
Në një letër që i ka dërguar ish-drejtorit të Muzeut Kombëtar, Prof.dr. Kasem
Biçokut, letër kjo që mban datën 28 shtator 2009, zonja Nexhmije Hoxha, ndër të
tjera, shkruan:
"...Ndoshta, në një rast a kohë tjetër, kur Muzeu Historik Kombëtar, për vetë emrin
shumë të nderuar që mban, do të organizojë ekspozita edhe për personalitete
politike që kanë shkrirë një jetë për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë
një vend të merituar në historinë e kombit shqiptar, siç është Enver Hoxha,
familja ime, bashkë me dokumentet autentike që disponon për "Jetën dhe
veprën e Enver Hoxhës", do t'i huazonte Muzeut edhe dorëshkrimin e romanit
më të vlerësuar të Ismail Kadaresë, po ndoshta edhe dorëshkrime të tjera
origjinale të tij" (Citohet sipas: Fatmira Nikolli. "Nexhmije Hoxha: Ju jap
dorëshkrimet e Kadaresë, kur të respektoni Enverin!". Botuar në "Gazeta
Shqiptare". 21 korrik 2012).
Në parim, zonja Hoxha ka të drejtë që Enver Hoxhës duhet t'i jepet vendi që i
takon në stendat dhe në dokumentacionin e Muzeut Kombëtar. Për 42 vjet, Enver
Hoxha ishte në krye të Partisë Komuniste dhe të shtetit shqiptar. Këtë periudhë
gati gjysmëshekullore ne shqiptarët nuk mund ta mohojmë dot me një të rënë të
lapsit. Në të kundërt, ne nuk do t'ua krijojmë dot mundësinë breznive pasardhëse
për t'u njohur nga afër me veprën e Enver Hoxhës, si njërit nga diktatorët më
të egër që ka njohur historia e njerëzimit. Prandaj Enver Hoxha duhet të zërë
"vendin e merituar", siç thotë zonja Hoxha, në historinë e kombit shqiptar.
Për faktin se sa shumë Enver Hoxha "e ka shkrirë jetën për lirinë dhe
pavarësinë e Shqipërisë", duhet që ne shqiptarët, përmes fakteve bindëse, të
ekspozuara në stendat dhe në dokumentacionin e Muzeut Kombëtar, t'u tregojmë
breznive pasardhëse se "sakrificat e shumta" të Enver Hoxhës për atë "liri dhe
pavarësi" që përmend zonja Hoxha, në vitet '80 të shekullit të kaluar
përfunduan me një dështim skandaloz të përmasave proverbiale. Populli shqiptar,
por sidomos brezi i ri dhe fëmijët, u gjend para rrezikut të degjenerimit gjenetik,
për shkak të mungesës së ushqimit. Liri dhe pavarësi, do të thotë, para së
gjithash, mirëqenie ekonomike. Mirëqenien ekonomike të popullit shqiptar, Enver
Hoxha erdhi duke e sakatuar shkallë-shkallë, derisa e zbriti në nivelin e
frikshëm të viteve '80.
Unë mendoj se Enver Hoxhës duhet t'i ekspozohet në Muzeun Kombëtar edhe një
portret i përmasave të duhura. Por ama rreth atij portreti duhet të ekspozohen
edhe disa fakte në formë citatesh, në të cilat zbulohet fytyra e vërtetë e
Enver Hoxhës si tradhtar i kombit shqiptar, si vegël e urryer, si servil i
pështirë, pa kurrfarë personaliteti, i rusogrekoserbizmit.
Këtu poshtë po radhis ca fakte fare modeste që lexuesit e nderuar mund t'i kenë
parasysh.
Së pari: Miladin Popoviçi, pasi mori në dorë Rezolutën e Konferencës së Mukjes,
e zhubraviti, e bëri shuk dhe ia pëplasi në fytyrë Enver Hoxhës. Dhe Enver
Hoxha, si një servil i pështirë i emisarit jugosllav, për turpin e tij dhe të
Partisë Komuniste të Shqipërisë, nuk mundi të reagonte siç i takonte një njeriu
me dinjitet kombëtar. Përkundrazi, ai heshti tamam si ndonjë qen i rrahur para
agait të tij serbomadh. Këtë fakt të turpshëm për biografinë e Enver Hoxhës, e
ka zbuluar në Arkivin e Shtetit Prof.dr. Muharrem Dezhgiu.
