Bashkimi i Dytë është një domosdoshmëri fill pas 101 vjetësh të Bashkimit të
Parë në Boston të Massachusetts (SHBA) kur shqiptarët e organizuar në shoqata
themeluan të parën organizatë gjithëpërfshirëse.
Pas vdekjes së Nolit (1965) një tjetër lider i shqiptarëve me origjinë
Arbëreshe u ngjit në skenë zoti Joseph DioGuardi edhe si përfaqësues
drejtpërdrejt i shqiptarëve të Amerikës në Kongresin Amerikan.
Fatit të kombit shqiptar e në veçanti Kosovës e Çështjes Kombëtare Shqiptare në
Ballkan i erdhi në udhëheqje misionari që i duhej më 1986 me Lidhjen Qytetare
si një nga lëvizjet kombëtare me përfaqësim dinjitoz në Uashington, New York,
Australi, Ballkan, Bruksel, Londër e gjetkë.
DioGuardi i ndihmuar me pjesëmarrjen totale të komunitetit shqiptar sidomos të
New York në demonstratat paqësore dhe me mbështetje të plotë të atdhetarëve
sidomos nga Kosova arriti të ndezë shqiptarinë sikundër VATRA në krijimin e saj
apo edhe në dydekadshin e parë të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë për të
ndërgjegjësuar diplomacinë ndërkombëtare për kauzën e Lirisë dhe Pavarësisë së
Kosovës.
Dhe është me krenari në historinë kombëtare si një nga figurat madhore të
shpëtimit të gjysmës së kombit shqiptar siç punon edhe sot për më shumë të
drejta për shqiptarët e Ballkanit.
Përmbyllja me madhështi festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka
sjellë në vëmendjen e shumë veprimtarëve në Amerikë nevojën e një Bashkimi të
Dytë të Organizatave shqiptare me anëtarësi aktive.
Ne e kemi parë se sa bukur u organizuam në Amerikë për 100-vjetorin, për
Skënderbeun, për përfaqësimin në paradat e komuniteteve me simbole kombëtare.
Por vërtet na mungon një Vizion i përbashkët, për gjithë diasporën e Amerikës.
Si mund të bëhet ky Bashkim i Dytë?
Nëpërmjet një Kuvendi Mbarëkombëtar të Diasporës me pjesëmarrje të Bordeve
Drejtuese të Organizatave shqiptare të të gjitha qyteteve amerikane ku banojnë
shqiptarët.
Çfarë duhet të ketë programi i këtij Kuvendi Bashkues?
Së pari, mbajtjen e përvitshme të Kuvendit Kombëtar të Diasporës Shqiptare në
SHBA me synim programimin, koordinimin dhe ndihmën reale për të orientuar
veprimtarinë atdhetare për promovimin e trashëgimisë së historisë dhe kulturës
kombëtare dhe përfaqësimit me dinjitet në qeverisjen lokale dhe në
institucionet qëndrore amerikane e ndërkombëtare në shekullin e Dytë të
Pavarësisë së Shqipërisë dhe në të Parin e Kosovës.
Ky Kuvend do të konkludojë se si mund të afrohet brezi i ri i shkolluar në
Amerikë në udhëheqjen e komuniteteve shqiptare për të siguruar kështu stafetën
e trashëgimisë jo për të qënë formalë por aktivë se si duhet të sensibilizojmë
shqiptaro-amerikanët të bëhen faktor në shoqërinë amerikane ( të regjistrohen
si shqiptarë ne Census) për të promovuar më mirë vlerat kombëtare duke ndihmuar
njëherazi komunitetet dhe Identitetin Kombëtar në tërësi apo edhe Çështjen
Kombëtare Shqiptare në Ballkan.
Së dyti, pa e prekur modelin organizativ të organizatave shqiptare ky Kuvend
Bashkues do të ndihmojë ne evidentimin e nevojës për njohjen më mirë të
gjendjes reale të komuniteteve dhe të organizimeve se sa jemi në gjendje të
bëjmë më mirë në drejtim të mësimit të Gjuhës Shqipe si A-ja e Identitetit
Kombëtar.
Së treti, të ndihmojmë më shumë të sotmen e Çështjes Kombëtare duke vënë në
veprim një rrjet mediash që të ndërgjegjësojnë më mirë shqiptarët e Amerikës
për nevojën e një Bashkimi Real të Diasporës sepse parcelizimi, autokracia,
individualiteti, protagonizmi, flirtimi i Bordeve Drejtuese me segmente të
politikës në Shqipëri dhe Kosovë, darkomania me personel diplomatik e politik
shqiptar apo amerikan dhe mungesa e një vizioni për ardhmërinë dhe vlerësimi i
regjistrimit të disa shoqatave në Amerikë disa raste si mundësi përfitimi apo
të qëni aktiv edhe pse vetëm nuk sjell ujë në krijimin e bazave të shëndosha
për një ardhmëri premtuese.
