Shakaja diplomatike e kryeministrit turk dhe BEKryeministri i Turqisë, Rexhep
Taip Erdogan, i ftuar në një emision televiziv turk në 25 korrik, tregoi një
episod të vizitës së tij në Moskë një javë më parë, episod i cili zakonisht
rrëfehet në ditarët personal, pas largimit nga posti i lartë. Ai tregoi se me
presidentin rus bëjnë shpesh shaka dhe Vladimir Putini i ka thënë: "Ç'punë ka
Turqia në BE? Dhe unë me shaka i thashë: Ahere na pranoni në Organizatën e
Bashkëpunimit e Shangait, dhe ne do ta harrojmë BE-në. Dhe ne qeshëm të dy".
Është e kuptueshme se një kryeministër serioz i një shteti serioz, fuqi
rajonale në ngjitje dhe në ekspansion ekonomik e strategjik, duhet lexuar me
vëmendje, edhe kur tregon shaka diplomatike. Sepse ai nuk i zgjedh rastësisht ato,
që vendos t'i bëjë publike, dhe në aspektin diplomatik, "shakaja" merr formën e
një sinjali apo të një mesazhi domethënës për ata, që duhet ta dëgjojnë. Dhe në
rastin konkret është Brukseli, apo selia e Bashkimit Europian, apo shtetet më
të rëndësishëm të BE, ku Turqia ka që në vitin 1963, që troket në derën e
anëtarësimit dhe BE ka hapur bisedimet me të për Traktatin e pranimit që në
vitin 2005.
Kryeministri i Turqisë hap një temë të rëndësishme, e cila ka të bëjë jo
thjesht me orientimet dhe alternativat e shumta, që mund të ketë dhe ka
politika e jashtme e Turqisë, por me nevojën e një rikujtese për BE-në, e cila
në vorbullat e krizave ekonomike e financiare, ku është përfshirë dhe
tronditur, me sa duket nuk po u kushton vëmendjen e duhur fenomeneve dhe
proceseve të ristrukturimeve të vazhdueshme të sistemit të marrëdhënieve
ndërkombëtare dhe lëvizshmërisë së objektivave, interesave dhe të marrëdhënieve
strategjike të partnerëve dhe aleatëve në shekullin e ri.
Është diskutuar dendur në qarqet diplomatike dhe të analistëve ndërkombëtarë,
sidomos atyre perëndimorë, lidhur me dilemën se nga do të shkojë Turqia: Me
Perëndimin apo me Lindjen? Sa më shumë është forcuar profili i Turqisë në
planin ekonomik dhe diplomatik ndërkombëtar, aq dhe më intensiv është shkallëzuar
debati i mësipërm. Ka qenë një dilemë pothuaj artificiale, për faktin se Turqia
pret prej 50 vjetësh para portës së mbyllur të BE, dhe BE, e cila nuk ia hap
portën këtij shteti të fuqishëm, manifeston shenja xhelozie nga rritja dhe
shtrirja gjeografike e fuqisë ekonomike, politike e diplomatike të Turqisë në
rajonet jashtë perimetrit të anëtarësisë së BE.
Mesazhi, që kryeministri i Turqisë i dërgon BE me këtë "shaka" diplomatike, nuk
është paralajmërim për një kthim të timonit strategjik atlantik dhe perëndimor
të Turqisë, por duhet parë si një ftesë reflektimi për BE-në, për t'i kujtuar
asaj se Ankaraja nuk mund të presë përjetësisht përpara portës së BE-së dhe të
mos nisë të kërkojë bashkëpunime, partnerë dhe aleanca ekonomike, energjetike
dhe gjeopolitike, edhe jashtë klubit të mbyllur dhe selektiv të Bashkimit
Europian. Në rastin e Turqisë, BE i ngjan një vajze, e cila edhe i ka refuzuar
propozimin një djali, edhe bëhet xheloze dhe inatoset nga ideja se ai djalë
mund të nisë të kërkojë për nuse në anë të tjera.
