I nderuar zoti Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Bashkë me teksin e kësaj letre do doja t'ju dërgoj dhe një melodi të trishtuar
në violinë, një muzikë memorie, e njohur si kolona zanore e filmit " Lista e
Shindlerit". Tingëllon si pa sens në kohën e sotme, kur diktaturat e mizoritë e
një epoke të pashoqe s'janë më, po në një mënyrë tjetër, gjithsesi të rëndë për
kohën që jetojmë, shoqëron ditët e mia.
Më shoqëron në takimet, e-mailet,
shkrimet, madje dhe në orët e studimit, teksa më duhet të shpik një metodë të
re, revoltë të re, një mënyrë efikase që të ma sosë hallin. Madje më mërzit
fuqishëm kur më duhet të ndjehem ndryshe teksa shkel në një shkollë shtetërore
dhe ndjehem ndryshe, kur bashkë me rrogën e mohuar për faktin se jam akoma
pedagoge e jashtme e "përjetshme", më mohohet deri marrja e sallës së
koncerteve me pagesë, me motivacione qesharake, e përtej tyre me hallin e madh
që ka zënë shkollën që duket se po luan luftash, e i rendit njerëzit më kot,
herë si mik të armikut filan, e herë si mik të armikut fistek.
Po më shumë se
kjo situatë "lufte", trishtohem kur mendoj se gjithë Ministria e Arsimit me
miqtë, njerëzit që më njohin e i njoh, më respektojnë e respektoj, ata që
drejtojnë arsimin shqiptar, për neglizhencë, pafuqi, kompromis, duket se kanë
humbur atë që është më e mira e shqiptarëve, e quajtur besa. Kjo ngjan kaq
absurde, ngjashmërisht si roman, madje dhe fakti se duhet të shpëtoni dikë, nga
ata që i njohin më mirë tingujt e kësaj melodie të trishtuar, për faktin se
janë muzikantë. Fali Zot, se s'dinë ç'bëjnë, më tha dikush në shkollë për
kolegët, po s'di a mund t'ju fal Juve që rrini heshtazi në spektaklin e
shëmtuar kur një, dy, a dy burra e gjysëm, luftojnë me një femër për të mbajur
një principatë për 20 vjet, duke penguar dikë që kërkon vetëm të drejtën që i
jep ligji në Universitetin publik shqiptar të artit.
Jam diplomuar si
violiniste në Akademinë e Arteve Tiranë dhe konservatorin "Umberto Giordano"
Itali, (njohur nga MASH si diplomë e integruar e nivelit të dytë). Kam qenë
prezente në skenë me 25 recitale si violiniste, rreth 90 artikuj kritikë në
shtypin e përditshëm, katër libra të botuar, pedagoge e jashtme ne Universitetn
e Arteve që në vitin shkollor 1993- 1994. Në korrik 2011 mora me votim unanim
të Këshillit të Profesorëve titullin Profesor i Associuar, regjistruar në
regjistrin përkatës në MASH me nr rendor 155. Para pak muajsh kandidova për
postin e dekanit të Fakultetit të Muzikës, me të vetmin synim, për t'i treguar
opinionit konservator të këtij fakulteti muzikantësh, se në bazë të ligjeve dhe
rregulloreve, titulli Profesor i Associuar më jep të drejtën të kandidoj si
dekan dhe rektor.
Sinqerisht, skandali i diplomës në një nga universitetet
private, që madje bëri të ngrihet në këmbë i madh e i vogël, me urrejtjen
absurde për universitetet private, megjithë bujën, nuk m'u duk tragjedi, se nga
ana tjetër më dukej po aq, madje më e trishtuar si një diplomë shqiptare, një
italiane dhe një titull profesor i associuar të vërtetë, ishin fare të
pavlefshëm në një shkollë, universitet shtetëror. M'u duk e trishtuar që
ndoshta në të njëjtën metodë më duhej t'ju jepja vlefshmërinë, dhe gjoba në
rastin tim sipas gojëve të liga duhej të ish e papaërballueshme. Të treja i kam
me meritë e pa asnjë ndihmë nga shteti, nuk jam e bija e Umberto Bosit dhe prej
10 vjetësh nuk e njoh fare bankomatin.
Për kujtesë, kanë kaluar 7 vjet nga
letra e Kryeminsitrit Berisha, datë 13.12.2005, nr 172/7, që udhëzonte
zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes time të punësimit. Po kështu, në morinë
e letrave dërguar Akademisë së Arteve u renditën Presidentë, Kryetarja e
Kuvendit, madje vetë qeveria dërgoi fonde projektesh dhe vende pune me shumicë,
për asistentë e personel administrate, me të vetmen çudi, se vendi i violinës
mbeti sërish bosh.
