Për të kuptuar rëndësinë e panairi të librit Tirana 2011, le të bëjmë pyetjen e thjeshtë: me ç'vlera të reja estetike e pasuroi ai letërsinë tonë? Kësaj pyetjeje le t'i shtojmë edhe pyetjen tjetër: po ta vizitonte këtë panair ndonjë agjent letrar i huaj, cilët libra do të zgjidhte për t'u përkthyer në vendin e tij? Jam i bindur se ata nuk do të ishin librat, të cilët u stërpropaganduan, u stërlëvduan dhe "thyen rekordin e shitjeve", siç trumbetuan masmediat. Kjo nuk do të thotë aspak se këta libra nuk mund të botohen në Europë e në Amerikë me eurot apo me dollarët e autorëve!...
Si shumë të tjerë, edhe unë vajta në panairin e 14-të të librit Tirana 2011.Qysh në fillim, më bëri përshtypje se në "presidiumin" e ceremonisë së hapjes nuk ishte i pranishëm fizikisht asnjë shkrimtar i mirëfilltë. Aty qenë dhe folën vetëm zyrtarë dhe biznsmenë. Së paku në një veprimtari të tillë, kryet e vendit nuk u takonte zyrtarëve dhe biznesmenëve, sepse në fushën e letërsisë roli i tyre nuk shkon më larg sesa ai i administratorit.
Pas ceremonisë së hapjes, kalova nëpër pavijonet e panairit ku të zinte syri kaq shumë emërtime shtëpish botuese në gjuhë të huaj dhe fotografi të zmadhuara të shkrimtarëve të huaj, sa të dukej sikur ndodheshe në ndonjë panair ndërkombëtar të librit. Këtë bindje ta përforconin edhe stendat apo tezgat ku kishte vetëm libra të përkthyer nga autorët e huaj.E keqja ishte se në vend të librave të rëndësishëm si ai i Ç. Miloshit, i U. Ekos apo i ndonjë tjetri, të cilët kanë pasuruar letërsinë europiane dhe atë botërore, në këtë panair mbizotëronin përkthime me karakter komercial.
Kishte stenda apo tezga ku nuk ishte ekspozuar asnjë libër i autorëve shqiptarë. Dikush mund të thotë se botuesi është biznesmen, se qëllimi i tij kryesor është fitimi, prandaj ai ka të drejtë të botojë çfarë të dojë. Unë mendoj se nuk duhet të ndodhë kështu. Si një nga bashkëpërkthyesit e librit "Politikat kulturore në Europë", e di se në vendet e Bashkimit Europian ka kuota të përcaktuara me ligj se sa duhet të jetë edhe përqindja e filmave amerikanë apo europianë që duhet të shfaqen në ekran. Sigurisht një politikë e tillë kulturore zbatohet atje ku ka ligje dhe ku sundon ligji!
Mosrespektimi i raporteve të drejta midis botimit të librave të autorëve të huaj dhe botimit të librave të autorëve vendas mund të dëmtojë sistemin letrar, i cili sipas Daniel Anri Pazhosë ( Pageaux) përbëhet ngë krijimtaria letrare e sotme, nga tradita letrare dhe nga letërsia e importuar ose përkthimet ( S= P + T + I). Mendoj se nuk është në dobi të kurrkujt, as të Europës, as të Shqipërisë, që të dëmtohet ose të rrezikohet sistemi letrar në vendin tonë. Të kërkosh që të mos prishet sistemi ynë letrar, të ruhen raportet e drejta midis letërsisë origjinale dhe letësisë së importuar, nuk do të thotë aspak të jesh kundër përkthimit të veprave me vlera të larta, një praktikë që është e domosdoshme dhe për ato që quhen letërsi të mëdha.
Dukuria e dytë negative që më ra në sy, qe vënia në qendër të vëmendjes me të gjithë mjetet e mundshme, sidomos përmes një publiciteti të zhurmshëm, i disa librave memorialistikë, cilët ngado që ta marrësh, nuk janë majaja e letërsisë, madje nuk janë letërsi e mirëfilltë. Natyrisht libra të tillë janë shkruar e do të shkruhen,sepse kanë vlerën e tyre, por letërsia memorialistike nuk ka pse të zërë kryet e vendit, nuk ka pse të propagandohet me zell të tepruar nga botuesit dhe nga masmediat.
Për të mos e shtjelluar gjatë problemin e natyrës dhe të rëndësisë së librave memorialistikë, po përmend vetëm thënien e njohur të Malarmesë: "Poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë." Thënien e mësipërme mund ta perifrazojmë kështu: "Letërsia nuk bëhet me ide,por me fjalë." Kjo do të thotë se në letërsinë e mirëfilltë ka rëndësi të dorës së parë puna me fjalën, mjeshtëria e të shkruarit, alkimia e fjalës, të cilat nuk janë as elementi themelor, as atributi kryesor i librave memorialistikë, sepse libra të tillë nuk bëjnë pjesë as te lirika, as tek epika, as te dramatika. Në ndonjë rast, në librat memorialistikë që ky panair i serviri publikut pellazgo-iliro-shqiptar nuk mbizotëronte magjia e fjalës, por magjia e lapërdhive ose e palavirave që lidheshin me jetën private të individëve...
