5 vjet më parë, përjetuam një dalldisjë gëzimi për lajmin e madh se Kosova do
të shpallte pavarësinë. Telefonata, urime, njoftime, organizimi i festës.
Bejtush Nomanoviq do të ishte organizatori i komunitetit kosovar për të bërë
një "Ditlindje të madhe"! Në verilindje të qytetit, një sallë e madhe me flamuj
dhe këngë. Një prijte tradicionale kosovare, duarshtrëgim, urime, respekt dhe
këngë pambarim. Kishte miq të shumtë, ish-ushtarë amerikanë në Kosovë, familje,
studentë... Isha i pranishëm në këtë Ditëpavarësie bashkë me Elton Mykerezin
dhe Plarent Ymerin. Ishte ditë e ftohtë shkurti 2008!
Sot 17 Shkurt 2013! Heshtje në Minesota. Shqiptarët e Kosovës nuk festojnë.
Shqiptarët e Shpipërisë vëzhgojnë trishtueshëm bishtat e finxhanit të kafesë
diku në një kafene, a thua është ditëmorti apo ditëfeste... Unë pas një mbrëmje
debati me Ridvanin dhe Uljanin, kërkoj ta festoj "online". Një bisedë surprizë
me poeten Elida Buçpapaj që jeton në Zvicër bashkë me poetin dhe analistin
letrar Skënder Buçpapaj. Mesazhet vijnë si fjollëza bore nga Zvicra në
Minesota. Lida në mënyrë të virtutshme do të më kërkonte shpjegime "Pse e kisha
bllokuar miqësinë e saj në Feisbuk" ndërkohë që ishim miq dhe kushërinj. I
shpjegova se llogaria ishte deaktivizuar me dëshirën time, për të fituar pak
qetësi dhe privaci. Në ato minuta "erdhi" mes nesh poeti lirik Vehbi Skënderi,
shpirti i tij krijues lasgushian, legjitimiteti letrar që ai la pas si poet dhe
intelektual... "Shkruaj, miku im, nuk kemi ç'bëjmë, veç të shkruajmë...Nuk na
deshën dhe u detyruam të iknim..." shkruante Lida me "gërma bore" nga larg...
Edhe këtu është ditë e akullt. Intervista e Kadaresë që aq bukur përshkruan të
shkuarën tonë tragjike, sikur shkrin akullin e ditës. Ndërkohë shoh festën në
Kosovë, parakalimet ushtarake, flamujt e pikturuara në trupin "Njuborn" (ende
nuk janë bërë 100), kureshtjen e njerëzve. Duket se edhe aty është ftohtë. Dhe
pyes: Pse u shpall kjo pavarësi në shkurt? Pse jo në mars? Pse jo në maj? Pse
në shkurtin e brishtë? Nuk ishte diçka e beftë, por e zgjedhur me kujdes. Ditë
shkurti, ditë kallkani... Mbase për të na dhënë kohë të mendojmë paksa, netëve
të gjata të dimrit, të meditojmë me vetveten dhe të reflektojmë, përpara se të
tregojmë përrallat e "Një mijë e një netëve"...
Kadareja nga Parisi flet për madhështinë e mbijetesës sonë kombëtare. Ai sjell
një tjetër dëshmi dridhëruese nga shekulli II, ku një autor latin sipas
Kadaresë shkruante: "Në fund të botës, ndodhet një vend i quajtur Shqipëri, ku
lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin më mirë natën
se ditën..." Dhe pyetjes trishtuese të gazetarit, shkrimtari ynë i përgjigjet:
"Çfarë t'i bësh fatit, atje u linda"!
Në këtë kontekst të fatit të vendlinjdes dhe vendbanimit, amerikanët kanë një
shprehje domethënëse: "Nuk mund ta zgjedh vendin ku linda, por mund të zgjedh
vendin ku dua të jetoj". Unë dhe Kadareja, (falë fatit për mua personalisht) në
mënyre të përpiktë bëmë të njëtën gjë: Ikëm nga Shqipëria. Jo vetëm unë, jo
vetëm Kadare, por sa e sa të tjerë me emër dhe reputacion. Unë jam një ikanak i
vogël e natyrisht Kadareja është një "dritëikje" e shekullit të kaluar. Ai
është një dritëkombi që na mban gjallë, por ne nuk e kuptojmë dot...Ai flet
akoma dhe na bën t'iu rikthehemi frazave dhe mesazheve. Kjo na bën mirë. është
shenjë e mirë... Por nuk mjafton një Kadare. Secili duhet të jetë një Kadare ...
Ndaj me kokulje shkruaj në këtë të djelë shkurti. Shkruaj se dua të them diçka
nga brenda: "Kombin e bëjmë të gjithë. Për të duhet të luftojnë të gjithë në
"llogoret" që na ka dhënë rastësia, sikurse rastësisht jemi shqiptarë..."(Ju
lutem mos më sulmoni )... Vetëm kur të gjithë do të ndihemi të nderuar dhe
respektuar, vetëm kur të gjithë vemë një "tullë" në godinën e kombit, "kollonat
e betonta" si Fishta, Frashërit, Konica, Noli,Camaj, Kadare, Qose etj. etj.
mbeten të pacënueshmë nga çdo lloj tajfuni ballanik...