Ka një vendnumëro që nuk e ndihmon as të sotmen, as të ardhmen. Ne shqiptarët e
Amerikës të ardhur më së shumti pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri apo
dhe përgjatë Luftës së Kosovës e dimë mirë se sa vlen të punosh për Identitetin
Kombëtar apo edhe për Çështjen Kombëtare sepse vijmë të qartë për çfarë lamë
atje e përse ka më shumë nevojë shqiptaria në Ballkan.
Por duke mos u bashkuar me një program të përbashkët për një zë të vetëm, për
një aksion të gjallë të të gjithë Diasporës nuk mund të themi se e kemi bërë
punën tonë apo ja arritëm qëllimit të misionit atdhetar.
Sepse shkruhen shumë letra e deklarata nga organizata dhe individë që nuk
marrin të njëjtën vëmendje nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Kongresi
apo Senati Amerikan apo edhe qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nëse do të
firmoseshin vetëm nga Kuvendi Përfaqësues i Diasporës Shqiptare të Amerikës.
Ka shumë për të bërë nga ne, shqiptarët e Amerikës që merremi seriozisht me
Bashkimin Programor dhe Organizativ. Sepse të vështrosh emrat e shumë
organizatave janë kombëtarë por nuk kanë anëtarësi të kënaqshme. Rirorganizimi
i komuniteteve te qyteteve është në të shumtën e rasteve një domosdoshmëri për
të mos e humbur krenarinë e të lindurit shqiptar. Do edhe ky proces organizativ
kohën e vet dhe ka marrë kohët e fundit edhe 20 vjet dhe prapë është në vijim e
sipër sepse veprimtarët më aktivë ose lëvizin nga qyteti ku jetojnë ose lodhen
nga mendësi te vjetra dhe nuk bëjnë më shumë se një pjesëmarrje formale në
veprimtari vërtet domethënëse për të mos thënë më shumë në darka të kripura
festive.
Kuvendi Bashkues nuk duhet parë si Kuvend Përjashtues por si Kuvend
Gjithëpërfshirës sepse sot për sot asnjë organizatë nuk duhet ta shohë si
rivale një organizatë tjetër shqiptare në qytete të mëdha si New York, Detroit,
Boston, etj.
Përkundrazi, Kuvendi Bashkues do të ndihmojë më shumë edhe në rritjen e numrit
të anëtarëve në Organizatat e qyteteve apo edhe në gjallërimin e tyre jo vetëm
krahinor siç ka shumë modele organizimesh.
Në një mënyrë apo në një tjetër, ky Kuvend Bashkues do të bëhet, por këtë
ngjarje duhet ta marrim seriozisht sepse do të ndodhë vetëm për të mirën e
Diasporës dhe të kombit. Dhe ky zgjim do të ndihmojë më shumë edhe përsosjen e
metodës së punës; sepse ne shqiptarëve të Amerikës na duhet te orientohemi nga
Integrimi më i mirë në shoqërinë amerikane sepse kështu bëhemi edhe më të
besueshëm në qytetet ku jetojmë. Amerikanët dinë të na vlerësojnë dhe ndihmojnë
edhe më shumë se ua merr mendja shqiptaro-amerikanëve që e shohin ardhmërinë e
shqiptarisë të mjegullt.
Është Ora e një Bashkimi të Dytë! Dhe do të ndodhë! Sepse nuk ka rrugë tjetër
për të ecur përpara.
Kush do ta thërresë Kuvendin Bashkues? Kush tjetër? Veçse një grup organizatash
me anëtarësi aktive? Që të jetë më i besueshëm! Më bashkëkohor, sepse kështu e
qasim Bashkimin e Dytë aq të dëshiruar.
Ju ftoj të nderuara organizata, veprimtarë dhe ndihmës të vërtetë të
shqiptarisë të bëheni pjesë e këtij ndryshimi të madh për të konfirmuar atë çka
ne ndiejmë vërtetë - Bashkimin për Ardhmërinë! Shqiptaria lindi këtu në
Amerikë, në Boston dhe Worcester, MA jo për folklorizëm por për atdhetari dhe
Identitet Kombëtar. Ndaj, ne kemi nga çfarë të frymëzohemi.
Edhe veprimtaria jonë atdhetare në Massachusetts është e programuar e zhvilluar
në mënyrë të tillë që i ka dhënë frymë bashkëpunimit real me organizata në New
York, Boston dhe Connecticut edhe për hir të gjeografisë.
Kjo është pranvera e një Ere të Re jo vetëm për shqiptarët në Ballkan por edhe
këtu në Amerikë. Na priftë e mbara!
A s'do të jetë më bukur se në këtë 135-vjetor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
të ndërmarrim një nismë të tillë? Ju ftoj shqiptarisht! Ne kemi dhënë prova se
punojmë për shqiptarinë dhe jemi te pozicionuar për ta bërë këtë Bashkim të
Dytë për një UNION të Diasporës që e kërkon ardhmëria.