E Premte, 10.11.2024, 01:11am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
LIRI E MARRЁ PENG
Meditim Nga Përtej Oqeanit Në Natën e Lirisë
Nga ILIR HYSA, Nju Jork

E Enjte, 07.05.2012, 10:16am (GMT+1)



Vendosa të shkruaj këto rreshta sot në ditën kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po festohet 236 vjetori i pavarësisë se vendit kampion të lirisë. Festa e pavarësisë këtu ka disa dimensione. Amerikanët gjejnë rastin të shprehin mirënjohjen e tyre ndaj atyre që veshin uniformën dhe sakrifikojnë gjithçka nga vetja për lirinë e këtij vendi të bekuar. Kjo festë shërben edhe si moment frymëmarrjeje për gjithësecilin në mënyrë që të bëjë bilancin e arritjeve dhe dështimeve. Ndërsa qielli i Nju Jork-ut dhe qyteteve të tjera është ndezur zjarr nga vezëllima e fishekzjarrëve shumëngjyrësh, mendja më shkon përtej Atlantikut, në Europën plakë, Ballkanin fuçi baruti, Shqiperinë hallemadhe. Dhe natyrshëm pyes veten: Cili është bilanci ynë sot, afro 22 vjet nga fillimi i një udhëtimi të ri? A kanë shqiptarët sot më shumë liri se dje? Sigurisht që përdorimi i standarteve amerikane për të matur arritjet dhe dështimet e Shqipërisë do të ishte një kafshatë e madhe për t'u gëlltitur. Megjithatë, nëse ne duam të ndërtojmë një shoqëri vërtet demokratike, çdo standart tjetër do të ishte më pak i pranueshëm se sa etaloni amerikan.

Në rrafshin e lirisë dhe të drejtave bazë të individit Shqipëria trumpeton se ka shënuar arritje të mëdha, ndërkohë që mbetet e paqartë se çfarë gëzojnë qytetarët shqiptarë sot më shumë se në vitin 1991, me një përjashtim, lëvizjen e lirë në Europë. Gjithashtu, mbetet e paqartë pse shifrat që raportohen nga Freedom House (organizatë monitoruese e treguesve të vendit tonë dhe shumë vendeve të tjera) shënojnë rënie për Shqipërinë krahasuar me vitin e kaluar. Treguesi më i qartë i dështimit të Shqipërisë është nevoja për lindjen e nismës "Vepro Tani" dhe thirrja që Ambasadori Amerikan Arvizu i drejtoi shoqërisë civile dhe mbarë shqiptarëve. Fenomenet nga më negativet u bënë bashkëudhëtare në mëse dy dekada dhe ia prishën shqiptarëve shijen e asaj që ata kishin endërruar. Gjatë kësaj periudhe shumë pronarëve iu grabit prona, shumë shqiptarë nuk gjetën drejtësi, shumë shqiptarë ranë viktima të praktikave korruptive të rrushfetit dhe nepotizmit, çdo shqiptari iu akumulua 300 mijë lekë borxh të cilat qeveria shqiptare mori gjatë këtyre viteve, shumë të tjerë u mashtruan me premtime boshe dhe përveç traumave të së kaluarës komuniste iu shtuan edhe trauma të reja në absurdin e quajtur tranzicion etj.  Shprehja më e qartë e lirisë është trajtimi i barabartë para ligjit. Në Shqipëri deputetët janë të veshur me imunitet dhe nuk i dorëzohen drejtësisë, ndërsa qytetarët e thjeshtë, edhe pse ndoshta të veshur me pafajësi i dorëzohen drejtësisë dhe shpesh ndëshkohen.