Së dyti: Në Plenumin e Beratit të muajit nëntor të vitit 1944, emisari
jugosllav, Velimir Stojniç, deklaroi:
"Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë,
sepse imperializmi do ta gëlltiste; ...e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet
në një konfederatë me Jugosllavinë" (Stefanaq Pollo, Arben Puto. "The History of Albania from its origins to the
present day". Routledge & Kegan Paul Ltd. 1981, f. 245. Citohet sipas:
Mërgim Korça. "Kush e shkruan historinë". Gazeta "Metropol". 17-18 korrik
2012).
Së treti: Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 15
dhjetor të vitit 1947, ka deklaruar shprehimisht:
"...Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto
të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri,
etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq
më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë..." (Citohet
sipas: Mërgim Korça. "Ku gënjen Paskal Milo. Replikë me historianin "e
nderuar". Gazeta "Metropol". 14 korrik 2012).
Me këtë porosi të prerë që jepte tradhtari Enver Hoxha për bashkimin e
Shqipërisë me Jugosllavinë, ai çonte në vend urdhrin e Beogradit, të këtij
armiku shekullor të kombit shqiptar, për gllabërimin sa më të shpejt të vendit
tonë nga ana e shovinizmit serbomadh, urdhër ky, të cilin Velimir
Stojniçi ia përcolli tre vjet më parë Partisë Komuniste të Shqipërisë në
Plenumin e 2-të të Beratit që u përmend më lart.
Kjo kërkesë e ngutshme për bashkimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me Jugosllavinë,
dëshmon për natyrën prej frikacaku dhe prej njeriu të pakarakter të Enver
Hoxhës, i cili nuk kishte kurrfarë besimi në forcën krijuese dhe në shpirtin e
paepur të popullit shqiptar, i cili mund të bëjë me të vërtetë mrekullira kur
udhëhiqet nga politikanë me vetëdije të lartë kombëtare. Si një njeri pa
shtyllë kurrizore, Enver Hoxha kërkonte t'ia vishte edhe popullit shqiptar
tiparet e tij prej langoi të Beogradit.
Së katërti: Pas kthimit nga vizita në Bullgari në dhjetor të vitit 1947, në
mitingun e organizuar në Sheshin "Skënderbej", Enver Hoxha iu drejtua të
pranishmëve me thirrjen:
"...Të rrojë bashkimi dhe vëllazërimi me popujt e mareshalit Tito" (Gazeta
"Bashkimi", 20 dhjetor 1947. Cithet sipas: Dr. Vasfi Baruti. "28 nëntori i
tretë". Botim i Qendrës së Pavarur Sociologjike "Eureka". Tiranë 2006, f. 32).
Së pesti: Pas takimit që nacionalisti i shquar kosovar Halim Spahia pati me
Titon pas luftës, i cili e refuzoi kërkesën e tij për bashkimin e Kosovës me
Shqipërinë, ai vendosi të vinte në Shqipëri.
"Në të kthyer nga Beogradi në Gjakovë e Prizren, ku kishte takime sekrete me
anëtarët e KQ të LNDSH dhe patriotë të njohur, udhëtoi për në Tiranë për t'u
takuar me Enver Hoxhën (me të cilin njihej mirë qysh më herët). Në këtë takim
me Enver Hoxhën, në prezencën edhe të sllavomaqedonit Koçi Xoxe, kërkoi
përkrahjen e Enver Hoxhës për këtë çështje me rëndësi jetike për ardhmërinë e
Kosovës dhe të kombit shqiptar, por pa dobi, pasi nuk gjeti mirëkuptim dhe as
mbështetje të duhur". (Citohet sipas: "Halim Spahia - Uikipedia". Marrë nga
faqja e internetit, 07 shtator 2010).
Siç dihet, ky nacionalist i shquar, gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri,
arrestohet me urdhër të Enver Hoxhës dhe u dorëzohet autoriteteve jugosllave,
të cilat e pushkatuan në vitin 1946, bashkë edhe me disa nacionalistë të tjerë.
