*** Nuk mund të jesh diplomat i mirë dhe i suksesshëm i popullit dhe i vendit
tënd, nëse në radhë të parë, nuk e njeh historinë e marrëdhënieve politike
ndërkombëtare. Njëherazi ky është kusht i domosdoshëm për ta njohur edhe të
drejtën ndërkombëtare.
Mirëpo, ky kriter nuk vlen për kryediplomatin dhe për diplomatët "qebapxhinj"
të Kosovës (të akredituar në Uashingnton dhe në metropolet e tjera të Evropës),
sepse politikën dhe diplomacinë e bëjnë sipas "standardeve" dhe interesave
nepotiste grupore, klanore, mahallore, nahijore, provincialiste dhe partiake të
bajraktarëve të tyre. Ndryshe, nuk do të kishin pranuar kurrfarë dialogu me
krerët serbë të Beogradit, pa e njohur Serbia Republikën e pavarur dhe sovrane
të Kosovës, duke qenë të bindur se, sa më afër Beogradit, aq më afër
anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Kjo diplomaci është e Beogradit dhe e
Moskës, sepse asnjëra e as tjetra, kurrë nuk do të pranojnë që Kosova të jetë
anëtare e OKB-së. Këtë e thotë, edhe VETO-ja bllokuese e Rusisë në Këshillin e
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndaj, pse të pranojmë të negociojmë me
Serbinë, para se ajo ta njohë Republikën e Kosovës?!
- Sipas Enver Hoxhajt (ministër i Jashtëm i Kosovës), del se "modeli i dy
Gjermanive është interesant për anëtarësimin e Kosovës në OKB".(
http://www.kohaditore.com/5/11/2012)!?
-Sigurisht se një model i tillë, i tejkaluar, që nuk përkon as me kohën e as me
realitetet e krijuara në Evropën Lindore dhe Juglindore (1989-2012) për
normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, "është interesant" vetem
për kryediplomatin e Kosovës, Enver Hoxhaj , sepse ai konsideron se me pranimin
e tij, Kosova do të anëtarësohej më shpejt në OKB!
Mirëpo, kjo është vetëm një miopi dhe utopi diplomatike, sepse një model i
tillë stereotip, që tanimë i përket të së kaluarës historike të shekullit XX të
marrëdhënieve ndërkombëtare të luftës së ftohtë, Kosovën nuk do ta çonte në
OKB, por do ta justifikonte mosnjohjen e saj nga ana e Kombeve të Bashkuara,
duke i "rezervuar" rikthimin gradual të saj nën ombrellën e sovranitetit
kolonial të Serbisë së Madhe. Ky do të ishte "efekti pozitiv" i afrimit të
Kosovës me OKB-në në favor të Serbisë së Tomislav Nikoliqit(president) dhe të
Ivica Daçiqit (kryeministër).
Këtë të vërtetë, Enver Hoxhajt dhe kryeministri i tyre Hashim Thaçi, duhet ta
dinë se, Republika Demokratike Gjermane nuk ka hyrë në OKB si rezultat i
normalizimit të marrëdhënieve me Republikën Federale të Gjermanisë Perëndimore
(pa e njohur reciprokisht njëra-tjetrën), por në saje të influences, të ndërhyrjes
dhe të diktat direkt të BRSS në OKB si superfuqi botërore.
Ndërkaq, sot, edhe pas shembjes së BRSS-së, me Kosovën po ndodhë e kundërta,
edhe pse Kosova ka mbështetjen e Amerikës (si e vetmja superfuqi botërore) dhe
të fuqive të mëdha të BE-së, kjo nuk është anëtare e OKB-së, pikërisht pse
Rusia dhe Kina nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ky është
problemi i subjektivitetit juridik ndërkombëtar të Kosovës, që e ka shkaktuar
VET0-ja e Rusisë dhe abstenimi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të
Bashkuara. Ndaj, duke marrë parasysh këtë fakt, pranimi i "modelit të dy
Gjermanive" si kompromis eventual politik i normalizimit të marrëdhënieve mes
Beogradit dhe Prishtinës nën patronatin e BE-së për zgjidhjen e problemit të
Veriut të Kosovës, në negociatat e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit
(qoftë në nivel presidentësh a kryeministrash), do ta zhvleftlsonte Planin e
Marti Ahtisarit dhe, në vend të tij, do të vinte në shprehje ndonjë plan
tjetër, sikurse dikur "Plani Z 4"sipas të cilit minoritet serb në Kroaci i
garantohej autonomia e plotë politike dhe territoriale brenda territorit dhe
shtetit sovran të Republikës së Kroacisë.
