I nderuar miku ynë Abdyl Kërluku!! Ju them mik se me të vërtetë i tillë ishe.
Ti ishe këshilltari ynë i urtë, ishe burri me një karakter të fortë, i
pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e
intrigantëve të pamoralshëm. Ne deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë
në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën
tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte
vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti
ishe më i miri.
Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që
kishte mbuluar vendin. Ishe i detyruar të burrëroheshe nëpër qelitë e errëta të
sigurimit të zi komunist apo nëpër kampet e tmerrshme të punës së detyruar.
Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet.
Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të
vështira. Po, Abdyl i dashur, ti i mbijetove asaj kohe barbare, i mbijetove
sepse në venat e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur
vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e
korbave të zinj.
Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre
që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i
kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin
ato ditë të zjarrta ku, atje në shtëpinë e kryetarit tonë të nderuar, Lalë
Osmanit, mblidheshim dhe diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të
përvuajtur. Diskutonim për shoqatën tonë të nderuar që përfaqesonte frymën më
demokratike të shoqërisë shqiptare, frymën e nacionalizmit shqiptar. Për të
gjitha këto të zgjodhën në krye të shoqatës për Tiranën dhe ti e justifikove
plotësisht besimin që të dhanë. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta
vite që na kanë mbetur për të jetuar.
Por ti nuk luftove vetëm në gjirin e shoqatës. U lidhe në mënyrë të pandashme
me atë forcë politike që i vuri gjoksin përmbysjes së komunizmit, Partinë
Demokratike, duke punuar me përkushtim në organet drejtuese të saj dhe duke i
qëndruar gjithmonë besnike, deri në çastin kur fluturove për në qiellin e
amëshuar.
Abdyli i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për
lirinë. Donte të jetonin të lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën e tyre. Donte
të jetonin në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut të tij,
jetonte në një epokë të gabuar. Jetonte në atë epokë kur nuk mund të shprehte
dot ato që ëndërronte, ato që i buronin nga zemra e tij e madhe. Jetonte në atë
epokë kur nuk mund të shprehte mendimet e tij të lira, ndjenjat e shpirtit të
tij të pastër. Jetonte në atë epokë kur kishte dëshirë për të studiuar dhe nuk
e lejonin të studionte, kishte dëshirë për të punuar dhe nuk e linin të
punonte, kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar. Jetonte në
atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për
këtë e burgosën, por nuk mundën të thyenin vrullin e tij drejt lirisë. Edhe pse
i burgosur, ai përsëri rendi drejt saj. Tentoi arratisjen nga burgu pa u
trembur nga ferri komunist dhe përfundimisht mundi ta plotësonte ëndrrën e tij
në dhjetorin e vitit 1990, në ato ditë të zjarrta kur Tirana e tërë dhe bashkë
me të e gjithë Shqipëria ngrihesh në këmbë për fitimin e lirisë, së cilës i
kishin kushtuar jetën e tyre.
Të nderuar familjarë. Më lejoni t'ju sjell ngushëllimet e Shoqatës
Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, anëtar i
Kryesisë Kombëtare të së cilës ishte edhe i nderuari Abdyl. Mos derdhni lot.
Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u
këndohen këngë. Abdyli ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë
njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun
tonë më të mirë. Humbëm njeriun që e kishim në krahun tonë. Humbëm mikun tonë
për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës
mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe
kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në
parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes Abdylin tonë të dashur,
tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.