16.04.2012
Të shtunën, Times raportoi për një fenomen në dukje në rritje në Evropë: "vetëvrasje nga kriza ekonomike," njerëzit po i marrin vetes jetën të dëshpëruar nga papunësia dhe dështimet e biznesit.
Ishte një rrëfim që ta thyen zemrën.
Por, një rrëfim më i zgjeruar nuk ka të bëjë shumë me individët, sesa me përcaktimin e liderëve evropianë për të kryer vetëvrasje ekonomike për tërë kontinentin.
Disa muaj më parë kishte pak shpresë për Evropën. Në vjeshtën e kaluar, Evropa ishte në prag të dështimit financiar, por u shpëtua nga Banka Evropiane Qendrore.
Ky institucion iu ofroi bankave evropiane kredi pa afat, me kusht që të fusnin aksionet e qeverive evropiane si kolateral; kjo i mbështeste direkt bankat dhe indirekt qeveritë si dhe i jepte fund panikut.
Atëbotë shtrohej pyetja nëse ky aksion i guximshëm dhe efektiv do të ishte fillimi i një mendimi më të gjerë, nëse liderët evropianë duke përdorur hapësirën çliruese, do të rishqyrtonin politikat që sollën të kjo situatë.
Por, ata nuk e bënë një gjë të tillë. Në vend të kësaj, ata dyfishuan politikat dhe idetë e tyre të dështuara.
Po bëhet gjithnjë e më vështirë, që të besohet se ndonjë gjë do të mund t'ua ndryshojë atyre drejtimin.
Shqyrtojeni gjendjen e Spanjës, e cila është në epiqendër të krizës. Të mos flasim për recesionin; Spanja është e mbushur me depresion, me një papunësi prej 23.6 për qind, që mund të krahasohet me Amerikën e viteve të Depresionit të Madh, papunësia e të rinjve shkon në 50 për qind.
Kjo gjë nuk mund të vazhdojë- dhe ndërgjegjësimi se kjo gjë nuk mund të shkojë po i rrit koston huave të Spanjës.
Në një formë, nuk ka rëndësi se si u gjet Spanja në këtë pikë- por, ajo që ia vlen, tregimi i Spanjës nuk përngjan me përrallat për moral, që janë aq popullore në mes të zyrtarëve evropianë, në veçanti në Gjermani.
Spanja nuk ka pasur shthurje fiskale- në prag të krizës ka pasur borxh të ulët dhe suficit buxhetor. Fatkeqësisht, ka pasur kredi të marra për shtëpi, që qenë mundësuar nga kreditë e mëdha që bankat gjermane lëshuan për homologët e tyre spanjollë.
Kur, kjo krizë shpërtheu ekonomia spanjolle ishte në lartësi të duhur dhe e paprekur; problemet fiskale të Spanjës janë pasojë e depresionit të saj.
Megjithatë, rekomandimet që vijnë nga Berlini dhe Frankfurti janë, paramendojeni, masa tjera shtrënguese fiskale.
Kjo, s'është tjetër, pos çmenduri. Evropa ka pasur disa përvoja me programet e ashpra të kursimit dhe rezultatet janë saktësisht ato që studentët e historisë thanë se do të ndodhë: programet e tilla shtyjnë ekonomitë depresive në depresion më të thellë.
Pastaj, meqë investitorët shikojnë gjendjen e ekonomisë kombëtare, nëse është e aftë për të shpaguar borxhin, programet shtrënguese nuk janë parë si mënyra për të ulur kostot e huave.
Cila është alternativa?
Në vitet e '30-ta, një epokë, që Evropa moderne ka filluar ta përsërisë, madje edhe me detaje më fatkëqija- kushti thelbësor për rimëkëmbje ka qenë heqja dorë nga standardi i arit.
Gjëja ekuivalente sot mund të jetë, dalja nga euro dhe kthimi i valutave kombëtare. Kjo mund të duket e pakonceptueshme, por vazhdimi i kursit të tanishëm, duke imponuar masa më të ashpra shtrënguese ndaj shteteve që tashmë kanë vuajtur epokën e depresionit nga papunësia, është i pakonceptueshëm, po ashtu.
Prandaj, po që se liderët evropianë, vërtetë dëshirojnë të ruajnë euron, ata duket të kërkojnë rrugë alternative. Trajta e një alternative të tillë është e qartë.
Kontinenti ka nevojë për politika monetare më ekspansioniste- një gatishmëri e shpallur- nga Banka Qendrore Evropiane për të pranuar në një mënyrë inflacionin më të lartë; duhen më shumë politika fiskale ekspansioniste, në formën e buxheteve në Gjermani, për të kompensuar vujatjen në Spanjë dhe vendet tjera problematike në periferi të kontinetit, në vend se t'i rrisin ato.
Madje edhe me këto politika, shtetet perfierike do të përballen me kohë të vështira për disa vite. Por, të paktën, do të ketë shpresë për rimëkëmbje.
Ajo që aktualisht po e shohim, megjithatë, është një mungesë e plotë fleksibiliteti. Në muajin mars, liderët evropianë nënshkruan një pakt fiskal që që parasheh masa tjera shtrënguese si përgjigje ndaj të gjitha problemeve.
Është vështirë të shmanget ndjenja e dëshpërimit. Në vend se të pranojnë se janë gabuar, liderët evropianë duken të vendosur që të drejtojnë ekonomitë- dhe shoqëritë e tyre- drejt greminës. Dhe e tërë bota do të paguajë çmimin. (rel)