VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - IBRAHIM KODRËS MË 1973 NË TIRANË I THANË NUK KEMI BURGJENga VISAR ZHITI

                                                                                      

E Hënë, 12.09.2024, 06:02am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

IBRAHIM KODRËS MË 1973 NË TIRANË I THANË NUK KEMI BURGJE

Nga VISAR ZHITI


E Djelë, 04.22.2012, 04:25pm (GMT+1)

Është datëlindja e piktorit Ibrahim Kodra sot, vepra e të cilit arriti lartësitë europiane. Në Galerinë e Arteve në Tiranë është hapur një ekspozitë, më e madhja dhe më e mira e tij në Atdhe, por pa atë, autorin, tashmë të larguar në amshim.

Nuk është Ibrahim Kodra, që të endej në rrugët para Galerisë siç kishte bërë në vizitat e mëparshme, të bisedonte me miqtë dhe admiruesit e shumtë, ashtu i veshur si ai, në mënyrë piktoreske, që shtypi i huaj e quante "Zhan Gabenin e ngjyrave". Zemërgjerë dhe i urtë, gati mënjanës ndaj zhurmave përreth, teksa jepte intervista, autografet e çuditshme, vizatonte emrin nëpër blloqe gazetarësh, mbi gazeta çfarëdo, në pjata apo këmisha çapkënësh, pastaj pinte kafe, një gotë birrë dhe me të panjohurit pranonte të bënte fotografi, sidomos me vajzat e reja, që i luteshin dhe i kapnin duart si një patriarku të pazakontë të artit. I pëlqente të rrinte lokaleve natën, pas mesnate, hotelin e donte andej nga dukej mali i Dajtit, "shih, besa, sa i bukur është!...", thoshte. Me atë të folurën e vet "antike" tregonte gjëra që i dëgjoje gjithnjë e më rrallë, përmendte emra të famshëm dhe ndodhì me ta... kur ishim bashkë në Kanë... Gotuzo, Kandinski... ndërsa me Montalen, poetin nobelist, botuam një libër së bashku... A e dini ç'bënte Dalí, kur ishte i ri?... Quasimodo, Ungareti, Buzzati, Carlo Bo... Pol Eluar, Breton... shqiptari im, më thoshte Pikaso, kam hapur dhe ekspozitë me të... (Paris 1953 ekspozita kolektive ndërkombëtare e Universitetit me Picasso-n, Chagall-in, Roualt-in, Dufu-n, Matisse-in, Leger-in, Modigliani-n; prapë me Pikason më 1954 në Milano - ekspozita kolektive në "Montenapoleone"; më 1963, ekspozita "Paradisso" në "Palazzo Reale" me Pikason prapë, etj, etj, deri edhe pas vdekjes.)

Në pikturat e mia, - rrëfente Kodra, - gjenin diçka orientale kritikët, të pashpjegueshme, bizantine, thoshin, por ishte Shqipëria, qilimat e saj, folklori, arabeskat, kuptoni apo jo?...
Iku qysh fëmijë, sepse jetimi i vogël nga Ishmi, që vizatonte shkëlqyer, sajonte portrete, (kam ba unë portrete, bre, qysh 8 vjeç, na thoshte ai, prandaj mbrrina këtu ku jam, në majat e artit modern), u çua në Itali me një bursë nga Mbreti dhe mbaroi Akademinë e njohur "Brera" të Arteve të Bukura në Milano. Punë dhe studime, njohje, ekspozita, studime prapë, vazhdimisht, filozofët e antikitetit, artin botëror, historinë e artit, udhëtime, ekspozita nëpër botë, nëpër galeri dhe muzeume të famshme në mbarë Italinë, Europë dhe më gjerë dhe përtej kontinentit...