Së gjashti: Në një takim që përfaqësuesi i misionit amerikan në Tiranë Jakobs
ka pasur me Enver Hoxhën më 16 tetor 1946, i ka thënë këtij të fundit se
Shqipëria mund të shtrojë si çështje futjen në axhendën e Konferencës së Paqes
në Paris të kërkesës pë rajonin e Kosovës. Madje ai e ka pyetur ballazi:
"A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të
studiohet?".
Dhe Enver Hoxha, si tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës, dha këtë përgjigje:
"...ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja
jonë, Jugosllavia" (Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. "Tensioni
greko-shqiptar 1939-1949". GEER. Tiranë 2002, f. 516).
Së shtati: Në takimin me Molotovin, ministrin e jashtëm të BRSS, takim ky që u
zhvillua në Varshavë më 24 qershor 1948, Enver Hoxha deklaroi:
"Letra e KQ PKP(b) e shpëtoi Shqipërinë nga një rrezik i madh. Shqipëria
dhe Partia Komuniste e Shqipërisë u ndodhën në një rrezik të madh si rezultat i
veprimeve të drejtuesve të Jugosllavisë" (Citohet sipas: "Shqipëria në
dokumentet e arkivave ruse". Botimet TOENA. Tiranë 2006, f. 174).
Para gjashtë muajsh, Enver Hoxha kërkonte ta bashkonte Shqipërinë me çifligun
jugosllav të agait Tito. Gjashtë muaj më pas, ai braktisi çakallin jugosllav,
për të përfunduar në strofkën e ujkut rus.
Së teti: Në letrën që Enver Hoxha i dërgonte Stalinit në vitin 1949 për
Kosovën, deklaronte:
"Shqiptarët e Kosovës duhet ta mësojnë mirë se armiku i tyre i
pamëshirshëm... është imperializmi amerikan..." (po aty, f.257).
Me këtë deklaratë, Enver Hoxha, si një servil i regjur, binte në bark para
agait të Kremlinit, duke mohuar në mënyrën më të paturpshme kontributin e
jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen e tërësisë
territoriale të Shqipërisë nga epshet agresive të shovinizmit grekomadh dhe të
kishës shoviniste greke. Ky kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u
manifestua në mënyrën më të shkëlqyer edhe në mbrojtje të Kosovës në
gjashtëmujorin e parë të vitit 1999.
Së nënti: Bedri Spahiu në Plenumin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të
Shqipërisë të vitit 1954, sipas kujtimeve të Pjetër Arbnorit, e ka pas cilësuar
Enver Hoxhën "pusht pa princip" (Citohet sipas: Fatmira Nikolli. "Pjetër
Arbnori. Zbardhen pjesë të ditarit të burgut". "Gazeta Shqiptare", 08 mars
2010).
Së dhjeti: Në një dokument me shënimin "sekret" të arkivave ruse, flitet për
takimin që Enver Hoxha ka pasur me Stalinin më 02 prill 1951. Enver Hoxha
shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Beqir Balluku. Nga
pala ruse ishin të pranishëm edhe Molotovi, Malenkovi, Beria dhe Bulganini. Në
atë dokument thuhet:
"Enver Hoxha thotë se qeveria shqiptare ka si rezervë të vetën 2556 kg ar dhe
më shumë se 3 000 kg argjend. Qeveria shqiptare i drejtohet me një kërkesë
qeverisë sovjetike për ta lejuar ta dërgojë për ruajtje arin dhe argjendin në
Bankën Shtetërore të Bashkimit Sovjetik. Qeveria shqiptare është e mendimit se
ari dhe argjendi do të jenë në një vend më të sigurt, gjë që u përgjigjet
interesave të popullit.
Shoku Stalin thotë se këtë çështje Enver Hoxha duhet ta diskutojë me shokun
Mikojan" (Citohet sipas: "Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse". Botimet
TOENA. Tiranë 2006, f. 286).
