Merre një llastik gome dhe fillo ta zgjasësh. Në fillim nuk të bën pothuajse
asnjë rezistencë. E zgjat pa vështirësi. Deri sa të arrish zgjatjen maksimale
përtej së cilës llastiku prishet. Ekonomia e sotme punon si llastiku juaj. Ai
llastik është sjellja në përputhje me rregullat e konkurrencës së drejtë dhe
sipas ligjit. Në fillim çdo gjë ishte e lehtë, burimet në dispozicion, tregu i
gatshëm për t'u përmbytur nga çdo mall i ri që mund ta bëjë jetën tuaj më të
bukur dhe më të rehatshme. Kur po blinit, ju ndjenit se po bënit një hap drejt
një të ardhmeje më të mirë. Nëse
ju prodhonit, rrëshqisnit në të njëjtin dimension. Radio. Makina. Frigoriferë.
Makina larëse. Fshesë me korrent. Këpucë elegante dhe këpucë sportive. Makinë
elektrike rroje. Peliçe. Televizione. Udhëtime të organizuara. Rroba firmato.
Laptopë. Celularë. Nuk ju nevojitet ta zgjatni më shumë llastikun e rregullave.
Sot ne jemi afërt pikës së thyerjes. Çdo tekë është arritur, çdo nevojë është
plotësuar. Duart që tentojnë ta zgjatin llastikun më tej dhe më tej, vazhdojnë
ta bëjnë këtë edhe një milimetër tjetër me shpresën se përpjekja nuk është me
të vërtetë e fundit.
Në fund merr masat për t'u zhvendosur në Lindje ose provon të punosh ilegalisht
dhe t'i shmangësh taksat. Mundohesh të tërheqësh llastikun e gomës sa më shumë
të jetë e mundur. Kjo është jeta e vështirë e sipërmarrësit. Mark Zuckerberg
shekulli lind vetëm një. Shumë pak janë ata që mund të gjenerojnë pasuri vetëm
nga një ide, për më tepër fituese, dhe ajo ide nuk gjeneron një produkt solid.
Të tjerët janë të detyruar në një luftë të pozicionit për t'i vendosur mirë
mallrat dhe shërbimet që ndoshta përballojnë sa çel e mbyll sytë. Të gjitha
mallrat janë të detyruara t'i nënshtrohen rregullës së llastikut. Të gjithë
përveç njëri. Kokaina.
Nuk ka treg në botë që podhon më shumë se ai i kokainës. Nuk ka asnjë investim
financiar në botë që jep frute si të investosh në kokainë. As edhe fitimet nga
rritja rekord e çmimeve të aksioneve nuk janë të krahasueshme me
"interesat" që jep kokaina. Në vitin 2012, viti i lëshimit të iPhone
5 dhe të mini iPad, Apple është bërë kompania më e kapitalizuar që ne kemi parë
ndonjëherë në një listë të çmimeve të aksioneve. Aksionet e Apple kanë
përjetuar një rritje në tregun e aksioneve me 67 për qind në një vit të vetëm.
Një rritje e konsiderueshme për numrat e financave. Nëse do të investoja
një mijë euro në aksione të Apple në fillim të vitit 2012, tani do të kisha
prejt tyre një mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë. Jo keq. Por në qoftë se unë
kam investuar në Coca një mijë euro në fillim të vitit 2012, tani ata do kisha
njëqind e tetëdhjetë e dy mijë: njëqind herë më shumë se po të kisha investuar
në titullin aksionar rekord të vitit!
Kokaina është një strehë e sigurt. Kokaina është një mall anticiklik. Kokaina
është malli i vërtetë, që nuk i trembet as pamjaftueshmërisë së burimeve as
inflacionit të tregut. Janë tejet shumë kënde të botës që jetojnë pa spitale,
pa internet, pa ujë të rrjedhshëm. Por jo pa kokainë. OKB-ja thotë se në vitin
2009 njëzet tonë janë konsumuar në Afrikë, në Azi katërmbëdhjetë, dy në Oqeani.