Kushdo, që ndjek dinamikën e marrëdhënieve dhjetëra vjeçare të BE-së me
Turqinë, mund ta kuptojë se stanjacioni i anëtarësimit nuk është çështje e
plotësimit të parametrave dhe kritereve të formuluara nga BE. Sepse nën
qeverisjen e kryeministrit Rexhep Taip Erdogan, Turqia ka ndërmarrë reformat më
të mëdha në fushat e kërkuara nga BE, që nga të drejtat e njeriut, të drejtat e
minoriteteve e deri tek kontrolli civil i forcave të armatosura. Sikurse
nënvizoi kryeministri i Turqisë në paraqitjen e tij televizive, Turqia i ka
gati të gjitha kapitujt e Traktatit të pranimit në BE. Ahere ajo, që mbetet të
rishikojë politikën dhe qëndrimin është vetë BE, i cili me obstruktivitetin e
ndjekur në marrëdhëniet me Turqinë,vetë e shtyn Ankaranë, që për hir të
interesave të saj kombëtare, të shqyrtojë mundësitë edhe të një rivlerësimi të
disa orientimeve të politikës së saj të jashtme. Shumë shtete dhe organizata
ndërkombëtare në Azi do të ndjeheshin të joshur nga ideja e një orientimi të
Turqisë drejt kontinentit aziatik. Edhe toponimet e përdorura në "shaka", që
nga Rusia dhe deri tek SCO e Shangait,(e krijuar nga Rusia dhe Kina), e kanë
aromën e një domethënie.
Është e njohur se nuk janë të gjithë shtetet anëtare të BE kundër pranimit të
Turqisë në BE, por deri tani kanë qenë hapur kundër dy shtetet më të
rëndësishëm të organizatës, Franca dhe Gjermania, dhe më veçanërisht, ish
presidenti Nikolas Sarkozi dhe kancelarja Anxhela Merkel. Parisi dhe Boni kanë
diktuar edhe qëndrimin e zvarritjes së procesit të pranimit të Turqisë në BE.
Është folur dhe flitet shpesh në qarqet e specializuara brenda dhe jashtë BE se
në marrëdhëniet e tensionuara mes BE dhe Turqisë nuk është shkaku tek
parametrat teknikë apo tek standardet demokratike, por janë interesa individuale
të të dy shteteve të mëdha brenda BE, që nuk dëshirojnë ta pranojnë Turqinë,
duke u nisur nga faktori demografik dhe nga faktori fetar. Faktori demografik
ka të bëjë me faktin se pranimi i një shteti me 80 milionë banorë, do t'i jepte
Turqisë të njëjtin numër deputetësh dhe nivel pjesëmarrjeje në institucionet
vendimmarrëse, që ka Gjermania dhe Franca, gjë që rrjedhimisht do të çonte në
një pakësim të rolit të tyre si dyarki drejtuese e BE. Faktori fetar ka të bëjë
me faktin se popullsia e Turqisë i përket besimit islam, dhe disa prej
drejtuesve të rëndësishëm të politikës së BE, insistojnë t'i ruajnë identitetin
e BE si një klub ekskluzivisht kristian. Të para në një këndvështrim realist,të
dy faktorët e mësipërm janë shumë më tepër minorë se sa faktorët e tjerë të
karakterit strategjik europian dhe atlantik, të cilat sugjerojnë dhe votojnë në
favor të anëtarësimit të Turqisë.
Turqia është një shtet edhe ballkanik, edhe europian, me një histori
shumëshekullore të lidhur me Europën dhe zhvillimet e saj, me një pozicion
tepër të rëndësishëm gjeografik dhe gjeostrategjik në kryqëzim të rrugëve dhe
vijave, që lidhin tre kontinente, Europën, Azinë dhe Afrikën e Lindjen e Mesme.
Në planin e arkitekturës së sigurisë, Turqia si vend anëtar i NATO-s ka patur
historikisht dhe ka një rol të pazëvendësueshëm dhe ky rol po evidentohet me
forcë të veçantë në ditët e sotme, në rastin e pranverës demokratike arabe dhe
të krizave e tronditjeve në Lindjen e Mesme dhe sidomos me ngjarjet dramatike
në Siri, si dhe në raportet e tensionuara mes Perëndimit dhe Iranit. Ka mbetur
dhe është e pakuptueshme se si BE, ku shumica e shteteve anëtare janë edhe
anëtarë të Aleancës Atlantike, përpiqen ta mbajnë Turqinë jashtë BE, në një
kohë kur gëzojnë, dhe duan të përfitojnë, nga favoret e kontributit të Turqisë
si shtet i rëndësishëm i NATO-s në planin ushtarak për sigurinë atlantike.
