VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TELASHE NGA NJË NDËRTIM I PALIGJSHËM BALLKANIKNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Martë, 11.12.2024, 12:50am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

TELASHE NGA NJË NDËRTIM I PALIGJSHËM BALLKANIK

Nga SHABAN MURATI


E Martë, 04.24.2012, 08:43am (GMT+1)

 

Ndonëse kanë kaluar gjashtë vjet, ende nuk është e qartë se cilat qenë motivet e vërteta, që e bindën qeverinë shqiptare në maj të vitin 2006 që të jepte konsensusin për pranimin e Moldavisë në organizatën e vetme rajonale, SEECP, Procesi i Bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore. Me këtë miratim, u legalizua një ndërtim i paligjshëm ballkanik, sepse Moldavia nuk ka asgjë të përbashkët as me planimetrinë, as me historinë, as me gjeografinë, dhe as me konstitucionin shpirtëror e kulturor ballkanik. Edhe më profani në diplomaci e kuptonte se legalizimi i këtij ndërtimi të paligjshëm në ndërtesën ballkanike, i interesonte Rusisë dhe Rumanisë, por aspak Ballkanit.

Është jashtë çdo dyshimi, se qoftë Shqipëria, qoftë shtetet e tjera anëtare të SEECP, e kishin të qartë se, duke pranuar dhe legalizuar si shtet ballkanik një shtet joballkanik, gjysma e të cilit është një konflikt i ngrirë, ku ndodhen të dislokuar edhe trupa ruse, edhe të ashtuquajtur paqeruajtës rusë, po pranonin tensione e telashe të reja në drejtim të Ballkanit. Këto tensione po rrezatohen qartazi në meteorologjinë politike, ushtarake dhe strategjike të gadishullit të Ballkanit. Më 16-17 prill në Moldavi ishte për herë të parë për vizitë zëvendëskryeministri i ri rus, që drejton kompleksin industrial ushtarak të Rusisë, Dimitri Rogozin, i cili shkoi me dy cilësi. Së pari, si i dërguar i posaçëm i presidentit rus për Transnistrian, që është rajoni lindor moldav i shkëputur faktikisht dhe që luftoi 20 vjet më parë të ndahej nga Moldavia dhe të bashkohej me Rusinë. Së dyti, si kryetar i palës ruse në komisionin e përbashkët ekonomik qeveritar moldavo-rus. Absurditeti i mbajtjes së këtyre dy detyrave nga Dimitri Rogozini qendron në faktin se ai caktohet me dy mandate, të cilat jo vetëm nuk mund të rrinë bashkë, por i kundërvihen njëri-tjetrit, sepse nga një anë sanksionon njohjen e statusit të shkëputur të Transnistrias dhe nga ana tjetër merr detyrën dhe instrumentin e presionit ekonomik mbi shtetin moldav.

Veçoria e vizitës së skifterit të politikës dhe të diplomacisë ruse,- i cili gjatë mandatit 2008-2011, kur ishte ambasador i Rusisë në NATO, u shqua për zellin e acarimit të marrëdhënieve mes Rusisë dhe NATO-s,- është se ai sinjalizoi përdorimin e Transnistrias nga Moska si një trampolinë e tensioneve të reja në rajonin rreth Moldavisë. Duke qenë se qeveritë e vendeve anëtare të SEECP, përfshirë edhe atë të Shqipërisë, e legalizuan Moldavinë si shtet ballkanik, duhet pritur që këto tensione të rrezatojnë edhe në drejtim të gadishullit.

Zëvendëskryeministri rus njoftoi në Tiraspol, qendra e Transnistrias, se Rusia do të sjellë armë të reja moderne për forcat e saj të armatosura të dislokuara në këtë rajon, ku janë vendosur 1500 ushtarakë rusë, sipas mediave ruse, dhe mbi 2500 ushtarakë, sipas mediave perëndimore. Armatosja e ushtarakëve dhe e paqeruajtësve rusë me armë moderne paralajmëron në planin ushtarak rritjen e garës së armatimit dhe të përgatitjes për konflikte në një "shtet ballkanik", ndërsa në planin politik dhe strategjik sinjalizojnë vazhdimësinë e qendrimit të trupave ruse në territorin e një "shteti ballkanik". Një javë përpara Rogozinit, në Tiraspol zhvilloi një vizitë provokuese ministri rus i Mbrojtjes, i cili as mori lejen e autoriteteve shtetërore moldave për vizitën e tij.

