Dua ta sqaroj që në fillim faktin e të qenit të LSI-së si e tillë, pra
solomoniane, pasi nuk përkon aspak me interesat e popullit shqiptar, por fund e
krye me skllupllëkun e saj të pashoq. Kjo parti, e cila vetëpropagandohet si
sollake, por që ndodhet në koalicion me partitë e ashtuquajtura të djathta, e
që bashkëqeveris qysh nga 2009-a Shqipërinë, është një sui generis në politikën
shqiptare. Ata që menduan se në hapat e para të krijimit të saj do të jetë
skalapurri i radhës në arenën e politikës sonë, gabuan rëndë në analizat e
tyre. Kjo lëvizje separatiste brenda së majtës që në provën e parë rrëzoi
partinë mëmë, pra PS-në. Kësisoj, ndonëse e majta në tërësi grumbulloi më tepër
vota se gjithë spektri i djathtë, ishte pikërisht Partia Demokratike që mori drejtimin
e pushtetit, pas ndarjes të së majtës, siç e quajti asokohe Berisha "të mollës
së kalbur në dy pjesë", e që sot qeveris pikërisht me atë gjysmë të kalbur,
duke u bërë simahor i të gjitha ngjarjeve të ndodhura prej vitesh, e sidomos të
rënduara së tepërmi në 2-vjeçarin e fundit.
Në krye të herës LSI-ja, veçanërisht në hapat e parë të saj, nga kreu i selisë
rozë Fatos Nano u quajt "Lëvizja e Skraparllinjve të Irrituar" apo edhe
"Lëvizja Socialiste e Inatosur", paçka se pas rrokullisjes së pushtetit lindi
një dashuri e flaktë mes dy njerëzve më të rëndësishëm të së majtës së asaj
kohe.
Gjatë 2008-s dhe fillimit të 2009-s ndodhën zhvillime, të cilat dihen, në
politikën shqiptare, ku LSI-ja, kjo njollë stearine, luftoi ashpër në
parlament, si dhe u pozicionua akoma më majtas se vetë PS-ja. Në këto zgjedhje
arriti të marrë me meritë, por edhe me marifetet e saj, plot katër deputetë,
mjaftueshëm për t'u pasur në konsideratë e begenisur qoftë nga PD-ja, qoftë nga
PS-ja. Berisha - lideri absolut i PD-së, një skile e vjetër e politikës
shqiptare - arriti të kollofit fët e fët, duke mos i lënë mundësi as të marrë
frymë lidershipit të Partisë Socialiste, e jo më të peshonte situatën e
krijuar, "gjysmën e mollës së kalbur" të cilësuar më herët nga ai dhe, paçka se
LSI përgjatë gjithë fushatës kishte nxjerrë llum të paparë në adresë të tij, të
dyja së bashku (PD-ja dhe LSI-ja me në krye çiftin Berisha-Meta) bënë një salto
mortale, që habiti më së shumti elektoratin e djathtë, me përjashtim të
sahanlëpirësve, që përligjin gjithçka veç e veç t'u gëzohen të bollshmeve të
pushtetit. Së këndejmi, nga kjo ngjizje e pabesueshme mjaft arritje në
4-vjeçarin e parë të PD-së me kalimin e kohës filluan të eklipsoheshin.
Mazhoranca dëmtoi rëndë imazhin e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në zgjedhjet
e 2011-s, ku Tirana u shndërrua në kryeqendrën e manipulimit botëror të votave,
krejt çiltazi, në sytë e mbarë opinionit ndërkombëtar, ku i madh e i vogël e pa
dhe mori vesh se humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve ishte populli shqiptar, të
cilit i iku edhe treni i fundit për në Europë, e kjo si gjithnjë për shkak të
telendisjes së politikës së saj: e etur për pushtet dhe pará. Po ashtu Gërdeci,
21 janari dhe videoskandali me pazaret e Ilir Metës tronditën akoma më tepër
shtyllat e demokracisë, që edhe ashtu të brishta siç ishin u shembën përfaqez.
Tanithi, për të mos notuar më tepër seç nevojitet në atë që ka kaluar, duke
menduar përherë se diç e mirë vjen nga e ardhmja, sytë tanë kthehen drejt saj,
ndërsa situata është e tillë, ku LSI-ja ndodhet në prehrin e mazhorancës
aktuale, me gumëzhitjen mediatike se mund të rreshtohet majtas apo të
pozicionohet më vete, pra duke krijuar atë që quhet poli i tretë. LSI-ja, kjo
skotë e interesaxhinjve, që emrin e vërtetë duhet ta kish "Lëvizja Satanike
Izopode", si një sprijë do t'i vërsulet më të fortit, më të pushtetshmit, e që
në rastin konkret është PD-ja. Mu për këto arsye, si dhe ndërlidhjes
inkriminuese së bashku me mazhorancën aktuale, LSI-ja e ka thuajse të pamundur
kapërcimin in loco, duke vijuar të mbesë in malam partem. Edhe sikur të ketë të
ngjarë që të futet në koalicion para apo paszgjedhor me Partinë Socialiste,
sërish ajo do të jetë e lidhur në mënyrë të shumëfishtë me PD-në dhe qeverisjen
e saj aktuale, ku me siguri do të hartohen një sërë pikash ku njëri-tjetrin ta
lënë të qetë, madje të përkujdesen në rast nevoje. Ndonëse votat e kësaj
skrodhe politike vijnë vetëm nga njerëzit e punësuar në këto vite në mënyrë të
turpshme, militanteske dhe antidemokratike, pra pavërësisht kësaj, ajo do të
përjetojë një tkurrje të votave në krahasim me 2009-n.
Lidershipi aktual i PS-së do të bënte mëkatin më të madh, sidomos moralisht, po
të ribashkonte forcat me këtë lëvizje surrogatësh infektiv, duke i trajtuar si
"serafin", që veç të këtillë kurrë s'kanë qenë e s'do të mund të jenë assesi.
Përtej ofertave të ndryshme, "saxa loquuntur" se LSI-ja do të përfaq si
gjithnjë solomonianizmin e saj, duke u rreshtuar në krahun ku interesat e saj
vetiake gjejnë përputhje të plotë, e ku oreksi i kësaj sorrëshkine politike
përmbushet më së shumti.
Realiteti ynë, i prejardhur veçanërisht nga një kulturë e mangët, e cila nuk
arrin të ndajë të moralshmen nga e pamoralshmja, do ta përligj me çdo çmim
pozicionimin e LSI-së, cilido qoftë ai, si dhe kodoshllëqet e saj të panumërta
gjatë këtyre viteve bashkëqeverisje, mjaft që kjo parti, ashtu si nga krijimi i
saj, të punësojë çdo militant/e në radhët e veta. Pikërisht këto janë të vetmet
vota të këtyre rrufjanëve politikë, që kanë qenë një pjesë e rëndësishme ndër të
shumtit plëngprishës të zgjedhjeve të lira e demokratike në Shqipëri, të
forcimit të ligjit dhe institucioneve në vend, si dhe instalimit të sistemit të
meritokracisë, ku secili merr atë që i takon plotësisht, në bazë të meritave e
vlerave profesionale të tij.
31 mars 2013
-
*Autori është analist në "Nacional Albania"