Sot nuk festohet në Minesota. Shqiptarët e Kosovës duken "të ngopur" me
Kosovën, me shtetin e saj, me "luftën" brenda vetes... Shqiptarët e Shqipërisë
çoroditen përmes mediave vizive, ku kërcejnë ide të çmendura nga një kanal
televiziv tek tjetri. Ka humbur e verteta në Shqipëri. Vendi ynë mbetet "..i
ngatërruar dhe korruptuar..." siç nënvizon Kadare, ndërsa ne të gjithë shfryjmë
ndaj njëri tjetrit përmes ekraneve të qelqtë. Erozioni i gënjeshtrës na ka
rrethuar si dikur rrethimet e Krujës dhe Shkodrës...Gënjeshtra, gënjeshtra... E
pandershmja, e pandershmja. Intriga dhe sajimi pragmatist! Ky gërrim i së
vërtetës brenda sojit tonë, kjo luftë pa rregulla, pa "semaforë", arkaike,
kërkëllimat e "shpatave" të pushtetmbajtësve në dy shtetet e një kombi, duket
se janë mallkimet tona të shekullit...
Mendoj për Kosovën në këtë përvjetor ditëpavarësie. Mendoj për ata që ranë dhe
u përgjakën. Për dhunën shfarosëse serbe, dhe qëndresën kosovare...Kam pirë
kafe një natë më parë me një "ushtar të UÇK"... Ai nuk kishte qejf të
festonte... "Duan të na quajnë komb kosovar (!!!)... Ne nuk luftuam për këtë. Jo.
Dikush do të na zhveshi nga kombësia shqiptare... Ndaj nuk ia ndjej kësaj feste
që ju më uroni... Nuk dua të festoj"... Ky 30 vjeçar në Minesota, që nuk do t'i
përmendet emri, ishte 16-17 vjeçar kur jetonte kohën e luftës tragjike në
Kosovë...
Në Prishtinë festohet... Festa duket e ndritshme, por e ardhmja disi e mjegullt,
fluide. Na mungon një platformë vlerash dhe principesh. Na mungon një dëshirë
gjithëshqiptare, për të mbrojtur të vërtetat tona. Ndaj duke bërë "gjullurdi"
festash, harrojmë të përcjellim mesazhe. Më vijnë në mendje vitet 80, kur
"irridetnizmi shqiptar" ishte etiketuar si rreziku i kohës në
ish-Jugosllavi... Në ato vite nuk kishte gjë më domethënëse se sa deklaratat
zyrtare të Tiranës për Kosovën. Unë nuk besoj se janë fashitur këto memorje
dridhëruese në kujtesën e kombit. Ja pra, nëse duhet të themi diçka pozitive
për të shkuarën, unë them se janë ato artikuj redaksionalë të "Zërit të
popullit" në vitet 80-të ku qartësisht mbrohej identiteti dhe autenciteti
shqiptar i popullsisë së Kosovës. Qofsha i gabuar. Ne shqiptarët harrojmë
shpesh dhe shumë shpejt...
Nuk mjafton vetëm kujtesa e shkrimtarit tonë. Duhet të gjithë t'i bashkohemi të
vërtetës dhe të dimë të frymëzohemi prej të vërtetës dhe ngadhnjimit të
paraardhësve tanë mbi luftën shfarosëse që na impunuan fqinjët dhe tejfqinjët.
Në shekullin e kaluar, gazetari dhe intelektuali Kostë Çekrezi, do të botonte
në Amerikë librin "Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja", ku si në një film të
shpejtë, do të na tregonte të shkuarën dhe të tashmën tonë aq të ngjashme me
njëra tjetrën. Studiuesi Amerikan Charles D. Hazen, duke komentuar rreth këtij
botimi do të shkruante se "...kemi një interpretim nga vetë shqiptarët, një shpalojse të historisë së
Shqipërisë, një paraqitje të kërkesave të shqiptarëve të drejpërdrejtë, nga
mendja dhe zemra e nje vendasi..." Këtu rezonon edhe Kadare kur flet për të
shkuarën tonë dramatike. Po e ardhmja? Kush na e ka në dorë të ardhmen? Kush
duhet ta ravijëzojë të ardhmen e Kosovës dhe Shqipërisë? Ku janë mendimtarët
shqiptarë? Ku janë hulumtimet e konferencat shkencore të debateve dhe provave historike?
Festat janë fasadë dhe ditë lumturie për politikanët, popullit i duhet e ardhme
frymëzuese. Ne sapo bëmë një festë të Pavarësisë shqiptare vjet, ku mungoi një
simpozium historik... Vetëm pompozitet euforik. Po kjo "bebe" 5 vjeçare, mos
vallë qorrazi ndjek "Gjyshen 100 vjeçare"? Kjo është trishtuese! Euforia është
verbim i së ardhmes. Politikanët janë kthyer në "skllavopronarë" të ëndrrave
tona. Duhet një platformë e "çeliktë" e vlerave tona, që të mund të ecim
përpara... Nëse mbetemi në vorbulla deklaratash, ne jemi të destinuar të vuajmë
për një kohë të gjatë...
Sot është një 5 vjetor i kijimit të shtetit më të ri në Ballkan. Akademikët
tanë duket se duartrokasin diku politikanët.
Flet Kadareja! Në Minesota nuk ka festë!...
Mineapolis, 17 SHKURT, 2013