"Jeta, liria dhe përpjekja ose synimi për të qenë i lumtur (Life, Liberty and
Pursuit of Happiness), është një frazë nga Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të
Bashkuara, që në të vërtetë nënvijon rëndësinë kyçe që themeluesit e Shteteve
të Bashkuara i kushtonin këtij trinomi, duke deklaruar para pothuaj 250-vjetësh
se, "të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se Perëndia u ka falë
atyre disa të drejta të pamohueshme dhe këto janë Jeta, Liria dhe e drejta për
të synuar arritjen e lumturisë."
Ndërsa këto fjalë konsiderohen nga amerikanët si më të rëndësishmet e Shpalljes
së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara si dhe gur themeli i të gjitha të
drejtave të tjera që rrjedhin nga këto, Organizata e Kombeve të Bashkuara,(OKB)
në një përpjekje për të lidhur lumturinë me zhvillimin botëror, ka shpallur 20
Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, duke theksuar se fraza nga
Shpalljes së Pavarësisë së Amerikës "Pursuit of Happiness", që pak a shumë mund
të përkthehet si e drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i lumtur
--përveç, jetës dhe lirisë -- është gjithashtu një e drejtë themelore e
njeriut, dhe sipas OKB-së edhe një objektiv i angazhimit të shteteve anëtare të
saj për të krijuar rrethanat për realizimin e mundësive që njerëzit të jenë të
lumtur në jetën dhe veprimtaritë e tyre.
Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara aprovoi Korrikun e kaluar një
rezolutë duke shpallur 20 Marsin si Ditën e Lumturisë anë e, mbanë botës, duke
njohur kështu, sipas 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, "rëndësinë
që lumturia, të qenët i kënaqur dhe mirëqenja, të cilat si frymëzim i qëllimeve
universale, ushtrojnë në jetën e njerëzve anë e mbanë botës si dhe ndikimin e
rolit që ato luajnë në arritjen e objektivave politike për të mirën e publikut
kudo". Është këjo një iniciativë e Kombeve të Bashkuara me të cilën organizata
botërore shpreson të inkurajojë vendet anëtare që të marrin seriozisht
mirëqenjen dhe lumturinë e shtetasve të tyre dhe jo vetëm t'i përqendrojnë
politikat e tyre në zhvillimin ekonomik, pasi sipas disa ekspertëve, pasuria në
vet vete nuk e bën njeriun të lumtur as të kënaqur, me fjalë të tjera, paraja
nuk mund të merret si një masë e vetme për të matur përparimin e njeriut,
shoqërisë, shtetit dhe botës.
Me rastin e Ditës së parë Ndërkombëtare të Lumturisë, Sekretari i Përgjithshëm
i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki moon, u bëri thirrje shteteve anëtare që të
"rithkesojmë angazhimin tonë ndaj një zhvillimi të përgjithëshëm dhe të
vazhdueshëm njerëzor dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të ndihmuar të
tjerët. Kur ne kontribojmë për të mirën e përbashkët, ne vetvetiu pasurohemi.
Mëshira promovon lumturinë dhe do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhme që
ne dëshirojmë", tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në mesazhin
e tij.
Udhëheqsi i organizatës botërore tha gjithashtu në mesazhin e tij se "liria e
njeriut për të bër të mundur realizimin e lumturisë është në qëndër të
përpjekjeve njerëzore për ekzistencë. Popujt anë e mbanë botës," tha ai,
"dëshirojnë të kenë një jetë më të lumtur, pa frikë e imponime dhe në harmoni
të plotë me natyrën." Megjithkëtë, tha Ban Ki-moon, mirëqenja materiale është e
parealizueshme për shumë veta që jetojnë në një varfëri ekstreme anë e mbanë
botës.
Dita Ndërkombëtare e Lumturisë u sugjerua fillimisht nga shteti i vogël
aziatik, Bhutan-i, një vend ky që në mënyrë unike vlerëson progresin e vet duke
u bazuar në indeksin e përgjithshëm kombëtar të lumturisë që përfshinë
kënaqësinë e jetës, gjëndjen shpirtërore dhe emocionet -- dhe jo në indeksin e
të ardhurave të përgjithëshme kombëtare, siç bëjnë shumica e vendeve në botë.
Bhutan-i, u kushton të njëjtën rëndësi çështjeve jo-ekonomike të jetës aq sa
edhe aspekteve materiale të zhvillimit shoqëror të vendit.
Siç duket, qëllimi i 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke
shpallur për herë të parë Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë -- është që të
pohojë rëndësinë qç ka lumturia njerëzore si një objektiv universal, për tu
relizuar. Për shumë veta, këjo iniciativë mund të duket si qesharake, në një
kohë kur Kombet e Bashkuara mund të merren me çështje ndërkombëtare më me
rëndësi dhe të një natyre urgjente, por kënaqësia dhe lumturia me vet veten, në
vendin e punës, në familje dhe në ambinetin dhe shoqërinë ku jeton njeriu,
është një çështje e rëndësishme, për zhvillimin personal të individit si edhe
për kontributin ose mungesën e kontributit të personit për shoqërinë ose vendin
ku jeton.
Për të gjithë ne që jemi ose kemi qenë në marrëdhënje pune, të qenët i kënaqur
dhe i lumtur në punë dhe në ambijentin ku punojmë është jetike. Një nëpunës i
kënaqur me punën që ka, prodhon më shumë, është më i lumtur dhe inovues. Ndërsa
një person i pakënaqur, gjithmonë mund të llogaritet se do të shkaktonjë
mosmarrveshje, pakënaqësi dhe konflikte me veten dhe me të tjerët, duke
përhapur moskënaqsinë e tij edhe në radhët e të tjerëve. Në përgjithësi, me
njerëz të tillë të cilët nuk janë të lumtur me asgjë, krijohet një atmosferë
shumë e keqe e cila dëmton jo vetëm marrëdhënjet shoqërore, por edhe punën në përgjithësi.
Siç duket --duke caktuar 20 Marsin si Ditën Ndërkombëptare të Lumturisë --
Kombet e Bashkuara mendojnë se në shekullin 21, lumturia apo mungesa e saj në
vendin e punës, në familje, në shoqëri dhe në politikë -- është një çeshtje
serioze dhe me rëndësi globale që meriton vëmendjen e kësaj organizate
ndërkombëtare, ndërkohë që u bën thirrje vendeve anëtare, organizatave
ndërkombëtare dhe jo-qeveritare që të shënojnë këtë ditë me veprimtari të
përshtatshme për të edukuar publikun mbi rëndësinë e saj.
Prandaj, dhe megjithëse me pak vonesë, të gjithëve u dëshiroj kënaqësi dhe
lumturi në jetën tuaj personale, në familje, në vendin e punës dhe në shoqërinë
ku jetoni.