Për nder të 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, viti 2012 si vit
jubilar, është shpallur vit i manifestimeve të ndryshme që po organizohen
pothuajse në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë.
Mirëpo, një pjesë e popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve administrativë të
Shqipërisë, respektivisht shqiptarët në Mal të Zi, po iu privohet e drejta e
përdorimit të lirë të flamurit kombëtar falë Ligjit të ashtuquajtur për rendin
dhe qetësinë, aprovuar kohë më parë nga Parlamenti i Malit të Zi, saktësisht më
23 dhjetor të vitit 2011.
A ishte koinçidencë që Ligji në fjalë u aprovua në prag të vitit jubilar
për shqiptarët, apo ishte akt i paramenduar me qëllim që të prishet festa e
madhe për këte pjesë të popullit shqiptar (pra,për shqiptarët që jetojnë
në Mal të Zi) duke ndaluar pérdorimin e simbolit të tyre kombëtar!? Rikujtojmë
lexuesit se diçka e ngjajshme ndodhi edhe në ditën kur Kosova shpalli
pavarësinë,pra me 17 Shkurt 2008.Në këte ditë të shënuar historike
,pushteti malazez i pat shpallur të ndaluar manifestimet publike,me
ç'rast shqiptarëve në Mal të Zi nuk iu lejua që të ndanin gëzimin bashkë
me vëllezërit e tyre në Kosovë!?
Nga ana e tjetër, Ligji në
fjalë ishte një sprovë për shqiptarët në aspektin e vendosmërisë së tyre në mbrojtjen
e vlerave të veta kombëtare, respektivisht në mbrojtjen e flamurit kuq e zi.
Derisa në fillim , pati reagime të ashpëra nga ana e shqiptarëve ndaj këtij
Ligji, megjithate më vonë sikurse u harrua apo u hesht për këte çështje
dhe si rezulltat ,sot, tetë muaj pas miratimit të tij,me keqardhje mund
të themi që Ligji "kundër flamurit" është ende në
fuqi dhe shqiptarëve edhe më tutje iu ndalohet përdorimi publik i
simbolit të tyre kombëtar.Nga ky vështrim, del që shqiptarët,respektivisht
faktori i tyre politik, nuk u angazhua më fuqishëm dhe në mënyrë të
pandërprerë dhe të vendosur në eleminimin e nenit 23 të Ligjit për rendin dhe
qetësinë,nen ky i cili parasheh gjobë apo burgim me rastin e shpalosjes së
flamurit në vende publike.
Është mirë që
protestohet për kthimin e pronave, por njikohësisht duhet të ngrihet zëri
fuqishëm dhe të demonstrohet mospajtim i vazhdueshëm ndaj politikës që ka
për qëllim mohimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve.Është për tu
habitur fakti që gjatë tërë kohës që ky Ligj famëkeq është në fuqi, nuk pati as
një protestë të mirëfilltë të organizuar vetëm me një qëllim: mbrojtjen e
përdorimit të lirë të simbolit tonë të shenjtë kombëtar, mbrotjen e identitetit
dhe krenarisë tonë kombëtare !?
Si duket,gjithashtu , kjo
çështje nuk po brengos apo shqetëson Tiranën dhe Prishtinën zyrtare të
cilët faktikisht nuk po shfrytëzojnë autoritetietet e tyre
qeveritare si dhe kanalet diplomatike për të bërë presion tek Qeveria malazeze
, në mes tjerash, edhe për përdorimin e lirë të flamurit kombëtar.
Na ndajnë vetëm disa muaj nga
momenti final i Ditës së Pavarësisë- 28 Nëntor 2012, ditë kjo kur flamuri kuq e
zi,flamuri i Skënderbeut, flamuri i Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Dedë Gjo
Lulit dhe i shumë të tjerëve që dhanë jetën dhe sakrifikuan për lirinë e
popullit shqiptar, do të valvitet shumë lart dhe shqiptarët do të festojnë si
asnjëherë me parë, që nga Tirana, Vlora e Prishtina , që nga New York-u ,
Berlini e deri te Sydney-ji i Australisë. Ndërkaq, në Ulqin, Anë të Malit,
Krajë, Malësi, Plavë-Guci e Rozhajë, po i njëjti flamur do të qëndrojë i
palosur në sirtarë dhe shqiptarëve të këtyre trevave nuk do t'ju mundësohet të
kremtojnë me dinjitet festën e tyre kombëtare.
Ky 28 Nëntor,për shqiptarët
në Mal të Z, në njërën anë do të sjell gëzim sepse shënon një shekull të tërë i
formimit të shtetit të parë shqiptar në Ballkan por në anën tjetër do të sjell
edhe hidhërim, sepse në trevat e tyre autoktone, ata nuk do të mund të festojnë
me shkabën dykrenare të ngritur lartë në shtizë.
Ndërsa sa i përket Malit
të Zi edhe një herë dëshmoj se jo vetëm është një shtet që nuk i respekton të
drejtat e shqiptarëve,por njiherit abuzon në mënyrë flagrante me të gjitha
Kartat dhe Konventat Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të
Njeriut dhe Lirive Themelore për Popujt Pakicë.
22 Gusht 2012