Por le të kthehemi edhe një herë  tek ajo pjesë e popullsisë të cilës iu bënë premtime për vite dhe vite me radhë vetëm për ti përdorur si elektorat dhe ende më keq, duke pritur për drejtësi iu helmuan edhe ato pak gëzime të mbetura dhe dhunua edhe ajo pak liri që kishte. Asaj iu dhunua edhe e vetmja gjë që kishte mbetur, pak dinjitet. Dinjiteti vihet në vend vetëm me dënimin e krimit. Hapja e dosjeve të komunizmit, e njohur ndryshe si procesi i lustracionit, nuk u realizua asnjëherë gjatë këtyre dy dekadave, pavarësisht se dosjet e komunizmit janë lakuar në të gjitha vetat për një qëllim të mbrapshtë, madje ilegal të përdorur nga politikanët e Tiranës. Këta të fundit ia kanë përmendur vazhdimisht dosjet njëri-tjetrit por asnjëherë me qëllimin për t'iu bërë shqiptarëve transparëncën e shumëkërkuar dhe ndarjen institucionale nga krimet komuniste. Kjo taktikë është përdorur për të thënë "mos fol për mua nëse nuk do që të dalin telashe për vete!" dhe ky lloj kërcënimi me qëllim përfitimi (njohur në perëndim me termin blackmailing) është njëri nga manifestimet më të qarta të degjenerimit të klasës sonë politike. Kjo sjellje e tyre të kujton të ashtuquajturën "dilemë e të burgosurve" të akuzuar si bashkëfajtorë në krim. Shembulli klasik bazohet në personazhet e akuzuara Boni dhe Klajd (Bonnie and Clyde). Nga njëra anë, të akuzuarit e dijnë se nëse të dy heshtin dhe nuk pranojnë krimin, dalin pa lagur. Nga ana tjetër, ata nuk kanë asnjë garanci se tjetri do të heshtë dhe duke pranuar krimin, pranojnë një dënim të lehtë për vete dhe lenë tjetrin të vuajë dënimin e rëndë. Në rastin e politikanëve shqiptarë, deri tani ata e kanë fshehur krimin dhe kanë dalë pa lagur. Deri kur do të ndodhë kjo? Përgjigjja mbetet e paqartë. Kryeministri Berisha akuzoi para ca kohësh Presidentin Topi për mosfirmosjen e Projektligjit të Lustracionit për ta shndërruar atë në ligj, ndërsa ky i fundit u përgjigj se nuk mund të firmoste një projektligj që ishte cilësuar si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese dhe që u kontestua edhe nga Komisioni i Venecias. Më tej Presidenti Topi nuk harroi ti kujtonte Kryeminstrit Berisha se ky i fundit duhet tu shpjegonte shqiptarëve polifotot me ish-anëtarët e Byrosë Politike dhe se Shqipëria meritonte më shumë se pinjollin e një zyrtari të lartë të diktatures si kreun e Komisionit të Ligjeve në Parlament. Fjala sigurisht ishte për Ilir Rusmailin. Nga ana tjetër, Presidenti Topi, i cili pas mbarimit të mandatit si president në 24 Korrik 2012 ka bërë të qarta synimet për të rihyrë në politikë si misionar, ka thënë se posedon një listë të bashkëpunëtorëve të Ish-Sigurimit të Shtetit që sot janë në majat e politikës shqiptare. Shumëkush e sheh këtë çështje si gjueti shtrigash dhe pritshmëritë për zhvillime positive në shumicën e rasteve janë pothuajse në nivelin zero.

Shembulli i mësipërm është vetëm një ilustrim i ping-pongut që është luajtur për vite e vite më radhë me njerëzit që erdhën nga familjet më fisnike shqiptare dhe që e paguan lirinë më shtrenjtë se kushdo tjetër. Në fakt, ata vetëm paguan se nuk morën atë për të cilën paguan. Lirinë e tyre e kanë marrë peng, ndërsa ata me një durim që është e vështirë ta kuptosh presin, shpresojnë, ëndërrojnë ditë më të mira. Ka mes tyre edhe Gjergj Ndreca që janë lodhur duke pritur dhe e bëjnë drejtësinë e munguar në bulevard. Ka nga ata që nuk hezitojnë të thonë se cili ministër e ka radhën për tu rrahur. Në fund të fundit, për shumë nga ata jeta në qeli mund të jetë më e lehtë se sa jeta jashtë saj. Gjergj Ndreca ka parë nga afër se si bashkëvuajtësit e mbetur pa familje, pa shtëpi, pa asgjë, kanë vdekur dhe janë lënë nga shteti shqiptar mbi dhé pa një varr. E ndërsa të gjitha këto trauma që përjetojnë njerëz të shumëvuajtur fashiten në memorjen kolektive sikur të mos kishin ndodhur kurrë, duke rendur pas drejtësisë së djeshme këta njerëz nuk kanë humbur vetëm të djeshmen por edhe të sotmen. Ata bëhen prehë e gënjeshtrave dhe shpesh iluzioneve se më e keqja kaloi dhe një agim i ri po vjen. Për fat të keq, ai agim nuk shihet gjëkundi. Ndërsa vëzhgojmë qëndresën e tyre stoike para poshtërsive dhe mashtrimeve, lindin natyrshëm pyetjet: Çfarë shoqërie jemi ne? Çfarë vlerash duam të promovojmë ne? Deri kur duhet lejuar që liria të merret peng? Çfarë mesazhesh përcjell neglizhenca ndaj antikomunistëve shqiptarë tek brezi i ri?

