Partia Republikane këtu në Shtetet e Bashkuara po bën përgatitjet e fundit për
kuvendin e saj në qytetin Tampa të shtetit Florida që pritet të fillojë punimet
katërditëshe të hënën, megjithëse ekzistojnë shqetsime se një stuhi e madhe që
parashikohet të godasë Floridën ekzaktërisht kur ajo do të kalojë nepër zonën
ku gjëndet qyteti Tampa, mund të ndërhyjë me punimet e kuvendit të
republikanëve. Kuvendi, që pritet të kurorëzojë zyrtarisht emërimin e
governatorit Mit Romni për kandidat për president dhe të kongresistit Polë
Rajën për zëvëndës-president të Partisë Republikane, do të mbledhë gjithsejtë
2286 delegatë nga e gjithë Amerika. Delegatët do të votojnë kandidatët e
partisë së tyre për president dhe zëvendës-president, të cilët -- në zgjedhjet
e përgjithëshme në Nëntor -- do të ballafaqohen me kandidatët e Partisë
Demokrate, Presidentin Barak Obama dhe zëvendës-presidentin Xho Bajdën.
Pritet që anëtarë të njohur dhe aktiv të Partisë Republikane, përfshirë
governatorë, senatorë, biznismenë dhe të tjerë të mbajnë fjalime dhe të
diskutojnë mbi temën e caktuar të kuvendit, ''Për Një Të Ardhme Më Të Mirë''.
Mirëpo, njoftohet se republikanët e dalluar, ish-presidenti Xhorxh Bush dhe
ish-zëvendës-presidenti Riçard Çejni kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në kuvend.
Natën e parë të kuvendit është caktuar se do të flasë bashkshortja e
governatorit Romni, Zonja An Romni e cila do të mbyllë aktivitetet e ditës së
parë të kuvendit dhe njëkohësisht është njoftuar se fjalimin kryesor me rëndësi
të kuvendit do ta mbajë të Mërkurën mbrëma governtori i shtetit Nju Xhërsi,
Zoti Kris Kristi. Siç është traditë këtu në Amerikë, kuvende të tilla çdo katër
vjetë, shoqërohen gjithashtu edhe me demonstrata e protesta të mëdha,
shpeshëherë të dhunëshme, nga grupe me interesa të ndryshme.
Qëllimi i mbajtjes së këtyre kuvendeve nga partitë kryesore amerikane çdo katër
vjetë, është që delegatët dhe votuesit amerikanë të familjarizohen me programin
e partisë dhe të kurorëzojnë zyrtarisht emërimin e kandidatit të partisë së
tyre për president. Kryetari i komisionit Kombëtar të Partisë Republikane,
Reince Priebus tha se këtë vit, ''Objektivi i punimeve të kuvendit është që
populli amerikan të ketë mundësi të dëgjojë prioritetet dhe të familjarizohet
me përvojën dhe me planet e kandidatëve tanë për të siguruar një të ardhëme më
të mirë për vendin tonë.''
Sipas portalit të Kuvendit të Partisë Republikane, përveç 2,286 delegatëve
zyrtarë dhe 2,125 zëvendësve të tyre, punimet e Kuvendit të kësaj partie do t'i
mbulojnë edhe 15.000 gazetarë tanimë të regjistruar zyrtarisht me kredencialet
e nevojshme të medias kombëtare dhe ndërkombëtare.
Analistët politikë amerikanë besojnë se -- roli dhe interesimi për këto kuvende
politike është në rënje -- duke nënvijuar si provë edhe faktin se rrjetët kryesore
të telelvizionit amerikan, që në të kaluarën mbulonin pothuaj të gjitha punimet
e kuvendeve të dy partive kryesore, sivjet kanë vendosur të kufizojnë mbulimin
e punimeve të kuvendit në tre orë në ditë. Megjithkëtë, ata thonë se kuvendet e
dy partive kryesore kanë gjithnjë një rol për të luajtur në jetën politike dhe
në afirmimin e kandidatëve dhe në promovimin e programeve të tyre. Punimet,
debatet dhe diskutimet në këto kuvende zakonisht pasqyrojnë pikëpamjet dhe
qendrimet e kandidatit dhe të partisë që ai përfaqëson. Por e vërteta është se
si rezultat i zgjedhjeve paraprake që zgjatën pothuaj një vit, shumica e
votuesve tani kanë vendosur se për cilin kandidat -- Barak Obama ose Mit Romni
-- do të votojnë në Nëntor. Por punimet e kuvendit dhe fjalimet e ndryshme,
përfshirë ato të kandidatëve kryesorë, shpesh pasqyrojnë qendrimet dhe parimet
në të cilat beson kandidati. Si përfundim, ka mundësi që punimet e kuvendit të
bindin votuesit amerikanë që ende nuk kanë vendosur se për cilin kandidat do të
votojnë: Presidentin BarakObama apo Guvernatorin Mit Romni.
Javën që vjen, Kuvendi i Partisë Republikane dhe kandidati i saj për president
Mit Romni, nëqoftse janë të interesuar dhe dëshirojnë të kontrollojnë Shtëpinë
e Bardhë për katër vjetët e ardhëshme, duhet të bindin votuesit që nuk kanë
vendosur ende se për cilin kandidat të votojnë. Republikanët duhet të paraqesin
vizionin e tyre të qartë dhe bindës për të ardhmen e vendit dhe jo vetëm të
kritikojnë e të thonë se politikat e Presidentit Obama kanë dëmtuar dhe janë
shkatërruese për vendin.
Ata e kanë për detyrë të paraqesin idetë e tyre ndryshe dhe në mënyrë të qartë
t'i paraqesin votuesve amerikanë se si Amerika e Mit Romnit do jetë ndryshe nga
Amerika e sotëme e Presidentit Barak Obama dhe se një administratë e mundëshme
e Mit Romnit ka jo vetëm një plan dhe program të qartë, por edhe bindjet,
vullnetin dhe karakterin e nevojshëm për të zgjidhur problemet serioze me të
cilat përballet sot Amerika. Këjo është sfida e Kuvendit të Partisë Republikane
që do të zhvillojë punimet në qytetin Tampa të shtetit Florida, nga 27 deri më
30 Shtator.