Shfletoj një libër të një autori italian, kreu: "Kodra dhe Pikaso", ku dëshmohen takimet e dy piktorëve, vendet, datat, bisedat e tyre. Pikaso thoshte: "Ti, piktori shqiptar, miku im! Pikturë e veçantë, edhe firma jote është një vizatim, si kuadrot e tua... ("Mio amico pittore albanese! Una pittura singolare, anche la tua firma è un disegno, come i tuoi quadri". "Kodra dhe Pikaso janë kështu dy personazhe të shekullit tonë, figura të hapura ndaj çdo përballjeje. Pikaso e hapi këtë rrugë dhe Kodra vazhdoi ecjen." (Carlo Franza "Un'idea su Kodra" Severgnini Editore, botimi II, Milano 1995, faqet 31, 32, 33).

Një herë me Heminguejin, - kujtoj prapë, kur na tregonte Kodra, një histori mes historish, - ishim dhe me të tjerë dhe ai, Hemingueji shikonte nga gruaja e Moravias, gjinjtë e saj, Dacia Maraini, po, po, e teproi, thirra kamerierin dhe i thashë ta çonte te ato... kur u kthye në tryezën tonë, ishte në terezi, nuk shikonte më... - Dhe Kodra vazhdonte të qeshte. Me një lloj vezullimi në sy, si ajo e Medaljeve të Arta, dhënë nga Akademia Franceze, anëtar i së cilës ishte.
Janë mbi 6.000 punë të shpërndara në të pesë kontinentet, të cilat gjenden në shumë muzeume të botës, ndërsa në katalogët dhe albumet e tij, Kodra "nuk harronte" të shkruante se e nisi si nxënës i Odhise Paskalit tonë.

Pasi bëhet impresionist, duke njohur më vonë gjigantizmin e Pikasos dhe greminën që vinte pas tij, Kodra u bashkua me grupin "Përtej Guernikës", që e panë ndryshe dhe më me korrektesë kubizmin.

Mes pesimizmit bashkëkohor, kaosit të modernitetit, ndoshta mbetet i vetmi piktor i madh që vizatoi buzëqeshjen e njerëzimit, me një naivitet të mençur e koloristikë optimiste, gjithë dritë mesdhetare, madje ndihet dhe muzikë përmes ngjyrave. Natyra. Dhe i thosha, kur shikoja, p.sh., tablonë e tij me kuaj: Ndoshta jeni i vetmi në botë që keni vizatuar dhe hingëllimat në ajrin gjithë fërgëllima të kaltra, ja... Qeshte si fëmijë.
Galeristët vënë ende nëpër katalogë përcaktimin proverbial të poetit francez Pol Eluar: "Kodra është primitivi i një qytetërimi të ri". Dhe Pikaso: "Kodra piktor i veçantë".

Arriti atë që pakkush ka fatin ta arrijë, të krijojë personazhin e vet, totemin e tij modern, që njihet kudo dhe e dallojnë menjëherë përkatësinë. Natyrisht që e bënte shpesh kohët e fundit, por "është linguaxhi im, - shpjegonte, - nuk e kopjoj nga vetja, e ribëj, një imitues do të mund t'i kopjonte, unë gjithmonë shtoj diçka... dhe Van Gogu ka shtatë variante të lulediellit të tij dhe s'ia kërkonte askush, asgjë nuk shiti sa qe gjallë, Moné ka bërë nëpër kisha 52 herë të njëjtën gjë, kështu u duket të tjerëve, unë kam mbi 70 vjet punë dhe ajo s'mund të përmblidhet dot me një ekspozitë. Sipas tij, njëri nga mesazhet më të rëndësishëm të veprës kodriane është britma kundër të rënit të njeriut viktimë e industrializimit të shfrenuar.
- Por ju nuk vizatoni njerëz, - i thashë edhe unë në një intervistë, të botuar në shtypin italian, e cila u vendos dhe si pllakat mureve e xhamave të klubeve në Milano, atje ku shkonte Kodra.