Ashtu si çdo tempull, edhe "tempulli" i letërsisë ka kujdestarët e tij që e ruajnë dhe e mirëmbajnë. Kujdestarë të tillë dukej të ishin kritikët letrarë, të cilët, siç e dinë dhe e pranojnë të gjithë, kanë munguar, mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë, për sa kohë që në vendin e shqiponjave (!) nuk do të ketë njerëz të ditur e guximtarë, për të cilët kritika letrare nuk do të jetë një veprimtari fitimprurëse, por një pasion që kërkon edhe të sakrifikosh për të. Në mungesë të kritikëve të vërtetë, këtë rol e marrin përsipër ca gazetarë të paditur e të papërgjegjshëm,të cilët shpallin "shkrimtar të madh", "poet europian" ose "poet botëror" cilindo që u shkrepet në mendje.
Kujdestarë të tempullit të letërsisë duhej të ishin qarqet universitare,profesorët.Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite "profesorët" janë njerëz të punësuar nga partia në pushet, janë të politizuar, kurse një pjesë jo e vogël e tyre nuk kanë as dije, as përvojë.
Për tempullin e letërsisë duhej të kujdeseshin edhe botuesit. Mjerisht shumica prej tyre e konsiderojnë librin vetëm si një mall, si një mjet fitimi. Ata gëzohen më shumë kur botojnë një libër që shitet në mijëra kopje, pavarësisht se ç'vlera mund të ketë ai, sesa po të kishin botuar një libër si "Ferri" i Dantes, si "Makbethi" i Shekspirit apo si "Njëqind vjet vetmi" i Markezit, por që nuk do të ishte shumë i shitshëm. Në intervistat që dhanë edhe gjatë këtij panairi, ata mburreshin vetëm me sasinë e librave të shitur, si të qe fjala për shitje patatesh, shalqinjsh apo derrash...Asnjë prej tyre nuk zuri ngoje vlerën estetike të librave që u quajtën të suksesshëm.
Një dukuri negative ishte edhe dyndja e publikut letërsidashës drejt librave me vlera të diskutueshme. Në ndonjë rast, pashë skena që të kujtonin kohën e dikurshme kur merreshin pakot e mishit për Vitin e RI ose kur dilnin në shitje kontingjentet e para me këpucë atletike dhe me xhinse! Në vend që t'u kundërvihej spekulantëve, qofshin autorë apo botues, të cilët kanë si qëllim të vetëm të grumbullojnë sa më shumë kartëmonedha, dashur pa dashur publiku u bë mbështetës i tyre. Besoj se kjo gjë nuk do të ndodhte me popuj të tjerë, më të emancipuar, të cilëve nuk u mungon dhuntia e reagimit qytetar dhe e indinjatës.
Për të argumentuar pikëpamjen time, po përmend vetëm një shembull: pas Luftës së Dytë Botërore, norvegjezët shkuan te shtëpia e shkrimtarit nobelist Knut Hamsun, i cili kishte flirtuar me nazistët. Ata ia flakën mbi kangjella librat e tij që i kishin blerë më parë dhe ia mbushën me ta oborrin e shtëpisë. Ata vepruan kështu, sepse ishin norvegjezë, nuk ishin shqiptarë, populli më i vjetër në Europë, që ka gjuhën më të vjetër dhe flamurin më të vjetër në Europë! Panairi i sivjetëm i librit tregoi se publiku shqiptar është i gatshëm ta hajë sapunin për djathë dhe madje me gojën plot shkumë nga sapuni i mbllaçitur të deklarojë se po ha djathin më të shijshëm në botë!...
Le të kthehemi përsëri te panairi i librit Tirana 2011. Për të kuptuar rëndësinë e tij, le të bëjmë pyetjen e thjeshtë: me ç'vlera të reja estetike e pasuroi ai letërsinë tonë? Kësaj pyetjeje le t'i shtojmë edhe pyetjen tjetër: po ta vizitonte këtë panair ndonjë agjent letrar i huaj, cilët libra do të zgjidhte për t'u përkthyer në vendin e tij? Jam i bindur se ata nuk do të ishin librat, të cilët u stërpropaganduan, u stërlëvduan dhe "thyen rekordin e shitjeve", siç trumbetuan masmediat. Kjo nuk do të thotë aspak se këta libra nuk mund të botohen në Europë e në Amerikë me eurot apo me dollarët e autorëve!...
Në qoftë se rastësisht e lexojnë këtë shkrim, disa botues do të thonë: "Dale,mor lanet, si guxon të mohosh punën tonë heroike dhe titanike për të mbushur plot hambarët e letërsisë shqipe dhe të kulturës shqiptare, për të cilat nuk na zë gjumi ditën as natën?!" Këtyre botuesve po u them: me këto praktika botimi, me të cilat ju nuk përkrahni letërsinë e mirëfilltë, por letërsinë spekulative, komerciale, ju bëni një punë heroike dhe titanike vetëm për të mbushur xhepat tuaj.