Futja e programeve të reja, procesi i kërkimit shkencor,
shtimi i numrit të studentëve, programi i dytë i studimit kërkuan dhe personel
akademik të kualifikuar. Po kjo nuk ndodh tek violinat, ku nga 41 studentë,
vetëm 18 bëjnë mësim me pedagogë me titull, profesorë dhe profesorë të
assocciuar, ndërsa pjesa tjetër nuk arrin të mbulohet as me lektorë të ftuar,
fenomen që nuk ndodh tek piano apo violonçelli. Duke parë riformatimin e
Fakultetit të Muzikës dhe nevojën e ngutshme, me shkresën datë 9.10.2010, nr
100, u kërkua në rektorat prej këtij fakulteti një vend pedagogu i përhershëm
violine, po ndryshe nga kërkesat e mëparshme dhe të mëvonshme për të tjera
vende (psh datë 23.2.2010), vetëm kjo kërkesë nuk u mor parasysh.
Historia e
violinës peng, të munguar duket se bie ndesh me vetë VKM e qeverisë, ku në 2009
u kërkohet institucioneve të arsimit të lartë riorganizimi i vendeve të punës,
u lihet njw afat kohor 5 vjeçar pwr kualifikim e lektorwve ( deri nw 21 maj
2012), dhe më rendit mua për kualifikimin, në nivelin më të lartë të
mësimdhënies ( VKM 331 dt 25. 03 .2009 Kreu 1 pika 2). Nuk mund të kuptojmë një
shkollë të reformuar, tashmë me standarte të reja të kërkimit shkencor, ku për
20 vjet në një nga lëndët më me rëndësi dhe në një nga degët që na nderon
jashtë Shqipërisë, mungesa e njerëzve të rinj, që në këtë rast shikohet me
bllokimin e punësimit të 20 brezave violinistë.
Dua të di zoti Ministër përse
po dënohem, për të parët, Jovan Kosturin, bredhin e gjelbër të patriotizmit e
arsimit shqiptar, për Spiro Kosturin e Kostaq Kosturin vrarë nga grekët e
turqit, apo sot në shekull tjetër, vazhdojnë mallkimet e kishës greke të
dikurshme për përhapjen e shqipes nga Kosturët e Korçës? Përse duhet të dënohem
në kohën kur merakoseni për pikët e maturantëve, për faktin se ju kam votuar që
të vini në pushtet, apo se u ktheva në vendin tim para afatit, kur s'kish Brain
Gain e asgjë, u ngjita në skenën e vjetëruar ku kish rënë diktatura? Do më
dënoni si pasardhëse të firmëtarëve të Pavarësisë, apo se im atë në vend të
këngëve ka projektuar tunele e ndërtuar hidrocentrale, ndonëse dhe Ju sot me
atë dritë jetoni. Do më dënoni se kërkoj kaq pak, e ky shtet s'më ka dhënë
asgjë, as bursë ndonjëherë, as ekselencë e asgjë, do më dënoni se dua të
ushtroj profesionin tim dhe s'dua ta ndërroj siç bëjnë një pjesë e madhe në
kohën e sotme? Do më dënoni se dua të jetoj dhe do ta ngre zërin lart e ti them
stop të shkuarës komuniste që ka bllokuar mendjen e ca njerëzve në një shkollë
shtetërore arti ?
E nëse ajo është një bastion politik me ngjyrë, që ju nuk e
çani dot, se "pavarësia" e universiteteve ka arritur majat, kjo është
përgjegjësi e ministrisë, jo e imja. Do t'iu mohoni violinistëve të sotëm të
studiojnë me pedagogë të rinj të kualifikuar vetëm për kapriçio të brezit të
vjetër, të faktit se duan të punësojnë bijtë, apo se ndjehen pronarë të një
shkolle? Reagoni zoti Ministër. Këtu nuk diskutohet për një violinë, diskutohet
për një mentalitet që ka bllokuar përparimin për 20 vjet në një shkollë
shtetërore, publike, ku askush nuk ka të drejtë të më mohojë punësimin, askush
nuk ka të drejtë të më detyroj të shkoj në një sektor tjetër, për faktin se
tashmë jam e kualifikuar dhe kam investuar që në moshën 7 vjeç.
Nëse dikush
mund të jetë mërzitur nga kjo histori, shqiptarët janë mërzitur nga e shkuara
që na mban peng deri vendet e pedagogëve të violinës në shkollat publike e
shtetërore në 100 vjetorin Pavarësisë. Faktet kanë treguar se Ju dini të
reagoni kur doni, kur preket emri i mirë i Ministrisë dhe reformave. Mos duhet
që çështja e violinës peng të zgjidhet nga ndërkombëtarët, ti drejtohem të
huajve që ta zgjidhin, se gjithë shteti u trembka nga ca violinistë? Çfarë ka
kaq të shtrenjtë katedra që mbahet e paprekshme për 20 vjet dhe të gjithë janë
të pafuqishëm? Kjo ngjan si përrallë, më bëni të besoj se tok me rrugët,
tunelet, të hapet kjo udhë e mbyllur, e melodinë e "Listës së Shindlerit" ta
dëgjoj si kujtim i një kohe të harruar.