- Unë nuk vizatoj njeriun, por njerëzimin do të më përgjigjej Mjeshtri i madh.
Kur në Shqipëri u vendos diktatura, Ibrahim Kodra e kishte të vështirë kthimin. Këtu bëhej me forcë arti i realizmit socialist, kurse në Kosovë shkonte, ishte dhe akademik atje, vepra e tij pranohej dhe çmohej. Megjithatë, mundi të vijë një herë dhe, pas rënies së komunizmit, katër herë të tjera në Tiranë, në të fundit i vdekur.
Për secilën vizitë kam qëmtuar detaje sinjifikative, që do të doja t'i rendisja:
Vizita e parë
Viti 1973. Shqipëri socialiste. Vjen i konsideruar si piktor i rrymave dekadente borgjezo-revizioniste, pra i dyshimtë. Pa asnjë vepër, veç me mitin e tij dhe i panjohur nga publiku. Ndërmjet të tjerash, kërkon të vizitojë burgjet. Piktori që e shoqëronte, Foto Stamo, detyrohet t'i thotë se "tek ne nuk ka burgje." "Po çfarë u bëni kundërshtarëve?" pyet Kodra. "I nxjerrim para kolektivit, në lagje, i kritikojmë ose u heqim nga rroga ditën e punës". Kodra buzëqesh hidhur. "Po unë kam shokë nëpër burgje", e mbyll bisedën.
Vizita e dytë
Viti 1996. Shqipëri demokratike. Kodra mirëpritet, madje me bujë. Presidenti i Republikës i jep titullin e lartë "Nderi i Kombit". Përgatitet pasaporta e tij diplomatike. Ndërkohë, feston dhe datëlindjen e parë në atdhe. Aq shumë u fryu qirinjve mbi tortë, sa ata hovin dhe mbërrijnë deri te Presidenti gjerman Helcog, që ishte në krah të Presidentit Berisha në këtë festë.
Kodra shpreh dëshirën të pikturojë afreske nëpër muret e institucioneve, për t'u treguar njerëzve që institucionet respektohen, kështu tha.
Vizita e tretë
Viti 1997. Përsëri në atdhe. Në pushtet kishin riardhur socialistët mes kaosit. Ende ndiheshin krisma armësh nëpër rrugë. Kodra hap ekspozitën e parë me grafika dhe riprodhime në galerinë private "T&G".
Nisma e tij për të bërë afreske nëpër institucionet shtetërore nuk mori përgjigje. Mëkat, thosha me vete, edhe muret duket sikur e ndiejnë këtë harresë të pandreqshme, sikur plasariten nga ajo mungesë e pafalshme.
Vizita e katërt
Viti 2003. Hapet e para ekspozitë e tij retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku me ftesë të drejtorit të saj, Kodra vjen në atdhe për të katërtën herë. Takohet me të gjitha personalitetet më të larta të vendit, në fillim me mikun e tij zotin Berisha, pastaj me drejtues të tjerë të vendit, me zotin Alfred Moisiu, por dhe me Mbretin Leka I.
"Vizita e fundit"
Dimër, 2006. Piktori Ibrahim Kodra kthehet i vdekur. Në aeroportin "Nënë Tereza" zbresin nga avioni që vinte nga Milano, arkivolin e tij. Me nderime dhe ceremonial shtetëror përcillet për në vendlindje. Varri i tij ngrihet mbi një kodër në fshatin Ishëm, ku siç thoshte ai, që nga andej duket deti, Durrësi, Kruja, Lezha, deri edhe Shkodra dhe përlotej.
Ekspozita
Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe të shpalljes së shtetit modern shqiptar, Fondacioni "Ibrahim Kodra" në Milano, me kryetar Fatos Faslliun, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve dhe nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës e të zotit Aldo Bumçi, kanë hapur ekspozitën e tij antologjike "Shqipëria fantastike", me 60 punime, më e plota e tij në Tiranë, më përfaqësuesja. Aty është dhe vepra e tij e fundit, e papërfunduar, gjithë pikëllim e shpirt, se penelat ia rrëmbeu vdekja.
Po unë kisha shokë këtu, duket sikur na vjen sërish zëri i Kodrës, kisha Kacelin, Kodhelin, Buzën plak, doktor Maksut Dërrasën... Ishin piktorë të mrekullueshëm ata, por të mbyllur, unë pata tjetër fat, dola dhe arrita me ba ç'munda. Besoj e kam nderuar vendin tim, buzëqeshte ai. Dhe rindriçon buzëqeshja e tij në të gjitha tablotë në këtë ekspozitë të mrekullueshme, do të thosha.
Vepra e Ibrahim Kodrës, "e postkubistit të fundit në botë", siç e cilësonin, madje deri dhe në Japoni, ku janë shfaqur dokumentarë për të, solli në Tiranë diçka të metropoltë, një emocion europian kromatik të artit të madh bashkëkohor, një vetëportret emblematik si me xhama ndjenjash, ku mirësia mplekset me elegancën, delikatesa me të shëndetshmen, me një si picërrim sysh, që sikur duan të shihnin më përtej, edhe më përtej "Guernikës" shqiptare, me një ballë të rrëpirtë gjithë enigma.
Duart e Kodrës marrin një pecetë të bardhë mbi një tryezë dhe e lagin me ujin e një gote. Fshin sytë me të. Sikur del nga ëndrra. Ma ka mësuar Brixhidë Bardo, buzëqesh vesh më vesh me çiltërsi fëmije. Një konstelacion unazash të mëdha nëpër gishtat e trashë, ylberë rripash me ngjyra nëpër kyçet e duarve. Është i fortë si një trung peme. Po ai ka qenë dhe kampion i hedhjes së diskut.
Nëpërkujtoj shtëpinë e tij larg, me atë tarracën e madhe plot blerim nën qiellin milanez. E gjeja duke punuar. Ja, sa ta mbaroj dhe pak dhe dalim, më thoshte. Do ia fal një shoku këtë pikturë, se do të operojë gruan, për t'ia dhënë mjekut-kirurg. Një ditë tjetër po përfundonte Pinokun kubist. Do ia dhuronte një fëmijë, sepse i kishte dhuruar një orë dore. Ndërsa shqiptarët nuk ia dhanë ditën e dëshiruar që të pikturonte në muret tona të institucioneve. Por vetë Kodra është një institucion i talentit të fuqishëm, që i bën artistët e këtij trualli të ashpër të besojnë tek arritja, te Europa dhe bota, madje edhe te vetja ende më shumë.
- Ç'do të thotë "Kodra" në shqip? e pyesin miqtë e huaj që e rrethonin në një nga datëlindjet e tij, në një nga 22 prillet e bukura, kur mbushte 69 vjeç, për herë të katërt, të pestë a të dhjetë. Aq jam,- thoshte gjithmonë. 70 do të bëhej kur donte ai. Dhe përgjigjej duke qeshur:
- Ç'do të thotë Kodër? Është lartësia e fundit, kur largohesh nga Olimpi.
Kishte të drejtë...

