyre në realitetin tonë.
Kuvendi i Shqiptarëve, sa pamë nga platforma e paraqitur, si dhe nga mëtimet tona për një organizim që të na bashkojë të gjithëve, synon të jetë një shoqatë e të gjitha shoqatave. Dihet se në Zvicër ka shoqata dhe forma organizimesh prej dhjetëra vjetësh e këndej, numerikisht më të shumta se vetë prania e shqiptarëve. Nëse Kuvendi i Shqiptarëve do të jetë thjesht pjesë e kësaj tradite, atëherë, në të vërtetë, do të jetë vetëm një shoqatë tjetër e rëndomtë, kronologjikisht më e reja, por e mendësisë së vjetër, në radhën e pafund të shoqatave.
Suksesi i Kuvendit të Shqiptarëve varet kryekëput nga shkalla e përfaqësimit të shqiptarëve të të gjitha përkatësive hapësinore, sociale e tjerë në mbarë Zvicrën. Prandaj është e domosdoshme që përfaqësia e shqiptarëve, organi qendror i Kuvendit, të zgjidhet mbi bazën e delegimit nga qendrat e banuara me shqiptarë (mbi baza kantonale, lokalitetesh, komunash e tjerë), mbi baza të vetë organizimeve tradicionale të prejardhjes sipas krahinave, mbi baza të grupimeve të interesit e tjerë, në mënyrë që të ketë edhe përfaqësim sasior, edhe përfaqësim cilësor. Diasporat me organizim të hershëm i delegojnë përfaqësuesit e tyre në mbledhjet e përgjithshme nëpërmjet votimeve të fshehta.
Në mbledhjen e mbajtur para disa javëve në Bernë, u vu re aspekti përjashtues i këtij organizimi. Gjoja nisur nga parimi i mosndikimeve politike dhe religjioze, përjashtoheshin disa nga organizimet më të suksesshme. Kuvendi e ka të domosdoshme që të gjejë mënyrën e përfshirjes së klerikëve dhe partiakëve si qytetarë dhe si intelektualë, duke pasur parasysh atë që kemi të gjithë të përbashkët interesat kombëtare shqiptare dhe interesat integruese në vendin ku jetojmë si dhe interesat perëndimore në përgjithësi.
VEHBI SKËNDERI, SHARL BODLERI I POEZISË SHQIPE