A nuk mund t'i thotë popullit shqiptar zonja Hoxha se ç'u bë kjo sasi ari dhe
argjendi që Enver Hoxha kërkonte ta depozitonte në Bankën Shtetërore të
Bashkimit Sovjetik? Në kërkesën që i bën Stalinit, Enver Hoxha nuk përmend
ndonjë detyrim financiar të Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik. Apo me këtë
kërkesë Enver Hoxha mundohej t'i jepte garanci të forta Stalinit se ishte një
servil i thekur i tij?
Këto ishin ca fakte tejet modeste që radhita më lart, të cilat duhet të
pasurohen shumë më tepër në stendat dhe dokumentacionin e Muzeut Kombëtar nga
shtresa e nderuar e të përndjekurve politikë, nga të dhënat arkivore dhe nga
burime të tjera, në mënyrë që e vërteta për figurën sa kriminale aq edhe
servile të Enver Hoxhës, të dalë në dritën e diellit. Një rol të veçantë në
ekspozimin e kësaj të vërtete duhet të luajnë historianët, të cilët duhet të
udhëhiqen tërësisht nga objektiviteti shkencor, si ai që po shpalos në disa
analiza radhazi intelektuali i shquar Mërgim Korça.
Blez Paskal (Pascal - 1623-1662), njëra nga figurat e shquara të shkencës dhe
të kulturës franceze, thotë:
"Në kohët tona, kur e vërteta është fshehur poshtë sa e sa mbulesave, kurse
mashtrimi ka hedhur rrënjë kaq të thella, të vërtetën mund ta dallojë dhe ta
mbrojë vetëm ai që e do atë me gjithë shpirt".
Për fatkeqësinë tonë kombëtare, sundimi gjakatar i Enver Hoxhës dhe i turmës së
servilëve që kishte selitur rreth vetes, Shqipëria në dhjetëvjeçarin e fundit
të diktaturës komuniste, erdhi e u katandis në buzë të greminës. Izolimin e
përbindshëm të vendit dhe varfërimin e tij viti pas viti, zonja Hoxha i
vlerëson si "shkrirje të jetës së Enver Hoxhës për lirinë dhe pavarësinë e
vendit". Nuk mund t'i vëmë faj zonjës Hoxha për një deklaratë të tillë. Si
pjesë e pandarë e nomenklaturës së kuqe kriminale enveriane, ajo e ka të pamundur
të deklarojë ndryshe.
Megjithatë, ne shqiptarët duhet të jemi të vetëdijshëm se fajet për krimet e
diktaturës komuniste, nuk janë vetëm të Enverit, se Enveri ishte dhe mbeti një
kriminel dhe një sharlatan i lindur. Fajet dhe përgjegjësitë e mëdha bien edhe
mbi të gjithë atë shtresë komunistësh shumë të ndershëm që nuk u përmendën që
gjatë kohës së luftës dhe në vitet e para pas mbarimit të luftës, për të
vepruar me shpejtësi për eliminimin nga udhëheqja e partisë të atij përbinshi
me fytyrë njeriu. Mosveprimi në kohën e duhur i pjesës më të ndershme të
partisë, i krijoi mundësinë atij krimineli të forconte pushtetin personal në
krye të vendit dhe të ngrinte në qiell kultin e vet, duke u shndërruar në të
vetmen figurë me imunitet në Shqipëri.
Të gjithë ata komunistë të ndershëm që besuan se iu futën një beteje të
vërtetë për begatimin e ardhshëm të vendit, por që heshtën para figurës
mefistofeliane të Enver Hoxhës që e futi vendin në një luftë të vërtetë civile,
heshtjen e tyre, me kalimin e kohës, e paguan me kokë, me internime dhe me
burgime të rënda.
Nuk mund të ketë tragjedi më të madhe për një vend apo për mbarë një komb, kur
imunitetin e gëzon vetëm një individ që është në krye të tij. Pikërisht të
vërtetën për tiparet dhe karakterin e këtij individi-monstër, si puna e Enver
Hoxhës, duhet ta nxjerrin në dritën e diellit historianët tanë të ndershëm.
Sepse vetëm në këtë mënyrë ata do të japin kontributin e tyre të çmuar në
nderim të së Vërtetës.
Santa
Barbara, Kaliforni
22 korrik 2012