Shtetet e Bashkuara ishin në krye të bojkotimit të të ashtuquajturit "debat",
të organizuar të mërkurën nga Vuk Jeremiqi, në Organizatën e Kombeve të
Bashkuara (OKB), mbi punën e gjykatave ndërkombëtare. Por në të vërtetë,
qëllimi i tij kryesor ishte të nënvlerësonte, duke kritikuar ashpër në një
forum ndërkombëtar, punën e deritanishme të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet
në ish-Jugosllavi. Përdorimi i OKB-së, në kapacitetin e tij si president
ceremonial i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për qëllime
personale dhe të interesave të Serbisë, shkaktoi kundërshtime të mëdha nga
vende të ndryshme si dhe nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të
njeriut. Vende të ndryshme bojkotuan mbledhjen dhe ato që morën pjesë
simbolikisht, dërguan diplomatë ose zyrtarë të rangut të ultë, ndërsa shumë
organizata të ftuara jo-qeveritare refuzuan të merrnin pjesë. Javën e kaluar,
një zyrtar i pa identifikuar i Shteteve të Bashkuara u citua në media të ketë
thënë se sesjoni në OKB, i organizuar nga Jeremiçi, do të përdorej për qëllime
propagandistike serbe. Ashtu edhe ndodhi. Presidenti i Serbisë, Nikoliç, për
dyzet e pesë minuta shfaqi helm e vrer ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e
luftës në ish-Jugosllavi duke u ankuar për trajtimin e serbëve nga gjykata mbi
krimet në ish-Jugosllavi, dhe njëkohësisht kritikoi median perëndimore që,
sipas tij, ka krijuar një imazh në botë se vetëm Serbia është fajtore.
Shtetet e Bashkuara, duke shfaqur pakënaqsinë dhe zemërimin e tyre me këtë të
ashtuquajtur "debat", ishin në krye të bojkotimit të sesjonit duke refuzuar të
merrnin pjesë ndërsa kritikuan ashpër iniciativën e ish-ministrit të jashtëm
serb për mabjtjen e një mbledhjeje të tillë. Në një deklaratë të lëshuar për
median të mërkurën, Misjoni i Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së
Kombeve të Bashkuara, njoftoi se, pasi që "Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë
ashpër vendimin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme për të mbajtur sot
një debat ndezës dhe të pa balancuar mbi rolin e gjykatave ndërkombëtare, si
rrjedhim, SHBA nuk do të marrë pjesë." Në deklaratën amerikane për shtyp
shfaqet gjithashtu pakënaqësia e thellë e Uashingtonit, posaçërisht për faktin
se debati ishte organizuar në atë mënyrë që të mos lejonte pjesëmarrjen e
viktimave të barbarizmave të luftërave në ish-Jugosllavi. Në deklaratë
theksohet gjithashtu qendrimi amerikan se ata që kanë kryer vepra të tilla
tmershme gjatë lutërave në ish-Jugosllavi, duhet të mbahen përgjegjës për
krimet e tyre, duke shtuar se, "Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë së
punuari, për derisa të gjithë ata që kanë kryer vrasje në masë, të përballen me
drejtësinë...." Ndërkaq, kongresistja amerikane Eddie Bernice Johnson nga
shteti Teksas, në një deklaratë në Kongres çfaqi shqetësimin e saj në lidhje me
mbledhjen e të mërkurës në OKB, ndërkohë që u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara
të njohin gjenocidin e kryer në Srebrenicë, duke shpallur 11 Korrikun, si Ditën
Përkujtimore të viktimave të Srebrenicës.
Edhe Shqipëria reagoi ashpër ndaj këtij takimi në OKB, nepërmjet Ambasadorit të
saj të Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferid Hoxha. Në deklaratën e
tij, ndërsa thotë se Shqipëria i bashkohet deklaratës së Bashkimit Evropian në
lidhje me këtë çështje, Ambasadori shqiptar kritikon ashpër mënyrën se si është
organizuar kjo mbledhje dhe shpreh rezervimet e tija mbi motivet e vërteta
politike të një debati të tillë. Përfaqësuesi i Tiranës shprehet se ai nuk mban
mend ndonjë rast tjetër si ky që Kombet e Bashkuara të organizonin diçka të
tillë me fshehtësinë dhe mungesën e transparencës siç u organizua ky debat,
duke përjashtuar krejtësisht pjesëmarrjen e viktimave. Ambasadori shqiptar
kritikon gjithashtu caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes si edhe
këmbënguljen për të mos e ndryshuar atë, një datë këjo që sipas tij, ka një
domethënje historike për rajonin. Përfaqsuesi shqiptar pranë Kombeve të
Bashkuara thotë në deklaratën e tij se, "duke venë në dyshim meritat e Gjykatës
(Ndërkombëtare), në ndjekje të çfardo agjende specifike politike, është një
përpjekje e dobët që shtrëmbëron, për të mos thënë minon, rolin që duhet të
luaj Asambleja e Përgjithshme. Ky (debat) është një vlerësim jo i drejtë ndaj
punës së Gjykatës dhe përbën një kërcënim serioz ndaj procesit në vazhdim e
sipër për pajtimin në rajon. "Rajoni ynë nuk ka nevojë për këtë, dhe ne nuk
duam të kemi të bëjmë asgjë me objektivat e këtij debati", përfundon deklaratën
e tij, Ambasadori i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara.