Në planin tjetër të sigurisë energjetike dhe strategjike, BE po rropatet të
ndërtojë gazsjellës dhe naftësjellës ndërkombëtarë, që pakësojnë varësinë e tij
energjetike nga Rusia dhe të sigurojë burime të reja furnizimi nga shtetet e
Azisë Qendrore. Kjo është një politike e drejtë, por nuk mund të realizosh këtë
pavarësi energjetike, pa marrë në konsideratë se të gjithë gazsjellësit dhe
naftësjellësit e projektuar kalojnë dhe duhet të kalojnë nga territori turk për
shkak të pozicionit ekskluziv gjeografik. Pavarësia energjetike e Europës nga
Rusia pa Turqinë, është një mision i pamundur.
Ka diçka, që nuk shkon në politikën dhe në qëndrimet e BE lidhur me anëtarësimin
e Turqisë. Kjo është kaq evidente, sa që 16 ministra të jashtëm të vendeve
anëtare të BE, publikuan në 29 qershor të vitit 2012 një artikull të përbashkët
me titull: "BE dhe Turqia: Më të fuqishëm së bashku". Në këtë artikull, ndër të
tjera, shkruhet: "Në një kohë kur BE përballet me sfida ekonomike dhe me pa
stabilitet në rritje në Lindjen e Mesme, marrëdhëniet tona me Turqinë vlejnë më
shumë se kurrë. Turqia u ofron fqinjëve të saj një shembull ndërkombëtar të një
shteti sekular dhe demokratik. Ashtu si Turqia duhet të plotësojë detyrimet e
saj ndaj BE, ashtu dhe BE duhet të plotësojë detyrimet e saj ndaj Turqisë".
Nënshkruesit e artikullit të përbashkët janë ministrat e jashtëm të Italisë,
Britanisë së Madhe, Suedisë, Finlandës, Spanjës, Estonisë, Hungarisë, Polonisë,
Portugalisë, Bullgarisë, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Gjermanisë, Letonisë
dhe Lituanisë.
Diplomacia e më shumë se gjysmës së shteteve anëtare e pranon publikisht se ka
diçka, që duhet të ndryshojë në marrëdhëniet mes BE dhe Turqisë. Kjo është në
të mirë të Europës, siç është në të mirë edhe të Aleancës Atlantike, sepse
kufiri lindor i Turqisë është kufi lindor i NATO-s, dhe duke qenë kufi i
NATO-s, ai ka sigurinë për të qenë edhe kufi lindor i vetë BE.
Çështja shtrohet sidomos në planin gjeostrategjik dhe global, sepse BE nuk mund
të luajë rolin, që aspiron, dhe as të realizojë ambiciet e tij si një fuqi
globale, nëse mban jashtë dyerve të veta Turqinë, e cila është një potencial i
madh ekonomik, financiar, ushtarak dhe gjeostrategjik. Mbajtja jashtë e Turqisë
është vetëkufizim i rolit të BE, i cili vështirë se mund të realizojë një rol
protagonisti në Lindjen e Mesme apo në Azinë Qendrore apo në detin e Zi apo në
pellgun e Mesdheut, pa Turqinë. Lojërat strategjike të fuqisë janë në zhvillim
e sipër dhe nuk duhet të ngurosen në paragjykime ideologjike, kulturore apo
fetare, të cilave u ka perënduar koha me shekullin e kaluar.
Ndaj "shakaja" diplomatike e kryeministrit të Turqisë është një kujtesë në
kohën e duhur dhe shpresat janë që ata, të cilët marrin vendimet në BE, të
reflektojnë në qëndrimin e tyre për procesin e pranimit të Turqisë, për hir të
së ardhmes dhe të perspektivës së vetë BE dhe të rolit të tij në botë.