Më shumë se njëqind e një në Amerikën Latine dhe Karaibe. Gjithkush e dëshiron
atë, e konsumojnë të gjithë, kanë nevojë për kokainë të gjithë ata që kanë
filluar ta përdorin. Shpenzimet janë minimale, tregtimi është i menjëhershëm,
shkalla e fitimit tejet e lartë. [...]
Nuk ekzistojnë tituj të kuotuar (listuar) në Bursë që mund të gjenerojnë
fitimin e kokainës. Investimi më i madh i shapërdarë, spekullimi më paraprirës,
lëvizjet e shpejta të flukseve të mëdha të parave që arrijnë të menaxhojnë ndaj
kushteve të jetesës së kontinente të tëra, nuk përmbajnë një shumëfishim të
vlerës as larg çdo krahasimi. Kush mbështetet në kokainë, grumbullon në pak
vjet pasuri që përgjithësisht kompanitë e mëdha, kanë arritur në dekadat e
investimeve dhe spekulimeve financiare. Nëse një grup biznesi arrin të ketë në
duart e tij kokainën, mban një fuqi që është e pamundur të arrihet me mjete të
tjera. Nga zero deri një mijë. Një përshtjeimt që nuk mund të ta japë ndonjë
tjetër motor ekonomik. Për këtë arsye, atje ku kokaina është ekonomia e
shkallës, nuk ekziston asgjë pos konfrontimi i ashpër dhe i dhunshëm. Nuk ka
asnjë rrugë të ndërmjetme në kokainë. O gjithçka, o asgjë. Dhe e gjithazgjat
pak. Nuk mund të bësh trafik kokaine me grupet e biznesit me hapësirat
industriale, me ndihmat e Shtetit dhe rregullat e kundërshtueshme në gjykatë.
Ju fitoni në qoftë se jeni më i forti, më i zgjuari, më i organizuari, më
konkreti. Për çfarëdo kompane vlen rregulli se sa do të zgjasësh llastikun, aq
më shumë mund të arrini në treg. Nëse llastikun arrin ta zgjatni edhe më shumë
me kokainë, atëherë ju mund të fitoni në çdo sektor tjetër. Vetëm ligji mund ta
shpërthejë llastikun. Por edhe kur ligji penal gjurmon rrënjët kriminale dhe
përpiqet t'i çrrënjosë ato, nuk ka gjasa të jetë në gjendje t'i gjejë të gjitha
firmat ligjore, investimet e pasurive të patundshme dhe llogaritë bankare që
janë fituar në sajë të stresit të jashtëzakonshëm të arritur nga pluhuri i
bardhë.
Kokaina është një pasuri e komplekse. Përtej bardhësisë së saj fsheh punën e
miliona njerëzve. Asnjë prej këtyre nuk pasurohet sa ata që dinë se si të
vendosin veten në vendin e duhur të zinxhirit të prodhimit. Rockefellerët
e kokainës e dinë si lind produkti i tyre, hap pas hapi. Ata e dinë se është e
mbjellë në qershor dhe në gusht është vjelë. Ata e dinë se mbjellja duhet të
bëhet me një farë nga bimë të paktën trevjeçare dhe se vjeljet e kokainës bëhen
tri herë në vit. Ata e dinë se gjethet e mbledhura duhet të vihen për tharrje
brenda njëzet e katër orësh nga krasitja, përndryshe do të shkatërrohen dhe ju
nuk do të shisni më. Ata e dinë se hapi i ardhshëm është që të gërmojnë dy
vrima në tokë. Në të parën, së bashku me gjethet e thata, ju duhet të shtoni
karbonat kaliumit dhe vajguri. Ata e dinë se pastaj ju duhet ta shtypni mirë
këtë përzierje, deri sa të keni një llucë të gjelbër, karbonat kokaine, e cila
pasi të jetë filtruar duhet të transferohet në vrimën e dytë. Ata e dinë se
përbërësi tjetër është acidi sulfurik i përqëndruar. Ata e dinë se ajo që ju
nxirrni është sulfati bazik i kokainës, brumi bazë, i cili duhet lënë të
thahet. Ata e dinë se hapat e fundit përfshijnë aceton, acid klorhidrik, alkool
absolut. Ata e dinë se keni për ta filtruar përsëri dhe përsëri. Dhe pastaj
përsëri ta thani. Ata e dinë që arrihet kështu klorhidrati i kokainës, i
quajtur rëndom: kokainë.