Jeremiqi dhe Serbia nuk i shpëtuan as kritikave të Sekretarit të Përgjithshëm
të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i cili u paraqit shkurtazi në mbledhje,
por këjo mjaftoi që ai të shprehte mbështetjen e tij të padyshimtë ndaj
gjykatave ndërkombëtare dhe të kritikonte ashpër ata, që sipas tij, "përpiqen
të minojnë punën e gjykatave". Sikurë po u drejtohej udhëheqsve serbë drejtë
për së drejti, Ban Ki Moon tha se askush nuk ka të drejtë të minojë punën e
këtyre gjykatave, sidomos, "për arsye -- të cilat kanë më shumë të bëjnë me
politikën -- se sa me drejtësinë." Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës vazhdoi
duke thënë se, "pandëshkueshmëria për krimet e luftës, krimet kundër
njerëzimit, gjenocidit dhe krimeve të tjera serioze ndërkombëtare, nuk është e
pranueshme dhe as nuk do të tolerohet më." Ai vazhdoi duke thënë se personat
"që përhapin urrjetje dhe ndasi qofshin ata udhëheqës shtetesh, grupesh
policoro-ushtarake, individë civilë ose ushtarakë nuk kanë ku të fshihen më
prej drejtësisë." Zoti Ban Ki Moon u takua më vonë më përfaqësueset e
organizatës boshnjake, "Nënat e Srebrenicës" , të cilat në një veprim
skandaloz, rojet e OKB-ës i detyruan të largoheshin nga salla e mbledhjes sepse
mbanin një pllakat në dorë. Srebrenica është vendi, ku në vitin 1995, forcat
serbe masakruan mbi 8000-mijë burra dhe të rinjë boshnjakë.
Kritikat ndaj kësaj mbledhjeje të organizuar nga Jeremiçi nuk munguan as nga
vende të tjera. Ndër to, Britania e Madhe dhe Jordania, sipas agjencisë së
lajmeve Rojter, shprehën shqetsimin e tyre se viktimave të Srebrenicës nuk iu
dha rasti të flisnin. Ambasadori i Jordanisë pranë OKB-ës u shpreh para
gazetarëve se qendrimi i Serbisë ndaj gjykatave ndërkombëtare "është një
shkelje ofenduese e ligjit që meriton të censurohet". Edhe përfaqsuesi i
Lichtenshtajnit kritikoi ashpër presidentin e Asamblesë së Përgjithshme duke shfaqur
shqetësimin e tij se, "˜'Jeremiçi po shfrytëzon pozitën e tij për realizimin e
objektivave të tij politike, që qartë nuk është diçka që ai duhet të bëjë si
president i Asamblesë së Përgjithëshme." Ndërkohë, Drejtori për drejtësi
ndërkombëtare në organizatën e të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch,
Richard Dicker, në një artikull për gazetën Huffington Post shkruan se
themelimi i Gjykatës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi avancoi respektimin
ndaj të drejtave bazë të njeriut, si dhe përpjekjet në përgjithësi, për
vendosjen e një drejtësie ndërkombëtare, janë duke rishkruar rregullat kyçe të
marrëdhënjeve dhe të diplomacisë ndërkombëtare". Edhe ai kritikoi debatin e
organizuar nga Jeremiçi, duke thënë se duhet të gjënden mënyra më të mira për
diskutimin e çështjeve të tilla.
Jeremiçi dhe Beogradi zyrtar organizuan "debatin" kundër gjykatave
ndërkombëtare në OKB, në të njëjtën ditë që kryeminsitri Daçiç u takua në Moskë
me udhëheqësit më të lartë të siç u shpreh ai, të popullit "vëlla" rus,
Presidentin Putin dhe kryeministrin Medvedev. Ishte këjo një fushatë frontale
dhe mbarë kombëtare e diplomacisë serbe për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës
Ndërkombëtare të Hagës dhe njëkohësisht për të siguruar mbështjetjen e Moskës
për politikën serbe ndaj Kosovës. Të dy këto objektiva siç duket dështuan.
Kryeministri serb, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin rus, sipas medias,
falenderoi Rusinë për përkrahjen që Moska dhe populli rus po i japin politikës
serbe ndaj Kosovës. "Populli serb" theksoi Daçiçi, "e di dhe nuk harron se
Rusia është mikja e tij më e madhe." Megjithëse ai në sipërfaqe u prit ngrohët
nga Putini, sipas agjencisë së lajmeve Rojter, kryeministri rus Medvedev gjatë
takimit me Daçiçin, mund të ketë humbur durimin me qendrimin serb ndaj Kosovës,
pasi citohet t'i ketë thënë udhëheqsit serb -- se në lidhje me Kosovën -- Moska
ka përshtypjen se serbët, "presin më shumë nga Rusia se sa nga vet Serbia." Ky
është një qendrim i gabuar, citohet ti ketë thënë Medvedevi Daçiçit, dhe se
Serbia duhet të kujdeset vet për këtë proces, dhe jo Moska, sipas kryeministrit
rus.
Kështu pra mori fund edhe një përpjekje tjetër e shëmtuar serbe për të hedhur
pluhur në sytë e botës mbi rolin e Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë, mbi
politikën së saj shterpë ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera që përbënin
ish-federatën jugosllave. Por siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, humbjet dhe
dështimet, historikisht Serbia i ka konsideruar si fitore. Edhe kjo përpjekje
e dështuar në OKB mund të radhitet si një "fitore".