Dhe ndërsa zhurma e fishekzjarrëve më shkund për një moment nga mendimet e thella, sërisht më shkon mendja tek nderimi që u bëhet këtu, në këtë anë të Atlantikut, atyre që kanë luftuar për liri. Ata nderohen në jetë të jetëve. Ndërsa në Shqipëri ata lihen të mbulohen nga pluhuri i harresës. Edhe kur kujtohen, kjo bëhet në mënyrat nga më modestet nga bashkëvuajtësit e tyre por jo nga shteti shqiptar. Për shembull, para disa ditësh me nismën e Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës Mbarëkombëtare të të Përndjekurve Politikë Shqiptarë, Besim Ndregjoni u mbajt në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" ekspozita "Shqipëria Kujton Eshtrat e Tyre nuk Kanë Varr" në kujtim të 4 mijë e pesëqind intelektualëve antikomunistë të cilëve nuk u dihet as vendi ku kanë eshtrat. Kjo është akuza më e fuqishme ndaj një qeverisjeje që mund të jetë gjthçka përveç qeveri e antikomunistëve shqiptarë. Ndërkohë, halleshumët vazhdojnë e bredhin nga kjo zyrë në atë zyrë për të mbledhur qindra letra dhe për të vënë në vend dinjitetin e djeshëm dhe bashkë me gjithçka që humbën dje, humbin shumë edhe sot. Nga ana tjetër, rituali i zyrtarit që zgërdhihet kur sheh paranë është simptomë e një qeverisjeje të korruptuar me zyrtarë të pangopur të cilët përveç kafshatës së gojës u marrin viktimave edhe atë pak dinjitet, atë dinjitet që ata aq shumë duan por i cili ka mbetur të matet me pikatore. Dhe ata me të drejtë ndjejnë se liria e tyre është marrë peng dhe akuzojnë ...
ILIR HYSA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Replikë me Paskal MilonKLITHMA E HIENAVENga RESHAT KRIPA (07.04.2012)
DOMETHËNIA E VËRTETË E KATËR KORRIKUT- PAVARËSISË SË SHTETEVE TË BASHKUARANga FRANK SHKRELI (07.03.2012)
Replikë me z Guri ShytiA DO TË SHKRUHET HISTORIA E VËRTETË?Nga RESHAT KRIPA (07.03.2012)
BAROMETRI DIPLOMATIKJO DIALOG, POR MBYLLJE TË KUFIJVE ME SERBINË!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (07.02.2012)
KUR FATI I VIKTIMAVE TË PAFAJSHËME ËSHTË NË DORË TË RUSISË DHE KINËSNga FRANK SHKRELI  (06.30.2012)
BAROMETRI DIPLOMATIKNË KOSOVËN E SHQIPËRISË ETNIKE NUK KA KOMB KOSOVAR, POR VETËM NJË PJESË E KOMBITSHQIPTARNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (06.29.2012)
EKONOMIA SHQIPTARE NË PRAG TË RREBESHEVEMoody’s: Po degradojnë parametrat fiskalë të QeverisëNga ILIR HYSA (06.29.2012)
"VEPRO TANI!"Nga RESHAT KRIPA (06.28.2012)
TË MOS NEPËRKËMBET LIRIA E SHTYPIT''Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur plotësisht'', Tomas XhefersonNga FRANK SHKRELI (06.27.2012)
TRAJNIMI I NJË BREZI TË QYTETARËVE GAZETARËNga NAOMI VOLF, Reuters (06.26.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]