Njoftimi tjetër i rëndësishëm, që ngjalli jehonë ndërkombëtare dhe që u dha nga Moska në ditën kur Rogozin ndodhej në Moldavi, ishte lajmi i gazetës "Njezavisimaja gazeta", e cila më 17 prill, duke iu referuar burimeve të presidencës ruse, shkruante se Rusia planifikon të dislokojë në Transnistria elemente të sistemit të saj të mbrojtjes antiraketë. Ministria ruse e Mbrojtjes e përgënjeshtroi këtë njoftim, por janë të gjitha parametrat për ta parë njoftimin e mediave ruse si një paralajmërim apo kërcënim të Moskës në drejtim të NATO-s, pra në drejtim të vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë edhe ato që janë në Ballkan. Presidenti i Rusisë ka kërcënuar disa herë se Moska do të dislokojë sistemin e mbrojtjes së saj antiraketë në disa vendvendosje të reja, si masë për t'iu kundërvënë dislokimit të sistemit të mbrojtjes antiraketë të NATO-s në Poloni dhe në Rumani. Rusia filloi zbatimin e këtyre kërcënimeve dy javë më parë, duke vendosur raketat S-400 në enklavën e Kaliningradit, mes Polonisë dhe Lituanisë. Ndërsa vendosja e sistemit antiraketë të NATO-s në vendet anëtare ndërmerret si masë mbrojtje e aleatëve atlantikas nga sulmet eventuale të Iranit apo të Koresë së Veriut, vendosja e sistemit antiraketë të Rusisë në veri apo në jug të Europës, nuk ka ndonjë bazë logjike, sepse nuk ekziston kërcënimi perëndimor për shtetin rus. Nuk duket gjithashtu e rastit që Moska e shpërndan këtë informacion apo dezinformacion për planet e dislokimit të sistemit të raketave ruse në Transnistria në prag të samitit të NATO-s, që do të mbahet në Çikago muajin tjetër, dhe ku një nga çështjet e rendit të ditës është pikërisht sistemi i mbrojtjes antiraketë i aleancës atlantike. Informacioni apo dezinformacioni i mediave ruse për raketat në Transnistria nuk mund të lihet jashtë vëmendjes dhe jo rastësisht reagoi menjëherë ministri i Mbrojtjes i Moldavisë, Vitalie Marinuta, i cili deklaroi se Rusia nuk ka të drejtë të dislokojë raketa në Transnistria pa lejen e shtetit moldav.

Rusia e di se në planin e së drejtës dhe të ligjit ndërkombëtar, një veprim i tillë i saj do të përbënte një dhunim të sovranitetit dhe të integritetit të Moldavisë. Ndaj, Moska po punon me insistim që statusi i Transnistrias të shkëputet nga Moldavia dhe rusët ta kenë fushën të lirë për dislokime të reja ushtarake atje. Çështja e dislokimit të raketave ruse në Transnistria nuk del për herë të pare tani. Edhe para dy vjetësh, presidenti i Transnistrias, Igor Smirnov pat deklaruar se Transnistria është gati të pranojë sistemin rus të raketave, nëse Rusia vendos t'i dislokojë ato raketa në atë territor.

Është e kuptueshme se alternativa e vendosjes së sistemit të raketave ruse në Transnistria,- në territorin e një shteti që është anëtar i të vetmes organizatë ballkanike dhe që ka fituar me këtë anëtarësi statusin e pjesëtarit të rajonit ballkanik,- e komplikon situatën për rajonin. Ai do të sillte me vete kërcënimin për pasiguri më të madhe edhe në drejtim të Ballkanit, dhe automatikisht do të sanksiononte një implikim të Rusisë në konjukturat ushtarake dhe strategjike të rajonit.