VISAR ZHITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VETËVRASJA EKONOMIKE E EVROPËSNga PAUL KRUGMAN, New York Times (04.17.2012)
KUJTESË TURKOFOBËVE SHQIPTARËNga ESHREF YMERI (04.17.2012)
PARTNERITETI KUNDËR KORRUPSIONITNga FRANK SHKRELI (04.16.2012)
EDHE NJË HERË MBI KOLABORACIONIZMINNga RESHAT KRIPA (04.16.2012)
Barometri diplomatikKËRKESË E GABUAR ABSURDE DHE IRACIONALE!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (04.15.2012)
NË KOSOVË VRITEN ATDHETARËT E PËRFITOJNË PUSHTETARËTNga Mr. sc. NUE OROSHI (04.13.2012)
NDËRROI JETË MAJK UALLES - GAZETAR AMERIKAN ME FAMË BOTËRORENga FRANK SHKRELI (04.11.2012)
Ç'KA QË SHQETËSOHET KJO ZONJA AMBASADORE E GJERMANISË?!Nga ESHREF YMERI (04.10.2012)
ESSE PËR KOHËN E PAMJAFTUESHME TË HELENA KADARESËNga ELIDA BUÇPAPAJ (04.10.2012)
NJË KËRCËNIM I RI NDAJ NATOsNga SHABAN MURATI (04.10.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]