Në të vërtetë, ky edhe është objektivi i zhvillimit të dialogut midis
Prishtinës dhe Beogradit, që minoritetit kolon serb në Veriun e Kosovës, të
paktën t'i njihet statusi special i autonomisë politike dhe territoriale në
kuadrin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ndryshe, refuzimi i tij eventual nga
pala shqiptare, do ta radikalizonte kërkesën e Beogradit zyrtar, që në Veriun e
Kosovës, të krijohej një mini "Republika srpska" e Bosnjës me lidhje të forta
me Beogradin dhe me Palen, gjëqë kjo formulë serbomadhe, pa dyshim se, do të
çonte në copëtimin territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, pavarësisht
se çfarë thonë kundërshtarët e kësaj teze serbe qoftë në Prishtinë, qoftë në
Bruksel apo në Uashington.
Nëse diplomacia e qeverisë së kymenistrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe e
kryediplomatit të tij, Enver Hoxhaj në bisedimet e ardhshme me palën serbe për
normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, do të pranonin "modelin e
dy Gjermanive" (pa e njohur Serbia Republikën e pavarur të Kosovës), kjo
formulë, në asnjë mënyrë nuk do ta ndihmonte, as nuk do ta përshpejtonte
procedurën formale ligjore, që Kosova të bëhej anëtare e OKB-së në Nju-Jork
(pavarësisht nga fakti se, sipas së drejtës ndërkombëtare Kosova e meriton të
jetë anëtare e OKB-së), por "flytrym", Kosovën do ta çonte në përqafimin
kolonial të Serbisë.
-Po,"model interesant" për Beogradin, por jo, edhe për aderimin dhe
përshpejtimin e Kosovës në OKB!
Kësifarë përfundimi naiv dhe të gabuar të kryediplomatit të Kosovës, Enver
Hoxhaj, se gjoja zbatimi i "modelit të dy gjermanive po e bëjka "interesant
anëtarësimin e Kosovës në OKB", mund ta japin vetëm ata që nuk kanë lidhje me
historinë, me politikën, me diplomacinë dhe me të drejtën ndërkombëtare, sepse
ribashkimi i dy Gjermanive në viitin 1989 pas rrëzimit të Murit të Berlinit,
nuk është bërë si rezultat i normalizimit të marrëdhënieve të tyre, të cilat,
nuk e kanë njohur njëra-tjetrën gjatë periudhës së luftës së ftohtë
(1948-1989), por si rezultat i angazhimit maksimal dhe të drejtpërdrejtë të
politikës së jashtme dhe të diplomacisë racionale të Republikes Federale te
Gjermanisë Perëndimore nën drejtimin e kancelirt Helmut Kol dhe të ministrit të
Jashtëm të tij, Hans Ditrih Gensher.
Gjithashtu, faktor tjetër vendimtar për ribashkimin e dy Gjermanive, ishte edhe
përfundimi i kaptinës 41-vjeçare i luftës së ftohtë midis dy superfuqive
botërore (SHBA dhe BRSS), me ç'rast, së pari, erdhi në shprehje shthurja e
Traktatit të Varshavës ( formuar më 1955 si kundërpeshë e Paktit të NATO-s),
përkatësisht shembja e përjetshme e Bashkimit Sovjetik si superfuqi botërore.
Këtë oportunitet historiko-gjeopolitik dhe diplomatik të prishjes së sistemit
bipolar të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, Gjermania Perëndimore me në
krye kancelarin Helmut Kol dhe me ministrin e Jashtëm Hans Ditrih Gensher, diti
ta kapitalizojë në favorin e rikthimit të së drejtës historike të popullit
gjerman mbi territorin e vet. Kjo strategji kombëtare dhe shtetërore vizionare
e tandemit Kol Gensher, solli në ribashkimin e popullit dhe të territorit
gjerman.