Në planin gjeopolitik, Rusia e konsideron Moldavinë një hapësirë postsovjetike, e cila ndodhet dhe duhet të ndodhet në sferën ruse të influencës. Zëvendëskryeministri rus, Dimitri Rogozin e shprehu pa doreza strategjinë ruse, kur deklaroi në Moldavi se "Rusia ka përgjegjësi të plotë për paqen dhe sigurinë në hapësirën e madhe gjeopolitike ish- sovjetike. Ne kurrë nuk do të lejojmë ndonjërin që të diskutojë mandatin e Rusisë në këtë çështje ose të drejtën ekskluzive të Rusisë që të japë siguri në rajon".

Me një fjalë, Rusia e konsideron Moldavinë një territor, ndaj të cilit ajo ka përgjegjësi politike dhe ushtarake. Duke qenë se ky territor ish-sovjetik është edhe një "shtet ballkanik", apo më mirë një ndërtim i paligjshëm ballkanik, kjo do të thotë se Rusia mund t'i japë vetes të drejtën që, në emër të sigurisë së sferës së saj të influencës ish- sovjetike, të pretendojë edhe për rajonin, ku Moldavia është pranuar anëtare. Kështu që Ballkani, i cili e ka klasifikuar dhe përfshirë Moldavinë në organizatën e vetme të shteteve ballkanike, nuk duhet të habitet që pretendimet e Rusisë në planin e sigurisë dhe të strategjisë të shtrihen edhe mbi Ballkanin.

Rasti i Moldavisë evidenton se sa me pasoja është një diplomaci dritëshkurtër dhe me komplekse nënshtrimi ndaj shteteve të rajonit dhe ndaj interesave të tyre meskine. Sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe pranimi në tryezën ballkanike i shteteve, që nuk kanë të bëjnë me rajonin dhe që për më tepër janë vatra tensionesh dhe burimesh rreziku. Nuk po shtyhemi më tej për të kërkuar se përse Shqipëria e ka dhënë pëlqimin e saj për pranimin e Moldavisë në kulmin e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës dhe nuk i ka kërkuar asgjë në shkëmbim as Rumanisë, të cilës po i plotësonte një kërkesë të padrejtë, dhe as Moldavisë, të cilën po e pranonte si anëtare në një organizatë rajonale, që nuk i takonte. Dhe sot e kësaj dite, as Rumania dhe as Moldavia nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Sindroma e legalizimeve të paligjshme brenda vendit, me sa duket ka infektuar dhe politikën e jashtme të qeverisë, duke harruar se ndërtimet e paligjshme, të çdo lloji qofshin, kanë brenda farën e trazirave dhe të shpërthimeve të rrezikshme në të ardhmen, për një shoqëri, për një shtet, për një organizatë ndërkombëtare, për një rajon.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KEQ E MË KEQ E GJITHANga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (04.23.2012)
IBRAHIM KODRËS MË 1973 NË TIRANË I THANË NUK KEMI BURGJENga VISAR ZHITI (04.22.2012)
VETËVRASJA EKONOMIKE E EVROPËSNga PAUL KRUGMAN, New York Times (04.17.2012)
KUJTESË TURKOFOBËVE SHQIPTARËNga ESHREF YMERI (04.17.2012)
PARTNERITETI KUNDËR KORRUPSIONITNga FRANK SHKRELI (04.16.2012)
EDHE NJË HERË MBI KOLABORACIONIZMINNga RESHAT KRIPA (04.16.2012)
Barometri diplomatikKËRKESË E GABUAR ABSURDE DHE IRACIONALE!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (04.15.2012)
NË KOSOVË VRITEN ATDHETARËT E PËRFITOJNË PUSHTETARËTNga Mr. sc. NUE OROSHI (04.13.2012)
NDËRROI JETË MAJK UALLES - GAZETAR AMERIKAN ME FAMË BOTËRORENga FRANK SHKRELI (04.11.2012)
Ç'KA QË SHQETËSOHET KJO ZONJA AMBASADORE E GJERMANISË?!Nga ESHREF YMERI (04.10.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]