Rokfelerëve e kokainës e dintë se për të marrë rreth një gjysmë kilogrami
kokainë të tejpastër duhen: tre tonë gjethe dhe një grusht punëtorësh me orar
të plotë. Të gjithë këta sipërmarrës të kokainës e dinë se ashtu si cilido
drejtues biznesi. Por e dinë mbi të gjitha se pjesa më e madhe e fermerëve,
tregtarëve dhe transportuesve të cilët kanë gjetur një punë më pak
fitimprurëse, mund të kërkojnë gjetkë për të mos i pasur të dyja këmbët të
mbjella në varfëri. Është fuqia punëtore, një masë e madhe nënshtetasish të
ndërkëmbyeshëm në përjetësimin e një sistemi të shfrytëzimit dhe pasurimit për
të mirën e një pakice. Dhe në krye të atyre të paktëve janë ata që kanë pasur
largpamësi për të kuptuar se në udhëtimin e gjatë me gjethet e kokainës nga
Kolumbia tek flegrat e konsumatorit rastësor, paraja e vërtetë bëhet me
shitjen, rishitjen dhe menaxhimin e çmimeve. Edhe pse është e vërtetë se një
kilogram kokainë në Kolumbi është shitur njëmijë e pesëqind dollarë, në Meksikë
në mes të dymbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, njëzet e shtatë në Shtetet e
Bashkuara, në Spanjë dyzetegjashtë, 47.000 në Holandë, në Itali pesëdhjetë e
shtatë mijë, në Mbretërinë e Bashkuar për 77000; në qoftë se është e vërtetë se
nga një kilogram kokainë e pastër përftohen mesatarisht tre kilogramë të cilat
shiten në doza një gramëshe variojnë nga gjashtëdhjetë dollarë në Portugalisë
deri në njëqind e gjashtëdhjetë e një në Luksemburg, duke kaluar në tetëdhjetë
në Francë, tetëdhjetë e shtatë në Gjermani, nëntëdhjetë e gjashtë në Zvicër dhe
nëntëdhjetë e shtatë në Irlandë; nëse është e vërtetë kjo, është po aq e
vërtetë se ai i cili kontrollon të gjithë zinxhirin e furnizimit është një nga
njerëzit më të pasur në botë.
Borgjezitë e reja mafioze menaxhojnë sot trafikun e kokainës. Nëpërmjet
shpërndarjes pushtojnë territorin ku ajo është tregtuar. Një rrezik i
dimensioneve planetare. Nga njëra anë zonat e prodhimit që bëhen çifligje ku nuk
rritet më asgjë, përveçse varfëria dhe dhuna, territore të cilat grupet mafioze
i mbajnë nën kontroll duke zgjeruar bamirësinë dhe dhënien e lëmoshave që
shpërndajnë. Nuk duhet të ketë zhvillim. Vetëm prebenda (fitime të majme,
sqarim përkthimi). Në qoftë se dikush dëshiron të shpengohet nuk duhet të
pretendojë të drejta për veten, por pasuri. Një pasuri që duhet të dish ta
arrish. Në këtë mënyrë, përftohet një model i vetëm i afirmimit të vazhdueshëm
për të cilin dhuna është vetëm një mjet dhe instrument. Ajo që imponohet është
fuqia e produktitdhe pastërtia e produktit, të tilla si kokaina vetë. Nga ana
tjetër vende dhe kombe ku të vendosin në qendër të hartës flamurin e tyre.
Itali: të pranishëm. Angli: të pranishëm. Rusi: të pranishëm. Kina: të pranishëm.
Kudo. Për familjet më të forta, kokaina punon me lehtësinë e një bankomati.
Doni të bleni një qendër tregtare? Importo kokainë dhe je gati pas një muaji
për të mbyllur transaksionin. Doni të ndikoni në fushatat zgjedhore? Importo
kokainë brenda pak javësh je gati. Kokaina është përgjigje universale për
nevojën për likuiditet. Ekonomia e kokainës rritet në mënyrë dramatike dhe
arrin kudo./Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