Kosova dhe mbarë kombi shqiptar feston 4-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj. Kjo është dita që shënon fillimin e rivendosjes së të drejtës historike të kombit shqiptar, një e drejtë kjo që iu mohua atij gjatë historisë pa pëlqimin dhe pa miratimin e tij. Pavarësia e Kosovës u fitua por nuk u fitua lehtë. U fitua me gjakun e derdhur të heronjve të kombit dhe me ndihmën e pazëvendësueshme të miqve të vjetër të shqiptarëve, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkrahja amerikane për Kosovën ishte dhe është një politikë që mbështetet nga të dy partitë kryesore politike të Amerikës, demokratët dhe republikanët, por edhe nga shtresa të gjera të shoqërisë amerikane. Shtetet e Bashkuara vazhdimisht dhe pa asnjë dyshim kanë shprehur përkrahjen e tyre të patundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të ri, si edhe kanë theksuar nga nivelet më të larta të pushtetit, angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të ndihmuar Kosovën që të ndërtojë shtetin e ligjit me një të ardhme të mirë e të sigurt jo vetëm për popullin e vet, por edhe për për të gjithë rajonin. Në këtë 4-vjetor të pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë theksuar angazhimin e tyre për një Kosovë të përparuar, me insitucione të forta demokratike, me të drejta e mundësi të barabarta për të gjithë.
Me këtë rast, Presidenti Barak Obama në mesazhin e tij drejtuar udhëheqsëve dhe popullit të Kosovës tha se, "˜'Unë bashkohem me të gjithë Amerikanët duke u uruar të gjithë juve që festoni Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Këjo është një kohë për të reflektuar mbi përpjekjet e gjata të Kosovës për pavarësi dhe për të shikuar drejtë një të ardhme me një siguri dhe begati më të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këtu në Amerikë, ata që kanë preardhjen nga ky vend dhe familje në Kosovë, duhet të jenë krenarë për përparimin e madh që ka bërë vendi në tre vjetët e para të pavarësisë. Unë jam i bindur se miqësia midis dy vendeve tona do të shtohet në vitët e ardhëshme'', tha presdienti amerikan në mesazhin e tij.
Ndërsa, në kapacitetin e saj si Sekretare e Shtetit Amerikan, Hillari Klinton në mesazhin e saj miqësor drejtuar popullit të Kosovës me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë, edhe ajo nënvizon gjithashtu optimizmin për të ardhmen e shtetit të ri dhe premton se Uashingtoni do të vazhdojë të jetë mik e partner i Prishtinës, duke thënë se "˜'Kosova mund të jetë një shtet i ri, por ju keni një të ardhme premtuese. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të mbështetur një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumetnike. I përgëzoj udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj aspiratave të qytetarëve të Kosovës përmes institucioneve më të forta demokratike, mundësive më të mëdha ekonomike dhe nxitjes së sundimit të ligjit. Kjo rrugë do t'i çojë qytetarët e Kosovës drejt integrimit të plotë euro-atlantik si dhe drejt qëndrueshmërisë dhe begatisë afatgjatë për vendin tuaj. Shtetet e Bashkuara janë miqtë dhe partnerët tuaj. Ne qëndrojmë pranë jush në punën tonë të përbashkët për një Kosovë më të sigurt, më paqësore dhe më të begatë. I uroj gjithë popullit të Kosovës festime të gëzuara dhe urimet më të mira për vitin në vazhdim."
Të gjithë shqiptarët kudo që janë duhet ta ndjejnë veten të privilegjuar që jemi dëshmitarë të fillimit të një epoke të re të kombit shqiptar, të një epoke si asnjëherë më parë në historinë e shqiptarëve, dëshmitarë të lindjes së lirisë dhe të barazisë së shqiptarëve me popujt e tjerë në Evrope, një ëndërrë këjo e vjetër e kombit. Pavarësia e Kosovës shënon fillimin e ndreqjes së gabimeve historike dhe ka rivendosur të drejtat e mohuara me shekuj, miliona shqiptarëve. Por nuk do të thotë se këto arritje që erdhën si përfundim i luftërave të shumë brezave të kombit, nga mençuria e kohëve të fundit e Ibrahim Rugovës dhe nga lufta e Adem Jasharit, duhet të konsiderohen si përfundimtare. Lufta për liri të individit dhe të kombit nuk merr fund kurrë. Çdo brez, përfshirë edhe brezin e tanishëm të Shqiptarëve, e ka për detyrë që këto suksese të aspiratave historike të kultivojë, t'i konsolidojë dhe të punojë rëndë për rinovimin dhe mbrojtjen e tyre. Liria është si një flakë që duhet mbajtur ndezë. Një popull si shqiptarët, që gjatë historisë kanë vuajtur nga barbarizmat dhe despotizmat më të egrat, qoftë nga udhëheqsit e vet qoftë nga pushtuesit e huaj, duhet ta ketë më në zemër ruajtjen e lirisë individuale dhe të pavarësisë kombëtare. Liria duhet t'i bashkojë e jo t'i ndajë shqiptarët. E në ditët e sotme, ruajtja dhe mbrojtja e lirisë varet më shumë nga paqa e drejtësia në vend se sa nga kërcënimet e jashtëme.
Më në fund, duke parafrazuar fjalët e nën-presidentit amerikan Xho Bajden, drejtuar deputetëve dhe udhëheqësve të Kuvendit të Kosovës dy vjetë më parë, të jeni krenarë për ato që kini arritur, megjithëse ky është vetëm fillimi, dhe e ardhmja e ketij vendi do të varet nga secili prej jush në këte sallë dhe anembanë Kosovës. Fëmijtë tuaj, nipat dhe mbesat e juaja do të shikojnë tek ju, që pas shumë shekujsh në këtë vend, më në fund të rivendoset liria dhe demokracia e vërtetë. Drejtë këtij qëllimi, tha Z. Bajden, u pret një punë e madhe dhe e vështirë, por ai përfundoi fjalimin e tij duke ritheksuar angazhimin amerikan ndaj shtetit më të ri në Evropë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ju, me Kosovën e lirë e të pavarur, në çdo hap të saj.
Dhe në të njëjtën kohë, ndërsa festohet 4-vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë duhet që në këtë moment historik, përfaqësuesit politikë shqiptarë të të gjitha bindjeve dhe të gjitha trojeve si dhe shqiptarët në përgjithësi, ndërsa debatojnë mbi të ardhmen e kombit, shpesh me debate të ashpëra -- të jenë të vetdijshëm se të gjithë janë përfaqësues të një populli, se ata i përkasin një flamuri e një kombi dhe kanë një të ardhme të përbashkët.