Pra, në rastin konkret, kemi të bëjmë me një popull gjerman, me një shtet
gjerman, me një territor gjerman, jo me dy popuj të ndryshëm, jo me dy
territore të ndryshme, jo me dy shtete të ndryshme siç janë shqiptarët dhe
serbët, të cilët janë në konflikt të hapur që nga viti 1878, për shkak të
pushtimit, të kontestimit, të kolonizimit dhe të aneksimit të territorit
indigjen të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.
Ky konflikt shekullor, si dhe gjenocidet e kyera qindravjeçare të Serbisë dhe
të serbëve mbi shqiptarët dhe mbi territoret e Shqipërisë Etnike, janë pengesa
kryesore, që vetëm Kosova të hyjë në çfarëdo dialogu a negociatash me Serbinë,
pa involvimin e Tiranës zyrtare dhe të shqiptarëve të Anamoravës (Preshevë,
Bujanoc dhe Medvegjë).
"Modeli i dy Gjermanive" nuk është substitut i "Planit të Marti Ahtisarit", por
antitezë e tij, që shpie në zhvlerësimin gradual të statusit të pavarësisë së
Kosovës!
Se formula e "dy Gjermanive" nuk u bie tamam Kosovës dhe Serbisë, kam shkruar
që në vitin 2007 (si dhe në tetor 2012), kur diplomati gjerman Volfgang
Ishinger e propozoi si opsion për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.
Mirëpo Beogradi dhe Moska e patën refezuar atë si të papranueshme për palën
serbe. Si rrjedhim i dështimit të bisedimeve serbo-shqiptare në Vjenë, nën
drejtimin e emisarit special të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, OKB-ja ia
imponoi Serbisë dhe Kosovës, "Planin e Marti Ahtisarit",sipas të cilit, Kosova
më 17 shkurt 2008 fitoi pavarësinë unilaterale nën mbikëqyrjen e bashkësisë
ndërkombëtare, duke falënderuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 22
shteteve të Bashkimit Evropian (BE).
Edhe pse " Plani i Marti Ahtisarit" ishte në kundërshtim me të drejtën
historike, me të drejtën legjitime, si dhe me të drejtën e plotë të
vetëvendosjes ngaqë popullit shqiptar të Kosovës iu mohua e drejta demokratike e
deklarimit të tij me Referendum për statusin politik të Kosovës, si dhe në anën
tjetër minoritetit kolon serb i njohu më shumë të drejta sesa që i takonin
sipas së drejtës ndërkombëtare, posaçërisht kur është fjala për
"decentralizimin" ekstraterritorial të Kosovës, "Plani i Marti Ahtisarit" i
hapi rrugë Kosovës, që të shkëputej nga Serbia kolonialiste.
Gjithashtu, "Planin e Marti Ahtisarit", e mbështeti edhe Gjykata Ndërkombëtare
e Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010, ku sipas Opinionit Këshillëdhënës të
saj, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte në përputhje të
plotë me parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Megjithëkëtë vlerësim të kualifikuar juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të
Drejtësisë, Serbia nuk e njeh as "Planin e Marti Ahtisarit" e as Deklaratën e
shpalljes së pavarësisës së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ky është motivi
thelbësor, pse Serbia (postfestum, pasi e ka humbur koloninë e saj
100-vjeçare-Kosovën shqiptare) e ka kurdisur dhe, ua ka imponuar një dialog të
ri Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Amerikës, që do të thotë nuk është fjala
vetëm veriun e Kosovës, por për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e
Beogradit.
Kjo është arsyeja, pse politika dhe diplomacia e Beogradit është në kërkim të
medeleve të ndryshme autonomiste evropiane, në saje të së cilave, kolonëve
serbë në Kosovë, do t'u mundësonte krijimin e kantoneve autonome politike dhe
territoriale sipas "sistemit të decentralizimit" të komunave serbe në Kosovë,
duke filluar me eksperimentin e parë në Veriun e Kosovës, i cili qe 13 vite
është jashtë sovranitetit të Republikës së Kosovës.